Shileri erdhi
në skenën shqiptare me më të famshmen dramë të tij. Ishte viti 1957 dhe
regjisori i sapo diplomuar në Hungari kishte marrë mbi vete
eksperimentin më të madh të jetës së tij artistike, t’i tregonte platesë
me spektatorë veshëngritur një “Intrigë e Dashuri” të padëgjuar më
parë. Suksesi i pritur, apo i papritur nëse ka qenë i tillë, nuk vuri më
dyshim planet e tij për të ardhmen. Ai ishte ylli i ri i regjisurës
shqiptare...
...Pesëmbëdhjetë vite më pas situata do
të ishte krejt e ndryshme. Viti 1972 do të karakterizohej nga “lulëzimi i
shfaqjeve të huaja”. Nga frekuenca aktive e Radio-Tiranës dëgjohej
muzikë “Country&Rock”. Vetë muzika shqiptare po tentonte të ishte sa
më pranë modelit perëndimor. Nga Lindja e Largme, veç armatimit, nuk na
vinte ndonjë gjë tjetër për t’u pasur zili, në mos po eksporti solli
“dacibaot” dhe një implementim alla shqiptar të Revolucionit
Kulturor. E në këto ditë festive, të një
fryme të skajshme liberale, Festivali 11 do të kulmonte me muzikë të
hareshme e klithma melodrame më pas. Mihal Luarasi, regjisori nga më të
njohurit të skenës shqiptare, rrëfen për “Shekulli”- n gjithçka ndodhi
në ditët e pasura për krijimin e një festivali modernist, gjë që
shkaktoi për të dhe familjen e tij një dramë, rikuperimin e së cilës e
ka bërë vetëm elementi kohë:
A ishte një atmosferë liberale në fillim të fiteve ’70?
Mendohej që ishte e tillë, por nuk është
e vërtetë që kishte një frymë liberale. Vërtet pati një bisedë mes
Enver Hoxhës dhe Agim Meros që ishte sekretari i Parë i KQ të Rinisë,
për të futur një frymë të re, por nuk u bë asgjë nga ato që u tha atje.
Mirëpo kjo gënjeu shumë njerëz.
Ndërkohë ajo që u cilësua si pika kulmore ishte Festivali i 11 në RTSH?
Në fakt Festivali 11 nuk ra nga qielli.
Pra nuk ishte një befasi. Por kujtohet mirë edhe sot për faktin se ai u
godit. Duhet të rikujtoj se po unë isha regjisor edhe i festivalit të 10
në RTSH. Edhe ai, po të flasim me gjuhën e kohës, ishte po aq modernist
apo revizionist sa dhe pasardhësi.
Përse Festivali 10 i shpëtoi goditjes?
Sepse nuk i kishte ardhur koha. Por
mund të kujtoj një fakt. Në një takim informal, apo miqësor, me Manush
Myftiun, që ishte dhe Sekretari i Parë i Tiranës, duke iu referuar
Festivalit të 10 ai më tha: “Isha për një udhëtim jashtë shtetit. Si
gjithmonë radion time portative e mora me vete, sepse dëgjoj gjithmonë
“Radio Tiranën”. Kur u ktheva dhe zbrita në aeroport e ndeza radion. Për
çudi dëgjoj muzikë moderniste. Mendova mos pa dashje kisha ndërruar
frekuencën. Por jo, ishte festivali juaj”. Pra dua të them që edhe
Festivali 10 ishte po as modernist sa dhe i 11-ti.
Cili ishte roli i drejtuesve të RTVSH-së në atë kohë?
Todi Lubonja nuk kishte shumë muaj
që kishte ardhur si drejtor. Nefo Myftiu kishte bërë një ndryshim të
madh në radio, si drejtoreshe e saj. Në atë periudhë transmetohej edhe
muzikë perëndimore, por me kufi. Të dy këta drejtues ishin njerëz me
shumë kulturë. Atmosfera para festivalit ishte e lirshme. Ai që ndiqte
më nga afër provat ishte Todi Lubonja. Nuk bënte shtrëngime për tekstet,
as për muzikën, skenografinë e kostumografin. Ai i shihte të gjitha
lëvizjet e mia në skenë por nuk më bënte vërejtje. Drejtues artistik
ishte Nikolla Zoraqi.
Ju dolën probleme të ndonjë karakteri tjetër gjatë provave?
I vetmi problem që kishin në atë
kohë ishte se ku do t’i gjenim copat për të qepur veshjet që kishim
planifikuar. Në një nga këto ditë Nefo Myftari më jep një ide që kishte
të bënte me një ekspozitë që bëhej atje ku më pas u emërtua “Shqipëria
sot” ku kinezët kishin ekspozuar mallra të ndryshme e sidomos copa shumë
të mira. Ekspozita kishte përfunduar dhe kinezët i kishin lënë të
gjitha mallrat në Shqipëri. Aty gjetëm copat që dëshironim. Kështu u
gjet zgjidhja.
Ndërkohë ky Festival pati dhe risi?
Ajo që ndryshova ishte prezantimi. I
vura në lëvizje dy prezantuesit, Edi Luarasin dhe Bujar Kapexhiun.
Madje bashkë me Bujarin shkruam skenarin ku prezantuesit dialogonin me
këngëtarët. Nuk doja që të kishim thjesht një anonçim të këngëve siç
ishte bërë deri në atë kohë. Edhe juria përbënte risi, sepse u bënë
lidhje drejtpërdrejt me rrethet.
Ndërkohë ende nuk keni marrë asnjë vërejtje...?
Çështë e vërteta edhe ne na bëri
përshtypje ky liberalizëm. Mes nesh thoshim: “Këtu do të ketë ndonjë gjë
që s’po na bën askush një vërejtje” Madje edhe heqja nga Drejtor i
Përgjithshëm i Thanas Nanos që njihej si konservator, ishte një problem
më vete që na bënte të dyshonim. Pra ne të gjithë mendonim se,
gjithsesi, liria që na u dhurua ishte e tepërt.
Ramiz Alia i pa provat gjenerale?
As Ramiz Alia dhe askush tjetër nga
Byroja Politike nuk erdhën të shihnin provat e Festivalit. Nëse do të
kishte ardhur Ramizi, me siguri do të kishte bërë vërejtje. Mendoj se do
ta shtynte nja dy ditë festivalin por do të rregullonim diçka që kishte
lidhje me kostumet e skenografinë. Por asnjëri nga të mëdhenjtë nuk u
duk në provën gjenerale. Rmizi erdhi vetëm në Festival dhe në përfundim
të tij tha këto fjalë të cilat Todi Lubonja i ka shkruar në librin e tij
me kujtime: “Mos ndoshta këngët e këtij festivali janë si bonbone me
sheqer që kanë brenda helm?”. Por ai e mbylli me kaq, nuk bëri më
vërejtje të tjera.
Po Enver Hoxha...?
Ato ditë Enver Hoxha ndodhej
familjarisht me pushime në Vlorë. Vetë Sulo Gradeci, shefi i sigurimit
të Sekretarit të Parë, shkruan në kujtimet e tij se Enveri do të
informohej nga vajza e tij Pranvera, që do t’i thoshte: “Eja të shikosh
se capo bëhet në Tiranë”. Pas dy ditësh Enver Hoxha kthehet në Tiranë.
Në 9 janar 1973 bëhet mbledhja e parë e zakonshme e Presidiumit të
Kuvendit, ku Enveri ishte anëtar i thjeshtë. Në këtë mbledhje ai goditi
festivalin duke e quajtur si “shfaqe armiqësore”. Kjo fjalë e tij nuk u
bë publike.
Në Plenum IV Enver Hoxha tha: “Todi
Lubonja mblodhi në Korçë njerëz të deklasuar, si një farë Minush Jero
dhe Mihal Luarasi. Këtë të fundit e kurorëzoi dhe në televizion”. Por në
dy reshta Enveri bëri tre gabime. Asnjëri nga ne të dy nuk ishte i
deklasua. Minushi kishte aktivitet të gjerë në Vlorë, gjatë luftës. Unë
14 vjeç dola malit partizan. Unë s’kisha pse grumbullohesha në Korçë se
kisha lindur në Korçë. Todi nuk më kurorëzoi në televizion sepse unë u
lidha me televizionin që kur filluat emisionet e para eksperimentale.
Biseda me Piro Kondin
“Enveri po përgatitet për një goditje të madhe”
Gjatë intervistës së tij për
“Shekullin” Mihal Luarasi thotë: “Të nesërmen e fjalës së Enver Hoxhës
në Presidiumin e Kuvendit, na thërrasin ne të gjithë pjesëmarrësit e
festivalit në një mbledhje të madhe ku na u tha: “Do të flitet për
Festivalin”. I deleguar nga Komiteti Qendror ishte Piro Kondi. Ne të
gjithë menduam se do të na lavdëronin për punën e mirë, pasi në
drejtimin tonë kishin ardhur shumë letra të cilat na vlerësonin. Unë u
futa në zyrën e drejtorit ku gjeta Todin, Nefon dhe për rastësi edhe
Ismail Kadarenë. Aty më thonë: “Shoku Enver e ka hedhur poshtë
festivalin”. Ndërsa Nefo Myftari më rekomandoi: “Mos u ul në presidium
se do digjesh, por ulu në sallë”. Dhe unë u ula në një vend pranë
Kadaresë. Mbledhja filloi. Si rregull i atyre viteve ishte që në fillim
fliste masa. Më pas e mori fjalën Piro Kondi i cili tha: “Ju po flisni
vetëm fjalë të mira për Festivalin. Por në Komitetin Qendror kanë ardhur
disa letra nga të rinjtë e Lushnjës të cilat thonë se këngët e këtij
festivali nuk janë këngë shqiptare. Unë bëj autokritikë që nuk e kam
kontrolluar festivalin. Shikojeni dhe ju me këtë sy kritik”. Atë çast
ngrihet Nikolla Zoraqi e i thotë: “Shoku Piro edhe ne kemi marrë shumë
letra, por ato vetëm na lavdërojnë”. Piro Kondi e kishte shtëpinë jo
shumë larg asaj ku banoja u unë, e në përfundim bëmë një copë rruge së
bashku. Aty ai më tha: “Mihal mos u mërzit. Shoku Enver po përgatitet
për një goditje të madhe ndaj influencave të huaja në vendin tonë. Jo
vetëm pantallonat kauboj, minifundet e flokët e gjata, por këto kohë
janë shtuar shumë edhe vjedhjet e xhepave. Festivali është një kokë
turku. Duhet një pretekst. Pastaj do harrohet në aq shumë gjëra që do
goditen”. Mirëpo nuk ndodhi kështu. U harruan shumë gjëra, por Festivali
11, jo”.
Dëshmia
Transformimi, nga regjisor u bëra bojaxhi me 7 kategori
“Ato ditë një tjetër mbledhje e
madhe u bë në Lidhjen e Shkrimtarëve. Megjithëse isha anëtar i Kryesisë
së Lidhjes unë nuk u ftova në mbledhje. Mbledhjen e drejtonte Ramiz Alia
dhe Dritëro Agolli si i sapozgjedhur në krye të Lidhjes. Aty ndodhi një
fenomen. Ramiz Alia me shumë dinakëri i vuri artistët kundër
njëri-tjetrit. Dhe ia arriti qëllimit. Në atë mbledhje u godit i gjithë
arti shqiptar. Pas kësaj u krijuan grupe të “rinjsh revolucionarë” që
bënin kontrolle kudo, grisnin pantallonat kauboj, ndalonin që vajzat të
viznin minifunde dhe qethnin të rinjtë që mbanin flokët e gjata. Madhe
qethën dhe një djalë të një anëtari të Byrosë Politike sepse nuk e
njohën. Në fund të marsit 1973 duke shkuar për në TVSH rrugës takoj Nefo
Myftarin e cila më thotë: “Mos shko në televizion sepse je pushuar nga
puna dhe do të të dëbojnë me ceremoni”. Në një nga këto ditë i them
Vangjush Furxhiut që të lajmëronte Todi Lubonjën të vinte në shtëpinë
time, meqenëse unë isha me grip e s’dilja dot. Kur Todi erdhi unë i
shpjegova situatën. Atëherë Todi më tha me një dialekt tiranasish “Është
për t’u hek, jo për të vdek”. Por mua nuk më ngrohu kjo shprehje e tij.
Me sa duket një dekoratë që i dhanë Todit me rastin e 50 vjetorit të
lindjes e kishte vënë në gjumë. Natyrisht në një situatë të tillë ne të
gjithë kishim bërë autokritika. Më pas më kërkuan që të bëja një
autokritikë në zyrat e Komitetit Qëndror. Gjeta një pretekst të mos
shkoja. U thashë: “jam i sëmurë”. Pas kësaj. Pipi Mitrojorgji, një nga
aparatçikët e KQ thërret bashkëshorten time, Edi Luarasin, që vazhdonte
punën në Teatër, e i thotë: “Meqenëse Mihali na qenka sëmurë dhe nuk
vjen dot, i thuaj të përgatiti një autokritikë me shkrim ku të thotë se
edhe dramën “Njollat e murrme” e ka vënë në skenë i ndikuar nga Todi
Lubonja”. Natyrisht as këtë nuk e bëra. Të nesërmen në vjen urdhri për
të shkuar për riedukim në një kantier ndërtimi në Ballsh. Atje punova ca
kohë në një betoniere. U arrestova i pari nga i gjithë grupi. Dola në
gjyq pas gjashtë muajsh hetuesi. U dënova me 8 vjet burg. Kudo që flitej
për mua më dukej sikur flitej për një njeri tjetër. Burgu i Ballshit
ishte më shumë një kamp ku mbaheshim rreth 1000 veta nga të cilët nga
200-300 i njihja. Plenumi i IV nuk ishte fillimi i sulmit, ai ishte
konkluzioni pasi gjatë atyre muajve goditja ishte bërë në të gjitha
fushën e kulturës dhe artit. Enver Hoxha i bëri cilësimin si “Rrufjan
politik” Fadil Paçramit dhe Todi Lubonjës. Todi pas u arrestua rreth dy
vjet pasi u largua nga drejtimi i Televizionit dhe u dënua me 13 vjet
burg. Ndërsa Fadil Paçrami u dënua me 15. Bëra 7 vite burg, pasi për
shkak të një amnistie përfitova një vit, unë dhe Minush Jero. Pasi u
lirova u bëra bojaxhi, ku mora kategorinë e 7-të, ku bashkë me dy
punonjës të tjerë kemi lyer të gjitha kopshtet dhe shkollat e Tiranës
nga dy herë. Këta dy persona ishin të vetmit që më flisnin, pasi askush
tjetër nuk m’i hidhte sytë”.
Mihal Luarasi lindi më 16 shtator të vitit 1929 në Korçë. Shkollën e mesme e kreu në liceun artistik "Jordan Misja" në Tiranë, ndërsa studimet e larta në Akademinë e Arteve të Teatrit dhe Filmit në Budapest të Hungarisë. Është regjisor i dramës “Njolla te murrme” me trupën e Korçës me të cilën fitoi të gjitha çmimet e para në Festivalin e IV kombëtar të teatrit 1969. Pas tre ditësh spektaklin e pa Enver Hoxha dhe e dënoi si vepër armiqësore. Më 1972 në teatrin A. Moisiu të Durrësit vuri në skenë dramën “Çështja e inxhinier Saimirit” të Fadil Paçramit, vepër që u dënua. Me festivalin 11 në RTVSH 1972, Luarasi u ndesh përsëri me goditjen që u bë në Letërsi dhe Art. U dënua me tetë vjet heqje lirie.
Shkatërimi i arvkivës
Mihal Luarasi thotë: “ Goditja ishte aq e pamëshirshme saqë bobinat e regjistrimit të Festivalit të 11 u dogjën. U zhduk gjithashtu gjithçka flitej për të, partitura e tekste këngësh. Mbeti në arkivën e Kinostudios vetëm një kronikë rreth këtij festivali. Në vitin 2003 Tish Daija i dorëzoi Arkivit të Shtetit 16 partitura të këngëve nga festivali të cilat i kishte ruajtur me shumë fanatizëm gjatë gjithë këtyre viteve. Këtë vit, me rastin e 40 vjetorit të Festivalit 11 do të këndohen 11 nga këto këngë, pikërisht në festivalin 51 të funddhjetorit 2012”
Çmimet e Festivalit 11 në RTSH
Kënga fituese ishte “Erdhi pranvera” e kompozitorit Pjetër Gaci, me vargje të poetit Fatos Arapi, kënduar nga Tonin Tërshana. Në vendin e dytë u rendit kënga “Udhët e jetës”, kënduar nga Lindita Sota, kurse në vendin e tretë kënga “Kush më njeh mua”, kënduar nga Ema Qazimi. Në festival morën pjesë edhe këngëtarë të tjerë të njohur të asaj periudhe, si V.Zela, Sh.Merdani, J.Aliaj, L. Kondakçi, Z. Saraçi, F.Radi S.Qatiti, B. Alibali etj., të cilët kënduan këngë, të kompozitorëve të njohur, si T.Daia, A.Krajka, A.Peçi, F.Deda, K.Laro, A.Lalo, F.Shehu, A.Xhunga, E.Shengjergji…
Mihal Luarasi rrëfen dhjetorin e vitit 1972, situatë ku u zhvillua Festivali 11 në Radio Televizion Udhëheqësi shkon me pushime në Vlorë. Ramiz Alia “harron” të kontrollojë evenimentin e fundvitit Biseda kofidenciale me Piro Kondin: “Po përgatitet një goditje e madhe në kulturë dhe art”. Qëndrimi i Nefo Myftarit e Todi Lubonjës
No comments:
Post a Comment