Wednesday, March 14, 2012

Berisha: I more pronat si kooperativist.Topi: E marr për dore t’i tregoj Tiranën



Presidenti i përgjigjet Kryeministrit për pronat.
Topi: Gati ta marr Berishën për dore t’i tregoj Tiranën.
“Diversionet ndaj familjes sime, sjellje e shëmtuar e një njeriu të lidhur me komunizmin”
Presidenti Bamir Topi u është përgjigjur dje akuzave të Kryeministrit Berisha për marrjen e pronave të tij. Në një intervistë në emisionin “A Show” të gazetarit Adi Krasta në TV “Vizion plus”, kreu i shtetit i ka cilësuar diversione të Kryeministrit deklaratat e botuara edhe në gazetën zyrtare të PD-së.
Ju keni qenë një President Republike i kujdesshëm. I vetmi që ka shprehur që heshtja mund të konsiderohet presidenciale, dhe është një heshtje që flet. Sa herë ka ndodhur kështu, unë për vete, përpara televizorit, kam thënë: Pse nuk flet tani? Mirëpo sikur të punonte Presidenca sipas dëshirave të çdo individi, ajo do të kishte qenë shumë problematike. Sidoqoftë, zoti President, ju në fund fare folët, folët hapur, folët fort. Mund të them, bile se thanë disa njerëz “më në fund!”. Pse tani?
Unë besoj që nuk është rasti i vetëm, por, me sa duket, publikut i bën përshtypje ndonjë deklaratë që konsiderohet e fortë, por edhe pak e ashpër. Ndoshta nuk ka qenë në natyrën time dhe nuk është në natyrën time që t’i trajtoj deklaratat me ashpërsi, sepse sikurse dihet, sikurse thatë dhe ju, institucioni i Presidentit është një institucion i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nëse janë të djathtë, të majtë, të qendrës, pavarësisht nëse dikush ka alergji për politikën, por unë i përfaqësoj të gjithë. Është ndërtuar në mënyrë të tillë Kushtetuta, që Presidenti i përfaqëson të gjithë. Kjo është arsyeja që kur largohet nga partia, jep dorëheqjen nga të gjitha funksionet.
Më vjen mirë që kjo gjen një mbështetje. Më duket kaq e sofistikuar kjo, që të largohesh nga partia, të japësh dorëheqjen në një vend militantesk e problematik, siç është Shqipëria. Aq e vërtetë është kjo, zoti President i Republikës, sa pikërisht nga partia juaj janë gjashtë funksionarë publikë të shtetit shqiptar që marrin rrogën praktikisht, që kanë një axhendë të hapur, fare-fare pa u fshehur, që merren sistematikisht dhe ju sulmojnë fort, çka në vetvete, le të themi, e vendos atë që sapo thatë në një dritë tjetër. Disa prej tyre… po…
Unë mendoj që ndonjë hall të madh duhet të kenë, sepse unë, përveç të tjerave, kam një të kaluar nga bota akademike. Kështu që jam marrë edhe me teorinë e dominantit. Kur në psikikën e njeriut krijohet një dominant i caktuar, atëherë pa e kuptuar edhe ata vetë fillojnë të merren pikërisht me dominantin. U takon atyre ta thonë nëse përbën ndonjë dominant apo jo. Unë jam i bindur në këtë lloj përcaktimi.
Është kërkuar hapur kohët e fundit, në një mënyrë jo elegante, të gjithë e dinë që ju do ta mbaroni mandatin në kohën e duhur. Por tanimë kërkohet për t’ju vendosur në një pozicion të vështirë dhe për të shkaktuar dominant te ju, kërkojnë dorëheqjen tuaj. Ju e keni thënë në një nga intervistat e shkruara kohët e fundit hapur që do të mbaroni mandatin plotësisht, por në fakt, çfarë ndjesie ju jep kjo, të qenit nën një atak të vazhdueshëm në raport me këto elemente, ndërmjet të tjerash?
Absolutisht asnjë lloj efekti. Pra, kur shkon në atë pozicion, pikë së pari duhet të largohesh nga emocionet. Duhet të bësh një punë shumë profesionale, që konturohet nga Kushtetuta. Pastaj, natyrisht, unë jam një njeri që patjetër ndikohet nga publiku. Unë do t’ju bëja pikërisht këtë apel, që drejtojuni sondazheve publike për të parë se sa zëra të izoluar janë këta që kërkojnë pikërisht këtë gjë. Kjo shihet në të gjitha sondazhet. Unë dëshiroj të dal pak nga modestia, pikërisht për të vërtetuar të kundërtën e asaj që pretendojnë. Ju shikoni, unë nuk dëshiroj të flas sot për sondazhet që bëjnë të tjerët, s’i bëj unë.
Zoti President, festimet e Besëlidhjes dhe në fakt për hir të së vërtetës, festimet në vetvete, tregojnë dhe kulturën, dhe finesën, dhe elegancën e një kombi. Fjala vjen, Italia i zgjidhi në mënyrën më madhështore të mundshme festimet e 150-vjetorit. Kishte vetëpërmbajtje, elegancë, një organizim i shkëlqyer, skrupuloz. Njerëzit u gëzuan, pa anashkaluar ose pa e përdorur edhe atë, le të themi, për të thënë që “topi është i imi” dhe në këtë rast kam…
Kam qenë pjesë e atyre festimeve dhe jam dakord absolutisht me ju, por sikurse di edhe këtë, që Presidentit Napolitano protokollin s’ia kishte bërë kryetari i Bashkisë së Romës. Pra, 2 marsi i vitit 1444 është një datë shumë historike për shqiptarët, që lidhet me Skënderbeun, por lidhet dhe me një mision përbashkues, në një kohë kur princat shqiptarë ishin të ndarë dhe me shumë probleme. Dhe kjo datë meritonte pikërisht këtë simbolikë përbashkimi, ku aty duhet të ishin të gjithë, duhet të ishin jo thjesht për të qenë formalisht të pranishëm, por për të dhënë një mesazh publik, që jemi të gjithë së bashku, jemi së bashku për të vlerësuar që e ardhmja e Shqipërisë bëhet jo në mënyrë të izoluar, por bëhet së bashku, nga të gjithë faktorët.
Ju vetë, zoti Topi, nuk folët. Unë jam shumë kurioz; në një ballafaqim të fortë, kur dikush ju quan gënjeshtar, ju vetë nuk keni shtysën të dilni personalisht dhe të thoni: “Ngjarja ndodhi 1, 2, 3, 4, ky është versioni im i së vërtetës”…
Kurrë nuk do ta ulja pozicionin e kreut të shtetit për t’u marrë me zëra që s’dëshiroj tani t’i bëj asnjë lloj etiketimi, por që publiku i vlerëson vetë. Unë bëra detyrën time duke u çuar mesazhin shqiptarëve, e bërë nga salla “Skënderbej” e institucionit të Presidencës, ndërkohë që ai fjalim mund të mbahej, edhe duhej të mbahej, pikërisht atje ku ishte simbolika, në Lezhë. Ndërsa pjesën e protokollit, patjetër që e trajton dikush tjetër. Unë dëshiroj t’i shfajësoj ata që janë marrë me Protokollin e Shtetit, sepse janë djem jashtëzakonisht të mirë, janë profesionistë, por në një orkestër, sigurisht që orkestrimin e fillon dhe e përfundon dirigjenti, pavarësisht nëse ajo lojë e atyre veglave të orkestrës përfundoi e stonuar. Gjithsesi, unë dëshiroj të them që aty ku marrin pjesë autoritetet më të larta të shtetit, duke filluar me Presidentin, kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin e me radhë, pavarësisht që organizimi bëhet nga një bashki e caktuar, patjetër këtu futet në lojë Protokolli i Shtetit. Dhe loja me protokollin pastaj ishte loja për të fshehur qëllimin real të realizimit të asaj skene që kurrsesi nuk kishte elemente përbashkimi, por për fat të keq, ndarjeje.
Kam një pyetje të shkurtër, për një përgjigje hipotetike, të shkurtër, ndoshta edhe reale. Zoti Topi, nuk ju shkoi në mendje në metrat e fundit të udhëtimit me veturë ose në kthim, që ju, si kreu i shtetit, si President i Republikës, pavarësisht nga ajo që ndodhi me kryetarin e Bashkisë apo dhe me Protokollin e Shtetit, ju të shkonit atje dhe të flisnit fjalimin tuaj? Do të kishte ndodhur një ngjarje e jashtëzakonshme, por nuk mund besoj që t’ju ndiqnit që andej dhe t’ju thoshin: “Mos u futni këtu se ju nuk jeni për të tilla…”.
Jo, jo. Ju nuk jeni informuar mirë. Unë nuk kam dalë nga zyra. Natyrisht që janë kthyer pjesa mbështetëse e institucionit të Presidentit. Unë isha bërë gati për t’u nisur. Nuk mendoj që meriton më shumë të trajtohet kjo pjesë, sesa ajo që ka ndodhur. Dhe ajo që ka ndodhur sot është më se e qartë, me përjashtim të atyre që i bëjnë shërbim një politike të caktuar, që sigurisht, nuk është politika e bashkimit. Unë besoj që për pjesën tjetër, për shqiptarët, gjithçka është e qartë.
Zoti Topi, a e keni tradhtuar ju Partinë Demokratike, siç e thotë dhe e thotë dikush vazhdimisht?
Unë mendoj që një personalitet i medias dhe i botës së spektaklit, sikurse jeni ju, duhet patjetër të rikthejë në vëmendje gjithë retrospektivën, të gjithë historikun e marrëdhënieve. Në prillin e vitit 2008, kur ende nuk kisha mbushur gjashtë muaj në atë pozicion, menjëherë filluan të artikulohen zëra se cili do të jetë Presidenti i ardhshëm. Pikërisht në prillin e vitit 2008 ka pasur një marrëveshje, e cila sot konsiderohet nga analistët, edhe nga vetë politika, si një marrëveshje jo e ndershme e bërë nga kryetari i maxhorancës dhe nga kryetari i opozitës për ndryshime të forta kushtetuese, pa u konsultuar, pa e bërë debat me konstitucionalistë, por për hir të interesave personale të pushtetit të secilit. Secili mendonte se do të kishte të gjitha pushtetet e mundshme. Natyrisht, në një marrëveshje jo të ndershme, dikush doli me të gjitha pushtetet dhe dikush i humbi të gjitha pushtetet. Presidenti, si kryetar i shtetit, patjetër edhe si garant i interesave të publikut, e bëri në kohë të ditur atë fenomen që po ndodhte, dhe sot, pas kaq vitesh, patjetër që vërtetohet plotësisht ajo që unë e kam thënë dhe vazhdoj ta them. Dhe nuk është aspak e vërtetë që erdhi ky moment për të folur. Unë kam folur në mënyrë konstante. Natyrisht, për t’u diferencuar nga të tjerët që kanë folur ashpër, por në substancë apeli im ka qenë i qartë.
Përpara disa kohësh ai tha se “Bamiri ka një hall dhe Flamuri, vëllai i vet, doktori i famshëm, do të votonte për mua”. Nuk mund ta thotë, duke e njohur zotin Kryeministër, këtë fare kot dhe rastësisht, jo aq emocionale. A ka një gjë që është diskutuar edhe mes vëllezërve Topi, që ka lidhje edhe me pronën, që zgjon një kuriozitet për ta qartësuar, por unë, po të isha në vendin tuaj, do të flisja me ton tani?
Jo. Unë nga kjo studio e nderuar, do t’i bëja prapë një apel, një apel që ai me siguri s’do ta dëgjojë: Që në gazetën “Rilindja Demokratike”, aty ku për pesë numra rresht janë hedhur shpifje pa kufi, jo thjesht për Presidentin, po për familjen, ku bën pjesë edhe im vëlla, shumë i nderuar, të ketë kurajën të hapë e t’i japë hapësirë në faqen e parë të gazetës “Rilindja Demokratike” pikërisht për sqarimin me autor Flamur Topin dhe familjarët e tij, ku i nderuari vëllai im, i cili është personazh publik, i ka bërë një analizë reale, shkencore të gjitha atyre shpifjeve që vinin pikërisht nga ajo gazetë dhe të vëna në gojën e një të moshuare, besoj të luajtur mendsh, do të thosha, më falni që unë e përdor këtë term sot, e cila, në moshën nëntëdhjetekatërvjeçare kishte falsifikuar një dokument, që po t’i referohemi atij dokumenti, ajo sot duhet të ishte njëqind e gjashtëdhjetepesëvjeçare. Dhe kur një gazetë e nderuar, do të thosha, që është gazetë e një partie historike, sikurse është Partia Demokratike, vendos e bëhet “Parti e Hankes”, sepse kështu e ka emrin e moshuara, dhe vendos në gojën e saj falsitete për të denigruar familjen Topi, atëherë nuk mendoj se mund të ketë argument tjetër për t’i thënë atij njeriu që: “Stop! Mos u fut më tej te familjet, sepse është bërë zakon që në të gjithë fjalorin e tij të futet nëpër familje, bën diversion midis burrit dhe gruas, midis motrave, midis vëllezërve! Pra, kjo është sjellja më e shëmtuar, që është patjetër një inerci e dukshme jo thjesht e një mentaliteti komunist, por edhe e një njeriu të lidhur shpirtërisht me komunizmin, i cili në mënyrë shumë të suksesshme ka filluar ta bëjë edhe pjesë të kësaj bote të lirë e demokratike ku jetojmë sot.
Përsa i përket asaj që ju thatë, dhe natyrisht unë jam i mirinformuar në çdo moment, do t’i thosha që nëse nuk e njeh Tiranën dhe nuk dëshiron ta njohësh Tiranën, në rast se nuk ke këshilltarë të aftë për të të orientuar në punë, atëherë do ta marr shumë miqësisht, për dore për t’i treguar se si është konfiguruar Tirana, sepse Tirana nuk është vetëm zyra e Kryeministrisë, por Tirana është shumë e madhe. Ka një popullsi, e cila sa vjen edhe rritet, ku popullsia autoktone i ka mirëpritur në vite dhe këtu është bukuria e këtij qyteti, që sot është gati një milion banorë, ku ka kultura të ndryshme përfaqësuese dhe falë këtij komunikimi qytetar, sot Tirana është një kryeqytet i jetueshëm mirë. Kjo për ta orientuar dhe për t’i thënë jo vetëm ku janë tokat e mia, të paraardhësve të mi. Dhe unë e di që ai është bërë shumë humorist kohët e fundit, dhe pa dyshim që gjëja më e dhimbshme është kur të gjithë në kor fillojnë të qeshin nga shakatë, që më kujtojnë personazhin e famshëm të Revolucionit Kulturor Kinez: Lej Fenin, por për t’i thënë që familjet e vjetra të Tiranës vërtet jetonin në qendër të Tiranës, por të gjitha me radhë kanë pasur toka bujqësore në periferi. Ka qenë një bollëk në Tiranë në atë kohë, të themi të drejtën, dhe pikërisht për ta orientuar ekzaktësisht, aty ku përfundonte qyteti dhe është fjala pikërisht për Institutin e Kërkimeve Veterinare, në zonën e “Freskut”, aty fillon komuna. Edhe sot e kësaj dite është territori administrativ i komunës. Pra, qyteti kishte truall, ndërsa komuna kishte tokën bujqësore. Ai e ka një shans për ta njohur terrenin, në rast se, për kaq vite me radhë ta eliminojë udhëtimin me teleferik, që e bën çdo ditë, duke harruar që kalon në një park kombëtar, sikurse është Parku i Dajtit, me shumë familje, me shumë biznese e që ka imazhin e një rruge që sapo është bombarduar. Pra në vend që të bëjë ironi e të japë një imazh mashtrimi për shqiptarët, duhet të kuptojë që familja Topi, të gjithë paraardhësit, janë në tokën e vet. Në qoftë se dëshiron, t’ia bëjmë me dije se ku i kemi tokat, madje mund t’i dhurojmë edhe një pjesë toke. Le të vijë e të jetojë aty në paqe dhe në harmoni dhe mund t’i japim edhe leksione qytetarie, se si jetohet në harmoni pa bërë sherre.
Kur e mendova se çfarë do t’ju pyes në këtë intervistë, isha me një kolegun tim, të cilin e respektoj shumë, ai bëri një pyetje që m’u duk jashtëzakonisht e mirë për t’ia marrë autorësinë. Ai tha: “Në qoftë se në një parti të tillë do të vinin të gjithë ata që aktualisht janë të pakënaqur nga partitë ekzistuese, si do t’i kënaqë Topi ata?”.
Me gjithë respektin që kam për ty Adi, unë dëshiroj t’i qëndroj asaj që kam thënë publikisht deri tani: Që deri në fund të mandatit tim, që do të thotë deri në fund të këtij mandati, unë do të jem President i Republikës. Në Tiranë thuhen shumë gjëra, komentohen shumë gjëra, le t’ia lëmë kohës, por e sigurt është që deri në momentin e fundit unë do të ushtroj të gjitha detyrimet e mia si President i Republikës. Pastaj, unë jam njeri i lirë, kam mundësinë për të bërë zgjedhjen time, por në këtë moment unë flas si President i Republikës.
Topi: Berisha tallet me pronarët
Kreu i shtetit, Bamir Topi, e ka krahasuar Kryeministrin Sali Berisha me iluzionistin David Koperfild, teksa tha se kreu i qeverisë ka 22 vjet që premton kthimin e pronave dhe ende nuk e ka realizuar atë. “Ky personazh ka marrë pak a shumë pamjen dhe fizionominë e David Koperfildit. Është bërë iluzionist. Ka njëzet e dy vjet që u thotë shqiptarëve se do t’u kthejë pronat dhe nuk ua kthen. U thotë të përndjekurve politikë që do të kompensoheni dhe për njëzet e dy vjet me radhë nuk e bën”, theksoi Topi.

“Topi, prona si kooperativist”

Kryeministri akuzoi dje Presidentin se ka përfituar prona me dokumente të falsifikuara
Berisha: S’ka pasur kooperativë bujqësore në zemër të Tiranës

Kryeministri Sali Berisha akuzoi dje Presidentin e Republikës, Bamir Topi, se ka përvetësuar prona në kryeqytet, duke u hequr si kooperativist. Kreu i ekzekutivit gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave replikoi me kreun e shtetit lidhur me deklaratat e tij se qeveria po zvarrit pafundësisht çështjen e pronave në vend. Për Berishën, problemi i pronës ekziston në çdo vend të botës, ndaj dhe qeveria sipas tij ndërmerr nisma ligjore për t’i dhënë zgjidhje çdo pengese të hasur në terren. “Ndonjëri që mërzitet nga aktet që shohin për pronën, i them se janë lëshuar dhe do lëshohen dhe askush nuk duhet të mërzitet nëse e ka bërë veten kooperativist për të marrë prona. Ka bërë në këtë mënyrë një gabim fatal ai që ka mashtruar me dokumente ose pa dokumente për një gjë të tillë”, theksoi kryeministri. Kreu i maxhorancës deklaroi me tej se në qendër të Tiranës nuk ka pasur kurrë kooperativa bujqësore, ndaj akuzoi kreun e shtetit për mashtrim që të përfitojë prona në mënyrë të jashtëligjshme. “Unë mora rastin konkret, në rast se është përfituar pronë, duke qenë në zemër të kryeqytetit dhe e shpall veten kooperativist, ju them se në zemër të Tiranës kooperativë bujqësore nuk ka pasur kurrë dhe ky është një fakt i njohur. Ka pasur dhe burg në qendër të Tiranës, por kooperativë bujqësore nuk ka pasur, ndaj dhe nuk duhet të irritohet askush pse qeveria ndërmerr akte administrative, pse qeveria përmirëson ligjet për pronën, pse qeveria është kaq shumë e fokusuar në zgjidhjen e këtij problemi”, pohoi Berisha.
Alternativat
Para ministrave të kabinetit qeveritar, Berisha ka paraqitur dje tri nisma ligjore për rregullimin e çështjes së pronës. Shefi i maxhorancës ka lëshuar një mesazh për rivalët e tij që të mos sulmojnë nismat e qeverisë dhe, nëse dëshirojnë, mund të ofrojnë alternativa dhe jo urrejtje. “Dëshira e qytetarëve për të jetuar në kryeqytet është një nga dëshirat më legjitime të njeriut. Çdo njeri ka të drejtë në këtë vend dhe do të ketë të drejtë të zgjedhë vendin ku do të banojë. Natyrisht që krijohen probleme demografike apo sociale. Por prandaj janë dhe autoritetet, për të zgjidhur këto probleme. Çështjet e pronësisë nuk janë çështje të thjeshta, nuk zgjidhen me klishe dhe me urrejtje, zgjidhen me ligje, zgjidhen me platforma, alternativa të cilat normalizojnë, njohin, vlerësojnë, respektojnë, kështu që nuk them se nuk ka probleme me pronën, por është bërë më shumë se kurrë”, theksoi Kryeministri.
Fotografitë
Përplasjet publike mes Kryeministrit Sali Berisha dhe Presidentit Bamir Topi është shndërruar në debat fotografik. Kreu i shtetit akuzoi liderin e maxhorancës si një komunist që nga viti 1968 dhe që është tallur me të përndjekurit e pronarët prej 22 vjetësh. PD-ja ka reaguar nga ana e saj, duke e cilësuar Bamir Topin si kamxhik të Edi Ramës, ka shpërndarë për mediat fotografinë ku Topi ka dekoruar me “Medaljen e Mirënjohjes” ish-prokurorin Skënder Breca, i cili kishte dhënë dënimin me vdekje për Xhelal Koprenckën.
PD, akuza Topit
Partia Demokratike me anë të deputetit Edi Paloka akuzoi Presidentin e Republikës, Bamir Topi, se votoi pro Edi Ramës në lokalet e 8 majit, për të marrë pronat në qendër të Tiranës.
“Bamir Topi më 8 maj 2011 votoi Edi Ramën për shkak të pronarëve të ligjshëm të Tiranës, në trojet e të cilëve po ngrenë sarajet Koçoja, Besoja dhe Fideli, e të tjerë “tironsa të vjetër”….? Apo e votove kryetarin e partisë së Enver Hoxhës për të përmbushur një amanet të të përndjekurve politikë?”, u shpreh Paloka.
Editorialet
Kryeministri ka ironizuar Presidentin Topi dhe votën e tij gjatë zgjedhjeve lokale pro ish-kryebashkiakut Rama. Duke komentuar editorialin e Ramës, Kryeministri Berisha tha se Bamir Topi është shndërruar në një hall për kreun e PS-së. “Përpjekja e zotit Rama për t’u bërë arkitekt i së djathtës, pasi e ndriçoi të majtën, e udhëhoqi nga disfata në disfatë, tani si t’ia bëjë me të djathtën? Këtu ka një bizantinizëm të vogël brenda, kujt do t’ia hedhë Bamirin në prehër. Ekzakt! Pasi e detyroi të votojë etj. etj., tani e ka kapur halli se në ç’ferrë do ta vendosë”, theksoi Berisha.

No comments: