Sunday, May 24, 2026

FERDINAND TEMALI


 FERDINAND TEMALI

Aty nga vitët ‘60 kam njohtë mësuesin Mark Temali, një burrë i heshtun që dukej sikur shikonte në rrugë vetëm vendin ku vente kambën. Në vitin 1967, kur dallgët e forta të “Revolucionit Kultural” të tipit kinez filluen me përmbytë edhe tokën e zharitun në brigje të Adriatikut, që po provonte llojet e ndryshme të diktaturave sllavo–komuniste, Shqipninë e vogël Evropjane.
Ky burrë, që me një çantë të vogël bante në te vetëm fletore hartimi për me fitue “kafshatën e gojës”, sikur mu rrit ndër sy, tue më formue një mendim krejt tjetër për Té…Me datën 29 Prill 1967, z.Marku, nuk kishte pranue me “demaskue” një Mësues tjetër të Popullit Shqiptar, në mbledhjen e organizueme në Institutin Pedagogjik të qytetit të Shkodres, Meshtarin At Pjetër Mëshkalla, me justifikimin, se: “At Mëshkallen e kam pasë Mësues dhe nuk baj figurë të mirë para nxanësvs të mij, me folë kundër Mësuesit tem…”.
Sekretari i PPSH në Shkoder, Xhemal Dini “këshillon” degën e mbrendshme me një shkresë që ruhet edhe sot aty, që: “Mësuesi Mark Temali dhe mjeku Kol Pepa, të kihën në kujdes nga dega e Shkodres,… se nuk kanë pranuar me folë për At Mëshkallën…”
Ferdinandi ishte djali i Atij Mësuesi…por me një drejtim tjetër në jetë: “Shofer”!…
E njohta pak ditë para datës 11 Nandor 1990, kur ishte aktivizue edhe Ky me gjithë Rininë Shkodrane, pa dallim Feje, me rindërtue Kishën e Vorrezave të Rëmajit, ku me 11 Nandor, nën drejtimin e Don Simon Jubanit, u përmbys së fundi edhe në Shqipni diktatura komuniste e terroristit Ramiz Alia…Koha e mbetun në vend… filloi me ecë me shpejtësi!
Me datën 10 Janar 1991, unë u zgjodha nga puntorët e fabrikës Pelhurave, kryetar i organizatës profesionale dhe, me datën 14 Janar, i njoftuem nga z. Zef Prela, kryetar i organizatës së ndërmarrjës Metalike, rreth orës 16.00 u ndodha tek Fermentimi i duhanit…
Ishim një grup i vogël që shkueme në Uzinën Mekanike, ku u formue nën drejtimin e Ferdinand Temalit, Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna të Shqipnisë (BSPSH) e qytetit të Shkodres, dhe sekretar që mbante proces-verbalin ishte Arben Borshi, të cilin e njihshe se asht nipi i Martirit Qemal Draçini. Ajo ditë ishte hera e parë që njohta afër Ferdinandin… aso kohe Ai ishte 36 vjeç, një djalë i pashëm, i gjatë mbi 1.80, zeshkan, me një za Burri dhe të fortë, që ushtonte mbrenda asaj dhome të vogël aqsa me tu dukë se kushedi sa vetë kishte përpara…vinte nga minjera e Valiasit dhe do të merrte përsipër detyren e madhe të luftës pa asnjë mëdyshje kundër komunizmit gjakatar…U paraqit se punon shofer, por nuk dukej se ka mbetë në kufinin e profesionit të vet, kishte elokuencë dhe rrjedhshmëni fjale, por ajo që tregonte syni i Tij i mprehtë ishte “Trimnija e një Burri” të formuem parakohe…Aty mora vesh se asht djali i mësuesit Mark Temali, po kur pashë mbas sa ditësh në familjen e Tij, një grumbull fëmijësh, nusen e Tij të re dhe dy prindët…mendova, se…me të vërtetë ka në Shkoder endè Burra, që e donë me shpirtë Lirinë dhe Demokracinë, por edhe që… interesin e Atdheut e venë mbi të gjitha…pra, Ferdinandi kishte një Ideal të Lartë, për të cilin luftonte pa ju tutë syni!… Në kushte vorfnije, shpesh edhe pa bukë i çonte fëmijët me fjetë, por kurr nuk epèj me u ankue, se: “Kështu, janë konditat e të gjithë Popullit tonë nën komunizëm!”, kjo ishte arësyeja për të cilën: “duhet ta përmbysim sa ma parë komunizmin!..”.
Bashpuntorët e Asaj beteje aq të madhe por edhe të rrezikëshme, nuk besoj se kanë harrue mbledhjet e darkave në “Selinë e BSPSH”, ku dyshemja tundej kur ecte Ferdinandi, mbasi tjetër godinë nuk kishte Shkodra për né, vetëm ajo mbi kafe “Moska”…dhe, me të vërtetë nuk na duhej tjetër, mbasi pikërisht ajo kafe dikur ishte çerdhe spijunazhi, prandej detyra kryesore e jona ishte: “në BSPSH nuk ka vend ma për komunista e spijun me drejtue klasën e shtypun të puntorve të Shkodres!…” dhe, ishte pikërisht Ferdinandi, që filloi me guxim luftën kundër “drejtorve” të ndërmarrjeve në të gjithë Shkodren, tue kërkue me forcë ndryshimet e tyne nga kryetaria e Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, Tereza Marubi.
Në muejn Mars 1991, jo vetëm që BSPSH, ishte e pranishme në ma shumë se 70% të ndërmarrjeve të Shkodres, por ajo ishte formue në disa pika kyqe, si, në hidrocentralin e Vaut të Dejës, Stacionin hekurudhor, Uzinat e mëdha të fermentimit, telit, letrës etj. dhe kishte marrë mbas vedit armaten e madhe të mësuesve me kryetar Qazim Lika e Xhelal Fejzo, dhe të mjekve të spitaleve dhe të poliklinikës me mjekun Nard Kçira, përfshi këtu edhe klinikën dentare. Nuk imagjinohej kurr nga komunistët se ndërmarrja e Minjerave e ajo gjeologjike ishin forca në favorin tonë aqsa, kur kam shkue dhe ju kam folë për rolin që do të lozin BSPSH në të ardhmen e minatorve, kujtoj si tani kryetarin e posazgjedhun Agron Sykja, i cili, më tha: “Mos prano me pi kafe këtu, se nuk ka asnjë siguri jete!…” Me 29 Prill BSPSH mori edhe kokën drejtuese të arësimit dhe kulturës shkodrane, me serena nga Xh.Xhurkaj elektriçist në Institutin Pedagogjik, kur kam numrue 68 profesora nga 103 vetë ku, përjashtohej grupi i spijunve me Sadik Ramën e Angjelin Kumrinë etj…të cilët, as nuk i kemi pranue në sallën e madhe, ku janë zhvillue zgjedhjet kur aty u zgjodh kryetar Prof. Gjovalin Kolombi. Dy institucione me vlerë për ne ishin PTT dhe Radio Shkodra, sidomos e dyta, Radio ka luejt rol kryesor mbas shkumjes drejtor aty të z.Anton Çefa. Ashtu si në Shkoder priteshin emisionet e demaskimit të komunizmit, po me atë andje qytetarët tonë vraponin me u interesue a mërrijti gazeta “Sindikalisti” nga Tirana…
Me datën 26 Prill u anëtarsuen në BSPSH edhe 91 nëpunës të qendres informatike.
Ferdinandi aso kohe shkëmbente shumë mendime dhe punonte për rrugzgjidhje me mjete paqësore me kryesinë e Tiranës, z. Gëzim Shima, Eqrem Kavaja, Gëzim Kalaja etj. por një besim të patundun kishte tek i riu, studenti Arben Broci, i cili aso kohe ishte në ndërmarrjen e Fermentimit të duhanit, ku organizonte edhe Ai aty BSPSH.
Me datën 25 Shkurt 1991, Ferdinandi mori pjesë në zgjedhjet e Kryesisë BSPSH për Republikën e Shqipnisë, në Tiranë dhe u zgjodh anëtar i Asaj Kryesije, me të gjitha votat pro të të gjithë pjesmarrësve. Ai asht kenë ndër organizatorët kryesorë të saj.
Me datën 30 Mars, ora 19.15’ deri ora 20.00, intervista e dhanë për “L’Express” të Parisit, korespondentit Vincent Hugux në Turizmin e Shkodres, e cila u transmetue në ora 22.00 nga Franca, asht kenë ndër fitorët e mëdha të BSPSH, se zbuloi para Evropës planet djallzore të Sigurimit të shtetit për gjakderdhjën që po u pregatiste me ba në Shkoder.
Ai punoi shumë për lidhjet e BSPSH me Tiranën dhe Kavajen, qendrat ku BSPSH po hartonte ramjen e qeverisë komuniste… dhe, nëse duhet vue në dukje roli i madh i rinisë shkodrane i pasuem nga mbarë Populli i Shkodres, në protesten e paorganizueme para selisë së komitetit të PPSH në mbasdreken e 1 Prillit 1991, kur turma mijra vetësh u drejtuen nga ajo seli, mbas thirrjeve tek busti i Stalinit dhe Leninit në sheshin qendror ishte pikërisht Ferdinand Temali, që kërkoi me ngulm nga protestuesit mjete paqësore, e cila mbas orës 21.00 u shpërnda tue thirrë në bulevardin e Shkodres: “Nuk e duam komunizmin jo, jo, jo…!” dhe, pa u errë nata në Shkoder ishte zv. ministri i mbrendshëm Hajredin Shyti, i cili, në bashpunim me Çapajev Taçin, Dilaver Paparen dhe Gjekën e policisë, organizuen vepren terroriste që u realizue me 2 Prill 1991, mu në atë Shesh ku një natë ma përpara çdo veprim ishte demokratik…dhe, po aty, në mes të predhave dhe vrasjeve të organizueme nga presidenca terroriste e Ramiz Alisë, mbi trupat e të rinjve Arben Broci me 97 vetë tjerë të vramë e të plagosun, ishte Ferdinand Temali me Marina Rraboshtën, që hyjnë nën shnajpër për me i thanë sekretarit PPSH Xhemal Dymylja: “Kush asht ai terrorist që ka urdhnue me gjujtë mbi turmat e pambrojtuna të studentave të shkollës “J.Misja” e Popullit të Shkodres, o ndaloni zjarrin ose drejtohuni kufinit e ikni, se Populli do t’ju shkyejn për së gjalli!…”
Po, drejtuesit e PD së Shkodres ku ishin?…Cilat ishin parullat që u hodhën në rrugë Xhabijej e ma vonë tek Radio Shkodra? – Besoj i kujton mirë Populli i Shkodres “ata” dhe rolin që ka luejt BSPSH, Ferdinandi, Tanush Mulleti, Besnik Komi, Arben Borshi etj. për ruejtjen nga djegëja të Radios, Fototekës, hetuesisë dhe të vetë Prefekturës, të cilat i kemi mbrojtë edhe me rrezik koke, kur shnajpërt ishin në gatishmeni mbi kokat tona…
Me datën 3 Prill, ora 9.00 kam shkue bashkë me Arben Borshin tek komandanti i forcave të armatosuna të Shkodres, Enver Gaba dhe e kam falnderue për mosndërhymjen e tyne mbi Popull me tanke dhe, nga ajo ditë ushtria ishte shpirtnisht “anëtare” e BSPSH…
Takimi i asaj darke në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit, me Esma Ulqinakun zbuloi fëtyrën e vërtetë të vëprimëve të datës 2 Prill. Ishte ora 21.00 kur dolëm nga salla e Kom. Ekz. mes një grupi të madh ushtarësh të armatosun, ku, i thashë Ferdinandit që kishe pranë: “Na prijë në këte paradë Ferdinand, se asht e para herë në jetën teme që po kaloj në revistë…” dhe Ai, na prini, kur bashibuzukët e Ramiz Alisë, po qendronin nga dera e sallës naltë e deri tek rruga poshtë me armë në gatishmëni…
Po rezultati cili ishte? – Qeveria komuniste me dhanë dorëheqje sa ma parë, mbasi BSPSH do të organizojnë Grevë të përgjithëshme në gjithë Shqipninë. Vrasësit e A. Brocit me shokë ti kalohën organeve kompetente dhe do të organizohën zgjedhjet e reja etj…
Rruga e BSPSH ishte krejt e papritun për Ramiz Alinë me shokët e presidencës së tij terroristë e kriminelë, ku fatkeqësisht ishte tashma e kjartë se “pa gjak” nuk merrej asnjë zyre rojesh apo “dezhurësh” të institucioneve tyne zyrtare…Ishte ajo kohë kur koka e komunistëve shqiptarë ulërinte: “Edhe gjak do bëjmë,…!” dhe, me të gjitha armët e tija të pista vazhdonte me vra Rininë Shqiptare kudo deri larg ndër piramidat kufitare…
Greva e shpallun nga BSPSH me datën 3 Prill në Shkoder dhe zjarret e ndezuna në oborret e ndërmarrjeve me dhetra e dhetra “tesera të PPSH”, nga komunistët që hoqën dorë nga partia komuniste përgjithmonë i treguen Popullit Shqiptar se BSPSH, tashma drejtonte të gjitha veprimet që paralizonin partinë dhe sigurimin famkeq komunist.
Herojt e 2 Prillit u varrosën pa ju ba autopsia, ndonse mjekët Bardhyl Çipi, Xhemal Zeneli dhe Injac Simoni, vepruen si i urdhnoi sigurimi i shtetit dhe prokuroria komuniste. Ata kanë firmue dokumenta pa hapë fare kufomat, mbasi autopsia e tyne u kërkue shumë kohë mbrapa dhe mori pjesë aty i ngarkuemi nga BSPSH, z.Tanush Mulleti.
Komiteti i PPSH u dogj por, jo nga Populli, ishte vetë sigurimi që donte me mbulue me djegëje vrasjet e bame para tij. Me muej të tanë hetuesit Vladimir Meçe, Shefki Bejko, Besnik Ymeri, Petrit Shehu etj. bredhnin edhe në Itali, gjoja tue kërkue “fakte”, sëpse një film ishte gjirue me veprat makabre të Ramiz Alisë, Fatos Nanos, Gramoz Ruçit, Haxhi Lleshit, Kiço Koçit, Rapi Mino, Hajredin Shyti, Qemal Lame, Kastriot Islamit etj. etj. që mbushni faqe të tana proces- verbalesh në mbledhjet e pafund në Kom. Ekz. të Shkodres, kur BSPSH me forcë kërkonte ideatorët dhe zbatuesit e terrorit, ndërsa “sherbëtorët” e presidencës ishin të mobilizuem me gjetë se: “kush e dogj komitetin e PPSH?…”. Që nga data 12 Prill, 23, 26 e deri me 1 Maji, BSPSH nuk ka ba veprim tjetër vetëm, ka shpartallue moralisht rezistencën e PPSH për mbajtje të pushtetit dhe ka demaskue botnisht organin e “paprekshëm” të asaj diktature të pashpirtë 45 vjeçare, Sigurimin e shtetit, aqsa spijunët e sigurimit dhe oficerët besnik të tij, me dt. 2 Prill 1991, ora 14.00 nuk kanë pasë asnjeni ndër dyer etiketat e emnave në apartamente…tue fillue nga Çapajev Taçi e deri tek Shyqyri Qoku…që strukej për mos me u lagë…nga vesa e pranverës që po lulëzonte!
Me datën 1 Maji, asht ba takimi i parë i BSPSH së Shkodres me disa nga kryetarët e BSPSH së Rretheve tjera, në Selinë e Tiranës, nën drejtimin e z. Gëzim Shima dhe Eqerem Kavaja, ku merrte pjesë edhe i deleguemi z.Donald Slaiman nga USA. Aty u muer vendimi i Grevës së Përgjithshme në gjithë Shqipninë. Një mbështetje të madhe na dha BSPSH e Kavajës, si rezultat i shkëmbimëve të maparshme nga ana e Ferdinand Temalit me ata.
Data 15 Maji asht dita e dënimit me vdekje të komunizmit në Shqipni. Greva e Urisë shpartalloi përfundimisht pushtetin diktatorial komunist të Enver Hoxhës, i cili edhe pse nuk ishte, “vazhdonte” sundimin me trashigimtarin e vet trathtarin Ramiz Alia, i cili pa pikë turpi arrinë me shkue me pi edhe kafe në shtëpijat e Atyne Djelmëve Heronjë, që kishte vra pabesisht me dorën e vet, me 2 Prill në Shkoder…
Ja nga kujtimet e z.Arben Borshi, ishsekretar i BSPSH, ku del roli i Ferdinandit:
“…U mblodhëm në Tiranë për greven e madhe mbarëkombëtare. Doli me drejtue mbledhjen Valer Xheka, jurist i ardhun nga kinostudio…Ferdinandi kërkoi me ditë se ku asht Gëzim Shima…Valeri, tha: “Vetëm kur të më shihni mue në TV, do të mbyllet greva!”
Ishte pika kulminante e, Ferdinandi nuk duroi ma por, i tha: “E kush je ti? – Një spijun i shkolluem në ministrinë e mbrendshme për me burgosë e pushkatue të pafajshëm do me na drejtue ne..” dhe, u turr me e kapë për fytit…U çuem të gjithë me e ndalue se, unë i vetëm nuk ishe në gjendje me e zaptue tanë atë Ferdinand…që vazhdonte me folë: “Të hjedhi nga dritaria Valer Xheka, a more vesht?!…” i tha, dhe doli nga salla…Vetëm mbas dy orësh arritëm me u ulë e me diskutue…Por, kurrma nuk kemi ra dakord me drejtuesit e Tiranës…”
Me datën 25 Maji, ora 11.00 u organizue nga BSPSH Mitingu i Madh në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodres, ku morën pjesë mbi 30.000 vetë. Kur dola në tribunë me hapë mitingun, një përson që gjironte me kamera më tha: “Fritz, në apartamente përballë kanë vue shnajpër…kujdes kur të flasësh!”…unë në ecje drejtë mikrofonit iu përgjigja: “Çka kam shkrue do ti lexoj, por nuk besoj se komunistët mendojnë sot me më ba edhe mue Hero!” dhe, vazhdova fjalën teme historike përballë “Rozafës” veshun me të zeza për 45 vjet…
Foli aty Muhamet Gradeci, Tanush Mulleti, Vinçenc Çefa…etj. dhe arriti nga Tirana edhe Kryetari i Nderuem i yni Ferdinandi, i cili, si gjithmonë, me za si pushka, ushtoi me sa forcë kishte me pushtue zemrat e qytetarve të Shkodres, të thamë e të zharitun për Liri dhe Demokraci, e cila nuk vonoi me ardhë mbas Asaj dite të bukur të BSPSH së Ré!…
Me 1 Qershor, në Tiranë, ora 11.00 në stadiumin “Dinamo” ku, kam përfaqsue BSPSH tonë me zj. Adlije Broci, në prani të mijra vetve kryeqytetas, fjala mbyllej kështu:
“Kur një Populli i ikën frika, Atij shpejtë i vjen Liria! Rrnoftë Shqipnia!”…
Qeveria ra…Me datën 10 Qershor, ora 11.00, në intervistën e dhanun “Zërit Amerikës” nga anëtarët e kresisë BSPSH së Shkodres, kam theksue: “Qeveria e ardhëshme kurrë nuk do të realizojë aspiratat tona dhe të mbarë Popullit Shqiptar, nëse në përbamjen e saj, do të ketë kjoftë edhe vetëm një komunist…!”. Atëherë, më quejtën “ekstremist”…por, sot, besoj, janë me mendimin tem edhe ata që menduen me bashpunue në qeveri me ta!…
Partia Demokratike Shqiptare, ishte e para që ndërhyni, tue mbyllë Grevën pak ditë para kongresit PPSH, kur ajo po bahej gati me u veshë me petkun e “socialistave”…edhe pse R. Alia kishte deklarue: “…Parimet nuk i shkelim!”. E vetmja fjalë që ka mbajtë deri në fund dhe vazhdon edhe sot, asht: “Edhe gjak do bëjmë!…”, e kam frikë se mbrenda këtij “betimi” mund të jenë edhe vdekja e parakohëshme, në moshën 54 vjeçare e Thëmeluesit të BSPSH së Shkodres, Ferdinand Temalit…me 1 Qershor 2009! Takimi i Ferdinandit në presidencë me té, më kujton qendrimin burrnor të Ferdinandit, të cilin e kemi pa edhe në TV, por më kujton edhe fjalët e R. Alisë, i cili, kur Ferdinandi po delte, i tha në një anë: “Ferdinand, ra vetja e më këputi, thonë andej nga Shkodra!” dhe, Ferdinandi, iu përgjigjë: “Nuk i trathtoj shokët!”. Dhe, me të vërtetë besnikinë e Tij, Ferdinandi e vazhdoi përgjithmonë. Endè sot Ata Heronjë që bashkë me Ta edhe Ferdinandi, me datën 18 dhetor 1991 pëmbysen përtokë njëherë e pëgjithmonë bustin e kriminelit Enver Hoxha, para Prefekturës së Shkodres, nuk janë dekorue! Ishte akti ma Heroik i Rinisë Shkodrane, kur në Tiranë, Stalini dhe Lenini i banin shoqni diktatorit tonë në sheshet qendrore! E, mos harroni, se endè ka nga Ata Djelm që vazhdojnë me kenë të gjymtuem nga torturat e bame prej sigurimit për aktet heroike të Tyne në Shkoder, që me 14 Janar 1990 në demostratën e heshtun përballë bustit Stalinit, nga zv.ministri i mbrendshëm terroristi Zylyftar Ramizi.
Mbas mbledhjes së organizueme në teatrin “Migjeni” me z. Tony Freeman, që ishte Nënsekretar i shtetit në USA, me datën 18 Korrik 1991, dhe takimit të nesërm me Té, në hotel “Dajti” bashkë me Ferdinandin, unë kam kuptue mirë lojën e sindikatave italiane, të cilat bashkë me socialistat e Kraksit e Martelit, kanë luejtë rolin ma negativ për t’ardhmen tonë në të gjitha drejtimet…e, kryesisht në zhvillimet e ngadalshme demokratike tek na.
Këta pak rreshta, as nuk më shkonte mendja ndonjëherë se do ti shkruej unë për Atë Ferdinand, që njohta në pragun e “ramjes” së Murit Berlinit edhe në Shqipni, në vitin 1991, e, pikërisht, kur gjithë Bota shpejtë do të festojnë 20 vjetorin e Ramjes së atij Muri!…
Gjithnjë të kam kujtue o Mik…e, do të kujtoj… se, zani Yt më ushton si gjithmonë:
“Do fitojmë apo jo?!…Po, Po, Po..!”
E, me këte rast po ripërsëris fjalët e Prof. Arshi Pipës, që mi ka thanë mue:
“…jeni e vetmja Sindikatë e një vendi të vogël, por që keni rrëzue një qeveri me të gjitha tiparët e terrorizmit komunist, gja, që, deri sot nuk ka ndodhë në historinë e Sindikatave!…” (Shkoder, 1993).
E, Themelues i Asaj BSPSH, organizator dhe luftar në betejën e përmbysjes së komunizmit ishe Ti, e vetëm Ti, o i pavdekshmi Ferdinand Temali!..E, na,.. mbas Teje!
Ferdinand, dishprimi i mosrealizimit andrrave rinore për Liri dhe Demokraci ka vra qindra e mijra të rinjë në mbarë Botën,…e, Ai dishprim, kam frkë se të ka vra edhe Ty!..
Po, jam i sigurt, se dhimbja për Ty nuk do të shërohet aq shpejtë sa kujtojnë ata, që nuk e kuptojnë endë humbjen Tande..se, vdekja asht mizore me të gjithë e, sidomos, me…
Ata…që janë Trima, Demokrat dhe Liridashës!
Melbourne Qershor 2009.

No comments: