Thursday, April 26, 2012

Hillari Clinton takon Berishën: Shqipëria partner i fortë i SHBA (VIDEO…)


Kryeministri Sali Berisha dhe Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton janë takuar pak më parë në ambientet e Departamentit Amerikan të Shtetit. Në një prononcim të përbashkët për mediat pak para takimit, Klinton tha se do të diskutojë me kryeministrin shqiptar për një serë cështjesh të brendshme të Shqipërisë dhe të Ballkanit në terësi. Po ashtu, Klinton vlerësoi mbështetjen ushtarake që Shqipëria ka dhënë në misionet paqerujtëse në Irak dhe Afganistan. Ndërsa kryeministri shqiptar Sali Berisha tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleatja strategjike e Shqipërisë. Berisha tha se ndjehet i lumtur që takimi zhvillohet në 100 vjetorin e Pavarësisë, duke lënë të kuptohet se mund të ketë një vizitë të Klintonit në Shqipëri. Në fund të fjalës së tij, kryeministri konfirmoi se do të bisedohen një serë cështjesh të rëndësishme që lidhet me vendin tonë dhe rajonin në terësi. Kjo vizitë e kryeministrit Berisha përmbyll ciklin e vizitave të zyrtarëve shqiptarë në Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH). Më parë në DASH kanë shkuar Lulzim Basha, Edi Rama, Ilir Meta dhe Kreshnik Spahiu. Duhet evidentuar fakti se kryeministri Berisha është i vetmi zyrtar që në këtë “tur” vizitash është pritur nga autoriteti më i lartë i DASH. Në vizitat e mëparshme, zyrtarët shqiptarë janë pritur nga zyrtarë të niveleve të dyta të Departamentit Amerikan të Shtetit. Në bisedën jashtë kamerave, mes kryeministrit dhe Klintonit bësohet të jetë diskutuar për situatën politike në Shqipëri, zgjedhjen e presidentit, zgjedhjet e vitit 2013 si dhe për situatën e acaruar në Maqedoni dhe Kosovë. Ajo që pritet me kureshtje është qëndrimi që do të mbajë pas këtij takimi kryeministri shqiptar për mënyrën e zgjedhjes së presidentit.

No comments: