Saturday, July 23, 2011

Diplomacia dhe Ministri ynë i Jashtëm


Nga Afrim Karoshi

Në shtypin shqiptar por edhe në atë europian (shikoni videon bashkangjitur) po qarkullon një video që pasqyron detajet e fillim takimit të përfaqësuesve të Bashkimit Europian ku Shqipëria do të bashkohet dhe zyrtarëve të qeverisë Shqiptare. Nga pala shqiptare në takim është Ministrja Bregu dhe Ministri i Jashtëm Haxhinasto.

Videoja paraqet një kontrast të dukshëm mes gjuhës jo zyrtare të përdorur përpara së palët të takohen – në këtë rast nga Ministry ynë i jashtëm dhe paraqitja protokollare e palëve.

Në video dallohet qartë Z. Haxhinasto që i thotë koleges Bregu “Hajde dëgjo p… e këtyre tani”. Nga konteksti fraza i adresohet zyrtarëve të Komisionit Europian.

Kush është problemi?

E para dhe më seriozja sipas mendimit tim, është përqasja banale që ka Ministri ynë i jashtëm në raport me zyrtarët europianë dhe komunitetin shqiptar. Në parim, Shqiptarët e kanë zgjedhur ministrin e jashtëm që të na përfaqësojë denjësisht përpara zyrtarëve europianë dhe jo të lodhet duke i dëgjuar ata – madje të lodhet përpara se të fillojë takimi. Me sa e kuptoj unë, opinioni publik shqiptar është tërësisht pro anëtarësimit në Bashkimin Europian. Unë për vete kam rezerva por shqiptarët nuk kanë. Kështu që Haxhinasto është i ngarkuari ynë që të merret me … zyrtarët europianë. Madje, edhe nëse realiteti është ashtu siç e shpreh ministri ynë.

E dyta, ka një kontrast të fortë mes asaj që thotë ministri ndër dhëmbë dhe premtimeve buzagaz-çe që ai ju jep në tavolinë. Dmth a i bie që integrimi europian është një rrugë e ndërmjetme mes asaj që “ndjejmë” për BE-në dhe asaj që realisht mendojmë për të? Shqiptarët duan që të anëtarësohemi në BE. Dhe nëse këtë punë e ka marrë në dorë një ministër që nuk është në gjendje as të durojë zyrtarët e BE-së atëherë i bie që jemi të përfaqësuar nga njerëzit e gabuar…

E treta, i sygjerojmë ministrit që të marrë pushim përpara mbledhjeve të rëndësishme. Ndoshta ka qënë i lodhur përpara takimit. Ndoshta është marrë shumë me situatën politike në Shqipëri dhe nuk ka nerva të na përfaqësojë. Ose të çlodhet, ose të hapë rrugë se me siguri ka ca shqiptarë që mund të na përfaqësojnë më me dinjitet në zyrat e BE-së.

E fundit, shpresoj që gjuha e ministrit të mos tregojë me të vërtetë nivelin e diplomacisë shqiptare.

No comments: