Thursday, July 15, 2010

Përkujtohet në Sarajevë Bekim Fehmiu

Përkujtohet në Sarajevë Bekim Fehmiu
Përkujtohet në Sarajevë Bekim FehmiuSARAJEVË- Në kujtim të aktorit Bekim Fehmiu, i cili vdiq më 14 qershor 2010, festivali “Sarajevo Film Festival”, në edicionin e 16-të do të organizojë një transmetim gala të filmit kult të vitit 1967 “Mbledhësit e puplave” me regji të Aleksandar Petroviçit, ku aktori më i madh shqiptar i kinematografisë luan rolin e Beli Boras.

Organizatorët e festivalit “Sarajevo Film Festival” theksojnë se gjithmonë kanë pasur në fokus filmat dhe autorët rajonalë, ndërkohë që në këtë edicion duan t'i bëjnë homazh njërit prej aktorëve më të mëdhenj të këtij rajoni. Edicioni i këtij viti i Festivalit të Filmit në Sarajevë, një ndër më prestigjiozët në rajon, do të fillojë më 23 korrik për t’u mbyllur në ditën e fundit të këtij muaji.

''Bekim Fehmiu ishte pa dyshim një nga aktorët më të mëdhenj të rajonit tonë. Me talentin dhe performancat e tij, ai kaloi kufijtë e ish-Jugosllavisë dhe u bë një nga aktorët e parë që iu bashkua botës së yjeve evropiane dhe botërore'', tha drejtori i Festivalit të Filmit të Sarajevës, Mirsad Purivatra. Fehmiu ka luajtur disa role të suksesshme gjatë karrierës së tij. Sidoqoftë, ai do të mbetet në kujtesë me rolin e Beli Boras në filmin ''Mbledhësit e puplave'', i cili ka marrë çmimin “Grand Prix” të jurisë në Festivalin e Filmit në Kanë në vitin 1967, sikurse edhe çmimin “FIPRECI”.
(m.a/ata/BalkanWeb)

No comments: