Tuesday, August 21, 2012

Gati Kodi i ri Rrugor, nga 2013 patentat me pikë

Lorenc Rabeta
Ndryshimet në Kodin Rrugor që parashikojnë vendosjen e formulës së pikëzimit për patentat e drejtuesve të automjeteve janë në përpunim e sipër nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Ndërkohë që, burime zyrtare brenda këtij institucioni bëjnë me dije se sistemi i ri mund të hyjë në fuqi disa muaj më herët nga gjysma e vitit 2013, - afati kohor i përcaktuar nga qeveria për aplikimin e modifikimeve. Në ndryshimet në ligjin “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë” të miratuar nga qeveria në dhjetorin e vitit 2011, parashikohet që “Neni 120/1 “Lejedrejtimi me pikë” i këtij Kodi hyn në fuqi 18 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji”, pra rreth mesit të vitit të ardhshëm.
Patentat me pikë
Ndërkohë që, sipas burimeve të Drejtorisë së Transportit, është përpunuar tashmë një pjesë e mirë e kuadrit nënligjor që do mundësojë ndryshimet, dhe aktualisht puna është përqendruar në përpilimin e tabelave që do përcaktojnë pikët që do zbriten nga patentat e shoferëve për tipologji të caktuara aksidentesh. “Strukturat e drejtorisë u vunë në lëvizje për përshtatjen e ndryshimeve në Kodin Rrugor që pas miratimit të modifikimeve nga ana e qeverisë. Aktualisht po punohet për përpilimin e listave ku do përcaktohen pikët që ulen nga patentat për lloje të ndryshme shkeljesh. Me përfundimin e tyre ndryshimet do të jenë gati për të hyrë në fuqi. Në terma kohorë, do të thotë që sistemi i patentave me pikë mund të hyjë në fuqi që në fillim të vitit 2013, dhe jo në gjysmën e tij, siç përcaktohet në ligj”, - thotë për “Gazetën Shqiptare”, një burim pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Sanksionet
Në Nenin 120/1 të Kodit të ri Rrugor, “Lejedrejtimi me pikë”, përcaktohet se “Me aktin e dhënies së lejedrejtimit jepet, gjithashtu, një sasi prej njëzet pikësh për çdo drejtues mjeti”. Më tej përcaktohet se kjo sasi pikësh pëson shkurtime, në bazë të njoftimeve për shkeljet e normave të sjelljes, për të cilat është parashikuar një sanksion administrativ plotësues i pezullimit të lejedrejtimit. “Tregimi i sasisë së pikëve është i lidhur me çdo shkelje dhe duhet të rezultojë nga procesverbali i konstatimit të shkeljes i agjentëve verifikues”, vazhdohet më tej në Kodin e ri. Në nenin 2 përcaktohet se “në rastin kur konstatohen njëkohësisht më shumë se një shkelje e normave të sjelljes, në zbatim të kërkesave të pikës 1 të këtij neni, mund të zbriten maksimumi deri 15 pikë”.
Si shtohen e si zbriten pikët
Në rastin më ekstrem, me humbjen totale të pikëve, mbajtësi i lejedrejtimit duhet t’i nënshtrohet një provimi të kualifikimit teknik të përmendur në nenin 128 të këtij Kodi. Të njëjtit provim duhet t’i nënshtrohet mbajtësi i lejedrejtimit, i cili pas njoftimit të shkeljes së parë, që përfshin një humbje prej të paktën pesë pikësh, kryen edhe dy shkelje të tjera brenda dymbëdhjetë muajve nga data e shkeljes së parë, që kanë të bëjnë me shkurtim të paktën prej pesë pikësh secila. Në rast se mbajtësi i lejedrejtimit nuk u nënshtrohet verifikimeve të rinovimit të lejedrejtimit, siç parashikohet nga regjistri kombëtar, brenda tridhjetë ditëve nga njoftimi i vendimit për ta rinovuar atë, leja e drejtimit pezullohet pa afat, me akt të veçantë të zyrës respektive të regjistrit kombëtar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor. Përveç në rast të humbjes së plotë të pikëve, të parashikuar në pikën 6 të këtij neni, mungesa e shkeljes së një neni të normave të sjelljes, e cila mund të çojë në zbritje pikësh, për një periudhë prej dy vjetësh, përcakton dhënien e kompletit të plotë të pikëve fillestare prej njëzet pikësh. Për mbajtësit e lejedrejtimit me të paktën njëzet pikë, mungesa e shkeljes së një rregulli të sjelljes, e cila mund të çojë në zbritje pikësh, për një periudhë prej dy vjetësh, përcakton dhënien e një krediti prej dy pikësh deri në një maksimum prej dhjetë pikësh.

No comments: