Saturday, February 19, 2011

DIKTATORI I MALLKUAR

Mitro ÇELA

E hënë, 18 shkurt 1991.

Kishte nisur një mbledhje e Komisionit Nismëtar të PD-së. Hyn Azem Hajdari: "Studentët e pedagogët mbyllën derën e Pallatit të Kulturës në Qytetin e "Studentëve". Janë futur në grevë urie. Ju vazhdoni mbledhjen. Unë do të shkoj tek studentët!" Dy orë më vonë u ngjita në Qytetin e "Studentëve". Ishte krijur Komisioni Drejtues i grevës. Bënin pjesë: Arben Lika, Arian Manahasa, Blendi Gonxhe, Mesila Dode, Ndue Lugja, Ilir Dizdari, Ridvan Peshkëpia etj…Gjallëri e madhe. Veç studentëve kishte edhe qytetarë. Një radhë e gjatë. Kishte kërkesa për vetëngujim. Çudia më e madhe e këtij fundshekulli! Ndoshta e paparë. Sakrificë 723 jetë të rinjsh! Dhe përse? Për të hequr emrin e diktatorit nga universiteti?!

U ktheva në shtëpi. Ndjeja një trysni. Vendosa të shfletoj skedat. (Në atë mot në Tiranë, nuk kishte më shumë se 5-6 kompjutera.) Fillimisht pa ndonjë qëllim. Shënimet i lexoja jo duke ndjekur kronologjinë e ngjarjeve, por të kundërtën e tyre. Një frazë e nënvizuar: Disa ditë më parë u përurua nga studentët "Sheshi i Demokracisë"… Sheshi? Diçka më ngacmoi kujtesën. Një shesh i largët. U ktheva në kohë. Sheshi "Tjenanmen" në Pekin! Pranvera kineze '89. Mijëra studentë ato ditë qershori manifestuan për demokraci të vërtetë... Kundër tyre ushtria mbi tankse. Zjarr!... 3 mijë të vrarë… U trondit bota. Qindra reportazhe. Kronika. Deklarata nga aktorët politikë.

Fransua Miteran, President i Francës: "Një regjim që për të mbijetuar qëllon mbi të rinjtë, nuk ka të ardhme". Theçer, Kryeministre e Anglisë: "Të qëllosh si i verbër kundër popullit! A nuk flet kjo për diferencat midis shoqërisë demokratike perëndimore dhe shoqërisë socialiste".

Ora 22:00.

Bie telefoni...Alo...Kemi mbledhjen e Komisionit Nismëtar... Ju presim...Po pse? Partia Demokratike kishte propozuar një referndum mes studentëve dhe pedagogëve për heqjen e emrit të diktatorit nga universiteti. Referendumi do të ishte i vlefshëm, nëse 70 përqind votonin pro. Ndërkohë, partitë politike kishin kërkuar një takim me Presidentin Ramiz Alia. Berisha, Azemi, Eduardi dhe Preçi ishin nisur që në ora 21:00. Po kalonte ora 1… Disa humbën durimin dhe u larguan për në shtëpi. Unë me Frrok Çupin, kryeredaktorin e "RD"-së, vendosëm të presim tek dera e Presidiumit. U hap porta. Takuam Eduard Selamin:

-Nuk ka perëndi që e kupton Ramiz Alinë! Vetë e pranoi në fillim idenë e një referendumi për heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga universiteti. Por e dini si e përfundoi takimin? Nuk ka bazë ligjore për një veprim të tillë?!

U vendos të shkonim për të biseduar me përfaqësinë e studentëve dhe të pedagogëve. Ndërkohë, ora kishte arritur 02:00. Për shumë kohë më mbeti e regjistruar në mendjen time pamja e kordinatorëve, e shkallëve dhe sallave, ku kishin zënë vend studentët. Shumica flinin përtokë, duke shtruar në çimento nga një batanie. Disa rrinin ende mbi karrige. Të tjerë luanin me letra.

U futëm në një dhomë të veçantë. U ulëm. Mes nesh ishte Ylli Vejsiu, Përparim Dervishi, Blendi Goxhe, Ridvan Peshkëpia. Për disa çaste ra qetësia. Një qetësi mbytëse. Përfaqësuesit e studentëve dhe të pedagogëve, edhe pse të lodhur e të cfilitur edhe pse të pagjumë, mendjen e kishin të kthjellët. Të gjithë kishin një mendim: "Nuk është koha për kompromise! Nuk dalim nga ngujimi pa lexuar vendimin e qeverisë: Universitetit të Tiranës t'i hiqet emri i Enver Hoxhës! Ky është postulati i studentëve. Çdo alternativë tjetër është e pavlefshme". U larguam. Tek dera takova djalin e motrës, studentin e Arteve Artjan Myrtezai!

- E mor dajë! Mos doni të na shisni?!...

E martë, 19 shkurt. Ora 23:00.

Bie dera..."Ju presin në selinë e Partisë Demokratike". Nga ora 21:00 përsëri Presidenti në tavolinën e rrumbullaktë me përfaqësuesit e partive. Orë të tëra bisedimesh. Orë të tëra duke pritur! Shumica ishin skeptikë. Por përsëri kishim një fije shprese: Jeta e të rinjve vlente më shumë se sa idiomat politike!

Ora 01:30.

Në sallë hynë të dërguarit e PD-së. Dukeshin të lodhur. Të dërrmuar. E mori fjalën Sali Berisha:

-E çuditshme! Ramiz Alia mendon ta zgjidhë problemin me një formulë që ka për autorësi ministrin e Arsimit, Skënder Gjinushi! Edhe pse kemi të bëjmë me një formulë politike jashtë realitetit, nuk mendoj të bëhemi ne sebep si parti për ta hedhur poshtë. (Ishte ky mendim i të gjithëve). Nuk do të ishte keq të shkojmë tek studentët së bashku me Skënder Gjinushin, i cili po na pret përjashta.

Ora 02:00.

Përsëri midis përfaqësuesve të studentëve. Biseda ishte e ashpër. Studentët ishin të acaruar. U lexua formula. Universiteti do të ndahej në katër pjesë. Asnjë universitet i ri nuk do të mbante emrin e Enver Hoxhës. Do të nënshkruhej një kontratë midis përfaqësuesve të studentëve dhe ministrit të Arsimit.

Jo. Jo. Dhe Jo! Pa lëshuar një deklaratë qeveria ku të shkruajë se ka vendosur t'i hiqet emri i Enver Hoxhës Universitetit të Tiranës, ne nuk heqim dorë nga greva e urisë, thanë studentët. Folën disa anëtarë të Komisionit Nismtar të Partisë Demokratike. Askush nuk u bind. Më në fund u vendos:

- Përfaqësuesit e Partisë Demokratike le të largohen. Do të bisedojmë vetëm me ministrin e Arsimit.

Duke zbritur sallën, ndërsa gjarpëronim midis këmbëve të studentëve që flinin në çimenton e ftohtë, në errësirë u dëgjua një zë: "Këta janë mjeshtra: E shndëruan politikën në ekuacione e formula matematike! Lum kombi që e ka ministrin e Arsimit profesor Matematike, me shkollë franceze?!"

E mërkurë 20 shkurt

Që në mëngjes herët në Tiranë u dha kushtrimi. Mijëra punëtorë, nxënës, pensionistë, fëmijë, studentë morën rrugën drejt Sheshit të "Demokracisë". Përmasat e sheshit nuk mund të mbanin brenda një kryeqytet të tërë. Në shërbim të popullit u vunë taracat, dritaret e godinave. Ballkoni i një godine u shndërrua në tribunë. Folën shumë. Një zë i kthjellët u shpërnda në eter. Kush flet? Ç'është ky zë i njohur. Pa dëgjoni: Po flet Rajmonda Bulku!... Po çfarë tha se nuk e dëgjova mirë?... U bën thirrje grave, nënave tiranase që të shkojnë e të manifestojnë tek Sheshi "Skënderbe"!

Turma u elektrizua dhe u derdh tatëpjetë drejt rrugës së "Elbasanit"…Mbi 100 mijë vetë. Tek Liceu njerëzve u dalin. Përpara rreshta policësh me skafandra dhe armë. Një zjarrfikëse lëshoi me presion ujë me ngjyrë të kuqe. Disa gra rrëzohen për tokë nga presioni i ujit. Populli u irritua. Qentë e policisë u vërsulën njerëzve, ndërsa zbrazën kallashnikovë mbi kokat e protestuesve, të cilët qëllojnë me gur dhe sende të forta policinë dhe forcat speciale. Turma çan përpara drejt Sheshit "Skënderbej"…Ndalesa e dytë para TVSH-së. Krisma armësh. Ushtarë e policë në "roje". Populli që therriste: "Ushtria është me ne!" Një makinë që "villte" ujë me ngjyrë mbi turmat…

Ora 11:00.

Pesëmbëdhjetë gra e vajza, të prira nga Afërdita Havari, ngjitën shkallët e Presidiumit. Kërkuan takim me Presidentin. Do ta njoftojmë, tha sekretari. Kaluan minutat. Gratë prisnin. Fluturuan 50 minuta. Presidenti nuk po dukej. Mos u mërzisni, qetësonte sekretari. Ai do të vijë nga çasti në çast… Në kufijtë e pritjes prej një ore u hap dera dhe u duk Lumturi Rexha, kryetare e Gruas me dy-tre të tjerë… Po këta çfarë duan?! Ne, në emër të nënave tiranase, kërkuam takim me Presidentin e jo me shoqen Lumturi!.. Presidenti është i zënë. Ka punë. Situata...

Ora 12.30

Ndërkohë turma mbushi Sheshin "Skënderbe". U ngjita në verandën e hotel "Tirana". Përpara shtrihej sheshi, si një ekran gjigand televizioni. Turma që shtyhej. Në krye të turmës printe grupi i të persekutuarve politikë: Albert Risilia, Ardian Heta, Hyget Borova, Sanije Vojka, Astrit Hatellari, Vera Rada, Lida Bezhani, Lindita Hamiti, Liliana Llapaj, Indrit Sukaj, Ilir Çumani, Gëzim Vojka, Hysen Hamiti, Gjolek Aliu, Arben Beli, Arben Rama, Seit Mici, Hajredin Fratari, Xhemal Zhuri, Luigj Bytyçi, Maksim Çali, Durim Hoxha, Hajrije Hasanaj, Ismete Rushiti, Zyhra Izeti, Agron Spaho, Dorant Vojka dhe shumë e shumë të tjerë.

...Policë që mbronin. Ushtarë me qen për dore që vraponin. Dy makina amfibe që hidhnin ujë mbi turma…Krisma. Automatikë…Një pjesë e turmës ngjiti shkallët drejt bustit…Policët i shtynë…Dy tre ngjitje e zbrite dhe busti u rrethua nga turma… Astrit Hatellari me dy djem të rinj mbajnë në duar një litar...Një makinë "IFA" e drejtuar nga Adrian Heta i afrohet monumentit. Litari përfundon rreth qafës së diktatorit. Makina e tërheq. Disa lëkundje dhe... litari këputet... Në makinë u gjet një kavo çeliku. E vendosin rreth bustit dhe gishtave të dorës...Makina tërheq...Turma shtyn...

Ora 14:05.

…Disa lëkundje dhe busti i Enver Hoxhës u rrëzua për tokë. Qëndroi ai në Sheshin "Skënderbej" 858 ditë. Nuk e ruajtën dot bustin as policët, as sampistët, as dekreti special për mbrojtjen e monumenteve... Trupi i diktatorit në bronz u "pushtua" nga turma. Makina e tërhoqi zvarr. Afër godinës ku kanë Selinë të Përdjekurit Politikë, monumenti i Enverit u nda në dy pjesë…Dikush thirri: "Drejt rrugës së "Kavajës"…Turma ecte. Busti zvarritej…Qëndroi para selisë së Partisë Demokratike, karshi selisë së Kishës Ordhodokse…Pa kuptuar "mbinë" ushtarë të Gardës…Qëllonin në ajër…Agim Buxheli filmonte, duke qëndruar mbi murin rrethues së godinës…Turma u largua…Busti mbeti në mes të rrugës…U afrova…Trupit i mungonte koka... Koka në Stamboll, trupi në Janinë…Të vranë Ali Pasha, o Ali të shtrinë…Me motivet e kësaj kënge, mora rrugën tek studentët e ngujuar në grevë urie…

…Në hyrje të godinës, koka prej bronzi e diktatorit…Rreth qafës një litar. Përpjekje për ta ngjitur kokën në katin e dytë…Shumë bronz i derdhur. I rëndë…Nga dritaria e katit të dytë "oshëtiu" një thirrje: "Nuk e vlen që koka e diktatorit të ngjitet lart dhe të futet në sallën e grevës së urisë! Uleni!"…Dhe bronzi u përplas në çimento…Lëshoi një tingull të zgjatur…Rënkimi i fundit i kokës së Enveri!...Një realitet i rrethuar nga një mallkim mistik për rracën e diktatorëve…

Ora 21:00.

Studentët janë larguar nga Kinoklubi. Në salla, në korridore ka rënë qetësi…Në hyrje të godinës një kokë gjigante…Në vetmi…Mes mbetjeve të grevës…Në të njëjtën ditë kishin rënë nga piedistali bustet e diktatorit të mallkuar në Durrës dhe Korçë…

No comments: