Wednesday, November 14, 2012

Shqipëri e bukur dhe agresive, barazim ndaj Kamerunit

Barazim i bardhë, pa gola, në miqësoren e kuqezinjve tanë përballë “luanëve të Afrikës”. Një test pozitiv i kombëtares së Shqipërisë, në të gjitha drejtimet, që ka arritur t’i bëjë ballë me shumë dinjitet Samuel Etosë dhe të tijve, ndërsa ka krijuar mundësi jo të pakta për konkludim.
Një ndeshje tejet pozitive për mbrojtjen kuqezi, por edhe portierin Berisha, që luajti me kohë të plotë, ndërkohë që kapitenin Lorik Cana patëm mundësinë ta shohim në të dyja rolet, atë të qendërmbrojtësit dhe të mesfushorit. Nga një pjesë loje në secilin pozicion. Po ashtu, De Biazi ka parë në veprim të dyja dyshet e sulmit, Sadiku-Cani, por edhe Bala-Vajushi. Këta dy të fundit kanë dhuruar emocione në fund të ndeshjes, me kombinimet e tyre të bukura, prej nga mund të dilte edhe goli i fitores. Fillimisht me kokë Bala dhe pastaj Vajushi, e kanë mbajtur Shqipërinë në ofensivë në fund të miqësores, shumë pranë golit, i cili është kërkuar fort nga tanët, por edhe afrikanët, edhe pse nuk ka dalë dot në dritë. I vetmi që i ka munguar kësaj miqësoreje të luftuar fort, me kuqezinjtë tepër dinjitozë përballë një emri potencial në futboll, si Kameruni. Sinjale pozitive nga të rinjtë e afruar rishtas nga De Biazi, që japin garanci në rast të cdo nevoje të kombëtares për ndeshjet në vijim. Mbyllet në barazim ndeshja e fundit për këtë vit e kuqezinjve, teksa De Biazi feston 1-vjetorin e tij në krye të kuqezinjve, duke marrë jo pak përgjigje pozitive nga lojtarët për kualifikuesen e radhës, që do ta luajmë në mars kundër Norvegjisë.  Kjo ishte hera e parë që Shqipëria ndeshej me një skuadër afrikane (kemi luajtur edhe me Algjerinë, por ajo miqësore nuk njihet nga FIFA). Kameruni në Kupën e Botës ka marrë pjesë gjashtë herë, teksa rezultatin më të mirë e ka në “Itali `90″, ku u fut në tetë ekipet më të mira të Botërorit. Sakaq, Kameruni ka fituar katër herë edhe Kupën e Afrikës në 1984, 1988, 2000 dhe 2002.
Ndeshje miqësore
“Stade de Geneve”, Zvicer
SHQIPERI-KAMERUN  0-0
Shqiperia: Berisha, A.Lila, Cana, Mavraj, Arapi, Roshi (Vangjeli 78′), Vila (Bakaj 64′), Bulku (Dallku 64′), S.Lilaj (Curri 46′), Cani (Bala 78′) , Sadiku (Vajushi 74′). Trajner: De Biazi
Pjesa e parë Kameruni e nis vrullshëm ndeshjen, teksa fiton dy goditje dënimi radhazi afër zonës sonë të 16-metrave. Kontrollojnë topin dhe mesfushën afrikanët, duke i mbajtur tërësisht në pozita difensive kuqezinjtë. Për pasojë nuk mungojnë edhe goditjet drejt kuadratit të kombëtares shqiptare, duke e kthyer në “tabelë qitjeje” portën kuqezi. Tanët e shohin veten në darën e kamerunasve, që dyluftojnë fort dhe ashpër për topin e parë. Pesë minuta lojë për të besuarit e De Biazit, që të mbërrijnë për herë të parë në portën e Kamerunit, me Roshin që godet fort, por është zënë më parë në pozicion jashtë loje. Duke parë se nuk cajnë dot në mesfushë, tanët nisin e aplikojnë pasimin e gjatë, me destinacion Edgar Canin, që falë shtatlartësisë së tij impenjon dy mbrojtës kundërshtarë. Inspirues me depërtimet e tij të shpejta nga e djathta e mesfushës bëhet Roshi, por nuk ka shumë efikasitet në pasimin final për sulmin. Dalin me pak pasime, por tepër të sakta, kamerunasit në sulm, duke tentuar të gjejnë hapësira depërtimi në prapavijën tonë, ku Eto bëhet frymëzues i inflitrimeve të zgjuara drejt portierit Berisha. Sidoqoftë, nuk kanë shënjestrën e duhur afrikanët, ndërkohë që e kanë të pamundur të superojnë dyshen e qendrës së prapavijës sonë. Cana dhe Mavraj janë tepër vigjilentë, arrijnë ta largojnë rrezikun në momentin deciziv. Në kahun tjetër mbulohet rreptë Edgar Cani, teksa mbetet pikë referuese në sulmin tonë kuqezi, madje është lojtari që bën të mundur daljen nga gjysmëfusha e vet e kombëtares shqiptare. Në 20 minutat e para mbetet krejtësisht në hije Sadiku, ndërkohë që Bulkut i duhet të përveshë mëngët për të bërë barrikadën e parë të ofensivës së afrikanëve në mesfushë. Ervin Bulku tenton nga një goditje dënimi në minutën e 20-të, por topi i goditur me shumë forcë përplaset në murin mbrojtës të lojtarëve të Kamerunit. Pranë golit Samuel Eto në minutën e 22-të. Pasi bën lëmsh tërë mbrojtjen tonë, ylli i futbollit botëror godet drejt rrjetës së Berishës, por devijon paksa Mavraj, sa për të evituar golin e parë të ndeshjes. Kuqezinjtë nuk arrijnë të bëjnë dot tri pasime të sakta radhazi, duke ceduar dukshëm përballë presingut asfiksues të kundërshtarit, ndërkohë që në stadium dëgjohen të fuqishme thirrjet “Shqipëri, Shqipëri”. Ka shumë tifozë shqiptarë me banim në Zvicër, të pranishëm në stadium, cka krijon përshtypjen se luhet në Tiranë. “Lojtari i 12-të” është në anën tonë, por kjo gjë nuk i impresionon aspak afrikanët, që mbeten mjaft kërkues e kërcënues për portën tonë. Pas kalimit të minutës së 30-të ka njëfarë gjallërimi të lojës së kuqezinjve, teksa Vila mundohet të asistojë në kundërsulm Sadikun, ndërsa Roshi ka disa mundësi të mira në të djathtë. Megjithatë, është e pakalueshme mbrojtja kamerunase, që nuk lejon asnjë hapësirë dhe i mban shumë larg portës së vet sulmuesit tanë. I mrekullueshëm veprimi i Mavrajt në minutën e 34-t, që angazhohet në një inkursion individual nga qendra e mbrojtjes sonë deri në dalje të mesfushës, pastaj lëshon një pasim pas krahëve të kundërshtrit për Sadikun. Këtij të fundit i del në kohën e duhur portieri kundërshtar, duke ia hequr mundësinë e shënimit numrit 10 të kuqezinjve.  Fundi i pjesës së parë sjell panik në zonën tonë, kur një krosim diagonal nga e djathta shoqërohet me një dalje të gabuar të Berishës, por për fat të mirë topi parakalon tërë zonën kuqezi dhe del në këndore.
Pjesa e dytë Nis me një zëvendësim për Shqipërinë. Debatik Curri ka zënë vendin e Sabien Lilajt, duke u pozicionuar në qendër të mbrojtjes, krah Mavrajt, ndërsa kapiteni Cana spostohet në mesfushë. Kërkon të përforcojë këtë repart trajneri De Biazi, duke parë se lojtari i Skënderbeut nuk ra fare në sy në pjesën e parë. Nis krejt ndryshe për tanët ky fraksion loje, me Vilën dhe Sadikun që kanë mundësi të mira konkludimi, por të dy gabojnë në momentin final. As pasojnë dhe as godasin si duhet drejt kuadratit afrikan. Ka njëfarë corientimi të Kamerunit, që detyrohet tashmë t’u bëjë ballë më vështirësi sulmeve të parreshtura të Shqipërisë. Portieri afrikan eviton në mënyrë të shkëlqyer një gol të sigurtë përballë Canit në minutën e 52-të. Janë hapur dukshëm në lojën e tyre të dyja skuadrat, teksa duket qartë se synohet medoemos goli i epërisë. Trajneri i Kamerunit bën shpejt tri zëvendësime në formacionin e vet, duke freskuar krahët e mesfushës, ndërkohë që Eto arrin ta nxjerrë skuadrën e tij drejt portës së Berishës. Kryen dy zëvendësime të tjera edhe De Biazi, teksa Bakaj zë vendin e Vilës dhe Dallku atë të Bulkut. Spostohet përpara, në të njëjtin krah të mesfushës, Renato Arapi i Skënderbeut. Në minutën e 60-të vjen “era gol” në portën tonë, por koordinimi perfekt i Dallkut dhe Berishës i heq në momentin e fundit mundësinë e shënimit Samuel Etosë, i cili ka arritur të depërtojë në mënyrë të rrufeshme në qendër të mbrojtjes sonë. Pak më vonë, në minutën e 72-të, portierit Etrit Berisha i vjen në ndihmë shtylla transversale, e cila i thotë “jo” golit të Kamerunit. Lojtarët e këtij të fundit ngulmojnë në të djathtë të sulmit të tyre. Përmes kombinimesh të shkurtëra e të sakta, në zona të ngushta, afrikanët sjellin përshtjellim të dukshëm në zonën tonë, teksa janë ata tashmë në udhëheqje të lojës. Në minutën e 76-të ka vend në fushë për Armando Vajushin, sulmuesin shkodran të Liteksit në Bullgari. Ai zë vendin e Sadikut, ndërkohë që moduli i lojës sonë nuk ndryshon. Bakaj jep disa krosime të përpikta për Canin, që me kokë arrin ta vërë në vështirësi kundërshtarin, edhe pse goli nuk del dot në dritë. Cerekorëshi i fundit i kësaj miqësoreje është një dialog i gjatë i sulmeve dhe kundërsulmeve të të dyja skuadrave me mbrojtjet respektive. Palët luajnë gjithcka për gjithcka, për t’ia rrëmbyer fitoren njëra-tjetrës, me një pjesë të dytë shumë më të bukur se e para. Trajneri De Biazi mendon t’u japë disa minuta aktivizim edhe Bekim Balës e Kristi Vangjelit. Sulmuesi shkodran zë vendin e Canit në repartin ofensiv, ndërsa korcari i Cernomorets futet në vend të Roshit. Inspirues reparti ofensiv me dyshen Bala-Vajushi, të asituar nga Bakaj. Dy shkodranët kanë dhuruar emocione në fund të ndeshjes, me kombinimet e tyre të bukura, prej nga mund të dilte edhe goli i fitores. Fillimisht me kokë Bala dhe pastaj Vajushi, e kanë mbajtur Shqipërinë në ofensivë në fund të miqësors, shumë pranë golit, i cili është kërkuar fort nga tanët, por edhe afrikanët, edhe pse nuk ka dalë dot në dritë. I vetmi që i ka munguar kësaj miqësoreje të luftuar fort, me kuqezinjtë tepër dinjitozë përballë një emri potencial në futboll, si Kameruni.

Shqipëri-Kamerun, “lumë” menaxherësh në stadium
Edgar Çani, portieri i Kalmarit, Etrit Berisha, Armando Sadiku apo edhe disa lojtarë të tjerë të Kombëtares sonë kanë qenë në qendër të vëmendjes së menaxherëve në ndeshjen e mbrëmje së sotme. Sfida me Kamerunin mendohet se do të jetë vendimtare për të ardhmen e Edgar Çanit, pasi Polonia e Varshavës ka konfirmuar se do ta largojë atë në merkaton e janarit. Mirëpo në optikën e menaxherëve ishte edhe Etrit Berisha. Portieri kuqezi luajti titullar në ndeshjen e fundit kualifikuese ndaj Sllovenisë dhe bëri një paraqitje të shkëlqyer, ashtu si këtë herë, ndaj për të nuk kanë munguar ofertat edhe nga skuadra të Serisë A. Ndërkaq, edhe Armando Sadiku kërkohet nga disa klube të Serisë A, pa lënë pas lojtarë të rinj si Bala e Vajushi, të grumbulluar rishtazi me Kombëtaren. Ndërsa binte në sy dueli Cana-Eto, dy lojtarët më të mirëpaguar në skuadrat respektive.
Tare: Kombëtarja, më e bashkuar se më parë
Igli Tare flet gjithnjë e më rrallë për Kombëtaren shqiptare, por gjithsesi ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit në kampin kuqezi. Ishkapiteni i Shqipërisë, sot drejtor sportiv i Lacios, ka folur me superlativa për kuqezinjtë duke vënë në dukje se grupi është arma më e fortë, ndërsa individualitetet që bëjnë diferencën janë të pakta.
Për kombëtaren - “Unë mendoj se de Biazi mund të bëjë gjëra të mira në Kombëtaren shqiptare dhe se pika më e fortë e skuadrës është grupi dhe uniteti. Në këtë aspekt, mendoj se Kombëtarja është edhe më e fortë se në kohën time. Më pëlqen fakti që edhe pse nuk ka shumë lojtarë të nivelit të lartë, ata që janë, kur hyjnë në fushë japin gjithçka. De Biazi ka një skuadër të mirë në dispozicion dhe po përpiqet që të ndërtojë diçka për të ardhmen, por duhet kohë, e cila në fakt mungon. E them këtë, sepse shqiptarët mezi presin që skuadra e tyre përfaqësuese të mund të kualifikohet në një kompeticion të rëndësishëm. Gjithsesi, unë mendoj se për të arritur në nivele të tilla, duhet kohë dhe durim, përndryshe është e pamundur”, – ka thënë Tare në “Procesin Sportiv” në “Top Channel”.
Për Canën - Ka pak gjasa që Cana të largohet nga Lacio, edhe pse nuk po luan rregullisht te klubi roman. Këtë e thotë drejtori sportiv i klubit, Igli Tare, që sqaron edhe vështirësitë që ka hasur Cana. “Cana është një lojtar i madh dhe jo më kot bën pjesë në projektin e një klubi të madh si Lacio. Është e vërtetë që ai nuk ka luajtur aq sa pritej, por kjo ka ndodhur sepse ka pasur vështirësi në përshtatjen me futbollin italian. Vështirësi, të cilat gradualisht po i kalon. Unë mund t’ju them se ai është pjesë e projektit dhe se ndjej një përgjegjësi edhe për shqiptarët e tjerë që luajnë me të rinjtë e Lacios, si Admir Bilali dhe Thoma Strakosha”, – ka thënë ish-kapiteni.

No comments: