Saturday, January 12, 2013

Rritet frika se grupimet rebele mund të qëllojnë kundër njëri-tjetrit

Vrasja e një komandanti të lartë të rebelëve islamikë në kufirin e Sirisë me Turqinë mund të hapë një luftë të pisët mes grupimeve të armatosura të opozitës, gjë që mund të dëmtojë përpjekjen e tyre për të rrëzuar Presidentin Bashar al-Assad, bën të ditur “Reuters”.
Thaer al-Vaqqas, komandanti i veriut i brigadave al-Farouq, një nga grupimet më të mëdha rebele në Siri, u vra në një pozicion nën kontrollin e rebelëve në qytetin Sermin, disa kilometra larg Turqisë, thanë burime nga rebelët.
Al-Vaqqas,
thanë ata, dyshohej se kishte organizuar vrasjen e Firas al-Absi, katër muaj më parë, një udhëheqës xhihadist me lëvizjen “Al-Nusra”, një degë e “Al-Kaedës”, një organizatë që konsiderohet si terroriste nga Uashingtoni.
Rebelët kanë probleme të vazhdueshme me furnizimet dhe mungesë financimesh e armatimesh të rënda. Por mungesa e unitetit mes grupimeve rebele i ka penguar përpjekjet e tyre për të mposhtur forcat e Assad.
“Vrasësit erdhën me një makinë të bardhë, dolën prej saj dhe e bënë shoshë me plumba, ndërsa Vaqqas gjendej në një depo ushqimore”, tha një prej rebelëve. Dyshimet e tyre u drejtuan menjëherë te Nusra.
“Vëllai i Absit është komandant në qytetin Homs. Ai ishte betuar të hakmerrej për Firas dhe duket se e ka zbatuar këtë betim”, tha rebeli.
“Farouq është në zi aktualisht. Por duket vetëm çështje kohe para se përplasjet me Nusran të fillojnë”, shtoi ai duke sugjeruar që përplasjet mund të fillojnë në një pikë kalimi kufitar me Turqinë. Kjo pikë kontrollet nga Farouq, por edhe luftëtarët e Nusras janë të pranishëm në zonë, krahas me një brigadë tjetër aleate me to.
Nusra përbëhet më së shumti nga ish-civilë të mbështetur nga xhihadistë të huaj, ndërsa Farouq ka një numër më të madh dezertorësh nga ushtria e rregullt dhe nga aparati i sigurisë së Sirisë. Disa besojnë se për shkak të numrit të lartë të dezertorëve, ky grupim ka gjasa të jetë i infiltruar nga agjentët e Assad.
Komanda e re e rebelëve që u krijua muajin e kaluar në Turqi me mbështetjen e arabëve dhe perëndimorëve, duket se nuk ka arritur t’u japë fund përçarjeve mes qindra grupimeve rebele dhe përçarjet janë më të dukshme në zonat ku Assad ka humbur kontrollin.
Nusra, Farouq islamikët e Ahrar al-Sham – tri organizatat më të mëdha rebele në veri, kanë qëndruar jashtë komandës së re të rebelëve. Departamenti i Shtetit i SHBA-së thotë se Nusra po përdor Sirinë për “qëllime dashakeqe” të “Al Kaedës” dhe nuk duhet të përfshihet në tranzicionin politik të vendit.
Farouq mbështetet nga Vëllazëria Myslimane, grupimi më i mirorganizuar politik i “Pranverës arabe” dhe me ndikim në rritje në Siri. Ky grupim pati humbur mijëra anëtarë në vitet ‘80 nga shtypja ushtarake e drejtuar nga familja e Assad. Një zyrtar i tyre tha se vrasja e Absit ishte e mistershme, por pranoi se marrëdhëniet me Nusran janë komplikuar, megjithëse nuk hodhi akuza.
“Regjimi është pas vrasjeve. Ne nuk kemi asnjë politikë të targetimit të al-Nusra dhe ne bashkëpunojmë ushtarakisht në disa rajone”, tha zyrtari.
Dyshimet janë se përplasjet ushtarake mund të rriten brenda grupimeve të opozitës në rast se udhëheqësia politike nuk arrin të përmbajë zemërimin e krijuar.

No comments: