Saturday, February 22, 2014

Platini, një “dashuri në kohë kolere”!

Nga Ahmet Shqarri.  Më shumë se një vizitë e vullnetit të mirë, ardhja e Platinisë së fundmi në Tiranë ishte si një “dashuri në kohë kolere”! Paralelizmi i titullit të romanit të të famshmit Gabriel Garcia Markez, me atë çka donin të realizonin bosët e futbollit shqiptar, kur menduan ta sjellin në Shqipëri presidentin e UEFA-s, qoftë edhe për 3-4 orë, në mënyrë që të afirmonin edhe njëherë “miqësinë e madhe” që kanë me të, më erdhi ndër mend sapo kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë pritjes së tij, se, ndërtimi i një stadiumi të ri, tani për tani, është një mision i
pamundur, për shkak të kushteve shumë të vështira ekonomike në të cilat ndodhet aktualisht vendi ynë. Platini, besoj e mban mend kur para 2-3 vitesh në Tiranë një kryeministër shqiptar pat premtuar në sy të tij, gjatë një konference për shtyp, për një stadium të ri që do të ndërtohej në Tiranë, në bashkëpunim me UEFA-n, duke qenë nga më të mirët e këtij rruzulli, aq sa në të mund të zhvillohej edhe ndonjë finale e superkupave të kontinentit! Por, ja ku vjen përsëri këtu, në një kohë që Shqipëria nuk ka, jo më një stadium të ri, siç qe premtuar plot bujë, se do të ishte i gatshëm për 100-vjetorin e Pavarësisë, (2013-ën), por asnjë tjetër që të jetë i licencuar deri tani nga institucionet ndërkombëtare të futbollit, ndërkohë që merr një përgjigje krejt ndryshe tashmë nga kryeministri Rama, që, edhe pse i afërt me sportin, me këtë rast duket sikur i tha të parit të futbollit europian se kishte zgjedhur ta shprehte dashurinë për ne, në një kohë kur këtu ka rënë kolera! Ndërkohë, vetë Mishel Platini është i vetëdijshëm për gjullurdinë e këtushme, gjë që duhet ta ketë vënë re edhe gjatë vizitës së tij të shkurtër-rrufe, sidomos nëpërmjet mesazhit që dha vetë kryeministri i ri, paçka se komplimentet për njëri-tjetrin rrethonin gjithçka në të gjitha takimet e zhvilluara. E ndërsa i pari i futbollit europian dëgjonte pohimet tona keqardhëse, një buzëqeshje e shtirur, gati si ngërdheshje, shoqëronte në ato çaste bosët tanë të futbollit, që mezi ç’kishin pritur të organizohej ai takim, nga ku shpresonin, ashtu si me kryeministrin e mëparshëm, që të merrnin një premtim për stadiumin e ri. Punë shqiptarësh, – do të ketë thënë me vete Platinia tek shihte atë turmë servilësh që i ishin grumbulluar rreth e qark duke pritur që ai t’u shprehte diçka shpresëdhënëse, ndërkohë që ai nuk gjeti gjë tjetër për t’i ngushëlluar veçse t’u përmendte diçka nga ato sloganet e hershme që dikur shqiptarët i patën dëgjuar edhe nga “Partia dhe shoku Enver”, se, sporti u takon masave dhe se futbolli si pjesë e tij duhet të nxitet e të zhvillohet edhe nëpër shkolla!!!
Nga “dashuri në kohë kolere”, apo “platonike”, këtë dukuri të vizitave kaq të shpeshta në Shqipëri të kreut të futbollit europian, fare mirë tani mund ta quanim edhe me termin e ri, deri tani thuajse të panjohur: “dashuri Platineske”, duke e personalizuar kështu të gjithë këtë histori me emrin e ish-futbollistit të famshëm të Juventusit dhe të kombëtares franceze. Natyrisht, me postin që ka dhe me magjinë që ka dhuruar dikur në fushën e lojës, duke u kthyer gati në një idhull për të gjithë botën e futbollit, Platinia ka gjithë të drejtat e privilegjin që në çfarëdo çasti e çfarëdo vendi, të takohet me secilin mbret a kryeministër që t’i dojë qejfi, por me atë ç’ka ndodhur deri tani në takimet e shpeshta që ai ka zhvilluar këtu me qeveritarë, pushtetarë e kryeministra shqiptarë, e gjitha kjo mund të merret si një rast unikal, për të mos u quajtur si një rekord për librin Ginness! Përse të mos vijë – mund të thotë dikush, që me këtë rast mund të përmendi faktin se Shqipëria është vend anëtar i UEFA-s? Por, a nuk janë edhe shtete të tjerë të vogla, kështu si ne, që Platinia ose nuk i ka shkelur fare, ose ka kaluar shkarazi mbi to, si Andora, Lihtenshteini, apo Ishujt Faroe, për të mos përmendur edhe të tjerë, si ”hapësirën gjeografike” -Gjibraldarin, që Platinia duket se e ka më për zemër se Kosovën?! A e keni vënë re se si ky personalitet vjen tek ne sa herë që përurohet ndonjë fushë kalçetoje, kur bëhet rikonstruksioni i ndonjë stadiumi, (që përsëri mbetet ashtu siç ka qenë, i palicencuar prej tij!), ose në prag të fushatës së zgjedhjeve të reja për FSHF-në, siç ka ndodhur edhe këtë herë, për t’u përdorur pastaj këto vizita të tij si një provë besimi e sigurie ndaj “të përjetshmëve” të futbollit tonë, kur dihet se tani në këtë vend edhe kryeministrat nuk janë më të tillë? Aq shumë sa ç’ka vizituar Tiranën, kreu i futbollit europian mund të ketë vizituar deri tani vetëm Beogradin, ku serbët të sigurt në besimin që i jep ky personalitet, përdorin çdo makinacion për pengimin e Kosovës në ingranimin e saj nëpër institucionet e ndryshme ndërkombëtare, përfshi këtu edhe futbollin…

No comments: