Thursday, July 15, 2010

Bardhi: ASN-ja dyshues ndaj shqiptarëve si në komunizëm

Kryetari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, deputet i saj në Parlamentin malazias e anëtar i Komisionit parlamentar për siguri dhe mbrojtje, Mehmet Bardhi, në mbrëmjen e së hënës nuk e ka votuar raportin e Agjencisë së Sigurisë Nacionale /ASN/ malazeze për vitin 2009.

“Ky dokument në vete përmban vlerësime të papranueshme mbi kërkesat politike të shqiptarëve në Malin e Zi”, është shprehur Bardhi. Politikani më i vjetër te shqiptarët në Mal të Zi, Mehmet Bardhi, u tha gazetarëve se në këtë raport të ASN-së edhe më tej, sikur në kohët e komunizmit, jepen vlerësime politike mbi kërkesat e shqiptarëve në Malin e Zi, raporton KosovaLive.

Sipas Bardhit, ASN nuk ka nevojë që të merret me çështjet politike të shqiptarëve në Malin e Zi dhe kërkesat e tyre, meqë kemi të bëjmë me të drejtat tona kushtetutare dhe natyrore.

Raporti u miratua me shumicën e votave të përfaqësuesve të mazhorancës. Kryetari i Komisionit parlamentar për siguri dhe mbrojtje, Mevludin Nuhodjic, u ka thënë gazetarëve se në përfundimet mbi raportin theksohet se “lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është interes shtetëror” edhe ka ftuar të gjitha subjektet për bashkëpunim intensiv për çrrënjosjen e këtyre dukurive negative. /Koha Net/

No comments: