Ismail Halili
Ka tre ditë që
mediat kanë dëshmuar se Rruga e Kombit, në segmentin nga Kukësi në
Morinë, është “hapur” ose “shqepur” siç thuhet në gjuhën e popullit. Në
rrugën që u ndërtua për të çliruar shpejtësinë e ardhjes dhe të
mbërritjes nga Prishtina në Tiranë, tani janë vendosur bllokadat më të
shëmtuara dhe më të rrezikshme: Gropat e thella në mes të asfaltit. Në
këto gropa jo vetëm ndalon shpejtësia, por edhe mund të shkaktohen
aksidente të rënda që rrezikojnë jetën e njerëzve. Sigurisht, Rruga e Kombit, si edhe mijëra kilometra rrugë që janë ndërtuar në vendin tonë sidomos gjatë këtyre pesë a gjashtë viteve, i kanë dhënë lirinë e kërkuar lëvizjes njerëzore dhe kontakteve mes njerëzve. Kryeministri Berisha, i cili ka iniciuar e udhëhequr ndërtimin e rrugëve si një domosdoshmëri për vendin, por sidomos si elementin themelor të “lirisë dhe luftës kundër izolimit”, ka mbajtur edhe peshën e madhe të akuzave pse po ndërtohej Rruga e Kombit me një kosto aq të lartë sa për shumë kohë u kthye në një qendër kritikash dhe akuzash opozitare, mediatike dhe kafenesh. Liderët e opozitës patën deklaruar se nuk do të kalonin në Rrugën e Kombit, megjithëse shumë shpesh herë e thyen betimin e tyre.
Mirëpo tani, jo vetëm liderët e opozitës, por kushdo që nuk e deshi Rrugën e Kombit do të kishte “kënaqësinë” ta shikonte rrugën në atë gjendje shumë të mjeruar. Edhe dashakeqësi më i madh i rrugës, tani do të fërkonte duart nga kënaqësia.
Rruga e Kombit është shkatërruar në segmentin nga Kukësi në Morinë. Është kthyer thuajse në rrugë të papërdorshme. Ose më mirë të themi se tashmë rruga e Kombit mund të quhet vetëm pjesa që mbërrin deri në Kukës, por jo më tej, në Prishtinë ku ka destinacionin. Në një mënyrë tjetër mund të themi se Rruga është këputur në mes. Tragjedia është shumë e madhe, sidomos po të merret parasysh se njerëzit u mësuan me rrugën dhe se shpenzimet kolosale u kryen.
Në mes të kësaj fatkeqësie që ka ndodhur në Rrugë, vallë pse nuk duket zoti Lulzim Basha që të flasë me publikun për këtë që ndodhi!?
Zoti Basha ishte Ministër i Komunikacionit, një prej eksponentëve kryesorë që mbështeti dhe udhëhoqi punimet për ndërtimin e Rrugës së Kombit. Rruga e Kombit hyri në biografinë e sukseseve të zotit Lulzim Basha si udhëheqës i ri i partisë Demokratike dhe i qeverisjes së saj. Në momentin kur mori detyrën e lartë të Ministrit të Jashtëm, zoti Basha u kurorëzua edhe me emrin shumë të mirë që kishte marrë prej suksesit në ndërtimin e Rrugës së Kombit.... Këto ishin të gjitha me vend dhe të drejta.
Por aq sa “dekorative” ishin sukseset e rrugës për Ministrin Basha, po kaq i detyruar është ish- ministri i Transporteve që të paraqitet para publikut dhe t’u përgjigjet “sukseseve” në rrugine Kombit.
Pse vallë u shkatërruar rruga? Sigurisht, për shkak se nuk u kryen punimet e duhura, me parametra teknikë dhe me vlerën e duhur. Domethënë, në gjuhën më të thjeshtë, dikush ka futur paratë në xhep në vend që të hidheshin në cilësinë e Rrugës dhe sot të mos kishim shkatërrim të saj.
Cili është kontrolli që u ushtrua mbi punimet në rrugë? Çfarë konkludoi kontrolli mbi punimet që u kryen në rrugë? Kush e mban përgjegjësinë për shkatërrimin e Rrugës? Si do të kthehen vlerat monetare nga mos- vlerë në vlerë? Sepse vlerat monetare kanë dalë nga buxheti i shtetit dhe nga fondi i publikut, por në fakt nuk kanë shkuar në destinacionin e duhur.
Këto janë pyetjet që duhet t’u përgjigjet ish- ministri i Transporteve, Lulzim Basha. Po pse nuk përgjigjet? Madje prej tre ditësh edhe pse pritet një fjalë, ka vetëm heshtje....
Atëherë, ja edhe disa arsye pse vallë nuk mund të heshtet para rrugës së dëmtuar të Kombit:
- Nuk mund të heshtet për arsye se rruga Rrëshen Kalimash, me një gjatësi 61 kilometra (duke përfshirë edhe tunelet me gjatësi 5.6 km të gjatë), por tani Rruga nuk është më 61 kilometra, rreth 12 kilometra kanë dalë jashtë përdorimit.
- Rruga e Kombit ka një kosto prej 98.7 miliardë lekë, që do të thotë se është një pasuri shumë e madhe. Për gjithçka që ndodh në një pasuri kaq të madhe të publikut, Ministri duhet të flasë, të dëshmojë ose edhe të përgjigjet.
- Nuk mund të heshtet sepse vetëm kjo rrugë ka marrë gati 50 për qind të të gjithë investimit në të gjitha rrugët e vendit; për këtë arsye aq më tepër ministri duhet të mbaje përgjegjësi.
- Nuk mund të heshtet, sepse sot e kësaj dite, borxhi i jashtëm është i lartë, sepse nisi që me këtë rrugë, në vitin 2008, projekti u financua me një borxh të jashtëm prej 31.8 mild. Lekë që e rriti borxhin në atë vit në 39 miliardë lekë.
Prej disa ditësh publiku ka pritur dhe po pret një fjalë nga zoti Lulzim Basha, por akoma nuk ka fjalë. Njerëzit, para kësaj situate mund të mendojnë se edhe sikur në Tiranë të ndodhë ndonjë gjë, atëherë kryetari i Bashksië nuk do të përgjigjet drejtpërdrejt. Nuk është një sinjal i mirë.
No comments:
Post a Comment