Dëshmitar i 22 majit ’84, Visar Zhiti tregon ngjarjen.
Zylyftar Ramizi dhe Agron Tafa u dërguan për ndëshkimin e të burgosurve rebelë.
Ndërsa gjithçka dukej se ishte përmbysur, kur fundi ishte afër, i vetmi shqetësim i tij ishin poezitë. Shtrëngonte pas vetes thesin me copëza letrash, që e mbanin lidhur me botën e të gjallëve, atje tej ndërsa këmbët e përzienin me turmën e frikësuar. Revolta e Qafë-Barit zgjati fare pak, por ishte një shkundje për diktaturën. U shtyp dhunshëm. Thellë-thellë të gjithë të burgosurit e dinin këtë. Por ato orë kryengritjeje, adrenaline, frike nga fundi i pritshëm, përziheshin me një dalldi lirie, jehona e së cilës nuk mbeti brenda gardheve me tela të burgut të Qafë-Barit. Shkrimtari Visar Zhiti është një nga dëshmitarët e ngjarjes së 22 majit 1984. Në librin e tij “Ferri i çarë”, botuar nga “OMSCA 1″, Zhiti tregon gjithçka ndodhi në atë burg të frikshëm. Cilat ishin “planet” e të revoltuarve, ç’thuhej mes tyre, kush u dërgua të shtypte revoltën, si u “pushtua” sërish burgu. Një rrëfim që të mban pezull dhe që të duket sikur historinë je duke e parë në një film aksion. al.mi
…vijon nga numri i kaluar
Përsëri u përpoq të futet në kamp një njësi e madhe me policë. Natyrisht, veç me shkopinj gome, sepse ishte frika se mos të burgosurit ua rrëmbenin armët, nëse do të vinin me revolverë e automatikë. Sepse, s’i vret dot të gjithë njëherësh. Nuk i lanë të futen. Më trimat u dolën përpara. Forcërisht. Gjoks më gjoks. I prapsën deri te porta. U krijua paniku se mos të burgosurit sulmonin portën, e shembnin atë, dilnin, vërshonin. Veç kur u dëgjua batareja e plumbave, e llahtarshme. Të gjithë ushtarët e rrethimit zbraznin automatikët njëherësh, me breshëri, vetëtima të shkurtra, të drejta si thika të shpejta, frushullimat e tyre të njëpasnjëshme vezullonin me krisma shurdhuese kudo, tym në grykat e armëve, qëllohej pa ndërprerje nga të gjitha kullat e vendrojave. Një dorë ushtarake te porta e madhe, e pamë sërish, jepte sinjal, tundej për çdo batare të re dhe tytat e armëve po uleshin gjithnjë e më shumë, nga në ajër, në drejtim të kampit, mbi kokët e të burgosurve. Ngrimë në vend. Pati nga ata që u shtrinë rrafsh me tokën. Do të ketë ardhur urdhri për të na vrarë të gjithëve….Të gjithëve na vrasin, s’e ka për gjë diktatura. Burgu gropë e përbashkët është. Na mbulojnë këtu e askush nuk e merr vesh.
* * *
Te çdo kullë-rojë tani s’kishte nga një ushtar, por grup ushtarësh me automatikët dhe mitralozat të kthyer këtej nga ne. Kurse ushtarët nga njëra kullë në tjetrën pas telave me gjemba, në atë shkretim të dikurshëm, po shtoheshin si drurë të
gjallë të një pylli lëvizës. Po lëviz Pylli i Brinjës. Mbi tarracën e komandës komandanti i burgut me oficerë të tjerë madhorë, kështu dukeshin, po shikonin me dylbi kampin dhe lëvizjet e grupeve të të burgosurve, tregonin me gisht, se ç’thoshin me zë, përkuleshin mbi një hartë, kurse të tjerë përreth tyre mbanin shënime. Bënin plane sigurisht, strategjinë e mposhtjes së armikut të paarmatosur, të nja një mijë burrave të uritur mes telave me gjemba. Ç’i ka ata brirë në ballë ai palo oficer? Jo, jo, janë dylbitë, i vuri prapë në sy, shih, shih, ia pasoi një tjetri, siç duket s’kanë për të gjithë, shih, shih, nxori një bombë nga çanta, do ta hedhë këtej. Thua? Jo, jo, qenka aparat fotografik, kamerë, seç po japin ca porosi, sa të trasha: andej ti, ti andej, ke dhe zonën C, dëgjoheshin deri këtu. Janë trembur edhe ata, tha njëri nga ne, që po i kundërvëzhgonte. Kujtoja se mos po bënin kot, shkërdhatat, u nxeh dikush nga ne, sepse u pëlqejnë lojërat e luftërave, çlirimet imagjinare të qyteteve, megjithëse të dënojnë për imagjinatë! Do të na sulmojnë, do të na vrasin. Ne do të qëndrojmë. Dëgjo, janë të shumtë ata që po zënë dyshekët. Janë futur nëpër fjetore. Ca kanë mbuluar kokët me jastëk. S’duan ta shohin rrëmujën, u bë shumë politike, e hapur, lebetiten, dhe do të ndëshkohemi keq. Ashtu siç ndëshkojnë diktaturat. Por a nuk janë të burgosur politikë, harruan? Dhe diktatura, kur ndëshkon, nuk sheh nga sytë, i merr radhë. Le të bëjnë ç’të duan. Mirë është të bëjnë atë që duhet. Të shembim dyert e brendshme, të gjitha, 100, sa janë! Edhe llamarinat e dritareve, t’i hapim. Këtu fillon liria!
Po ata pse i kanë lidhur ballët me shami?
Dy si përrenj të gjallë vinin nga dy oborret, njëri ngjitej, tjetri zbriste, përplaseshin, dallgëzonin shkallëve brohërimat, shkumëzonin mesoreve të pasme dhe te mesoret e katit të dytë mekeshin si çezmat e kampit, që po u shterte uji. Bllokadë. Atë që këtyre nuk ua ka bërë kush, po e bëjnë me ne. Venin dhe vinin njerëz me thasë në krahë. Merrnin gjëra, i linin, i fshihnin më mirë ose i zhduknin përgjithmonë…
- Shkrimet i ke siguruar? – pyeti jo pa shqetësim Maksi.
- Deri më sot po, – u përgjigja po aq i shqetësuar.
- Duhet treguar kujdes.
- Si?
- T’i kesh afër.
- Ndoshta kjo e bën më të rrezikshme gjendjen time.
- S’je vetëm.
Shkova si somnambul përballë thasëve të mi: librat brenda, botimet tona dhe fletët e akuzës, të holla, mezi lexohen, me një vulë të zezë si ënjtje plage, dorëshkrimet i mbaj tek tjetri, secili i fsheh siç di, sekretin e mban vetë. M’u duk sikur lëvizën thasët. Po, brenda kanë shpirtra, duan mbrojtje. A s’na janë gjendur deri tani e na kanë mbajtur gjallë? Hapa atë që përbënte rrezik. Se ç’ndreqa aty. Vura përsipër një rrobë që s’duhej. Ia lidha grykën me ushkur. E zgjidha prapë. E
lidha… M’u duk sikur filli i telave me gjemba vinte rrotull zemrës sime. Zbrita në oborrin e sipërm, të gjithë bënin diçka, edhe mosbërja asgjë ishte një bërje, dëshmi dhe mosdëshmi. Pse përgatiten kështu si në një ikje për në një asgjëkund ende më të rëndë? Dhe s’duhej të binim. Dikush vishte një palë rroba të dyta mbi ato që kishte veshur. Ndërroni rojën tonë te kazanët e ujit, tha një tjetër. Shkulën nga stenda gazetën “Zëri i popullit” dhe po e shqyenin. Shqyen dhe dyert e birucave, jo, jo, i hapën me marifet, kishin lëvizur çelësat dhe zinxhirët dhe i nxorën prej andej të dënuarit. Ishin më të zbardhëllemë se kurrë, më të dobët se ne. Kudo, nëpër oborr, shkallëve, dhomave brenda, sidomos në vendet e ndaluara, bëhej kafe, harxhohej kafja e fundit, ruajtur deri tani, xhezvet e vogla mbi zjarre të vogla letrash, tymi i zi sikur ndillte mynxyrë tjetër. Eja pije një kafe. E piva më lart, faleminderit. Sherbet pihej më shumë. Dhe me zor. Për të pasur energji. S’dihej kur do të hanim. Ku dhe si? Ndoshta kurrë. Mensa qe shkatërruar. Rrëmujë dhe zhurma si në një festë të kërcënuar. Përtej telave me gjemba shiheshin lëvizje të tjera dhe ngut. Rruga u mbush me zhurmat e kamionëve që erdhën. Zbrisnin ushtarë të armatosur. Pastaj pas maleve, andej nga jugperëndimi, në drejtimin ku duhej të ishte Tirana, befas u përshfaq një helikopter i zi….Ne ngritëm kokët dhe dalluam a bëmë sikur dalluam, përveç pilotit, një civil dhe dy ushtarakë. Njëri fotografonte nga sipër. Ministri, thanë të burgosurit.
* * *
Pas një oficeri, doli serioz një civil i shëndetshëm. Qenka zëvendësministri, e njohën disa nga të burgosurit dhe s’po lëviznin, veç vëzhgonin se ç’do të bëhej përtej, në vijim. Më keq ky, thanë dy-tre zëra. Është kriminel profesionist dhe merr pjesë vetë në tortura. Edhe në skuadrat e pushkatimit. Grupi ushtarako-civil nxitoi drejt komandës. Atje u mbyllën për ca kohë. U shtuan rojat te porta. Pastaj pamë që rrethimit të telave me gjemba iu bashkëngjit një rrethim tjetër ngjitur. Nga i nxjerrin këta rrathë, nga ferri? Prapë rrethim, i tëri me ushtarë, të shtrirë, më këmbë, mbi ledhet e zhveshura, gropave, grronave, rrëpirave, një çizme ndodhte të ngulej mbi një pirg, tjetra në pellg, një në ajër….
Mbi tarracën e komandës, te ndërtesa e parë në anë të portës së madhe, të hekurt, mes një lukunie civilësh dhe ushtarakësh të kthyer këtej nga burgu, një i trashë, me fortafolës të ngulur në gojë, nisi të buçiste: Dëëgjoooni, dëgjoniiiii. Ministri i Brendshëm. Jo, jo, zëvendësi. Mos është sozia? – po zhurmëronin të burgosurit mes tyre sikur s’po merreshin vesh për llojin e kafshës. Buçima e fortafolësit prej llamarine sa vinte e bëhej më çarëse, e sertë deri në kërcënime… Dorëzohuni, se… forca e diktaturës së proletariatit… do t’ju shtypë… vrasë… dorëzooohuni!
Hutim. Habi. Po që guxuan të qeshnin? Edhe në Spaç zëvendësministri, Feçor Shehu, kishte thirrur nga pas telave me gjemba për dorëzim. “Të të vijë turp, more kriminel i fshatit tim, – i ishte kthyer atij me të thirrura i burgosuri Hajri Pashaj, – vjen dhe na kërcënon. Të është fryrë barku dhe zverku me djersën dhe gjakun tonë. Harrove, zotrote, kur të kapën gjermanët e Hitlerit dhe të futën në burg, kalama ishe si unë, kur më futët ju. Ata të dhanë bukë e qumësht e të kthyen në shtëpi. Ne po plakemi këtu e ju po na rripni të gjallë, sepse donim të iknim nga regjimi juaj i fëlliqur. Turp, na turpërove fshatin! – Dhe u qasej telave me gjemba, ik andej e këndej, s’e mbante vendi. Vetë Feçor Shehu e kishte pushkatuar atë mbas dy ditësh. – Por edhe ti kështu do të përfundosh, s’ke për t’u bërë ministër ndonjëherë, i kishte klithur sërish bashkëfshatari i tij. – Partia jote do të të vrasë…”
Dorëzooohuni! Feçor Shehu thërret ashtu? E kanë dërguar prapë? Jo, jo, atë e kanë pushkatuar me kohë, ky tjetri tani është Zylyftar Ramizi, ai tjetri është Agron Tafa, i njoh, por njëlloj janë, gjakpirës. Dooorzoohuuunii, të dënuar… Ç’të dorëzoheshim, ashtu ishim, të dorëzuar. Ta ndërprisnim kryengritjen. Përfaqësia e kryesisë drejtuese të vijë deri te Porta e Madhe për të paraqitur shkaqet e kërkesat… dhe lidhjet me armiqtë e jashtëm. Do të presim një orë e tridhjetë minuta. Kuptuat, të dënuuaaaar? Mbas dy orësh do të hyjmë në kamp pa marrë parasysh asgjë. Nëse do të ketë kundërshtime dhe rezistencë, do t’ju shtypim me dhunë, pa mëshirë, me të gjitha mjetet që disponon shteti. Partia me shokun Enver në krye është më e fortë se kurrë, ka shpartalluar e shpartallon dhe do të shpartallojë çdo armik, çdo koalicion të tyre dhe… nga çdo betejë ka dalë më e fortë. K-u-p-t-u-a-a-a-t….? Mendohuni mirë. Qëllimi juaj, strategjia dhe taktika kanë për të thyer kokën.
* * *
Mbi grupin e atyre që u rebeluan të parët, që u dhanë dërrmën policëve me gjithë oficerin e rojës, kishte rënë një gjendje acari, edhe donin sulmin, edhe përfytyronin ç’i priste, por se ç’bisedonin mes tyre, të paktën të mos binte ndëshkimi mbi të tjerët, të dilnin me një vendim tjetër, thoshin. Ç’do të bënin, ç’aksion, kur të hynin ata, ujqit, sigurisht kope e madhe. Dhëmbë dhe kthetra ata, po edhe ne. Të mos lëmë të përzihen të tjerë. Ta mbajmë vetë përgjegjësinë mbi shpatulla.
…S’u mor vesh në u bë ndonjë përfaqësi jona. Thanë se u bënë tok pesë veta, jo, gjashtë, për te Porta e Madhe. Ja, ja, shikoi… Po shkojnë apo po kthehen? Doli dhe një përmatanë nga komanda dhe mori mesazhin e të burgosurve. Me shkrim apo me gojë? Njëlloj është. Jo. Shpjegohej rebelimi ynë si shkak i dhunës së pandërprerë, gjithnjë e më të madhe, i padrejtësive dhe kërkohej ndryshim i gjendjes. Të trajtoheshim si njerëz, edhe pse kundërshtarë… S’pati kërkesa politike? Mesazhi vetë është qëndrim politik. Pa akuzuar dhe pa pranuar faje.
Qetësi, të mbajmë njëri-tjetrin. Bashkë… Ne s’kemi faj. Krimi është matanë telave me gjemba…
T’i bëjmë një letër Enverit, këmbëngulte një ushtarak. T’i themi që ju, shoku Enver, s’dini gjë, si gjithmonë, se uji nga lart vjen i kulluar, por turbullohet poshtë, ju s’dini gjë që na trajtojnë keq e na bëjnë armik me zor… Mjaft! Mbylle, llapaqen! Unë s’jam armik me zor, por nga zori. Dua të jem. Dhe dëgjo, peshku qelbet nga kryet. Ti kujton se do të preket “Dulla” dhe do të vërë drejtësi e do të të japë ty gradat e hequra? Idiot dhe në burg, kjo s’të falet! Jo, e them për taktikë. Ne s’dimë në është gjallë Tirani. A mund t’i çohen letra të vdekurit?
Vërtet rrethimi dukej sikur qe afruar e ngushtuar edhe më prej përforcimeve me ushtarë të tjerë. Në çdo hap. Kullat e drunjta të vendrojave qenë mbushur plot, sikur sapo do të ndërmerrnin një udhëtim aventuror.
* * *
Njëri me fortafolës mbi turinj urdhëroi: “Ne po hyjmë, në qoftë se dikush nga të dënuarit do të ngrejë dorë mbi ne, do të na provokojë, do të bëjë lëvizjen më të vogël të dyshimtë, do të qëllojmë me armë nga kudo për kudo, në turmë… Morët vesh? Asnjë lëvizje… Jeni të rrethuar… Dorëzohuni!” Në Spaç vendosëm të vdisnim për Flamurin që ngritëm vetë. Shuaip Ibrahimi dhe Ndrec Çoku u bënë truprojë nderi, rrinin natë e ditë nën të.
U futën sampistë ushtarakë, shihnin si të tërbuar, mezi prisnin të shqyenin këdo, mes tyre oficerë të shumtë, të komandës dhe të Ministrisë, civilë që s’i njihnim, me kostume jeshile, në ngjyrë helmi, të ushqyer mirë, jo si ne, të (u)shqyer keq, se kush mërmëriti kështu pranë meje, e pashë se po zbehej, ç’ke, edhe ti po zbehesh, ja dhe komandanti, komisari, shefi i policisë së burgut, mbahet dhe krenar, pederi, shpura e rojave, policë, policë prapë, me egërsi të ngrirë si maska, kapterë, s’u dukkan mjeranë, pa-pa-pa… Ndërsa kreu mbërriti tek oborri i parë, bishti gjarpëronte ende te porta. Ecnin nën atë tendën prej telash me gjemba, me taktikë, sikur shkelnin shtigje të minuara. Eeeejjjj, të dënuuum, të gjithë poshtë, në oborrin e apelit. Asnji i burgosun n’dhoma, kush kapet se s’don me ardhë, e piu e zeza! Se na… s’na bani dot kurnjigja. Kemi n’dorë dhe gurin, dhe arrën. Kena Partinë… një gabzherr kapteri bërtiste kështu, urdhër nr. 1 i komandës, shpejt, shpejt, në rresht. Jeni të rrethuar, kryengritja në fakt u shtyp. Kaq duhej. Tani fillon ndëshkimi. Të gjithë lëvrinim të trishtuar, me shqetësim të dyfishtë dhe u bashkëngjiteshim rreshtave të funeraltë në oborrin e thatë si një fletë e stërmadhe me shkronja gurësh dhe rëre të gjallë. Të urtë. Me fytyra të nxira, sepse kishte nga ne që s’qenë larë dot, që kur kishin dalë nga galeria. Uji qe ndërprerë. Por janë dhe nxirje të tjera, nga përleshja me policët. U dha urdhri nr. 2: të gjithë përtokë, uluni!
…Policë e kapterë u shpërndanë midis nesh, egërshanë si kafshë, ecnin pa kujdes, shkelnin herë dorën te njëri, herë i binin me majë çizmeje një gjuri. Oh, bëri një zë, provokim, thirri polici, vazhdim i kryengritjes, çohu, merreni! Po erdhën kazanët e mëdhenj të kuzhinës, mos kujto se do t’i sjellin me supë, më foli shoku pranë. Në revoltën e Spaçit i sollën plot me pranga për ne. Asgjë s’na bëni dot ju, – e nisi bërtimën njëri nga oficerët, – armiq të pandreqshëm, s’e përmbysni dot pushtetin popullor, diktaturën e proletariatit. Kemi ardhur në pushtet me gjakun e dëshmorëve dhe me gjak do ta mbajmë….Ne s’pyesim nga kapitalizmi dhe revizionizmi së bashku, – po ulërinte një oficer tjetër, – do t’ju shtypim, ju, që keni lidhje me armiqtë e jashtëm, të drejtpërdrejta dhe shpirtërore. S’doni të riedukoheni? Dhuna e proletariatit do të bjerë pa mëshirë mbi ju, që tani! Filloni….
Njëri nga nënoficerët nxori disa fletë dhe ia dha shefit të policisë. Po, tha, fillojmë. Fillojmë dhe hodhi vështrimin e pistë mbi të burgosurit e gjunjëzuar, gurë varresh, mes të cilëve kudo lartësoheshin policët, tabela qiparisash të zinj si në lojërat ushtarake. Gjithçka iu duk në rregull, top fare, rregulloi kapelën, shkëlqeu djegshëm ylli i saj dhe me zë pretencëdhënës lexoi një emër. Sokol… cili, të dy… shkrofëtiu korbi. Çohu, ti, edhe ti… u çapëlyen disa gabzherrë njëherësh, kuturushëm, sy të çakërdisur vigjilonin nga të gjitha drejtimet mbi ne, çohuuuu-uh! Pa u ngritur mirë i pari, 7-8 policë iu vërsulën duke i zhvatur lecka e lëkurë bashkë, e tërhoqën osh deri pas murit të mensës, ku ne s’shihnim se ç’bëhej. Sokoli tjetër… Emër tjetër, u thirr: Tom Ndo… tjetër, Bushgjoka… dhe policë të tjerë, prapë të tjerë hidheshin, Haxhi… Vllasi, Kostandin… zvarritnin njeriun, i vinin prangat keq e keq dhe që andej, nga pas murit, vinin zhurma goditjesh, ulërima dhe mbytja e tyre. Emra të tjerë u thirrën gjëmshëm… Vuthi… Martin… Lazër… Tabaku… Pisha… përsëritej rituali barbar… dhe, sikur të gaboje, të lëvizje paksa nga mpirja dhe ankthi, policët vërsuleshin mbi ty për të të zvarritur, duke mos pritur në je ose jo ai që u thirr. Njëlloj janë, armiq! Vazhdonte ngritja, gjithë habi dhe tromaksje. Ç’u bëjnë pas murit, mos i asgjësojnë? Dëgjon ti krismë arme? Të shurdhëta po. Si i zgjedhin emrat, mbi ç’bazë? Si organizatorë të rebelimit… ata që kundërshtuan të parët. Kur dikush mbyturazi mundohej të sqaronte diçka, të shfajësohej, zvarritja e tij shoqërohej dhe me goditje të atypëratyshme, shkelma e shkopinj gome e pas murit binte heshtja e rëndë, më e rëndë se muri, misterioze. Në revoltën e Spaçit, të arrestuarit i kalonin mes një gardhi të gjatë policësh – të kam thënë, ule zërin, polici, mos lëviz, po thirrën emrin tim, kujdes te thesi – dhe policë nga të dy anët qëllonin me shkelma e shkopinj gome, këmbët nuk i zinin tokë të arrestuarit dhe, nëse mbërrije gjallë në fund të shtegut me policë, të binte të fikët. Aty të linin deng, mes gjakut, në dysheme, te shkallët, pusho të lutem, s’dëgjoj dot, duhet ta dish, ta dëshmosh ndonjëherë, mjaft, po luaj mendsh. Dhe pastaj me zorrën e ujit nga banjat e përgjithshme i lagnin. Si ata të zjarrfikëses, që shuajnë zjarre. Për t’i ringjallur, që t’i dënonin me pushkatim pastaj. Oh! Emri im, ah, sikur të mos kisha emër, ku ma gjetën, e kisha harruar! Secili priste të thirrej, të shkonte pas murit të tmerrshëm.
VISAR ZHITI
Shpërthimi pas rrahjes nga policët të disa të burgosurve për mosplotësimin e normës.
Askush më mirë se ai nuk e di se ç’do të thotë jetë dhe vdekje, burg dhe liri. Visar Zhiti pa dyshim është duke jetuar një jetë të dytë. Përgjatë viteve të gjata të burgut, nga Spaçi në Qafë-Bari priste vdekjen pas dere. Çdo ditë hynte në galeri duke u lutur që ta shihte sërish diellin. Në librin e tij “Ferri i çarë”, i cili sapo është hedhur në treg nga shtëpia botuese “Omsca 1”, Zhiti kthehet pas në kohët e makthit. Është burgologjia e tij dhe e bashkëvuajtësve, shumë prej të cilëve u dha lamtumirën në zgafellet e tuneleve, apo u qëlluan nga rojet e burgjeve pas shpine. Mes 560 faqeve libër, të cilat të mbajnë mbërthyer veçojmë një prej ngjarjeve, që nuk i përket vetëm autorit. Ai ka qëlluar të jetë pjesëmarrës dhe dëshmitar në revoltën e Qafë-Barit. Si nisi revolta që pasoi atë të Spaçit dhe hyri në histori si një nga revoltat e përgjakshme antikomuniste. al.mi
RRETHI I REVOLTËS, TË NGRIHESH KUNDËR SHTYPËSVE DHE MASHTRUESVE
(me diktatorin mbase të vdekur, s’merrej vesh, por me diktaturën tmerrësisht të gjallë…)
…Filloi paraditen e një dite pa emër, pse pa emër, ishte 22 maj dhe quhet dita e revoltës së të burgosurve të Qafë-Barit? – po ja, ngaqë ditët në burg janë tepër njëlloj, si uniformat e burgut, me vija, ditët kështu, netët si uniformat e zeza të policëve. Brenda telave me gjemba dukej sikur kishte shenjtorë të sfilitur dhe djaj të marrosur.
Brigadat e natës, ndërresa e tretë e të burgosurve, qenë kthyer nga puna, kishin 2-3 orë që prisnin në këmbë dhe s’jepej urdhri të shkonin në fjetore. Gjysma flinte në këmbë. Mbështetur te muri, te shoku, te shkallët, tek telat me gjemba. Vurrata të zeza nëpër fytyra, o nga të palarët, o prej tmerrit që shihnin në atë copëz ëndërr.
Çfarë ka ndodhur, pse na mbajnë? Dy Nduet, Pisha dhe Nikolla, nuk kanë realizuar normën. Po pse? S’kishte material dhe s’duan të kthehen të minierë, po kundërshtojnë. E kishin gërryer materialin me lopatë, “asgja s’ka mbetun, s’lamë kokërr minerali, dyshemeja ngjan si e fshime, s’ka ma, doli dhé.” “Jo, – bërtiste policia, – duhet të ktheheni. Urdhër i komandës. Prapë në ndërresën e parë!” “S’kemi pse kthehemi, – këmbëngulnin të burgosurit. – Jemi të lodhur, duam të flemë, të vdesim.” “S’ju lëmë të vdisni pa bërë normën.” “Në darkë prapë.” “Jo, tani!” “S’ka material, mor zotni, s’ishte faji ynë.” “Po i kujt, yni?” – bërtisnin policët.
“Po i kujt? Juaji!” – ia kthenin të burgosurit.
Fytyrë më fytyrë. Kthetër më kthetër. U avitën dy Sokolat, ai me mbiemrin Sokoli prapë dhe Progri. Çfarë doni? Ju çfarë doni? Normën! S’ka.
Po plas më duket. Erdhën Tom Ndoja, Martin Leka, Kostandin Gjordeni, Lush Bushgjoka. Të tjerë pas tyre. Po aty ishim. Ikni. Ikni ju. Shtrëngim dhëmbësh, nofullash. Uli duart…
Bamb një hekur – kumboi kafka? – me një hekur nisi revolta e Spaçit, e rrëmbeu një i burgosur dhe doli nga birucat. Po i binin çangës për t’u mbledhur të gjithë në mensë. Shqeva sytë mbi çangën, sikur të mos e kisha parë kurrë, një predhë topi e varur. Bosh është apo ka eksploziv brenda, mund të shpërthejë, kur, kur? Pse po na mbyllin? Mos duan të rrahin në praninë e të gjithëve ata që kundërshtuan? “Po vunë dorë, do t’u përgjigjemi, – mërmëriti dikush pranë meje. – Gati jemi. Atë që do ta bënim më vonë, ta bëjmë tani…” U drodha i tëri. Të jetë themeluar vërtet parti në burg? Si…gur…isht… Çfarë do të bënim më vonë, kryengritje? Vdekjen, vdekjen. Po shtoheshin policët. Dyndjet e tyre të zeza si shpesh po i shihnim këto kohët e fundit. Vazhdonte futja jonë një nga një në mensë…..
U futën nja 10-15 policë. U përhapën në krye. Pastaj u futën policë të tjerë me të burgosur të tjerë me pranga në duar ose të lidhur me tel, veshur me leckat e punës, me fytyra të nxira aq sa s’njiheshin. Ata…
Ra heshtje barbare, e cila u ça kur hyri brenda oficeri i rojës. Si zakonisht, nuk përshëndeti, s’kishte pse.
“Ce s’e betë normën (j)uve, të dënuar? Ë, ce? Ce na hapni punë pa punë, apo s’u rri bytha rehat uve? Me uve po flas. Këtu ju mbajmë për punë dhe jo për historira. Në galeri, marrsh, kush të dëgjojë emrin! Maskarenj, pisa.”
“Pisat e sat ëme”, – mërmëriti një zë pas meje. Zëri i oficerit të rojës binte erë groshë ushtrie, të djegura, përzier me dhjamë derri e partishmëri idiote komuniste. “Ce, ë?” – pyeste, pa e pasur mendjen te pyetja. Sikur shkulte gozhdë të ndryshkura me sqepar, ngjirnin ato “ce”-të e tij të fëlliqura. Pu, sa fjalor i paktë, shumica fjalë banale me dialekt Jugu e Veriu.
U bë gati të përgjigjej andej nga kreu një i burgosur nofullshtrënguar, i lidhur me tel, prandaj dhe i spikaste vertikaliteti i leckosur. “Mos fol, – iu hakërrua polici. – Po flet oficeri i rojës. Je dhe përsëritës.” “Në çfarë?” – pyeti gjëmshëm i burgosuri. “Në faj. Në krim, – bërtiti oficeri i rojës. – Kush e hodhi dyshekun e shtetit nga dritarja, ushtari im apo ti, armiku?” Kashtë heshtjeje u përhap nëpër ajër. Oficer “Ce”-ja tha: “Zbatoni porosinë, veproni!” Goja iu hap dhe iu mbyll si të ishte lyer me graso armësh. Policët lëvizën. Filloi rrahja. Përballë nesh. Të burgosurit e lidhur mundoheshin t’u shmangeshin goditjeve, mënjanoheshin, por shkelmi me çizme, sa të mëdha, staliniste, ua dërrmonte kërcinjtë e zhveshur, uleshin pak sa për vetëmbrojtje, por grushti s’kuptohej nga vinte, rënkime, gjak. Paloseshin më dysh për të pakësuar vetveten, por grushte të shumta, shkopinj gome binin mbi ta, derisa binin edhe vetë mbi dysheme.
U-u-u-u-u-u-u-u-u, u ngrit një ulërimë e kudoshme. U kreshpërua. Hera e parë që e ngrinim zërin së bashku. Qenkësh i fortë. Policët e lanë për një hop spektaklin e tyre barbar, sikur djalli t’ua kishte ndërprerë korrentin. Oficeri i rojës urdhëroi: vazhdoni, le të hungërijnë armiqtë! Rrahja rinisi më me zell e zërat tanë të përzier buçitën: eeeeejjjj, ç’bëëëëëniiiii! Po na jepte kurajë britma jonë, po i besonim asaj. Mjaaaft, s’keni tuuuurp? – thirrën zërat më të guximshëm. Kri-mi-ne-lë! Hapu, dëgjova një gulç pranë, çohuni! Stoli i gjatë u shkul, u ngrit lart, u shty dorë më dorë dhe hop u hodh drejt e mbi kokët e policëve duke dërrmuar ç’gjeti përpara, kapela me yll, qafa e shpatulla, tabela, xhama. Grupi ushtarak s’pati kohë ta mblidhte veten. Oficeri i rojës u pataks i pari dhe tregoi me gisht nga salla që po dallgëzohej. Policët u vërsulën mbi rreshtat e parë, që të goditnin, por u goditën ata nga stola të tjerë e fshesa e pjata. Kjo po ndodhte në krye. Të burgosurit nga fundi hipën mbi tryeza për të parë ç’bëhej. Pluhur, britma dhe shqyerje dërrasash, pastaj krahësh. Të guximshëm të tjerë, më të krisurit, po çanin përpara, duke hipur mbi kurrize e kokë, drejt betejës. Një tryezë u ngrit lart dhe u hodh me rrapëllimë andej ku policët dhe oficeri i rojës nuk po iknin dot. Të tjera tryeza u ngritën havadan.
***
Dera qe bllokuar nga të burgosur. Po fluturonin stola si zhgaba druri, rrapëllima, thyerje xhamash. Sportelet, ai i bukës dhe i supës, hapeshin, ndonjë nga kuzhinierët zgjaste kokën për këtej, ia shkulnin skufjen e bardhë ose garuzhdën, pastaj tjetërkush ia mbyllte me tërsëllëm sportelin nga brenda. “Mos shiko, – u ndie një çjerrje, – ç’të duhet të dalësh dëshmitar?” Gota të mbetura alumini, pjata të tjera, sende të pakuptueshme vërviteshin sa andej-këndej në ajër, përplaseshin mureve sikur një shtrëngatë burgu të qe marrosur, as ikte e as pushonte. Epilepsi. Krrrraaaaauuuu bënin mes zhurmave të çliruara të të gjallëve tryezat që shqyheshin. Shumë të burgosur tani ishin me dru në dorë dhe kërkonin të mbërrinin ku ishte përleshja më e madhe, shtyhuni, hapu, s’e kam me ty, por me diktaturën, të hidheshin mbi policët, që s’po dinin si të mbroheshin. Qëlloheshin nga të gjitha anët, thërrisnin “mos!” Oficeri i rojës, ndërsa përpiqej i tulatur të zbuste gjendjen, po e acaronte më tepër. Hiquani prangat bashkëvuajtësve, ku i latë çelësat, kriminelë! Mensa ngjante tepër e vogël për betejën. Të gjithë pengonin njëri-tjetrin. Po të hapje krahun për të goditur dikë, ushtarak natyrisht, do të godisje një tjetër, të burgosur. Shqyjeni derën, shtyhuni, palli një zë. Të dalim jashtë dhe të na shohin kush jemi! Dera u përmbys e, duke shkelur mbi të, u turrën jashtë policë e të burgosur. Një patericë vringëllinte anekënd. Shih, shih, Haxhi Baxhinovski, Bajram Vuthi me leva, ku i gjetën? Po thikat? Janë të mensës. Ia nguli në bark? Kujt? Of-icerit… Lazër Shkambi rrokulliste parvazin e një dritareje. “Eviva! – thirri Vllas Koçi, – Poshtë Partia e këtyre!” Nëpër këmbë kapela ushtarake me yll të kuq e oficerit të rojës. Rrekej ta merrte, desh ra edhe vetë dhe se kush e nxori nga këmbët e të burgosurve për të mos e shkelur, Petriti m’u duk, e ka nga fshati maskaranë, se kush klithi.
***
Oficeri i rojës, i çoroditur, s’po kuptonte pse urdhrat e tij s’kishin më vlerë, nuk zbatoheshin, përkundrazi. Si është e mundur? Ç’po ndodh?! Mosni, kuisi, ka pasoja të rënda kjoooo-oh! Dhe u prapsua teksa shihte të burgosur që hidheshin mbi policët, e të burgosur të tjerë, që mundoheshin të përmbanin shokët e tyre. Po priste i pataksur të hidheshin edhe mbi të, u nëpër mend që revolver s’kishte. Pse s’lejohej ta kishte me vete mes të burgosurve? Veç këllëfi i tij bosh i varej mbi brez pa kuptim. Më mirë, se do t’ia kishin rrëmbyer armiqtë. Po ç’të bëj? Të rri, të iki, po nga? Ku? Dolën në oborr kacafytje të tjera, të filluara që brenda, vazhdonin me kollotumba e rrapëllimë. Në sallë, pa lëvizur, i vetmuar, po rrinte vetëm Zoi i Myzeqesë. S’dal, thoshte, pa u dhënë urdhri. S’i shkel rregullat unë. Jam kundërshtar si Sokrati. Këtu do të rri, një orë, dy ditë, një javë, derisa të vijë urdhri. E ngrinte zërin që të kishte dëshmitarë se kishte thënë pikërisht kështu gjatë gjullurdisë. Punonte te motorët e ajrit, vend pëllumbash për në burg. Pupla në ajër, shkrofëtima. Oficerit të rojës iu qas një bashkëfshatar i burgosur. Ç’do ai, ka ndonjë hakmarrje për të kryer? Ik, i tha, mbathja, shpëto kokën! Nuk e kupton? Kryengritje! S’dihet ku do të dalë. Ik, të thashë… Një urdhër priste, nga kushdo qoftë që ta zbatonte menjëherë. Oficeri i rojës nxitoi nëpër shtegun e thurur me tela me gjemba, më i madh iu duk vetja, u ngut drejt portës, që të nxirrte te dalja në ballë të komandës. Ndjeu të thirrura, poshtë komunizmi, iu bë se dëgjoi fare afër, s’e paskan me mua, iu duk se mendoi, bo-bo, mori thellë kjo punë, iu duk sikur mendoi prapë mbi mendimin e mëparshëm dhe gurë, shumë gurë mbas shpine, ku u gjetën gurët? – ç’pastrim i keq kështu, iu bë se po e ndiqnin hapa të tjerë, ndoshta policët e tij, mos ishin të burgosurit? – mos po donin ta kapnin rob, ta mbanin peng, ta linçonin…? – dhe ia dha vrapit me ulërima për t’i dhënë kurajë vetes. Do të përgjigjej që e la kapelën me yll të kuq në dorë të armikut. Por s’kthehej dot më. Vërtet po e ndiqnin armiqtë, por ushtari te kulla sipër portës zbrazi automatikun. Ku, ku? Në ajër, pse? Por nga dritarja poshtë e komandës një tjetër oficer qëlloi me revolver në drejtim të të burgosurve. Njëri prej tyre ndali, u ul më gjunjë dhe vuri dorën mbi shpatull afër qafës. Aty ku i përvëloi. Pa gjakun e vet midis gishtave, s’ndiej ndonjë dhembje të madhe, tha, s’është gjë vdekja, oh! Plumbi për fat nuk i qe futur thellë në mish. S’duhet të ketë rrezik jete, jo, po thoshin ata që e rrethuan. Rrezik jete apo vdekjeje? Lërmë, shtyhu, të sulmojmë. Kush është plagosur, kush? Ai djali i ri nga Durrësi, Kosta Gjordeni. Një tjetër pranë hoqi këmishën e vet dhe ia vuri mbi të çarën e përgjakur. Të dhemb? Jo, më djeg pak. Ta lyejmë me duhan, e ndal gjakun, tha një malësor dhe shkoqi 4-5 cigare që i kishte dredhur më parë. Mos e lini gjakun të shkojë dëm, ta bëjmë flamur si në kryengritjen e Spaçit. Pije më mirë, ndonjë i dobët që s’ka gjak. Mjaft, s’është ambulancë këtu, jemi në betejë. Kush do detyra, le të vijë… “Rroftë Flamuri pa yll! – kishte thirrur Hysen Xhani në Spaç. – Poshtë qeveria e Tiranës!” “Ja vdekje, ja liri!” – u dëgjuan thirrje të tjera. “Nuk punojmë në galeri…”. “Rroftë Bashkimi Europian!” – u ngrit mbi të tjerët zëri i Bedri Çokut. E padëgjuar kjo thirrje, si, po bashkohet Europa, po ne?
Ka organizim? Tmerr? P…arti ilegale…
Përtej rrethimit, te ndërtesa fshatare e komandës së burgut, shiheshin lëvizje të shqetësuara e dyfishim rojash. Edhe këtej nga ne, brenda telave me gjemba, rrëmuja po qetësohej, ndërkohë dëgjoheshin zëra të alarmuar: Ç’do të bëjmë? T’i mbajmë peng policët? Lirojini robërit, o robër, se kush thirri.
Policët e mbetur, ashtu të shqyer dhe me vurrata të zeza në fytyrë, pa folur, morën udhën për nga porta e madhe. Kush i ka çelësat, kush, t’ua marrim. Jo, jo, as ata s’kanë çelësa, kur futen brenda, por i kanë jashtë te komanda. Të vërsulemi, nuk duroj dot. Në tarracën e vogël sipër portës u vu edhe një tjetër mitraloz. Tytat e ngrehura për këtej shoqëronin daljen e policëve të fundit. Vërtet, s’ka më fare? Çfarë? Policë. Jo, jo… Të li-rë!?…
Ç’shpresë kishte e ç’mund të bëhej? Të bëjmë atë që na takon. Çfarë, thuaje. Të çajmë rrethimin, të sulemi tek telat me gjemba. Të gjithëve nuk na vrasin dot… Ja vdekje, ja liri! Nga erdhi kjo britmë prapë, ç’kryengritës e sollën? E dija të mbetur nëpër libra, në teatër, në histori e tani buçiti para meje, përbetim i gjallë! Ku jemi, në Spaç, në revoltë? Si atje… Do ta ngremë prapë flamurin? U gjend dikush që dha një urdhër: ti, ti, ti, shkoni me vrap në lavanderi e mensë dhe mbushini me ujë gjithë bidonët, kazanët dhe tenxheret. T’i kemi gjatë kohës së rrethimit. Do të shkoj dhe unë, tha Skënder Tufa, më i riu, por fare i dobët, sa as në galeri nuk duhej ta futnin, ende s’i kishte kaluar të 50 kilet, por ai shtynte vagonë me mua. Mezi e kam pritur këtë ditë, prandaj jam dënuar, tha, grupi ynë donte të armatoste të burgosurit dhe të sulmonim… Ata do të presin ujin siç bënë në revoltën e Spaçit, dëgjoheshin zëra. Na lanë pa ujë pesë ditë… Ti shko merr nën kujdes thikat dhe hanxharët e mensës dhe te berberi, të mos keqpërdoren. Edhe lugët me garuzhdat. Dhe dërrasat e shqyera. Grumbulloni gurë sa të jetë e mundur. Por dhe kurajë. Ia vlen të vdesim si kryengritës, jo si të burgosur… Di unë ku ka gurë e tulla shumë, shembim murin. Si u bë i plagosuri? Jashtë rrezikut. Po ata që u kacafytën me policët? E fshinë gjakun… Të burgosur të tjerë po nxitonin drejt depos sonë të ushqimeve, të merrnin ç’kishin, ta mbanin te vendi i fjetjes nën kujdes, mund t’i bombardonin depot a t’i digjnin me flakëhedhëse. Munden që nga larg?… Ku janë oficerët tanë? Këtu! Në Spaç kryengritësit hapën birucat përmes breshërisë së plumbave. Hulusi Pashollari dhe Dashnor Kazazi s’pyetën fare për mitralozin e truprojës përballë, po i liruan bashkëvuajtësit nga biruca. Dhe aksioni i dytë e di cili ishte? Shqyerja e derës së bibliotekës së burgut, u mblodhën gjithë librat e Enver Hoxhës dhe të klasikëve të marksizmit dhe iu vu zjarri. Anash flakëve vallëzonin të burgosurit dhe këndonin këngë patriotike. Ne ç’të bëjmë tani me dorëshkrimet tona? Të shqyejmë depot e burgut, të marrim bukën, makaronat, fasulet dhe orizin e kuzhinës. Jo, jo, rregull! – thirri një zë. Dhe dinjitet. Spiunët e burgosur donin të dorëzonin menjëherë çelësat e depove ku punonin, po kujt? Ndërkohë përgjonin. Që, nëse do të duhej të dëshmonin, të ishin të saktë. Këtu çelësat, këtu, grumbullojini këtu!… Disa nga ata i treguan menjëherë pseudonimet, sekretet dhe donin të bashkoheshin me kryengritësit. Spiuni i bibliotekës shtirej i qetë. Librat s’i ha as qeni, thoshte. Thuhet për paratë, i tha dikush. S’ka nevojë të djegim libra, ulërinte një hollak, të kujtdo qofshin. Spiunët t’i mënjanojmë. Na prishin punë. Do t’u bëjnë shenja atyre të komandës, jashtë rrethimit. Të shkojmë në galeri, të çajmë ndonjë dalje té fshehtë, të ikim. Edhe në revoltën e Spaçit donin t’i asgjësonin spiunët. Në fillim të urrejmë ata që na i bënë spiunë bashkëvuajtësit, thanë. Lërini akademitë, jemi në revoltë, bërtiti përsëri një gjatosh. Kali, Nikolla. Të burgosurit qenë shpërndarë kudo, të lirë, grupe-grupe, të vetmuar, pa rreshta, për herë të parë kështu, brenda telave me gjemba, të shkujdesur, te shkallët, nëpër fjetore, ca vendosën të shtriheshin oborreve, bisedohej me zë të lartë, gjithë shqetësim, dëgjoheshin porosi, kërkesa se ç’duhej të bënin, një kafe dua, ç’presim, të zgjedhim drejtuesit, janë, por të fshehtë, t’i mbrojmë me trupat tanë, ne jemi, ne, s’ka tjetër, jemi të humbur, të vdesim, aq më mirë. S’rrohej ashtu. Drejtuesit e zyrës teknike dhe të riedukimit mundoheshin të mbanin qetësinë e përgjithshme, megjithëse s’ishin të qetë as vetë. Të mbrojmë njëri-tjetrin. Dëmi të jetë sa më i paktë… Ngjyra tullë e veshjeve tona dukej më e padurueshme se kurrë e ato me vija zebre, më të acarta. Ca nxorën nga thasët veshje të tjera, këmishë civile, gjithë rrudha nga të ndenjurit e përjetshëm. Dhe ç’dritë paska sot! Ngaqë s’ka policë brenda. Shiko rrethimin, po i shtojnë ushtarët. Shiko, shiko, nuk janë vetëm nëpër kullat, por edhe midis tyre. Më këmbë. Kanë zënë pozicione lufte. Kanë vënë dhe helmetat në kokë. Paskan dhe çantën e kundërgazit hedhur supeve. Sa të marrë që janë! Në revoltën e Spaçit hipi mbi supet tona një djalë i ri, Skënder Daja, dhe u foli ushtarëve, eeeeejjj, vëllezër, edhe unë sa ju jam, 21 vjeç, ulini armët, mos qëlloni mbi ne, jemi në burg, se duam lirinë, atdheun, juve, u rebeluam për lirinë dhe atdheun. Mos gaboni…
vijon ne fillim

Visar Zhiti: Si nisi revolta e Qafë-Barit pas dhunës së policëve
Ngjarja e bujshme e 22 majit ’84 në librin “Ferri i çarë”

No comments:
Post a Comment