Friday, July 22, 2011

Kadri Hazbiu: Mehmeti refuzoi sulmin ndaj forcave të Abaz Kupit

Pamje nga gjyqi i Kadri Hazbiut

I rikthyer te një histori e hershme e përfolur për shumë vite, Kadri Hazbiu zbardh për herë të parë në Hetuesi versionin e saj të plotë, duke iu referuar bisedës që ka pasur në qeli me Mestan Ujanikun para pushkatimit.

Mënyra se si e shtjellon këtë herë atentatin ndaj klerikëve bektashianë, i kundërvihet pohimeve të një deklarate të hershme të tij, sipas së cilës në tragjedinë e Kryegjyshatës mund të ketë gisht ndonjë anëtar i Byrosë Politike. Megjithatë, për të shmangur diferencat në deponimet e tij, ish-kreu i Ministrisë së Brendshme mundohet ta shikojë ngjarjen si një vrasje politike. “Baba Faja e Baba Fejzua, pohon Hazbiu, ishin viktima të reformave të parakohshme që orientuan Koçi Xoxen e Bedri Spahiun në komunitetin bektashian”. Në procesverbalet e tjera të marra nga libri i Kastriot Dervishit, “Kadri Hazbiu, krimet dhe vrasja e tij”, që botojmë sot, zbulohen anët e panjohura të lidhjeve të Hazbiut me Koçi Xoxen e Mehmet Shehun në kohën e luftës dhe gjatë periudhës kur punonin në Ministrinë e Brendshme, rastet e arrestimeve masive të ushtarakëve në vitet ‘50 dhe shkeljet antiligjore me të dënuarit në procesin e hetimeve. Duke rrëmuar në kujtimet e betejave partizane, ish-kreu i Sigurimit të Shtetit për herë të parë bën publike disa episode negative që zbehin “lavdinë” e ish-komandantit të Brigadës së Parë në operacionet përball pushtuesit. Ai ka rezervuar në kujtesë një rast ku orientimi i gabuar i Shehut gjatë luftimeve në zonën e Skraparit, ka shkaktuar viktima në radhët e partizanëve. Po ashtu, pohon Hazbiu, gjatë luftimeve në Peshkopi, Mehmet Shehu kundërshtoi urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm për të sulmuar forcat e Abas Kupit…

27.11.1982
Pyetje: Na shpjegoni i pandehur kur keni shkuar në BS në kursin e Sigurimit, kush ju dërgoi, çfarë ju thanë dhe çfarë itinerari ndoqët?
Përgjigje: Duhet të ketë qenë fundi i muajit shtator 1947 kur na thirrën drejtues të Ministrisë dhe na thanë se do të shkoni në Shkollën e Sigurimit në BS dhe sigurisht duhet të na kenë dhënë porositë e rastit. Isha unë, Vaskë Koleci, Vangjo Mitrojorgji, Mihallaq Ziçishti dhe Muço Saliu. Kemi udhëtuar me avion në linjën Tiranë-Moskë duke qëndruar në itinerarin Beograd-Budapest-Lvov-Moskë.
Pyetje: Në ndonjë nga stacionet e mësipërme a keni ndenjur qoftë edhe një natë?
Përgjigje: Kemi qëndruar sa qëndroi avioni në të gjitha këto stacione, por për të fjetur nuk më kujtohet. Në Moskë

Mehmet Shehu në vitet e luftës

kemi mbërritur natën. Atje na pritën përkthyesi dhe ndonjë tjetër. Drejtor ishte Hjemeli. Gjatë sistemimit në shkollë, mua më qëlloi të flija në një dhomë me Mihallaq Ziçishtin. Studimet i morëm nga fundi i majit 1948. Kur u kthyem na vunë në dijeni për punimet e plenumit të 8-të dhe njëkohësisht për detyrat që na dilnin pas përfundimit të shkollës. Na thanë se do të bëheshin aktivë partie që lidheshin edhe me qëndrimin e Mehmet Shehut, që u cilësua si person i cili synonte prishjen e miqësisë me Jugosllavinë…
6.12.1982
Pyetje: Na jepni shpjegime rreth pikës 2 të deklaratës, e cila bën fjalë për rrethanat e vrasjes së Baba Fajës dhe Baba Fejzos, sipas shpjegimeve që ju ka dhënë në Hetuesi i pandehuri Mestan Ujaniku. Ç’dini të na thoni për rolin e Koçi Xoxes dhe Bedri Spahiut në këtë vrasje?
Përgjigje: Sipas deklaratës që më lexuat ju dhe që e lexova edhe vetë, unë hollësi të tjera nuk di të them.
Pyetje: Nga deklarata del se për këtë çështje, vrasjen e Baba Fajës, ju jeni thirrur për të raportuar te Koçi Xoxe. A ju kujtohet ç’keni raportuar?
Përgjigje: Mua nuk më kujtohet se ç’kam raportuar, veç atyre që thuhen në deklaratë.
Pyetje: Në deklaratë bëhet fjalë për vrasjen, se ajo është e organizuar dhe se për të implikohej Koçi Xoxe e Bedri Spahiu. Na thoni i pandehur, ç’dini për këtë problem dhe ç’keni bërë për të sqaruar implikimin e këtyre dy tradhtarëve në një vrasje me karakter politik, si ajo e Baba Fajës dhe e Baba Fejzos?
Përgjigje: Unë nuk kam bërë asgjë. Mua nuk më kujtohen rrethanat dhe udhëzimet që më janë dhënë. Unë këtë nuk e kam bërë, sepse kam gjykuar që implikimi nuk ishte i vërtetë.
Pyetje: Nga ç’kritere jeni nisur ju, i pandehur, për ta vlerësuar si të paqenë implikimin e të pandehurit Mestan Ujaniku për këtë problem?
Përgjigje: Unë nuk e kam vlerësuar si të vërtetë, sepse Mestani jepte disa versione rreth kësaj vrasjeje.
Pyetje: Në deklaratë ju shpreheni, ndërmjet të tjerash, se “mua më duket se komprometoheni ju, si të Byrosë” (Koçi e Bedriu) dhe se tradhtari Koçi Xoxe ju ka thënë se “vrasja… është rezultat i një pune të organizuar, që në të mund e duhet të kenë gisht edhe njerëz të Partisë”. Na shpjegoni përse i keni thënë Koçi Xoxes që komprometoheni në këtë vrasje dhe si e keni zbatuar porosinë për të gjetur njerëzit e Partisë që kishin gisht në vrasje, sipas tradhtarit Koçi Xoxe?
Përgjigje: Me komprometim kam pasur parasysh atë që Koçi Xoxe e Bedri Spahiu konsideroheshin nga Mestan Ujaniku si shtytës të reformave që donin të bënin Baba Faja e Baba Fejzoja, kurse për sa i përket orientimit që të gjenim njerëzit e Partisë që mund dhe duhet të kishin gisht në vrasje, nuk më kujtohet të kem marrë ndonjë masë.
Pyetje: A është në përputhje me vijën e Partisë orientimi për të kërkuar vrasësit e Baba Fajës dhe të Baba Fejzos në radhët e njerëzve të Partisë?
Përgjigje: Nuk përgjigjem.
6.12.1982
Pyetje: A jeni marrë ju i pandehur me hetimin e çështjes penale kundër armikut Mestan Ujaniku?
Përgjigje: Direkt unë nuk e kam pasur në hetim çështjen e Mestan Ujanikut, por duhet të kem shkuar në hetim. Unë nuk kujtoj se kush ka qenë hetues i kësaj çështjeje.
Pyetje: A është interesuar ndonjëherë tradhtari Koçi Xoxe për këtë çështje? Nëse po, në ç’drejtim është interesuar?
Përgjigje: Mua nuk më kujtohet që të jetë interesuar direkt Koçi Xoxe për këtë problem. Të tjerët, nga drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë interesuar.
Pyetje: A kanë dalë të dhëna për vrasjen e Baba Fajës Martaneshit në procesin e Mestan Ujanikut? Nëse kanë dalë, a implikoheshin për vrasjen e tij kuadro drejtuese në atë kohë?
Përgjigje: Mua nuk më kujtohet që të ketë pasur implikime të tilla në këtë proces. Unë di që vrasja e Mustafa Xhanit dhe e Baba Fejzos është rrjedhim i fanatizmit të Dedeit që i vrau e në fund vrau edhe veten.
Pyetje: A janë bërë përpjekje që vrasjen e Baba Fajës dhe Baba Fejzos ta shfrytëzonte tradhtari Koçi Xoxe për të sulmuar shokë të udhëheqjes së Partisë në atë kohë?
Përgjigje: Unë vetë nuk kam marrë udhëzime të tilla nga Koçi Xoxe dhe nuk më kujtohet që të kem raportuar për këtë proces.
Pyetje: A është implikuar vetë Koçi Xoxe në procesin hetimor të Mestan Ujanikut apo ndonjë kuadër tjetër drejtues i Partisë?
Përgjigje: Unë tani po dëgjoj për këtë çështje. Unë aktualisht nuk kujtoj që të ketë pasur ndonjë implikim të tillë.
10. 12.1982
Pyetje: Na tregoni i pandehur, në ç’rrethana jeni njohur me Koçi Xoxen e ç’marrëdhënie keni pasur me të?
Përgjigje: Unë për herë të parë Koçi Xoxen e kam njohur në një aktiv Partie të Brigadës, në vitin 1944, pak para Kongresit të Përmetit, në fshatin Nivan të Gjirokastër, ku ai erdhi si i deleguar i K.Q të Partisë Komuniste. Atje, si të gjithë të tjerët, edhe unë jam takuar me të. Më nga afër me Koçi Xoxen jam njohur mbas çlirimit të Shqipërisë, kur u caktova në detyrë në Drejtorinë e Mbrojtjes së Popullit, në vitin 1945. Unë fillimisht jam paraqitur te Kiço Ngjela, që ishte drejtor i kuadrit në KQ të Partisë e te Manush Myftiu, të cilët më thanë të paraqitesha për të marrë udhëzimet te Nesti Kerenxhi. Unë kam shkuar te ky i fundit, i cili më dha udhëzimet përkatëse për punën që do të bëja. Rrethanat konkrete se si jam njohur me Koçi Xoxen, mua nuk më kujtohen, por di që kemi pasur marrëdhënie pune, si drejtues i dikasterit që ishte. Marrëdhëniet e vartësisë direkte të punës unë i kisha me Nesti Kerenxhin, por kishte raste që kontaktoja edhe me Koçi Xoxen.
Pyetje: Jeni takuar me Koçi Xoxen në kohën e Plenumit të 8-të të KQ të Partisë të vitit 1948?
Përgjigje: Personalisht unë nuk jam takuar me Koçi Xoxen në kohën që zhvillonte punimet Plenumi i 8-të. Me të, unë jam parë në aktivin e Partisë që është mbajtur në Shkollën e Dakos, në Tiranë, pas Plenumit të 8-të, ku u punuan konkluzionet e këtij Plenumi për përjashtimin e Mehmet Shehut. Në këtë aktiv, unë kam diskutuar dhe jam solidarizuar me dënimin e Mehmet Shehut dhe me vendimet e Plenumit të 8-të. Unë kam bërë edhe kritikë për Mehmet Shehun në atë kohë. Edhe pas këtij aktivi marrëdhëniet me Koci Xoxen unë i kam pasur si më parë.
Pyetje: Na tregoni, i pandehur, në ç’rrethana jeni njohur me tradhtarin Mehmet Shehu?
Përgjigje: Gjatë vitit 1942, me porosi të Komitetit Qarkor të Vlorës unë kisha realizuar lidhje me disa fshatarë patriotë nga Mallakastra e sipërme, me të cilët më lidhnin relata miqësore familjare. Të tillë ishin Xhelil Balili, Shemo Jaho, Sami Jonuzi, Lilo Hakani, Hysen Zeqo, Sulo Mustafai etj. Në atë kohë, nga viti 1942, në Klos kishte ardhur edhe Bilbil Klosi, për të cilin kisha marrë porosi nga Hysni Kapoja ta takoja. Shkova disa herë për ta takuar në Klos, por nuk e gjeta, derisa, më në fund, sekretari i qarkorit më tha se kishte arritur ta takonte vetë Bilbilin. Aty nga muaji gusht ose shtator i vitit 1942, në një rast që shkova në Mallakastër, Xhelil Bilali më tha se në fshat ka ardhur një person që ka qenë jashtë shtetit, në Spanjë, pastaj ka qenë në burg dhe tani është liruar, i cili disa herë më ka kërkuar që të takohet me ty. Më tha se quhej Mehmet Shehu dhe është i biri i Shehut të fshatit. Duke marrë garanci nga Xhelili, unë pranova të takohem me Mehmet Shehun. Ky takim u bë në një qafë, në fshatin Çorrush, duke qenë vetëm unë dhe ai. Në këtë takim, Mehmet Shehu më tha se kishte dëgjuar që unë shkoja në Mallakastër dhe kisha lidhje me Qarkorin e Vlorës. Më tregoi si quhej dhe kërkoi të takohej me shokët e qarkorit, nuk më kujtohet nëse më tha pseudonimin e tij, por më tha se po t’u thosha për kërkesën time, ata të Qarkorit e dinin. “Unë, – tha Mehmet Shehu – jam këtu në shtëpi”. Duke u nisur nga rregullat e konspiracionit, nuk mora përsipër që ta takoja me shokët e Qarkorit, por i thashë që, po takova ndonjë të njohur, do të interesohem për këtë çështje. Kur u ktheva në Vlorë, njoftova sekretarin politik të Qarkorit të Vlorës, i cili më tha se e dinte që kishte ardhur Mehmet Shehu. Më vonë, unë nuk u mora me këtë punë, sepse vetë sekretari e rregulloi takimin, por se si e arriti këtë, unë nuk e di. Kur u takova me Mehmet Shehun, ai më pyeti për luftën në qarkun e Vlorës. Mehmeti më tregoi se kishte qenë në Luftën e Spanjës, se kishte qenë në burg dhe se kishte dëshirë të takohej me shokët. Ky ka qenë takimi i parë me Mehmet Shehun. Më vonë ai u bë drejtues në qarkun e Vlorës. Që nga ajo kohë, unë kam krijuar shoqëri me Mehmet Shehun, të cilën e kemi mbajtur deri kur ai vrau veten…
Pyetje: Mbasi u largua nga qarku i Vlorës Mehmet Shehu, a jeni takuar më me të gjatë kohës së Luftës Nacionalçlirimtare?
Përgjigje: Jam takuar edhe herë të tjera me Mehmet Shehun, në Qafën e Gjarprit, në qershor të vitit 1944, në aktivin e Partisë të Divizionit, në Kulmak dhe së bashku kemi marshuar në përbërjen e Divizionit I Sulmues deri në Shpal të Tiranës.
15.12.1982
Pyetje: Na shpjegoni, i pandehur, a jeni takuar me tradhtarin Mehmet Shehu gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, veç rasteve që përmendët në procesin e djeshëm?
Përgjigje: Mbas takimeve që kam pasur kur kam qenë në qarkun e Vlorës, me tradhtarin Mehmet Shehu unë jam takuar për herë të parë në Skrapar, në fshatin Potom, ku ne na u njoftua se ishte krijuar Divizioni i Parë Sulmues dhe Mehmet Shehu, që ishte caktuar zëvendëskomandant i këtij Divizioni, erdhi në Brigadën tonë që u inkuadrua në këtë njësi. Po atë ditë ne të Brigadës së 5-të, kemi shkuar e kemi zëvendësuar në Qafë të Gjarprit Brigadën e Parë Sulmuese dhe pa njohur mirë terrenin, jemi futur në luftim. Megjithëse gjermanët u thyen e u vranë shumë prej tyre, edhe ne patëm humbje në njerëz. Edhe ditën tjetër megjithëse kemi shfaqur mendimin se pozicionet ku kishim luftuar një natë më parë ishin të papërshtatshme dhe kemi vendosur të zinim pozicione të reja, në drejtim të lumit të Tomorricës, jemi urdhëruar nga komanda e brigadës, ku ishte edhe Mehmet Shehu, që të qëndronim në pozicionet e mëparshme e, si rrjedhim, nuk u arritën ato rezultate që mund të arriheshin, qoftë në shpartallimin e forcave gjermane, qoftë në ruajtjen e forcave tona. Megjithatë, Mehmet Shehu këtë luftim e quajti si një luftim të shquar, nga më të ashprit që kishte parë, në një kohë që më vonë, nga Shtabi i Përgjithshëm u kritikuam që kishim luftuar pa njohur terrenin. Në atë kohë jam parë përsëri me Mehmet Shehun në një aktiv Partie që u mbajt në Kulmak (aktivi i Divizionit). Që andej, së bashku me ne, Mehmet Shehu ka marshuar me brigadën tonë deri në Kërrabë të Tiranës. Më pas, jemi parë prapë me të, kur kemi rrethuar forcat e Bazit të Canit në zonën e Tujanit e burimeve të Selitës. Një batalion, me të cilin ndodhej edhe Mehmet Shehu, që ishte caktuar të godiste forcat zogiste, pasi të thyheshin nga sulmi ynë, megjithëse i kishte mundësitë, nuk doli në kohën e duhur në vendin e caktuar e, për rrjedhim, nuk u asgjësuan forcat zogiste. Siç mësuam më vonë, në vend që të vazhdonin marshimin për në vendin e caktuar, forcat e batalionit ku ishte Mehmet Shehu, ishin urdhëruar prej tij të zinin dy anglezë që ishin në një kodër. Më vonë, pas vetëvrasjes së tij kam mësuar që tradhtari Mehmet Shehu, megjithëse kishte marrë urdhër të sulmonte forcat e Abaz Kupit, nuk kishte dashur ta bënte këtë punë, derisa ishte urdhëruar për së dyti herë, që të sulmonte e shpartallonte këto forca. Gjatë kohës së Luftës Nacionalçlirimtare jam takuar për herë të fundit me Mehmet Shehun në Peshkopi, kur më ngarkoi të shkoja në Martanesh për të dërguar disa të plagosur dhe disa robër që kishim zënë në korparmatë, si dhe për të plotësuar brigadën me forca të reja që do të mobilizonin me ndihmën e Mustafa Xhanit (Baba Fajës). Për këtë qëllim, tradhtari Mehmet Shehu më ka dhënë një letër për Baba Fajën. Në këto takime me të nuk kam bërë ndonjë bisedë që vlen të përmendet dhe nuk kam ndonjë problem që ka të bëjë me veprimtari armiqësore të tradhtarit Mehmet Shehu.
Pyetje: A dini të jenë bërë arrestime masive dhe pa baza në radhët e ushtarakëve në kohën e Koçi Xoxes?
Përgjigje: Unë kujtoj vetëm rastin e arrestimeve që janë bërë në brigadën e Delvinës, ku flitej se shumë ushtarakë kishin shfaqur tendencë arratisjeje dhe ishin arrestuar, si dhe rastin e arrestimit të disa oficerëve në divizionin e Tiranës, arrestime që më vonë u quajtën të nxituara.
Pyetje: Ju kujtohet ndonjë rast që të keni marrë urdhër nga armiqtë që drejtonin Ministrinë e Brendshme deri në vitin ’48 për të kryer arrestime masive?
Përgjigje: Nuk më kujtohet dhe unë nuk di që të jetë dhënë ndonjë orientim për arrestime në masë në radhët e ushtarakëve. As unë nuk kam dhënë ndonjë urdhër të tillë, me përjashtim të rasteve kur u kërkonim organeve vartëse të Sigurimit të Ushtrisë që të paraqisnin propozimet për arrestimin e personave që kishin në ndjekje…
Pyetje: A keni marrë pjesë në ndonjë mbledhje që është bërë në shtëpinë e Koçi Xoxes me gjithë shefat e sektorëve të Sigurimit për problemin e arrestimeve?
Përgjigje: Mua nuk më kujtohet ndonjë mbledhje e tillë. Mbaj mend që në një rast kemi qenë në shtëpinë e Koçi Xoxes gjithë shefat e sektorëve dhe kemi raportuar për gjendjen e hetimeve që kishim në dorë. Më kujtohet që në atë takim Koçi Xoxja porositi që të ruheshin se mos i vrisnin Thoma Karamelon dhe Vaskë Kolecin. Në këtë mbledhje nuk më kujtohet që të jenë dhënë orientime për arrestime masive.
Pyetje: A ka pasur shtrembërime në politikën e arrestimeve nga organet e Sigurimit të Ushtrisë para kthesës së Partisë?
Përgjigje: Ka pasur raste të arrestimeve të nxituara, të trajtimit keq dhe të ushtrimit të dhunës ndaj të arrestuarve…

AFRIM IMAJ

No comments: