Thursday, March 15, 2012

Nuk do të na duhen më vizat, sigurisht

Nga Bernd Riegert
Pyetja më nervoze që qarkullon tani pas fjalimit të Presidentit francez, është kjo: Vallë Evropa para kontrolleve kufitare?

Presidenti francez kërcënon në fushatën elektorale me rivendosjen e kontrolleve kufitare. Ndërkohë udhëtimi pa kontrolle të pasaportave sipas rregullave të Shengenit është një avantazh qendror i Evropës.

Ministrit të Jashtëm luksemburgas i ka ardhur në majë të hundës nga parullat djathtiste populiste të presidentit francez në fushatën elektorale. Socialdemokrati luksemburgas Jean Asselborn e akuzoi konservatorin Nicolas Sarkozy se paraqet tema populiste dhe kërkon të shkatërrojë Shengenin.

Jean Asselborn kritikoi me fjalë të ashpra atë çfarë Nicolas Sarkozy deklaroi para 30.000 përkrahësve për politikën e imigracionit dhe marrëveshjen e Shengenit. Marrëveshja rregullon qarkullimin pa kontrolle të personave dhe automjeteve në kufijtë e brendshëm europianë. Që prej vitit 1995 nuk është më e nevojshme të ndalosh në kufij në pjesë të mëdha të BE-së. Por ashtu si më parë ka kontrolle të doganës dhe personave në kufijtë e jashtëm.

Shengeni është pjesë e marrëveshjeve evropiane

Jean Asselborn indinjohet kryesisht për faktin që presidenti francez Nicolas Sarkozy kërkon të pezullojë përkohësisht marrëveshjen e Shengenit, nëse kërkesat e Francës për një reformim të rregullave të Shengenit nuk do të përmbushen. Një zëdhënëse e Komisionit të BE-së në Bruksel deklaroi lidhur me këtë se as Franca dhe as ndonjë shtet tjetër nuk mund të dalin nga Shengeni kaq lehtë. Rregullat për qarkullimin e udhëtarëve janë ndërkohë pjesë e marrëveshjeve evropiane dhe jo më marrëveshje mes shteteve sipas të drejtës ndërkombëtare. Këtë karakter kishte marrëveshja e parë e Shengenit e vitit 1985. Kush kërkon tani të ndryshojë Shengenin, duhet të ndryshojë marrëveshjet e Lisbonës, bazat juridike të Bashkimit Evropian, deklaroi Komisioni. Dihet se kjo është e mundur vetëm me miratimin e anëtarëve të tjerë të BE-së. Nëse Franca do të rivendoste në mënyrë të njëanshme kontrollet kufitare, atëherë Komisioni duhet të nisë një procedurë kundër Parisit për cënim të marrëveshjeve.

Reformimi i propozuar nga Malmström nuk u pranua nga shumë shtete anëtare


Komisionerja e BE-së për politikën e brendshme dhe rregullat e Shengenit Cecilia Malmström pas zënkës mes Italisë dhe Francës për lëvizjen e migrantëve të paligjshëm, pati kuptuar se marrëveshja e Shengenit ka nevojë për reformim. Dhjetorin e kaluar ajo paraqiti për këtë arsye një propozim të parë, por ai u refuzua nga shumë shtete anëtare. Ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich kritikoi se Znj. Mamlström kërkonte të prekte të drejtat sovrane të shteteve. Komisionerja suedeze kishte propozuar se kontrollet në kufij duhej të lejoheshin vetëm me urdhër të qendrës në Bruksel. Deri tani vlen rregulli sipas të cilit shtetet e BE-së mund të rivendosin përkohësisht kontrollet nëse shohin të kërcënuar sigurinë e tyre kombëtare.

Sarkozy kërcënon me pezullimin e Shengenit


Presidenti francez deklaron tani në fushatën e tij elektorale se në Francë ka tepër të huaj. Shkak për këtë janë kontrollet e dobëta në kufijtë e jashtëm të BE-së. Brenda 12 muajsh pas rizgjedhjes së tij të mundshme Shengeni duhet të reformohet, kërkon Sarkozy.

"Ashtu si në rastin e unionit monetar me qeverinë financiare na duhet edhe për zonën Shengen një lloj qeverie, e cila të mbikqyrë imigracionin", thotë presidenti francez. Shtetet që nuk janë në gjendje të ruajnë si duhet kufijtë e jashtëm të BE-së duhet të përjashtohen nga zona e Shengenit ose të detyrohen të mbyllin kufijtë e tyre të brendshëm me shtete të tjerë të BE-së, kërkon Sarkozy. Fjala është aktualisht në radhë të parë për Greqinë përmes kufirit të së cilës me Turqinë hyjnë në BE pjesa më e madhe e imigrantëve të paligjshëm. Agjencia evropiane e ruajtjes së kufijve "Frontex" thotë se Greqia është ndërkohë rruga kryesore për imigrantët nga Afrika dhe Azia.

Kryetari i socialistëve në Parlamentin Evropian Hannes Sëoboda, e akuzoi presidentin francez se po vë në pyetje në mënyrë "të ulët" një nga arritjet më të mëdha të BE-së, udhëtimin pa kontrolle kufitare. "A mos vallë në të ardhmen duhet të tregojmë pasaportat kur të vijmë në parlamentin në Strasburg?", pyeti Hannes Sëoboda, i cili i quajti deklaratat e Sarkozy-së thjesht taktikë elektorale.

Shumë imigrantë të paligjshëm shfrytëzojnë edhe rrugën përmes shteteve të ndryshme të Ballkanit Perëndimor. BE u ka garantuar këtyre vendeve të drejtën e lëvizjes pa viza. Por shumë udhëtarë nga vendet e Ballkanit qëndrojnë në Shengen më gjatë se 90 ditët e lejuara, thotë Tanja Fajon, përgjegjëse për çështje të vizave dhe Shengenit në Parlamentin Evropian. Për këtë arsye Parlamenti dhe vendet anëtare në dhjetor 2011 ranë dakord që disa shteteve mund t'u hiqet e drejta e lëvizjes pa viza.

No comments: