Wednesday, February 19, 2014

Nëse Rama provokon, bën gabimin më të rëndë

Për ish-Kryeministrin Sali Berisha protesta e sotme e opozitës është fillimi i fundit të qeverisjes Rama. Në një bashkëbisedim me gazetarët, ish-Kryeministri Berisha tha se, nuk mund të pranohet një Kryeministër që shkel mbi dinjitetin e shqiptarëve. Përtej garancive që protesta do të jetë civile, Berisha i bëri thirrje Edi Ramës, të mos provokojë lëvizjen popullore. Ish-Kryeministri, e cilësoi procesin për reformën administrative territoriale si tërësisht politike dhe sipas Berishës, nëqoftëse kjo reformë miratohet
pa konsensus, opozitës i duhet të marrë një vendim nëse duhet të bëhet pjesë e zgjedhjeve të ardhshme vendore apo jo. Në vetëm 5 muaj qeverisje, ekonomia dhe rendi në vend po shkojnë drejt greminës, tha Sali Berisha, dhe kjo për shkak të politikave të gabuara, por dhe emërimeve klienteliste dhe korruptive. Gjithashtu ai tha se, mazhoranca i është kundërvënë shtetit ligjor, duke frenuar integrimin e vendit. Këto sipas ish-Kryeministrit janë arsye të forta që shqiptarët t’i bashkohen protestës së nesërme, ku nuk nguroi të zbardhë dhe ndonjë detaj. 

- Zoti Berisha, a mendoni se janë të parakohshme protestat, ndërkohë që kanë kaluar vetëm 5 muaj dhe ende nuk mund të bëhet një bilanc i premtimeve të qeverisë?
Unë mendoj se, një bilanc të qartë si kristali bëhet sot, sepse njeriu që ju tha shqiptarëve se do ta bëj shëndetësinë falas dhe në pesë muaj e ka rrënuar atë, saqë 2/3 e spitaleve kanë mungesa të tmerrshme dhe korrupsioni dhe çdo gjë tjetër po ecën me shpejtësi galopante, unë mendoj se gjithçka duket si kristali. Njeriu që ju tha shqiptarëve se do t’ju heq TVSH-në e energjisë dhe e vërteta është se mund ta hiqte. 
Dhe ne do t’i bëjmë këto dhe unë i garantoj qytetarët shqiptarë, që një për një ato do të shndërrohen në realitet, nuk ka asnjë diskutim. Nuk mund të ecim si njerëz të mashtruar në zgjedhjet e shkuara, do të bëhen të gjitha ato realitet pastaj do të bëhen zgjedhje. Është jetike kjo. Përndryshe nuk do të ketë zgjedhje, përndryshe do të ketë vetëm mashtrime dhe nuk e meriton asnjë popull një gjë të tillë. Kështu që edhe legalizimet do të bëhen me 1 euro, edhe shtëpitë nuk do të minohen, edhe shërbimi shëndetësor do të jepet falas. Dhe shëndetësia falas bëhet, ekziston modeli. Unë nuk kam qenë për atë model, por tani jam, sepse duhet të çojmë në vend dinjitetin e qytetarëve. Sigurisht, 7% të buxhetit për secilën dhe bëhet ai, por e bëjnë një ose dy vende në botë, sepse bëhet me kontribute, kjo është mënyra, sepse kontributet japin qëndrueshmëri. Para që mblidhen janë ato, por sistemi me kontribute garanton qëndrueshmëri në funksionim, sistemi me buxhet fluktuon sipas buxhetit, ky është një dallim shumë i madh. Ndaj dhe 99.9% e vendeve të botës e kanë me kontribute, por tani ne mund t’i kthehemi sistemit. I kthehemi, sepse duam të çojmë dinjitetin e shqiptarëve në vend. Do të heqim ne TVSH-në e energjisë, do të heqim ne TVSH-në e ushqimeve, po. 

-Kush do i heqi ju apo qeveria?
Do t’i heqi populli opozitar ato. Ai mendoi se ka një milion vota, një milion shuplaka, tani populli do t’i thotë dale. Çdo ditë rritet me shpejtësi të madhe numri i të zhgënjyerve dhe i ftoj të gjithë të zhgënjyerit nesër në protestë. Ky është sjellë me shqiptarët si Kolombi me indianët, që ju çonte copëzat e pasqyrave për t’ju marrë floririn. Atë nuk mund ta bëjmë ne.

-Sa mendoni ju se është e aftë opozita që të tërheqi nesër qytetarët e zhgënjyer në protestë dhe ndoshta edhe më vonë?
Nuk është populli opozitar, por është populli i zhgënjyer ai që ka zgjedhur atë shprehjen e famshme “bëmë shaka”. Sigurisht, që ka një vetëdije të plotë për të gjitha këto.
A e dini ç’ndodh apo jo. Janë kompani nga më serioze të botës që po largohen nga Shqipëria dhe që kanë pasur projekte në energjetikë të jashtëzakonshme. Sigurisht po të rrish t’i të bësh debat pesë orë në Parlament, me një injorancë absolute sikur po flet për presh në kuzhinë apo domate, natyrisht që ai do të ikë, çfarë do të bëjë me këta ai? Ç’të bëj me këta thotë?! Se të investojë tjetri në Alpe, apo në Osum apo në Vjosë, minimumi një mjedis miqësor për biznesin e tij ai e kërkon.

-Zoti Berisha, ju thatë që kjo do të jetë një protestë për dinjitetin. Ndërkohë, ka patur deputetët tuaj që të cilët janë shprehur se mund të përballemi nesër me një skenar si në Ukrainë. A mendoni se mund të ketë përshkallëzim të situatës?
Dhe pyetja tjetër është që ju akuzuat zotin Rama se nuk ka përmbushur premtimet, por është edhe zoti Basha, që nuk ka përmbushur disa premtime të bëra për Tiranën siç është ndërtimi i tramit? 
Së pari, zoti Rama asnjë nga premtimet e tij se ka përmbushur edhe taksën për biznesin e vogël e uli me 25%. Nga ana tjetër, rriti sipërfaqen e dyshemesë, dyfishoi sipërfaqen e lokalit. Pra, faktikisht ia dha me një dorë dhe ia mori me dorën tjetër. Që të gjitha të pa realizuara, përkundrazi, qoftë legalizimet, qoftë shëndetësia falas, qoftë ushqimet, qoftë fshati. E dini çfarë po ndodh me fshatarët? Po jua 2-3 fishon taksën e tokës. E ka ligjin gati. Qytetarëve po jua 2-3 fishon regjistrimin e makinës. Për Bashën, mendoj se në një hark kohor të shkurtër bëri atë që se ka bërë kush në 20 vjet, bulevardin. Kanë filluar punën për lumin e Tiranës, është projekt i madh, për tramin po vazhdojnë tratativat, por trami nuk mund të bëhet pa mbështetjen e qeverisë. Edhe në bulevard pati një mbështetje, sepse qeveria nuk mund të rrijë indiferent, sepse ky është një projekt i madh. Edi Rama do të bënte gjithçka të bllokonte jo ta mbështeste zotin Basha. Në armiqësinë e tij të pakufishme personale, ai shkoi deri atje sa i shembi pallatin vjehrrit të tij, me leje, me hipotekë, me studim urbanistik, në zonë të ndërtuar me vendim gjykate të mbrojtur, por verbëria e të sëmurit psikik nuk e pengoi atë për të rrëzuar një pallat me 3 kuintal dinamit. Pra, për pyetjen të falënderoj, krahasimi është absolutisht i pakrahasueshëm. Bulevardi po ndërtohet. Lumi po sistemohet. Nesër nëse qeveria e mbështet tramin, ka qenë zotim i yni ai, nuk mund të them se jo, nëse qeveria e mbështet tramin, Basha ka gati projektin dhe çdo gjë. Ka bërë tratativat më të mira me kompanitë e Europës dhe të botës, me një kompani të madhe kineze që janë të gatshme të hyjnë. 

- Edhe skenari i Ukrainës. E ka përmendur zoti Halimi mos gaboj?
Skenari i Ukrainës të garantoj unë ty se demokratët e Ukrainës nuk kanë shkuar me një skenar dhune. Ai skenar është provokuar totalisht nga forca të ngjashme si Edi Rama në pushtet dhe opozita nuk shkon për dhunë. Ne nuk shkojmë për dhunë. Ne jemi forcë politike demokratike dhe i përmbahemi rregullave, por nëse Rama provokon, bën gabimin më të rëndë. Ne e kemi protestë paqësore, e kemi fillimin dhe këtë e themi, është vetëm fillimi nesër.

- Pse nuk pret opozita që të dalin në shesh 1 milion shqiptarët e mashtruar?
Ne do të kombinojmë të gjitha format e qëndrimit demokratik. Edhe po të dalin 1 milion ne nuk do të themi se janë një milion shkelma për Edi Ramën. Jo, ne kemi konceptet tona krejt të ndryshme. Ne do ti themi atij ik, por jo shkelma.

- Zoti Berisha, ashtu siç e përshkruani situatën është shumë e rëndë. Megjithatë kemi një deklaratë të Sekretarit amerikan të Shtetit lidhur me gjendjen e demokracisë në Ballkan, por nuk kemi ndonjë reagim të ngjashëm nga BE. Si e shpjegoni këtë?
Mendoj se BE bëri reagimin e tij më të prerë në dhjetor. Në diplomaci, duhet të lexosh nëpër rreshta dhe veçanërisht në diplomacinë europiane. Po të marr vetëm një deklaratë. Deklarata e ministrit të Jashtëm të Holandës, cila ishte? I cili erdhi në Shqipëri i pa të gjitha këto dhe nuk i besohej se këto ndodhi janë reale. “Na duhet më shumë kohë, të shohim zbatimin e ligjit nga Kryeministri shqiptar”, tha ai. Se me aq sa pa vetëm ligji që nuk po zbatohej. Ose Angela Merkel, që tha se shteti ligjor shumë i rëndësishëm. Nuk mund të pranojë kush kurrë çmontimin e ligjeve me vendime qeverie, bllokimin e ekzekutivit të vendimit të gjykatave. Vendimet e gjykatave shko dhe sfidoji në Gjykata. S’të pëlqen shko tek më e larta e me radhë, por jo t’i bllokosh me vendime qeverie. Një porosi kryesore mori në Bruksel, administratën. Dhe e shkatërroi në mënyrë të paimagjinueshme dhe ju të lexoni mesazhet e letrat që vijnë nga punonjës. Dje, kanë shkarkuar 62 vetë në Drejtorinë e Bujqësisë në Korçë dhe i kanë zëvendësuar me mësues që s’kanë lidhje me bujqësinë. Marrim ushtrinë, shkoni dhe intervistoni ushtarakët. Pa bukë, pa drekë, me shpenzime të tyre, i nxjerrin për të bërë pastrime, nga mëngjesi deri në orën 5 pasdite.
Po ju lexoj një sms që më ka ardhur: “Përshëndetje zoti Berisha, unë që po të shkruaj punoj prej dhjetë vitesh në forcat e armatosura. Më kishte folur plaku për punë vullnetare, por nuk besoja. Kam dy javë që po bëj punë vullnetare në ushtrinë shqiptare, sot jam zgjuar në pesë të mëngjesit dhe jam kthyer në gjashtë pasdite pa ujë pa bukë, dhe këta japin vetëm urdhra dhe nuk kanë asnjë lloj mëshire për ne. Të shkruajta këtë, se nuk ke shanse të flasësh se të largojnë menjëherë nga puna”.
Mund të sillesh në këtë mënyrë? Do të shkonte njëherë në Velipojë, nuk shkoi dot dhe e gjithë ushtria në rrugët e Velipojës dhe Bërdicës për të pastruar se do të kalonte kryekreu. E vërtetë kjo. Ndodhin këto në një vend normal? Nuk ndodhin kurrë këto në një vend normal. Këto ndodhin vetëm në një vend që drejtohet nga një i sëmurë psikik, i cili mendon se mund të bëjë çdo gjë, i cili mendon se nuk ekzistojnë ligje, nuk ekzistojnë rregulla, Kushtetutë, asgjë. Të marrësh djemtë e rinj dhe t’i çosh të pastrojnë vetëm se janë në hall dhe nuk kanë ku të punojnë tjetër. Po a ka demotivim më të madh se ky?

-Dua të ndalem sërish te protesta e nesërme. Pa dashur të bëj asnjë lloj paralelizmi, por zoti Rama para 21 janarit ju bëri thirrje shqiptarëve se ne nuk mbajmë përgjegjësi për atë që bën populli në proteste ose që “populli opozitar mund ta tejkalojë opozitën”?
Jo ne nuk kemi ato motive. Ne do të jemi në krye të protestës dhe protesta do të jetë civile. I kërkoj Edi Ramës të mos provokojë, sepse do të bëhet përgjegjës vetë personalisht. Ne thamë se është vetëm fillimi, por fillim i cili do ta shndërrojë këtë pranverë në një pranverë të demokracisë, sepse ne shohim një rrënim të gjithanshëm.

-Lidhur me reformën administrative. Opozita e cilëson atë të lidhur ngushtë me procesin zgjedhor. Nëse kjo reformë do të miratohet me vetë votat e mazhorancës pa pjesëmarrjen e opozitës, PD a do të shkojë në zgjdhjet e ardhshme lokale?
Reforma e quajtur territoriale, është reforma elektorale e koskave mafioze, që po bëjnë gjithçka tani për zgjedhjet e ardhshme. Ajo reformë, ai projekt, vjen në kundërshtim me interesat jetike të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë. Unë nuk them se, reforma dëmton interesat e kësaj lagjeje ku banojmë këtu apo të lagjes nr. 3, nr. 4 e me radhë, por reforma dëmton në mënyrë palcore interesat pothuaj të të gjitha komunave të vendit. Sepse jua largon shërbimet dhe ne nuk jemi për largimin e shërbimeve nga qytetarët shqiptare. Sepse ka disa vendeve që nuk janë dhe njeri prej tyre është Franca që ka një infrastrukturë nga më modernet në Europë, një nga krenaritë e atij vendi ka qenë rrjeti i saj rrugor, telekomunikimi të gjitha të tjerat, shërbimet, por komunat i ka me 1500 banorë dhe megjithëse i ka me 1500 banorë nga 37.500 komuna. Pra, janë disa vende që kanë këtë model që kemi ne, ne nuk jemi për mos rishqyrtim, por jo për qëllime elektorale. Këta e kanë tërësisht vetëm për qëllime elektorale dhe fakti që vrapojnë, pasi ju keni 20 vjet që e ndiqni kurrë nuk është vrapuar kështu pa opozitën. Dhe këta dalin çdo ditë në dritare dhe thonë ftojmë opozitën, por vazhdojmë. Vazhdoni. Asnjëherë nuk do ta njohë opozita atë reformë.

-A do të merrni pjesë në zgjedhjet lokale, nëse miratohet ajo reformë? Se ata kanë deklaruar se nuk do të presin, por do e miratojnë?
Absolutisht të mos presin asnjë minutë. Edhe atë pritje e kanë formale, unë nuk di pse po humbasin kohë. Kështu që opozita do të marrë të gjitha vendimet e veta. Opozita nuk mund të viktimizohet. Këta kanë shkelmuar konsensusin. Ne paralajmëruam aktin e rëndë që po ndodhte me Aktin Normativ, që nuk kishte ndodhur në 20 vjet. Nuk prishet konsensusi, kur arrihet, ai mbrohet dhe interesin më të madh e ka qeveria, edhe opozita, por në mënyrë të veçantë qeveria. Ai konsensus u arrit kur ne ishim në qeveri, e vlerësuan shumë, por ata e gëzojnë dhe ata e prishën, prishën konsensusin. Opozita pa rivendosur konsensusin, kurrë nuk duhet të synojë një konsensus të dytë. Të rivendoset konsensusi një herë që u prish pastaj të vazhdohet.

-Po lidhur me qëndrimet e zotit Idrizi të PDIU keni ndonjë koment?
Që të dyja janë njoftime mediatike të përgënjeshtruara të nesërmen nga partia e tij, që unë jam në opozitë, që unë nuk marr pjesë në të. Më shumë do t’i besoj zotit Idrizi dhe eksponentëve të partisë së tij sesa mediave.

-Edhe qeveria e ka pranuar disa herë praninë e tij në komision?
Qeveria e tha John Kerry, se qeveria bën përpjekjet më të mëdha për të blerë media dhe politikanë. Thelbi i asaj që denoncoi John Kerry për qeverinë shqiptare dhe qeveritë e tjera në Ballkan, tha se këta përdorin shuma të mëdha për të blerë mediat dhe politikanët dhe shumë shpejt do t’ju japim fakte ne për këtë. Po. Shumë shpejt do të mësoni sesi po vazhdon blerja e mediave me vendosmërinë më të madhe, por kjo nuk është objekti i protestës nesër.

-A nuk ka më garanci opozita duke qenë pjesë e komisionit të reformës territoriale sesa jashtë saj?
Dekor do të ishte.

-Ju sikur keni të drejtën e vetos?
Nuk është e vërtetë. Është gënjeshtër. Ajo është një pseudo veto. Veto e plotë kur jepet, jepet me dy garanci. E para veto, e dyta, zotimi se nuk do të përdoret shumica parlamentare për të votuar materialin pa miratim, kjo është veto dhe këtë se kanë dhënë. Gënjejnë.

-Edhe një herë për protestën. Cilat janë pritshmëritë tuaja?
Unë shoh një protestë masive. Ka një elektrizim të Shqipërisë nga Tropoja në Sarandë. Mund t’ju them se mijëra të rinj kanë ardhur që sot paradite, tek njerëzit e tyre dhe jo vetëm të rinj. Specifike e kësaj proteste, në të cilën zotimi është për të marrë pjesë të gjithë pjesëtarët e familjes, çka nuk është e zakonshme. Mund t’ju jap me dhjetëra mesazhe, e gjithë familja do të vijnë nga të katër anët. Pra, e vërteta është se sot ka një vërshim. Sot Tirana, po të kishte mundësi regjistrimi në darkë, mund t’ju them se ndoshta edhe është dyfishuar nga të ardhurit, plus pastaj qytetarët e Tiranës, të cilët kanë kulturën e tyre të qëndresës më të zhvilluar, ndaj do të jetë një protestë madhështore.

-Po përsa i përket aleatit tuaj, a ka konfirmuar zoti Idrizi pjesëmarrjen në protestë sikundër Partia Republikane?

Tani më zure ngushtë me këtë. Ka një problem këtu, se Berisha nuk është kryetar i PD. Kryetari i PD e di këtë. Realisht nuk e di. Do të pyes.

-Cili do të ishte rezultati i një proteste masive. Ndoshta dorëheqja e qeverisë? 

Rezultati. Absolutisht në mënyrën më të padiskutueshme. Rrokullisjen se pranojmë ne. Ne qëndruam dhe do të qëndrojmë luajal ndaj sistemit kushtetues të vendit, të cilin ky do ta rrëzojë me çdo kusht. E dini që ky dërgon zyrtarët e tij për të rikatuar zyrtarët e tjerë, e paimagjinueshme, i papërmbajtur.

-Zoti Berisha, ju keni një energji të pandryshueshme. Do keni dhe grupin parlamentar me këtë ritëm? Po ju përmend një fakt. Kur kryetari Basha lajmëroi një protestë ju paralajmëruat një sezon protestash?
Kryetari flet për partinë, unë flas për veten time, unë i bindem vendimeve të kryetarit dhe të partisë, kurse në Parlament, mendoj se ky grup parlamentar jo i madh në numër, po jep një dimension të ri të shkëlqyer Parlamentit. Ka katër seanca, në të cilat opozita dominon. Jo absolutisht jo ai. Unë mrekullohem nga diskutimet me eksperiencë edhe të deputetëve të rinj. Dhe unë shoh diskutime të studiuara. Parlamenti fjalën ka dhe është shumë gjë e bukur, kur në Parlament bëhen diskutime serioze dhe të përgatitura. Edhe më shumë do ta përmirësojmë. Duhet të jemi shumë më aktiv në interpelanca dhe pyetje dhe në drejtim të tenderave. Se këta janë lukuni, janë vërsulur në tendera dhe shumë shpejt do ja u bëjmë me dije. Ministri anulon tenderin e fituar sipas të gjitha rregullave dhe ia jap një tjetri direkt pa tender. Kjo ka ndodhur dhe po ndodh në mënyrë të vazhdueshme. Po sigurisht se, kur kryekreut ka gjashtë muaj që ndërton në Kryeministri dhe nuk thotë kush ndërton dhe kush po e shpërblen dhe na duhet ne të gjejmë shpërblimin, dhe e kemi gjetur, atëherë pse ministri të mos vrapojë dhe ai të mbushë xhepat? Albpetroli, ne kishim dhe tre kërkesa të tjera me 300 milionë dollarë dhe nuk e dhamë. Kurse këta shpallin çmimin me 90 milionë. Por kur t’i shpall çmimin me 90 milionë, cili është ai që vjen dhe të jep 100 milionë ty? Një kompani serioze ndërkombëtare tek ne, çmimin minimal e përcaktoi 280 milionë, ndërsa këta po përgatitet t’i marrin për vete, se me 90 milionë Koço me Koçot dhe të tjerët me thasët e drogës i bëjnë për tre muaj. Ja çpo ndodh. 15 milionë INSIGU, ndërkohë 38 milionë ka qenë vlerësimi, ndërsa këta po i thjeshtojnë që të mund t’i kapin sa më shpejt për veten e tyre këto pasuri publike që kanë mbetur. 
Edhe ky drejtori i Policisë së Shtetit është bërë pjesë e dixhitalbit dhe tani quhet DixhiDid. A mund të imagjinohet që drejtori i policisë t’u çojë shkresë institucioneve dhe t’u kërkojë që të mbrohet dixhitalbi, në mënyrë të paligjshme. Kjo është minimum dhe prisni se çfarë do të bëhet edhe më tej në këtë drejtim. A është aksioner vetë apo është Edi Rama aksioner aty, ajo është punë tjetër, por të gjitha ato që s’mund të ndodhin po ndodhin. Ky është shtet personal.
Ju ftoj nesër në protestë, ju ftoj se do të jetë protesta më madhështore, nuk e di nëse e kanë bërë dordolecin e Edi Ramës, por edhe po se patën bërë nuk prish punë.

No comments: