Ardian Klosi
-Mendoja Shqipërinë dhe ma prishte gjumin përveç varfërisë kronike, dajaku i madh që vërviste forca popullore e Sekretarit të Parë mbi kokat e bashkëqytetarëve, si dhe një ide e re: më 8 dhjetor do të bëheshin dhjetë vjet nga vrasja e Xhon Lenonit dhe unë mund të organizoja një mbrëmje me studentët. Liçi kishte marrë përsipër të ekzekutonte këngë të tij në piano. I kisha gjetur menjëherë ato këngë që i shkonin zgjimit të ngadaltë shqiptar. Power to the people, Revolution.
Gjendja me sa dukej tendosej nga dita në ditë, sidomos pas ikjes së Kadaresë dhe intervistës së fundit të Gramoz Pashkos.
Merrja atdheun në telefon, por shokët nuk diktonin asgjë alarmante. Kur rashë përsëri në Tiranë, Blendi, Marku, Nandi u përgjigjën me entuziazëm: menjëherë do t’i bëjmë të gjitha, edhe pllakatet, edhe pjesët muzikore. Liçi për fat të keq kishte emigruar përfundimisht. “Vendosim edhe disa thënie të Xhon Lenonit nëpër mure”, i thashë Blendit. “Pse prapë me citatet e Enver Hoxhës?!” u përgjigj, ktheu kurrizin dhe me sa dukej deshi edhe ai të emigronte. “Më fal”, i thashë, “nuk do të vëmë citate”. E kuptova shpejt që ata studentë të Institutit të Arteve ishin shumë më të avancuar në disidencë sesa kujtoja, dhe mirë bëra.
Mbrëmja ishte një delir, që filloi normalisht, siç fillonin bisedat e mia të zakonshme. Në radhën e parë të të ftuarve ishin ulur miq dhe kolegë të brezit tim, që për çudi kishin një ngrirje referati, e cila nuk shkriu as kur studentët prapa tyre shungulluan në koret më të egra dhe më të bukura që mund të ketë nxjerrë kjo tokë, që nga koha kur janë thyer turqit për herë të parë përpara Krujës. Ndërsa nga altoparlantët ushtonte Revolution, dhe përktheheshin vargjet: Në qoftë se vazhdon të mbash portretet e kryetarit Mao, s’ke për të bërë gjë me askënd, dhjetëra duar studentësh ngritën lart pllakatin me fytyrën e Xhon Lenonit dhe e lëkundën atë përpara portretit buzagaz të Sekretarit që po i lëkundej edhe toka nën këmbë. “Edhe një herë, edhe një herë”, bërtisnin pas Power to the people dhe ngrinin lart dy gishtat V, atë simbol që do të zyrtarizohej aq shpejt. Ndezën pastaj edhe qirinj, fikën dritat dhe kuptohej që s’kishin më frikë. Ndërkohë vërsnikët e mi në radhë të parë nuk kishin ndryshuar qëndrim dhe në fytyrat e tyre prej vitesh ’70 nuk e lexoja dot nëse e aprovonin ose jo këtë urë që kisha lidhur me studentët. Edhe një herë Pauër tu dhë pipëll, edhe një herë. Kur deliri i vrasjes së frikës u rresht pak, vendosëm t’i shkruanim një letër së vesë të Xhonit, Joko Onos. Studentët i hodhën firmat menjëherë, bile disa nga dy herë, kurse vërsnikët e mi ngurronin. E gruaja e D., bashkëorganizatorit të mbrëmjes, m’u duk se do ta çirrte të shoqin me thonj, heshturazi, sikur ky ta firmoste atë letër të frikshme.
Pastaj, kur do të iknim, më thanë se plasi. Andej nga konviktet po plaste. Shkojmë, tha Fredi me Teutën dhe u nisëm për nga konviktet si nja tetë vërsnikë. Koret e zymta të studentëve na dolën përballë në rrugën që zbret për te ambasada italiane. “S’kemi punë me policinë, mos na lini vetëm”. Turma ishte e ngjeshur, me ballin e ndriçuar dhe fundin që humbiste në errësirë. Ajo herë lëvizte poshtë, herë zbrapsej përpjetë. Studentët më të frikur ishin ngjitur te gardhet mbi rrugë. Shokët e tyre demonstrues kthenin kokat dhe u thërrisnin në kor: “Mos na lini vetëm, mos na lini vetëm!” Unë nuk durova më, ktheva biçikletën si Enver Hoxha në demonstratën e 28 nëntorit, në të cilën nuk kishte marrë pjesë, dhe u futa te studentët. Miqtë e mi hynë pjesërisht në turmë, sipas fëmijëve që kishin dhe vendit të punës. Fredi me Teutën u futën menjëherë pas meje, Sotiri që punonte në organet e Partisë nuk hyri fare. Ajo zbritje e ngadaltë të ngjallte vërtet ankth, i ngjante sfidës që i bën njeriu një kafshe të egër, reagimin e së cilës nuk e njeh. Gazet e Ministrisë së Brendshme na kishin lëshuar mbi fytyrë dritën e prozhektorëve. Gardhi i policëve përkëdhelte shkopinjtë. Vajta lidha biçikletën te shkalla e një pallati dhe u futa prapë në turmë, ku një student kryengritës nga Vlora më fliste gjithë kohën gjermanisht. Kishte kaluar mesnata dhe ne po prisnim përgjigjen që do të na sillte Sekretari i Parë, tek i cili ishte dërguar një përfaqësi. “Poshtë diktatura, poshtë dinastia!” Dhe përgjigja e Sekretarit erdhi andej nga ora 1. Ishte e menjëhershme, nuk kishe kohë të mendoje për asgjë tjetër...
Megjithatë rrahja e asaj nate nuk ishte asgjë në krahasim me atë që më panë sytë të nesërmen në Rrugën e Elbasanit. Këtë herë isha vetëm shikues. Studentët demonstronin në një kuadrat rruge midis ambasadës italiane dhe Liceut Artistik. Në një cep të kuadratit, përkëtej gardhit me policë, rrinin dy nga neointelektualët me artikuj (siç ishin dikur trimat me këngë), të veshur me pardësy të bardha. Diçka po u thoshin përgjegjësve të policisë, me sa dukej që të tregoheshin njerëzorë me studentët. Nuk e di pse u pëlqeu aq shumë atyre, udhëheqësve të ardhshëm të opozitës legale, atë dhjetor pardësyja e bardhë me jakë të gjerë dhe me një rrip gufmues në mes. Më kujtonin detektivët parisianë të viteve ’60. Përsëri rreth orës 1 të drekës erdhi urdhri nga Byroja Politike dhe Sekretari i saj për t’u vërsulur mbi studentët. Këtë radhë e pashë gjithçka në dritën e ditës. Përgjegjësit e skuadroneve të krimit nuk mbanin vetëm kostume gri; një burrë i ri, me radiodhënëse në dorë, që komandonte policë, ushtarë dhe “sampistë” ishte veshur me bluxhins dhe në ditë normale kishe për ta marrë për progresist. Pasi e vunë turmën e studentëve përpara, duke e rrahur dhe duke e shkelur me egërsi përpjetë bregores që të çon për te konviktet, mundoheshin të veçonin të rinj mënjanë për t’i rrahur në qetësi midis tyre, ashtu siç shqyen kopeja e ujqve një sorkadhe të vetmuar. Mua po më merreshin mendtë. Gjithë ato që qenë bërë në këtë vend fshehurazi, në skuta, biruca dhe vila të panjohura, papritur kishin dalë sheshit, në mes të ditës. Më vinte rëndë nga njerëzit që më rrethonin dhe doja të isha edhe një herë student, të shkoja për të banuar nga konviktet, larg miqësive, fisnive dhe cergës së këtij pushteti që na i kishte hedhur të gjithëve, përveç atyre studentëve, fijet e veta të pështira nëpër këmbë.
Megjithëse po më merrej fryma ndërsa kthehesha në shtëpi, mendoja: më mirë kështu, shumë më mirë. Më mirë që u thye akulli, më mirë që dolën të gjitha hapur. Tani mund t’i shikoj të gjithë pa ndrojtje në sy, tani e di që s’vegjetoj më, edhe pse ky vend po bëhet gjithmonë e më i varfër dhe më i pisët. Ia vlen prapëseprapë të jetosh, vetëm sa për t’i dëgjuar edhe një herë ato koret.
Në ditët që ndoqën 8 dhe 9 dhjetorin dihen ato që ndodhën. Aty nga 11 dhjetori u shpall një Parti Demokratike, që mesa më kujtohet nuk e kishin kërkuar ndonjëherë studentët. Megjithatë ditën e shpalljes u gëzuam të gjithë, sepse për herë të parë nuk u përmend as komunizmi, as socializmi. Por 8-a dhe 9-a nuk u përsëritën më, ato u zyrtarizuan, dalëngadalë pardësytë e bardha qetësuan turmën që kërkonte liri në mënyrë kaotike dhe erdhën në krye të saj. (Sot, mbas 9 muajsh, gjen vetëm një ish-student në krye të asaj Partie që thonë se doli nga lëvizja studentore; në të vërtetë fryt i kryengritjes së studentëve nuk ishte shpresa dhe puna për një Shqipëri Demokratike, por ikja, eksodi masiv - mjaft të mendosh që nga rreth 13.000 studentë që ishin në Tiranë në dhjetor ’90, deri më sot kanë ikur më shumë se 6.000).
Megjithatë asgjë nuk kthehej dot mbrapa (e thoshte vetë edhe Sekretari i Parë: “Proceset e demokratizimit në Shqipëri janë të pakthyeshme”). Asgjë nuk mund ta pengonte më fjalën të ishte e lirë. Mund ta pengonte, po, që të botohej, por jo të merrte rrugën e pacensuruar nga uni.
1991
Marrë me shkurtime nga “Refleksione”

No comments:
Post a Comment