Thursday, February 17, 2011

Topalli-Dokle, debatet në seancë jashtë kamerave

Ndryshimet e rregullores së Kuvendit, ku përfshihet edhe iniciativa e maxhorancës për heqjen dorë në mënyrë vullnetare nga imuniteti, janë shoqëruar me debate të ashpra mes palëve. Nga ana e tyre, socialistët e quajtën këtë nismë të shumicës, si demagogjinë e radhës. “Barazimi i deputetëve të ndershëm me ata që u kërkohet imuniteti është i pavlerë. Nuk mund të krahasohen deputetët e ndershëm, qoftë nga PD qoftë nga PS, me ata të cilëve prokuroria u kërkon heqjen e imunitetit. Absolutisht t’u hiqen imunitetet, atyre që Prokuroria e kërkon! Nuk kemi asnjë ekuivok për këtë. Procedura për këtë është e përcaktuar ekskluzivisht.
Pse e bëni sot dhe për më tepër pse vetëm për njërin nga deputetët?! Ju digjet xhani për drejtësinë?! Aspak! Por si gjithmonë po përdorni demagogjinë! Po bëni lojën e të ndershmit”, deklaroi deputeti Namik Dokle. Por gjatë fjalës së tij ai është ndërprerë disa herë nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila pretendonte se Dokle po shkelte hapur rregulloren e Kuvendit. Më pas seanca ka pasur edhe momente tensioni, duke u ndërprerë për rreth 15 minuta pas protestave të socialistëve. “Gazeta Shqiptare” boton sot të plotë replikat Dokle-Topalli të bëra pa praninë e kamerave.
JOZEFINA TOPALLI
Z.Dokle, mbaroi koha! Faleminderit! Z.Patosi ju lutem fjala juaj për të mbrojtur kërkesën tuaj!
NAMIK DOKLE
Po flas në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Më jepni fjalën ju lutem!
JOZEFINA TOPALLI
Z.Dokle, ju lutem zbatoni rregulloren! Z.Patozi keni të drejtën tuaj deri në 5 minuta. Rregullorja është rregullore.
NAMIK DOKLE
Pa lexoje njëherë rregulloren...
JOZEFINA TOPALLI
Neni 27, pika 4 e rregullores thotë: “Kuvendi vendos me votim të hapur, pasi dëgjon për jo më shumë se 5 minuta një folës pro dhe një folës kundër ndryshimeve të paraqitura”. Z.Dokle, ju folët 5 minuta. Ju lutem z.Patozi keni të drejtën e 5 minutave tuaja për të mbrojtur kërkesën tuaj.
NAMIK DOKLE
O zonjë, lexoje mirë rregulloren!
JOZEFINA TOPALLI
Rregullorja është rregullore për Namik Doklen, për Astrit Patozin, për mua dhe për secilin prej jush. Rregullorja respektohet pikë për pikë. Gërmë për gërmë.
NAMIK DOKLE
Kur kam qenë kryetar Kuvendi, kurrë nuk ju kam ndërprerë fjalën sa herë keni folur në emër të grupit...kurrë. 100 herë e kërkonte fjalën Berisha. Kurrë s’i kam ndërprerë fjalën, as atij, as juve.
JOZEFINA TOPALLI
Unë po të lexoj rregulloren Z.Dokle, që ju keni qenë ish-kryetar Parlamenti. Ju e dini sa e rëndësishme është rregullorja. Faleminderit z.Dokle. Ju shfrytëzuat të drejtën tuaj për 5 minuta për të folur për rendin e ditës.
NAMIK DOKLE
Unë nuk lëviz prej këtu pa mbaruar fjalën.
JOZEFINA TOPALLI
Z.Dokle. ju keni qenë kryetar parlamenti. Nuk ka gjë më të rëndësishme sesa rregullorja. Respektoni rregulloren. Ju lutem lëruni të tjerëve të drejtën e fjalës.
NAMIK DOKLE
Ti fut në kalendar një nismë antikushtetuese për kufizim imuniteti për të futur deputetët në burg. Tani ti nuk na jep ne të drejtën e fjalës. Çfarë Parlamenti është ky? Çfarë demokracie është kjo zonja Topalli?
JOZEFINA TOPALLI
Rregullorja në nenin 27 thotë që “Kuvendi vendos me votim të hapur, pasi dëgjon për jo më shumë se 5 minuta një folës pro dhe një folës kundër ndryshimeve të paraqitura”.
NAMIK DOKLE
Leri moj këto broçkulla ti. Mos më trego mua rregulloren
JOZEFINA TOPALLI
Në bazë të nenit 64, pika 2 ju tërheq vëmendjen z.Dokle. Ju lutem mos bllokoni foltoren. Ju lutem respektoni rregulloren që është e qartë, e prerë. Ju lutem zini vendin tuaj dhe leni vendin kryetarin e grupit parlamentar të marrë fjalën e tij dhe të mbrojë kërkesën e tij. Z.Dokle, ju falenderoj. Thatë shpjegimet tuaja. Ju keni të drejtë të jeni kundër ndryshimit të kalendarit dhe kryetari i grupit ka të drejtë të bëjë kërkesën e tij.
NAMIK DOKLE
O zonjë, je në terezi ti apo jo? Nuk lëviz unë prej këtu. Më jep fjalën...
JOZEFINA TOPALLI
Z.Dokle, në bazë të nenit 64, pika 2, ju tani keni vërejtje.
NAMIK DOKLE
Po më tremb tani?
JOZEFINA TOPALLI
Z.Dokle, një ish-kryetar parlamenti gjënë më të shëmtuar që mund të bëjë është që të tentojë të bllokojë seancë, të shkelë rregulloren dhe të mos pranojë respektimin e rregullores. Z.Dokle, respektoni nenin 27, pikën 4.
NAMIK DOKLE
A je në terezi ti apo jo? Më jep fjalën moj ti zonjë. Ti paske rrëshqit fare.
JOZEFINA TOPALLI
Z.Dokle, keni vërejtje për herë të tretë dhe këto regjistrohen në procesverbal. Z.Dokle respektoni rregulloren. Mos tentoni të bllokoni Parlamentin dhe rendin e ditës së sotme. Do jenë seanca plenare që do votojë. Faleminderit z.Dokle. Unë mbas seancës plenare do mbledh Byronë për z.Dokle për shkelje të rregullores dhe tentativë për bllokim të seancës plenare, bazuar në nenin 65, pika 4 të rregullores.
NAMIK DOKLE
Moj zonjë, unë kam dhënë dorëheqjen nga kryetar Kuvendi për mbrojtjen e parlamentarizmit dhe respektimin e Kushtetutës dhe t’i më flet mua këtu si mësuese filloreje e edukatore kopshti e më tregon mua se do mbledhësh Byronë. Po kush je ti moj zonjë?
JOZEFINA TOPALLI
Po do mbledh Byronë për të gjykuar, për këtë sjellje të pahijshme, fyese që kërkon të bllokojë seancën plenare të Kuvendit nga z.Namik Dokle. Ju lutem z.Dokle lironi foltoren, respektoni nenin 27 të rregullores dhe rregulloren në tërësi. Z.Dokle, ti po bllokon Parlamentin në një mënyrë të pashembullt për një ish kryetar Parlamenti. Uluni dhe zini vendin e mos bllokoni Parlamentin. E paparë në historinë e një parlamentarizmi që një ish kryetar Parlamenti të bllokojë Parlamenti, të shkelë rregulloren, të shkelë Kushtetutën dhe të mos lejojë kolegët që të marrin fjalën.
NAMIK DOKLE
Mos më fol mua ti sikur të dhimbset parlamentarizmi ty, se keni vrarë katër qytetarë mes bulevardit.
JOZEFINA TOPALLI
Z.Dokle, parlamenti është gjëja më e shtrenjtë për çdo deputet.
NAMIK DOKLE
Më jep o zonjë fjalën, se nuk ulem unë pa mbaruar fjalën time.
JOZEFINA TOPALLI
Z.Dokle, shumë njerëzisht ju kërkoj që pasi të pini ujin, të zini dhe vendin tuaj.

No comments: