Sunday, March 31, 2013

A do te garoje Hillary per presidente?

Pavarësisht se çfarë bën Barack Obama, ai nuk mund t’i shmanget hijes së ish rivales së tij politike. Hillary Clinton, pas udhëtimeve globale ku vizitoi vendet dhe popujt, të cilëve vështirë u dëgjohet zëri në këtë kontinent, po del në qendër të vëmendjes, edhe pa i prekur shkallët e skenës, shkruan e përditshmja Washington Post, në fillim të artikullit të saj për të ardhmen e ish sekretares amerikane të shtetit. Presidenti Obama i cili së fundmi vizitoi Lindjen e Mesme, ka bërë histori teksa fliste për luftën në Siri, për Iranin dhe për paqen ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, ndërsa në skenën e brendshme qarkullon një Pyetje e Madhe: A do të garojë Hillary?


Pak njerëz dhe shumë më pak femra, kanë zgjuar aq shumë interesim sa Hillary Clinton. Ajo bart një barrë unike duke qenë diçka për çdokënd: e dashur, e përbuzur, e admiruar, model për të tjerët, politikane, nënë, bashkëshorte, hakmarrëse, qortuese, muzë. Ajo është njëfarë rebusi, shkruan Washington Post dhe e shtron pyetjen “ajo po garon për presidente, apo jo”?

Pa dyshim se çështja që sillet në mendjen e zonjës Hillary është a të garoj përsëri për detyrën më të lartë, një çështje torturuese. Pa evitueshmëria e saj është legjendë. Ish shërbyesja publike, që u bë bashkëshorte e Bill Clintonit, përfundimisht është e gatshme për lavdinë e saj, në kohën e saj. Atëherë erdhi gjëja më e papritur, ky person Obama, i cili doli në skenë nga një yll i largët dhe i verboi masat me dritën e tij. Suksesi i tij, për fat të keq, ishte më i madh se i saj dhe Hillary edhe njëherë është dashur të presë. A do të garojë ajo përsëri për presidencë? A do ta përcaktojë ajo fatin e saj? Apo fati i saj do të venitet në faqet e mundësive të humbura, koha e keqe dhe premtimet e thyera?

Do të jetë rraskapitëse. Koha paraqet një kundërshtar, meqë Hillary në vitit 2016 do t’i ketë 69 vjeç. Katër vitet e kaluara ishin brutale dhe ajo i tregoi efektet e udhëtimit të vazhdueshëm, presionit të pafund dhe të një mungese fisnike të vëmendjes për krenarinë e saj. Fushata presidenciale, megjithëse e njohur, do të jetë më e ashpër , meqë do të ketë shumë angazhim dhe do të jetë një rrugë e tmerrshme, veçanërisht për një grua, e cila ndoshta duhet të mendojë për mbesa dhe nipër.
Por Hillary nuk është pjekëse e ëmbëlsirave, siç e dimë. Tash është përfundimisht koha e drejtë. Popullariteti i saj është më i lartë se kurdoherë më parë. Ajo është e admiruar në mbarë botën. Ajo i ka arritur sukseset e saj jo nga trashëgimia, por nëpërmjet aftësive të saj. Ajo ia doli që nëpërmjet punës së mundimshme t’i asgjësojë kujtimet e viteve të mëhershme si Zonja e Parë dhe femra e cila qëndroi pranë bashkëshortit të saj, edhe atëherë kur shumë femra nuk do ta bënin këtë. Jo rastësisht votat e femrave janë të saja.
Madje edhe femrat republikane do ta kenë vështirë të mos votojnë për Hillaryn. Nëse jo për të, për kë atëherë? Qartazi, propozimi “Hillary Clinton për presidente” ka më tepër pyetje se përgjigje. Por, të gjitha llogaritë përfundojnë në këtë pikë: ajo esencialisht për këtë moment ka punuar gjatë gjithë jetës së saj. Opinioni është i përgatitur për presidente, shkruan në fund të artikullit e përditshmja Washington Post.

No comments: