Friday, December 14, 2012

CENSUS, 14.07% e shqiptarëve refuzojnë të përgjigjen

Lindshmëria e ulët dhe emigracioni tkurrin shqiptarët, 8% më pak se në 2001. Bie numri i femrave me 9 përqind. Shtëpitë e pabanuara përbëjnë 30 përqind të totalit

Ornela manjani
-Instituti i Statistikave publikoi dje rezultatet përfundimtare të regjistrimit të popullsisë dhe banesave në Shqipëri. Sipas CENSUS-it, numri aktual i banorëve është 2 milionë 822 mijë vetë, ose një rënie prej 8 për qind, krahasuar me një dekadë më parë.
Shkaqet e kësaj rënie të popullsisë janë emigracioni dhe lindshmëria më e ulët. Në Shqipëri numri i banorëve në qytet e ka tejkaluar banorët e fshatit. Në zonat urbane jetojnë 53, 5 për qind e popullatës, ndërsa në zonat rurale 46,5 për qind e tyre. Një tregues i rëndësishëm është raporti gjinor. Statistikat gjinore dhe familjare tregojnë numri i femrave ka rënë me 9 për qind, numri i meshkujve ka rënë me 8 për qind, numri i familjeve ka rënë me afro 5 mijë familje, dhe numri i anëtarëve në çdo familje ka zbritur në më pak se 4 persona. Nga ana tjetër, numri i familjeve ka pësuar një rënie krahasuar me shifrat e censusit të mëparshëm. Sot numërohen 722 262 familje nga 726 895 që ishin në vitin 2001. Por struktura  brenda familjes (numri i anëtarëve) ka patur një ndryshim të rëndësishëm. Mesatarisht një familje shqiptare ka 3.9 anëtarë nga 4.2 që kishte në vitin 2001. Struktura demografike e Shqipërisë po ndryshon duke patur parasysh që nga këto rezultate kemi rënie të koeficientit të fertilitetit, rritje të popullsisë urbane, ndryshim në strukturën e popullsisë, në karakteristikat etno-kulturore, në nivelin e arsimimit, në kushtet e jetesës dhe në strehim.
Numri i ndërtesave 
Numri i ndërtesave për qëllime banimi në censusin e vitit 2011 është 598 267 dhe është rritur me  16.8% krahasuar me vitin 2001. Shqipëria ka aktualisht 1 milionë e 12 mijë e 400 banesa, nga të cilat 30 për qind janë të pabanuara, kundrejt 11 për qind të shtëpive pa banorë në fillim të këtij shekulli. Bashkë me numrin e banesave janë përmirësuar edhe kushtet e jetesës me pajisje moderne afatgjata. Në ndryshim nga censusi 2001, lidhur me karakteristikat e kushteve të banesës INSTAT disponon edhe  të dhëna mbi  telefoninë fikse dhe mobile të cilat i gjeni në këtë publikim. Një tjetër risi e këtij censusi ishte përfshirja e pyetjeve mbi gjuhën amtare, fenë dhe grupet etno-kulturore. Këto të dhëna interesante do të japin një panoramë më të qartë të disa karakteristikave të popullsisë shqiptare të cilat u mungonin studiuesve prej një periudhe të gjatë kohe. Po ti hedhim një vështrim të shpejtë, shohim se 98.77 % e popullsisë ka si gjuhë amtare shqipen. Më pas vijnë gjuha greke me 0.54 %, maqedonase 0.16 %, rome 0.14 %  dhe arumune me përkatësisht 0.14 %.
Feja 
Një tjetër e dhënë e cila do të analizohet më tej nga studiuesit është dhe ajo mbi përkatësinë fetare. Sipas vetëdeklarimit mbi përkatësinë fetare në Censusin 2011, në territorin e Shqipërisë janë 56.70% muslimanë, 10.03 % katolikë, 6.75 % ortodoksë, 2.09 bektashinj, 0.14 ungjillorë. Ndërkohë që 5.49 janë vetëdeklaruar si besimtarë të pacilësuar dhe 2.5 % ateistë. Numri i atyre që kanë preferuar të mos përgjigjen kësaj pyetje është 13.79% të totalit të popullsisë.
Përbërja etno-kulturore, 83 % shqiptarë 
Përsa i përket përkatësisë etno-kulturore, 82.58 % kanë deklaruar se janë shqiptarë, 0.87 %  grekë, 0.30 % romë, 0.30 % arumunë dhe 0.20 % maqedonas. Numri i mospërgjigjeve në  këtë pyetje përbën 13.96 % e totalit të popullsisë.  Anketa e pas Censusit u krye për herë të parë në Shqipëri për të vlerësuar mbulimin e Censusit në terren si dhe cilësinë e disa variableve të përzgjedhur. Në datë 21 dhjetor 2011, INSTAT prezantoi publikisht rezultatet paraprake, bazuar në shumatoret individuale të anketuesit mbi njësitë ekonomike familjare, ndërtesave dhe banesave. Skanimi i pyetësorëve filloi në dhjetor 2011 në Qendrën e Përpunimit të të Dhënave e krijuar rishtazi për këtë census.
99 % e popullsisë pohojnë se kanë shqipen si gjuhë amtare, 0,5 për qind gjuha greke, 0,1 për qind gjuha maqedonase, po aq edhe gjuhët rome dhe arumune. Përkatësia fetare e popullatës, sipas vetëdeklarimeve, është 57 për qind muslimanë, 10 për qind katolikë, 7 për qind ortodoksë, 2 për qind, bektashinj, dhe 2,5 për qind ateistë.
Arsimimi 
Në popullsinë 10 vjeç e lart, 96,2 % tyre e kanë ndjekur ose janë duke e ndjekur shkollën. Në censusin e vitit 2011 bën dallim ndjekja e sistemit universitar dhe pasuniversitar nga 10.7% të popullsisë 10 vjeç e lart, tregues i cili në vitin 2001 ishte 5.5%
Në Shqipëri janë 2. 82 milionë banorë, nga të cilët 83% janë deklaruar shqiptarë, ndërsa 14 % nuk janë deklaruar. Po kështu 56.87 janë deklaruar myslimanë, 10.3 katolikë, 0.87 % kanë deklaruar se janë grekë, 0.30 % kanë deklaruar se janë romë.
Shifra që bën më shumë përshtypje është ajo e minoritetit grek. Në census tregohet se vetëm 0.87% e popullsisë, ose 24.361 kanë thënë se kanë kombësi greke. Shoqatat përfaqësuese të këtij minoriteti kanë kundërshtuar hapur censusin dhe kanë bërë thirrje për mospjesëmarrje.
1.Qarku i Tiranës, ndjekur nga ai i Kukësit dhe më pas i Durrësit ka nivelin më të ulët të analfabetizmit, ndërsa qarku i Lezhës dhe i Elbasanit ka nivelin më të lartë të saj.
2.Popullsia 10 vjeç e lart që është duke ndjekur ose ka ndjekur shkollën është 2 361 718, ose 96,2% të popullsisë 10 vjeç e lart. Në Censusin 2011, rreth 262 369.
3.Persona kanë përfunduar ose janë duke ndjekur nivelet universitar dhe pasuniversitar. Kjo përbën 10,7% të popullsisë 10 vjeç e lart, duke shënuar rritje.
4.Qarqet që kanë përqindjen më të ulët të individëve që kanë të paktën një diplomë universitare janë Dibra dhe Lezha. Grafiku 8 sintetizon të dhënat për ndjekjen e shkollës

Ministri i Inovacionit /Genc Pollo
Realizimi me sukses i Censusit ka qenë një ndër objektivat kryesorë të qeverisë, ne ia kemi arritur qëllimit. Vlera e këtij Censusi përcaktohet nga dobia e përdorimit të tij. Të dhënat do ndihmojnë vendimmarrësit në përcaktimin e politikave për komunitetet.
Shpëtim Idrizi /PDIU 

Amendamentet e propozuara nga PDIU dhe të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë në ligjin për censusin ia arritën të shmangin skenarët e Athinës për nxjerrjen e të dhënave të rreme mbi kombësinë në Shqipëri. Verifikimi i abuzimeve të mundshme, pra ballafaqimi i të dhënave të Censusit me regjistrin e gjendjes civile, që ishte detyrim ligjor nga INSTAT.
Ines Nurija /INSTAT 
Afro 99% kanë deklaruar si gjuhë amtare gjuhën shqipe. Përtej çështjeve të etnisë dhe fenë, Censusi ka nxjerrë të dhëna që debatit politik i interesojnë më pak, por që janë në thelb më shqetësuese. Nga popullsia mbi 10 vjeç, 2.8% ose 67 mijë individë janë deklaruar si analfabetë. 93 mijë të tjerë ose 3.8% kanë deklaruar se nuk kanë ndjekur ndonjëherë shkollën.

No comments: