Miq, kolegë, të afërm e familjarë i jane drejtuar Biblotekës Kombëtare
në kryeqytet për të përshëndetur për herë të fundit, Ardian Klosin.
Homazhet në nderim të publicistit Ardian Klosi nisën rreth orës 12:00 dhe do mbyllen ne oren 14:00.
Personalitete
te ndryshme te artit, kultures, politikes e shoqerise kane ngushelluar
bashkeshorten dhe 2 vajzat e Klosit ne homazhet ne nderim te
publicistit.
Homazhe pranë arkivolit të të ndjerit kreu dhe Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i shoqëruar nga disa deputetë socialistë.
Rama pasi përfundoi homazhet në Biblotekën Kombëtare shkruan në rrjetin social Twitter
“Ardian
Klosi,vdiq për të mos vdekur kurrë. Njerëz të letrave e njerëz të
zakonshëm po i japin lamtumirën Danit në Bibliotekën Kombëtare ku miku i
tij Aurel Plasari organizoi homazhet. Dani do të dalë nga biblioteka
për të shkuar në shtëpine e fundme në varrezat e Sharrës, ashtu sic
vendosi vetë”.
Paskal Milo, politikan, kreu i PDS theksoi se Klosi është një nga korifejtë e botës së intelektualëve dhe do kujtohet përherë si i tillë.
“Nganjëherë
nga kjo botë kështu si pa e kuptuar lindin mjaft njerëz që nuk i
manifestojnë vlerat e tyre të vërteta sepse janë shumë thjeshtë, janë
njerëz që mbi të gjitha tregojnë me anonimalitetin e tyre, gjithë botën e
tyre të brendshme intelektuale që kanë. Dhe Ardiani kishte një botë
shpirtërore të pasur dhe nuk lodhej të manifestonte ato vlera.
Të
vjen keq për cdo humbje njerëzore, por kur humbin vlera të tilla të
rralla, është e vështirë ta pranosh. Dani do kujtohet si një nga
korifejtë e intelektualizmit shqiptar, kështu do kujtohet përherë”
Ministri i Kulturës Turizmit Rinisë dhe Sporteve,
Aldo Bumci
në përfundim të homazheve në Bibliotekën Kombëtare theksoi se, "sot
shenohet humbja e nje aktivistt te palodhur dhe humbje e një prej zërave
intelektualë".
I pranishëm në homazhe, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së,
Luan Rama e konsideroi humbjen e Klosit si humbje të një njeriu me dimensione të mëdha.
“Është
një humbje e rëndë dhe e pazëvendësueshme për familjen dhe tërë
opinionin. Humbja e një njeriu me dimensione të spikatura. Nderim dhe
mirënjohje për gjithshka që ka bërë , sidomos në letrat shqipe. Të
gjithë kemi se cfarë të gjejmë si referencë të vlerave në gjithë
veprimtarinë e Klosit, për ta ruajtur si shembullin e qytetarit të
vendit.”
Ndërsa për bashkëpunëtorin e tij
Remzi Lani, Klosi ishte një përkthyes i jashtëzakonshëm, publicist , një mendje e lirë dhe e hapur.
Homazhet zgjaten 90 minuta.
Në orën 14:00, trupi i pajetë i Klosit do të niset drejt varrezave të Sharrës, aty ku do të prehet përjetësisht.
Publicisti
Ardian Klosi u vetëvar rreth orës 21:00 të së enjtes në banesën e tij
në afërsi të Liqenit Artificial, në një ambient të përshtatur si depo.
Sipas policisë nga hetimet e para rezulton se 55-vjeçari kishte disa
kohë që vuante nga gjendja depresive, si dhe kishte tentuar disa herë të
vetëvritej.
Pak kohë më parë, Klosi u shtrua në spital pasi
kishte pirë një sasi të madhe ilaçesh, por për fat ndihma e shpejtë
mjekësore e shpëtoi nga vdekja. Mbrëmjen e së enjtes sapo është gjendur i
vetëm në shtëpi, ka ndërmarrë aktin tragjik të vetësakrifikimit.
(d.b/BalkanWeb)
Vetëvrasja, Timo Flloko: 20 minutat e fundit me Danin
KLODIANA LALA
Vetëvrasja tragjike e Ardian Klosit e ka trishtuar pafund aktorin e madh
Timo Flloko. Me dhimbje, Flloko rrëfen momentet e fundit që kaloi me
publicistin, vetëm pak orë para se Dani siç e thërret ai, ndërmori aktin
tragjik. Për aktorin e madh, miku i tij Ardian Klosi ishte një ishte
një intelektual i klasit të parë, elitist në idetë e tija, një përkthyer
i rangut të parë e një personalitet shumë dimensional. "Si njeri i madh
që ishte, ai bëri një zgjidhje. Të mëdhenjtë nuk gjykohen për zgjidhjet
që bëjnë", - shprehet Timo Flloko. Aktori zbardh edhe mesazhin e fundit
që publicisti la për të shoqen Jutta, përpara se të vetëvritej...
Z.Flloko, jeni personi i fundit që e keni takuar të ndjerin Ardian Klosi. Si ishin momentet e fundit me të?
Vdekja
ishte një fatalitet. Një gjë që në fakt, në çast nuk e besova dot dhe
ende nuk e besoj. Unë zakonisht shkoj bëj shëtitje dhe tani që është
hapur rruga e makinave shkoj drejt e mbërrij deri në skaj ku ndodhet
shtëpia e Danit. Ndonjëherë e thërras. Ai ka një pemë jargavanësh në
kopësht. Ndonjëherë e merrja në telefon dhe i thoja Dani më këput nja dy
degë jargavanësh. Kemi qenë miq. Nganjëherë kemi bërë projekte bashkë,
Hajnen, Gëten e Kafkën. E mora në telefon dje (të enjten); Dani je aty?
Thotë; Po. Më këput nja dy degë. Kam frikë se janë tharë, po diçka ka
mbetur. Mirë i thashë, po priji të gjata. Kaq ishte telefonata dhe shkoj
i afrohem gardhit. Rreth orës 19:00 apo 19:30. Ishte paksa muzg.
Ndërkohë dëgjoj Juttën, të shoqen (fotografja gjermane Jutta
Benzenberg), që më thotë Timo hajde pije një kafe. Thashë jo, dua të
vazhdoj që të eci. Nejse. Më tha dhe njëherë dhe u futa brenda. U ulëm,
Dani solli jargavanët, Jutta këputi nja dy trëndafila. U ulëm dhe folëm.
E pyeta a kishte qenë në Dardhë. Ishte kënaqur shumë, kishte një dy tri
ditë që ishte kthyer. Tha Dardha është vend shumë i bukur. Nga
lartësitë e saj mund të shohësh Olimpin. Më tha ke qenë ndonjëherë. Po
kam qenë i thashë. Dardha, Qyteza e Sinica janë fshatra shumë të bukura.
Biseda tjetër ishte se çfarë kishte bërë këto ditë. Tha se kam parë një
ekspozitë interesante të Fatos Lubonjës. Folëm për Brehtin, të cilin
donte ta ribënte në muajin maj, poezitë erotike të tij që kishim dhënë
shfaqje në Black Box, në Akademinë e Arteve. Pastaj folëm për Faustin. E
për mundësinë e zgjedhjes së Presidentit. Madje i thashë një moment: Ja
ti mund të ishe një President potencial. Ai qeshi. Tha Jutta, po dhe
unë kështu mendoj. Më mirë të jetë ndonjë femër tha. Nejse. Biseda
rrodhi sërish për Faustin, për përkthimin e tij. Kjo ishte pak a shumë e
gjitha, nja 15 apo 20 minuta. Një bisedë shumë e ngrohtë, por unë nuk
munda të konstatoj në asnjë moment ndonjë trishtim apo melankoli në sytë
e tij. Ishte shumë i qetë. Erdhi fjala për vajzën e tij (Katerina,
vajza e vogël). E pyeta se çfarë do të vazhdojë. Më tha që vajza do të
studiojë në Gjermani, mundet për regjizurë, mundet për diçka tjetër.
Vajzën tjetër e ka në Paris (Ana, vajza e madhe). Ishte krejt normal. Më
përcolli teksa dilja. I them ky vend është shumë i bukur. Edhe këtu
është një natyrë e bukur. Aty tek porta, teksa po e mbyllte Jutta më
thotë do zbresësh në qytet? Po i thashë unë. Po ti je me makinë e pyeta.
Po më tha. Po mirë i thashë ti shko, se unë po eci sepse dua të eci.
Mora lulet. Në momentin e fundit, Dani mbylli portën, i vuri ganxhën.
Jutta doli, u nis me makinë. Unë i prek dorën dhe i thashë Dani më merr
në telefon sepse jam i lirë këto kohë, kur të duash më merr. Gjithmonë,
që kur morëm vesh që ndodhi shtrimi i tij në spital, kam dashur të
tregoj sigurisht më shumë dashuri ndaj tij. Ai ishte i 'hollë' dhe e
kuptonte. Në fund i thashë, këto jargavanët si diçka nga Fausti. Qeshi
dhe më pa, mirë Timo do të shihemi më tha. Ky ishte fundi. Unë mora
rrugën tatëpjetë. Pas afër gjysmë ore më merr motra e tij Mira dhe më
tha se çfarë kishte ndodhur.
Nga shtrimi në spital e deri në momentin e fundit ju kishte lënë të kuptonit se do të shkonte deri në këtë pikë?
Kishim
folur. Atëherë më kishte thënë se ka ekzagjerim në këtë se çfarë
thuhet. Nuk kam dashur të flas në detaje për sëmundjen e tij dhe nuk kam
folur në fakt absolutisht për të. Ka qenë një çështje "No comment!".
Sigurisht nuk e kam hapur atë temë. I kam thënë je mirë?. Po jam mirë,
ka thënë. Kishte nisur të ecte me biçikletë, të rikuperohej. Tani
sëmundjet janë të paparashikueshme. Unë do doja të thoja këtë gjë, ai
ishte një intelektual i klasit të parë, elitist në idetë e tija, një
përkthyes i rangut të parë, një personalitet shumë dimensional dhe si
njeri i madh që ishte, ai bëri një zgjidhje. Të mëdhenjtë nuk gjykohen
për zgjidhjet që bëjnë. Sigurisht është fatalitet ikja e tij, jo vetëm
për të afërmit, miqtë, por edhe për intelektualët shqiptarë, për letrat
shqipe, për të ardhmen. Por ai e la hijen e personalitetit të tij që
është e padiskutueshme. Iku i ri, 55 vjeç me atë kondicion fizik mund të
jetonte shumë më gjatë.
Mesazhin e fundit për kë e la z.Klosi përpara se të kryente aktin tragjik?
Ai
la një mesazh të shoqes. Mesazhi ishte ky. Unë po e perifrazoj siç ma
tha e motra. "Kaluam shumë bukur. Ishte fjala për atë pak kohë që kaluam
aty. Unë nuk mund të vazhdoj më. Kur të kthehesh eja pa vajzën". Ky ka
qenë mesazhi. Këtë si kohë duhet t'ia ketë çuar në kohën ka vendosur të
kryejë aktin; vetëvrasjen fatale.
Pasi u largua Flloko nga banesa e Klosit
E
bija Katerina, e bija e Ardian Klosit, e ka telefonuar e para policinë
duke njoftuar se babai i saj do të vetëvritej. Telefonata në polici
është bërë në orën 21:00 të mbrëmjes dhe duket se përkon pikërisht me
momentin kur e shoqja e publicistit, Jutta Benzenberg, mori një mesazh
ku Ardiani i rrëfente se do të vetëvritej, akt të cilin e ka realizuar
deri në momentin kur familjarët kanë mbërritur në shtëpi.
Teksti i mesazhit që Ardian Klosi i dërgoi të shoqes Juttës para se të vetëvritej:
"Kaluam shumë bukur. Ishte fjala për atë pak kohë që kaluam aty. Unë nuk mund të vazhdoj më. Kur të kthehesh eja pa vajzën".
Publicisti
Ardian Klosi u vetëvar rreth orës 21:00 të së enjtes në banesën e tij
në afërsi të Liqenit Artificial, në një ambient të përshtatur si depo.
Sipas policisë nga hetimet e para rezulton se 55-vjeçari kishte disa
kohë që vuante nga gjendja depresive, si dhe kishte tentuar disa herë të
vetëvritej. Pak kohë më parë, Klosi u shtrua në spital pasi kishte pirë
një sasi të madhe ilaçesh, por për fat ndihma e shpejtë mjekësore e
shpëtoi nga vdekja. Mbrëmjen e së enjtes sapo është gjendur i vetëm në
shtëpi, ka ndërmarrë aktin tragjik të vetësakrifikimit. Homazhet në
nderim të publicistit Ardian Klosi do të mbahen rreth orës 12:00-14:00
tek Bibloteka Kombëtare. Në orën 14:00, trupi i pajetë i Klosit do të
niset drejt varrezave të Sharrës, aty ku do të prehet përjetësisht.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
Ledi Shamku: S’ia fal vetes që nuk i ndenja më pranë Danit
Gjuhëtarja Ledi Shamku i përgjigjet e përlotur interesimin tonë. Për të
Ardian Klosi, që ajo e thërriste Dani, ishte miku më i mirë.
“Ishte
i vetmi shok i vërtetë që kisha, të tjerët thjesht i kam të njohur. Nuk
ia fal dot vetes që nuk i ndenja më pranë Danit, ka për të qenë brengë e
gjatë, por m’u duk mirë. Kam një peng në zemër, që do të më gërryejë
gjithë jetën. Më mori para dy ditësh në telefon dhe nuk iu përgjigja se
isha në komision. As këtë nuk ia fal vetes kurrë, sepse unë nuk
e telefonova më...”, tregon ajo përmes ngashërimeve.
Shamku
shprehet se, takimi i fundit me Danin ka qenë para pasditja e para 5-6
ditëve dhe aty ai i ka shprehur dëshirën t’i kthehej albanologjisë,
madje donte të fillonte punë në Institutin e Gjuhësisë, por njëkohësisht
mendonte t’i rikthehej mësimdhënies duke edukuar brezin e ri të
studentëve me leksione në fakultet.
Shamku rrëfen se, publicisti
Klosi s’donte të merrej më me të huaj. “E ndjeva zërin që i dridhej,
por m’u duk se i kishte kaluar problemet. Kishte një tufë planesh në
duar, po mblidhte për të botuar më të mirat shkrime të Aleksandër
Xhuvanit dhe rrëfimet e të vjetërve mbi kalanë e Elbasanit”, përfundon
ajo.
(GazetaShqiptare/BalkanWeb)
Shkrimi i fundit para vdekjes nga Ardian Klosi

Shkrimi i mëposhtëm është publikuar më 2 prill 2012 dhe ishte i fundit që u shkrua nga i ndjeri Ardian Klosi.
Një njëmijëvjeçar e gjysmë
Nga Ardian Klosi
Ka
dalë para pak kohësh pranë shtëpisë botuese Pusted në Regensburg të
Gjermanisë një vepër e përmasave të mëdha për historinë e Ballkanit:
Historia e Europës Juglindore – nga mesjeta e hershme deri në ditët e
sotme, nën kujdesin e Konrad Clewingut dhe Oliver Jens Schmittit.
Institucione
botuese të këtij bleu voluminoz që përfshin 840 faqe të një tipografie
të imët, janë Instituti i Europës Juglindore në Regensburg dhe Instituti
i Historisë së Europës Lindore në Vjenë. Konrad Clewing, i datëlindjes
1967 është studiues i historisë së kohës së re në vendet e Ballkanit dhe
nëndrejtor i institutit të Regensburgut, ndërsa Oliver Jens Schmitti, i
mirënjohur në vendin tonë për librat “Arbëria venedike” dhe
“Skënderbeu”, lindur më 1973, është studiues i arealit ballkanik për
mesjetën por edhe kohën e re, profesor i institutit vjenez, njëkohësisht
anëtar i Akademisë së Shkencave të Austrisë.
Grupi i autorëve
përgatitës përfshin veç dy historianëve të lartpërmendur edhe: Ulf
Brunnbauerin, Markus Kollerin, Peter Mario Kreuterin, Wim van Meursin,
Michael Portmanin, Günter Prinzingun, Gottfried Schrammin, Holm
Sundhausenin, Betrix Romhányin, Harald Rothin dhe Daniel Ursprungun.
Anekse
të këtij vëllimi janë: një tabelë me konkordancat e toponimeve kryesore
të rajonit; një listë e ngjarjeve më të rëndësishme për epokën nën
vështrim, një parathënie e dy profesorëve përgatitës, një bibliografi e
përgjithshme, indeksi i personave të përmendur dhe një kapitull
hartografik me 16 harta me ngjyra e po aq në bardhezi.
Libri
duhet përshëndetur për disa arsye: Ai vijon traditën më të mirë të
historiografisë së gjuhës gjermane me objekt Europën Juglindore; autorët
e tij janë jo vetëm historianë të tablove të gjera por edhe specialistë
të ngushtë për vende dhe periudha të caktuara; së treti, mënyra e
trajtimit është e çliruar nga çdollojpartiprije e sidomos këndvështrimi
të ngushtë nacionalist.
Katërmbëdhjetë nënndarjet kryesore të
vëllimit janë si vijon: 1. Europa Juglindore: hapësirë dhe histori; 2.
Nga 500 në 900 mbi truallin e spastruar romak: aleanca
politike-ushtarake dhe krishterizimi i dytë (kapitull i shkruar nga
Gottfried Schramm, i mirënjohur për librin e tij mbi besët dhe teorinë e
prejardhjes së shqiptarëve prej tyre); 3. Sundimi perandorak dhe
konsolidimi brendarajonal në mesjetën e lartë: Bizanti dhe bota e
shteteve të Europës Juglindore; 4. Mesjeta e vonë në Europën Juglindore
(me bashkautorë O.J. Schmitt dhe D. Ursprung); 5. Europa Juglindore nën
shenjën e sundimit perandorak: Perandoria osmane nga shek. 16 në shek.
18; 6. Nën shenjën e sundimit perandorak: Europa Juglindore nën sundimin
e krishterë në fillimet e Kohës së Re (bashkautorë Harald Roth dhe O.J.
Schmitt); 7. Shoqëria dhe kultura në Europën Juglindore nga fillimi i
shek. 19 deri në mes të shek. 20; 8. Sistemi i shteteve dhe veprimi
brendashtetëror në një hapësirë multikulturore: Europa Juglindore në
shekullin e gjatë të 19 (shkruar nga K. Clewing); 9. Historia politike e
Europës Juglindore nga 1918 deri më 1945; 11. Shoqëria dhe shndërrimi
shoqëror në Europën Juglindore pasi vitit 1945; 12. Ndërtimi i kombeve
dhe nacionalizmi në Europën Juglindore (shkruar nga K. Clewing); 13.
Krizë, stabilizim dhe integrim: historia politike e Europës Juglindore
pas fundit të socializmit, e në mbyllje 14. Epilog: shtresëzimet kohore
të së tashmes në rajon (nga dy përgatitësit).
Si mund të përkufizohet rajoni?
Njëra
nga përgjigjet, shkruajnë autorët, mund të ishte: Ajo pjesë e Europës
që ka nënndarjet më të shumta gjuhësore dhe kulturore. Është një
hapësirë që përfshin gjithë çka shkon nga Hungaria historike në Egje e
në Bosfor, me rreth 100 milionë banorë, një e treta e të cilëve flet
gjuhë sllave, rreth 24 milionë flasin rumanisht, nga rreth 10 milionë
flasin hungarisht, greqisht, turqisht, rreth 6,5 milionë flasin shqip,
pa përmendur folës të grupeve më të vogla gjuhësore.
Sado që
rajoni mund të shihet si njësi historike, atij nuk mund t’i përfytyrojmë
kufij të ngurtë, përkundrazi, duhen theksuar breza të gjerë kalimtarë
që e lidhin p.sh. në drejtim veriperëndimor me Europën Qendrore
gjermane, në verilindje me hapësirën sllavoperëndimore e lindore, në
perëndim me zonën adriatike që ka vulën italiane, ndërsa në juglindje me
Azinë e afërme. Kufij të palëvizur gjeografikë Europa Juglindore ka
vetëm me detet…
Përse jo histori vendesh të veçanta?
Historia
e Europës Juglindore nuk mund të jetë një renditje historish të veçanta
kombëtare. Shumica e shteteve kombëtare në këtë rajon janë relativisht
të reja, identitetet përkatëse kombëtare (por jo të gjitha identitetet
etnike-kulturore) janë, ashtu si në pjesë të tjera të Europës, rezultat i
zhvillimeve nga shek. 19 në shek. 21. E sidomos renditja e historive të
veçanta kombëtare do të fshihte ato tipare të shumta të përbashkëta që
dallojnë hapësirën historike Europë Juglindore, të cilat i kapërcejnë
kufijtë gjuhësorë dhe etnike. Një mënyrë të vështruari kombëtare do të
dështonte edhe për shkak të larmisë etnike e fetare, që aq shumë është
shkatërruar në shek. 19 e 20, si dhe për shkak të mungesës së hapësirave
të mëdha homogjene etnike.
Përse nis kjo histori në mesjetën e hershme?
Përjashtimi
i lashtësisë u bë mbi bazën e një konvencioni, i cili lidhet me
kompetencat e historianëve autorë. Hartuesit shpresojnë që një botim i
ardhshëm të mbulojë epokën antike; ata theksojnë se janë të vetëdijshëm
për nënshtresën e kulturës mesdhetare, përveç asaj greke të lashtë, në
rajonin europianojuglindor – ndryshe nga bota e sllavëve të lindjes ose
të perëndimit; gjithashtu për lidhjen gjuhësore që kanë me lashtësinë
grekët, rumunët e arumunët si dhe shqiptarët.
Gjithsesi, fillimi
me mesjetën e hershme e ka dhe një përligjje: Shumë më tepër sesa në
pjesën perëndimore të Perandorisë romake, shpërbërja e perandorisë së
Lindjes në thuajse gjithë Europën Juglindore ishte një prerje e thellë.
Më pak shtegtimet gjermanike dhe shumë më tepër zaptimi i tokave prej
sllavëve dhe dyndjet e popujve të stepave (sikurse ishin hunët, avarët,
protobullgarët, magjarët) i shkatërruan thuajse krejtësisht qytetërimin e
antikitetit të vonë, botën e qyteteve dhe kishën e krishterë si bartëse
të kulturës, duke e ndryshuar nga shek. 6 në shek. 10 prej themeli
fytyrën gjuhësore dhe kulturore të Panonisë e të Gadishullit ballkanik.
S’na
mbetet veç të urojmë në një të ardhme të afërt një botim të plotë në
shqip të kësaj vepre sa informuese aq dhe profesionale në tablotë dhe
analizat që shtjellon. (Shkrimi i botua tek Shekulli)
Qosja: Vdekjen na e shkaktoi ndotësia politike
Një nga personalite tet më të shquara të letrave shqipe, shkrimtari,
historiani dhe studjuesi, Rexhep Qosja e cilësoi një humbje të madhe
ndarjen e parakohëshme nga jeta të publicistit, Ardian Klosi. Sipas tij
kjo vdekje u shkaktua nga ndotësitë politike e intelektuale që sipas
Qoses kanë pushtuar shoqërinë shqiptare. “Më pikëlloi shumë vdekja e
Ardian Klosit. Ajo është vdekje për pikëllim të thellë e të
përgjithshëm, sepse ajo është vdekje e shkaktuar prej ndotësive politike
e intelektuale që e kanë pushtuar jetën shqiptare sot. I veçantë me
sjellje e me mendime, ai s’mund të pajtohej me këto ndotësi. Vdekja e
tij e papritur është dënimi më i madh që i shqiptohet kësaj rënie të
tmerrshme morale, politike dhe intlektuale në jetën tonë të sotme”, u
shpreh dje shkrimtari i njohur, Rexhep Qosja.
(d.b/GSH/BalkanWeb)
Papafingoja e krismës së thatë
NGA: EDI RAMA
Jemi tallur shpesh kahera me të papërmbajtur gaz për vdekjen e gjithnjë e
tallura mbaronte me hamend-jen se cili nga të dy do të shkruante
obituarin e tjetrit . Sikur s’vete të të lëvdonj kur të vdesësh se do ta
bëjnë të tërë, ndaj lermë të vdes unë më i pari, më thosh doktori, e
aman, shtyhej Dani më tutje, mos më lëvdo e bëj çmos t’i pengosh sa të
mundësh të më lëvdojnë, se do të detyrohem të ngrihem nga varri e t’i
bënj ta ndërrojnë menjëherë pllakën, nuk i duronj dot lëvdatat e tyre
teksa më kallin në dhe e unë s’u gjegjem dot.
***
Ishte ilaç i
fortë doktor Klosi, kështu e thërrisja e kështu i’a kam të shkruar edhe
emrin në celuarin nga e thirra për të fundit herë mbrëmë që s’ma hapi e
s’ma hapi të tijin në ato dekika tmerri, kur zilja e vet binte e binte
në shtëpinë buzë liqenit po ku i measnjëtëpërngjasuarin mik i shtrenjtë,
kishte lënë vetëm trupin e varur në Papafingon e Krismës së Thatë.
Krisma e Thatë ishte bërë pjesë e lojës sonë të fjalëve për vdekjen
qyshse me duart e tij që s’u binin veç tasteve të kompjuterit, po kapnin
edhe gurë për të bërë mure edhe vegla për të prerë e latuar dërrasa dhe
sajuar dyshemera e dritare, doktor Klosi ishte duke e ndërtuar me
kursime e hope atë shtëpi të paqme, larg Tiranës e mes ullishtave që u
bënë makthi i tij i madh ngaqë i zhbëheshin vit pas viti para syve prej
furisë barbare të ndërtimeve mbi liqen. Më ngjiti deri lart mes të
qeshurash në kantierin e tij prej ustai sqimatar, duke më treguar se si
kishte përzënë muratorë të pagdhendur e marangozë çaprazë, ngase i
kishte ardhur në majë të hundës se sa keq silleshin me gurët e me turrën
e dërrasave të palatuara, e më tregoi atë ditë edhe papafingon që
shikonte nga liqeri, një dhomë e vogël ku ai parashihte vendin ideal të
shkrimtarisë arratiake. S’do ta harroj kurrë si u var prej të qeshurës
së tij buçitëse mbi parvazin ende pa dritare, kur i thashë këtë e paske
bërë për t’ia dhënë vetes me një krisëm të thatë teksa mbi liqer ka rënë
muzgu i thellë e dëgjohen së largu krrakrrakrratë e zgalemëve të
errësirës. Hyri kësisoj Kërcitja e Thatë në lumin e shakave tona ku na
bashkangjitej hera – herës për lundrim edhe Kujtim Spahiu, miku i
pandashëm i fëmijërisë së Danit, kitarristi i famshëm i petroninsave të
Maturës ’72, në një trio që mbante me barkun në dorë prej të qeshurave
shpërthyese tavolinat e ziafeteve tona të herahershme me miq. Madje para
ca vitesh, në një artikull therës të radhës mbi masakrën mjedisore
doktori e pat përdorur në fund Krismën e Thatë dhe, si fare rrallë për
shkrimet e veta, më pat marrë në telefon për të më thënë duke qeshur,
lexoje lexoje se do kënaqesh andej nga fundi po s’u kënaqe që nga
fillimi.
***
Kishte shumë të mira doktor Klosi, shumë punë të
mira bëri e shumë të tjera u mundua të bënte pa i’a dalë dot, kështu që e
di fort mirë se s’do t’i pengonja assesi njerëzit e zgjuar ta lëvdojnë
për bëmat e tij në këtë ditë të shakasë së vet më të rëndë dhe prandaj
as mundimin nuk do ta marr sado të më mërzitet, le të ngrihet e t’ua
thotë vetë pot ë dojë lermëni rehat, por duke e mbajtur fjalën e dhënë
për të mos e lëvduar unë vetë në ikje të tij nuk rrinj dot pa e treguar,
jo për ta lëvduar jo, një të mirë që s’besoj se do t’ia vërë kush në
dukje ngase pakkush e ka njohur prej fare afër siç unë pata fatin. Eshtë
një e mirë e rrallë, shumë e rrallë, e mira e mendjeve të bekuara prej
një bujarie të rrallë të perëndisë, që rrallë shumë e kam ndeshur në
këtë jetë edhe pse jo rrallë jeta ma ka sjellë të takonj njerëz
mendjendritur, e mira e një ane tjetër të sensit të lindur të ironisë që
sivëllai im i shtrenjtë e kishte me pash. Ironizimi i vetvetes,
material i rrallë e prandaj fort i
çmuar i minierës së mendjes
njerëzore, që i jep njeriut të bekuar me këtë pasuri fuqinë e
jashtëzakonshme të të mospasurit kurrë frikë nga frika e as nga vdekja,
të të qenit gjithnjë i lehtë pupël prej vetëdijes së përkohshmërisë mbi
këtë tokë dhe ndaj edhe asnjëherë ngurrues për t’u përballur sy më sy me
idiotësinë njerëzore apo për ta refuzuar me shpoti banalitetin e së
përditshmes, e sidomos i jep fuqinë e të bërit pafundësisht xhibla me
vdekjen si në një lojë kukamçefthi brenda mendjes.
***
Ishte
gjenuin doktori në gjithçka bënte po edhe në gjithçka ëndërronte për
këtë vend, e donte Shqipërinë pa hile, i’a donte historinë këtij dheu pa
lajlet e lujlet e mbivendosura mbi lëkurën e vet si makijazhe vulgare,
i’a donte deri thellë në zemër bukuritë e vrazhda e prandaj u dha prej
vitesh me të gjithë fuqinë e qënies së brishtë në mbrojtjen e tyre prej
furisë barbare mbi Shqipëri, i’a donte të tëra hiret gjuhës shqipe ai e
kështu ndodhi që u përpoq shumë qysh në krye të herës të shtonte diçka
të vyer në vandakun e letrave të saj, i donte si nuk i donte edhe
njerëzit Dani, i donte në mënyrën e tij dhe them se i donte më shumë se
shumë ndër ata që dashurinë për tjetrin dinë ta nxjerrin lehtësisht në
sipërfaqe ndryshe nga ai. Por mbi të gjitha Dani ishte gjenuin në të
jetuarit e jetës si një mundësi që duhet marrë seriozisht, po pa e marrë
veten aq seriozisht sa të jepesh pas kotësive të kësaj bote derisa të
harrosh se në këtë botë ke ardhur për të menduar, kuptuar, dhënë dashuri
e mund, qeshur dhe ikur duke jetuar, jo për të marrë më shumë e më
shumë dhe ende më shumë akoma se ç’të duhet dhe për të ndenjur mbi tokë
përjetësisht, e prandaj edhe shakanë më të madhe ai nuk e bëri me
tjetërkënd po me veten, dhe nuk e bëri vetëm po bashkë me vdekjen, të
cilën në fund e talli keq duke i dhënë fund kukamçefthit me të pa lejuar
që ditën e hyrjes në shtëpinë e fundme ta vendoste ajo, Madhëria e
Gjithëfuqishme mbi kohën, e jo ai, doktor Klosi, vdekëtari i
gjithëvetëdijshëm për përkohshmërinë e vet.
***
Nuk e di doktor a
i qëndrova deri këtu ekzigjencës sate të vjetër për mos të të lëvduar
nëse ti do të ikje i pari, por një gjë duhet ta dish Dan, me këtë shaka
të rëndë plumb që bëre do ta kesh të pamundur përgjithnjë të harrohesh
këtyre anëve për punët e mira që bëre siç unë e di fort mirë se ti do të
kishe dëshiruar në fakt të ndodhte. E tani lejomë të të them edhe diçka
tjetër, mua vetë ma ke punuar keq fare sot duke ma bërë të pamundur të
të kërkoj mendim për çka kam shkruar për ty, siç bëja gjithnjë për
skripturat më të posaçme dhe siç nuk do të bëj më dot kurrë paskëtaj kur
në mbarim të çdo skripture nga ato që lypin dritën e syve të tu në
fund, do të më dërgosh vetëm jehonën e të qeshurës së tallaztë të
Papafingos së Krismës së Thatë në vend të vërejtjeve të tua prej ustai
të dorës më të parë. Dhe më e tmerrshmja është se sipas teje, do të
duhet të qesh edhe unë njësoj si atë ditë atje buzë parvazit e si
ngahera xhanëm me ty. Po s’do ta bëj dot më tani që s’je, e di pse?
Sepse, mes ne të dyve, më i miri për ta merituar jetën po edhe ai i
patrembshmi nga hija e vdekjes ishe ti sivëllai im.
***
Me lotë
të urryer në sy, të dëshiroj me të gjitha fuqitë e shpirtit që atje ku
tanimë ke mbërritur doktor Klosi, të gjesh përveç mungesës së
shumëpritur të vulgaritetit e të plehrave të kësaj bote, një e nga një
edhe të gjithë ata që me dhuntitë e tua i ringjalle apo ëndërroje t’i
ringjallje përmes shqipes sate të mrekullueshme.
