Thursday, April 26, 2012

Nano: Konsultime të dobishme për zgjidhjen e sfidës së Presidentit

Tiranë, 26 prill 2012,NOA Update – Lideri historik i të majtës Fatos Nano e cilësoi të dobishëm konsultimin edhe me kryetarin e opozitës Edi Rama, sikundër edhe me të gjithë aktorët politikë në vend, për sfidën e zgjedhjes së Presidentit të Ri të Republikës, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Pas përfundimit të takimit dy orësh me shefin e selisë rozë, ish-kryeministri i fundit socialist Fatos Nano deklaroi se ai u takua me Ramën “për të folur nga afër jo vetëm për platformën time dhe ofertën që kam paraqitur publikisht, por për një zgjidhje të sfidës presidenciale në përputhje me kërkesat e atdheut në 100 vjetorin e Pavarësisë, veçanërisht në funksion të një dinamike më prodhuese të punës, që bën klasa politike dhe institucionet për të përmbushur detyrimet e Shqipërisë në procesin e integrimit”, tha Nano.

Nano vlerësoi mirëkuptimin e PS-së në këtë aspiratë të tij drejt Presidencës duke nënvizuar se “Unë vlerësoj edhe mirëkuptimin në zhvillim dhe me PS, siç konstatova dhe me zotin Meta dhe vlerësoj faktin që nga një proces që do të vazhdojë, është e dobishme që të vlerësohet roli i pazëvendësueshëm të PS-së si forca kryesore e opozitës në përballimin me pozitivitet të detyrave të integrimit”, u shpreh Fatos Nano.

Fatos Nano nënvizoi gjithashtu do të vijojë bashkë me krerët e politikës zgjidhjen e sfidës presidenciale, duke shtuar se zgjedhja e Presidentit nuk është ende në xhepin e askujt.

“Unë, kreu i PS-së, kreu i LSI-së dhe kryeministri Berisha si dhe krerë të tjerë të politikës do të vazhdojmë të mbështesim në të njëjtën gjatësi vale zgjidhjen e sfidës presidenciale në përputhje me kërkesat integrimin dhe interesat kombëtare. Ju ftoj të bëni durim për të kuptuar se ky produkt nuk është ende në xhepin e askujt në rast se nuk do t’i shërbente të gjithëve dhe një klime politike që do t’i shërbente vendit para se të arrijmë në procedurat e raundeve”, tha ish-lideri historik i të majtës në kuadër të konsultimeve të nisura prej tij për garën drejt Presidencës.

mit/noa.al

No comments: