Saturday, February 19, 2011

Frikë nga monstra që pollën vetë

Andi Bushati

Përshkallëzimi i vazhdueshëm i nismave të opozitës tani duket se ka marrë një kuptim. Thirrjet për mosbindje civile, pjesëmarrja e kushtëzuar në Parlament, protestat e dhunshme, të gjitha këto aksione, pra, është thënë shpesh se kanë një qëllim të vetëm: arritjen e zgjedhjeve të parakohshme. Por, deklaratave të mëparshme, atyre për zgjedhje “sa më shpejt”, madje për zgjedhje “pa Saliun kryeministër”, opozita ka filluar t’u japë, ditëve të fundit, një kuptim të ri. Shumë nga përfaqësuesit e saj, në ambiente informale e madje edhe në takime me të huajt, kur detyrohen të shpjegojnë radikalizmin e vazhdueshëm, e lidhin këtë me zgjedhjet e parakohshme që duhet të mbahen maksimumi para qershorit të 2012-ës? Po përse një datë e tillë? Pse po del tani, gjithnjë e më me forcë, ky limit kohor, si kufiri i fundit për garën e përshpejtuar elektorale?

Argumenti që japin opozitarët është i thjeshtë. Në mesin e vitit të ardhshëm ky Parlament do të duhet të zgjedhë Presidentin e ri. Dihet tashmë se për herë të parë kjo zgjedhje do të bëhet jo më me 84, por me 71 vota, që kjo mazhorancë ende sot i ka. Pra, me një fjalë, përpos një presioni të madh ndërkombëtar, që nuk duket në horizont, pasardhësi i Bamir Topit, pas diçka më shumë se një viti, do të jetë një pd-ist i flaktë, një ushtar i Berishës. Dhe ky president i ri do të zgjidhet pa asnjë kompromis, pa pasur nevojë për asnjë lëshim. Pakti i vetëm me të do të jetë ai me Kryeministrin: Unë të çoj në krye të shtetit, ti më jep atë që unë kërkoj nga ai post. Dhe gjithnjë sipas opozitarëve që vazhdojnë me këtë logjikë, pas këtij çasti, rrezikojnë të bien njëra pas tjetrës disa institucione. Së pari, Prokuroria. Së dyti, Shërbimi Informativ. Së treti, Gjykata e Lartë edhe ajo Kushtetuese. Ndaj pyetja që shtrojnë ata e që po e përdorin gjithnjë e më shpesh edhe si argument me ndërkombëtarët, është e thjeshtë: Pas atyre që Berisha po bën sot me këto institucione të pavarura, a mund të kemi garanci për nesër? Nëse një gjë e tillë ndodh, nëse PD-ja vendos në krye të shtetit një militant të sajin, kush mund të sigurojë që edhe emrat që ai do të propozojë në drejtimin e këtyre institucioneve nuk do të përzgjidhen vetëm sipas kritereve të militantizmit? Dhe kryepyetja që pason është: A mund të hyhet në zgjedhje me këto kushte, pra me gjykata, prokurori dhe ShISh të gjunjëzuar? A nuk kemi ne opozitarët të drejtë të kërkojmë një garë të re elektorale, para qershorit të 2012?

E shtruar kështu, kjo pyetje duket sikur ka kuptim. Në pamje të parë ajo të duket sikur krijon një shqetësim. Sepse ky sistem që kemi krijon qetësi për të gjitha palët vetëm përmes balancimit e kontrollit mes pushteteve dhe jo përmes vartësisë së tyre. Aq më e vërtetë bëhet kjo, kur fjala është për Berishën dhe për sjelljen proverbiale që ai ka ndaj pushteteve të tjera.

Por, përtej kësaj pamjeje sipërfaqësore, argumenti më i ri që po fillon të ngrejë kokë tek opozita nuk qëndron. Nuk qëndron as për arsye reale, as për arsye morale.

Së pari, sepse askush nuk mund ta mbështesë kërkesën e tij mbi një hipotezë, pra mbi atë se pas 2012-s, Berisha do t’i zaptojë gjithë krerët e institucioneve, duke vënë edhe në Presidencë edhe në ShISh edhe në Prokurori militantë të tij. Argument absurd, mund të thotë dikush. Historia ka treguar që Berisha do dhe kërkon vetëm këtë. Por nëse u kthehemi argumenteve historikë edhe ato janë në disfavor të kësaj frike opozitare. Sepse Berisha vërtet ka emëruar edhe Alfred Moisiun, edhe Theodhori Sollakun, edhe Bamir Topin, edhe Ina Ramën, por shumë shpejt ai ka bërë pothuajse gjithçka për t’i kthyer ata në armiq. Pra, frika në marrëdhëniet e Berishës së dytë me institucionet e pavarura nuk është ajo e akaparimit të tyre përmes vasalëve, por ajo e zaptimit të tyre përmes luftës dhe trysnisë që ai ushtron ndaj atyre që i ka shpallur armiq. Por, edhe sikur këto argumente të ishin të diskutueshëm, një i tretë, moralisht i pakundërshtueshëm, nuk i jep të drejtë socialistëve të ankohen sot dhe ta shndërrojnë atë në kauzë për zgjedhje të parakohshme. Ata vendosën vetë, me votat e tyre, me bekimin e turpshëm të Edi Ramës, të bënin ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008. Pikërisht ato ndryshime, që do i japin mundësinë, në qershor të 2012, një mazhorance të vetme të zgjedhë Presidentin e Republikës e për pasojë edhe institucionet që varen prej tij. Ndaj, ata sot kanë më pak të drejtë se kushdo, që një rregull që ia kanë imponuar vetë sistemit, ta përdorin si armë për të luftuar sistemin. Ndoshta socialistët sot, ashtu siç ndodh rëndom, më shumë se gjithçkaje, i frikësohen asaj që kishin ideuar e planifikuar vetë me këtë ndryshim kushtetues. Pikërisht për këtë ata nuk kanë moral të kundërshtojnë. Nëse një skenar si ai që ata po parashtrojnë me frikë ndodh, kjo do të ishte keq për të gjithë shqiptarët. Por, nëse kjo e keqe na ngjan vërtet, ajo do të shërbente vetëm për një gjë, për të penalizuar, së pari, ata që dhanë viston për lindjen e saj./MAPOONLINE

No comments: