Thursday, May 17, 2012

Liljana Hoxha: Si i futi në kurth Teuta Edi Ramën, dhe Ardian Klosin më ’90

Intervistoi: Blendi Fevziu

Liljana Hoxha rikthehet sërish. Me një rrëfim për të shkuarën, por edhe për “trashëgimtarët” sipas saj të regjimit komunist. Në një intervistë të gjatë për emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, nusja e djalit të Enver Hoxhës pohon se në vitet ’90, Edi Rama, Blendi Gonxhe e Ardian Klosi kishin lidhje me Ramizin e Nexhmijen. “Teuta ka qenë ndërlidhëse e Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës me Edi Ramën, Blendi Gonxhen dhe të ndjerin Ardian Klosi. I fuste në kurth nëpërmjet mënyrave femërore dhe i rikatonte më pas”, – akuzon Liljana Hoxha, e cila komenton më pas edhe dyshimet për vjedhjen e thesarit të shtetit apo të bizhuve të shtrenjta e të sekuestruara nga familja e Enver Hoxhës.
Zonja Hoxha, doja t’ju bëja një pyetje për të hyrë drejtpërdrejt në intervistë. Përse ky libër erdhi tani?
Ky libër erdhi tani, sepse tani u poq, në kuptimin që u plotësua mund të them. Mund të vinte edhe më parë, por 2-3 vjet unë nuk kam qenë shumë mirë me shëndet dhe mbeti në sirtar ose kam botuar gjëra më të rralla. Vjen tani sepse në fund të fundit, kur them  u poq,  tani unë jam shumë e qartë për çfarë mendoj, për kush jam si individualitet, kush jemi ne shqiptarët, çfarë kemi kaluar, çfarë po kalojmë dhe se si duhet të kemi të ardhmen.
Si i dini ju këto gjëra? Ku i keni mësuar?
Ato që unë di, i di nga jeta ime. Kurse hollësira për njerëzit e tjerë, që normalisht unë nuk i njoh, as i kam takuar, as kam ndenjur me ta, përsëri i njoh në rrugë institucionale…
Çfarë do me thënë në rrugë institucionale?
Domethënë ashtu siç di që unë kam qenë e ndjekur në kohën e diktaturës.
Si keni qenë e ndjekur? Ju ishit nusja e djalit të Enver Hoxhës…
Kam pasur dosje  në diktaturë . Nuk e di sa qe gjallë Enver Hoxha apo jo, por ka të ngjarë edhe atëherë.
E ndjekur nga kush? Kush tjetër veç Enver Hoxhës mund t’ju ndiqte?
Nga Sigurimi i Shtetit. Sot them nga Nexhmije Hoxha dhe Ramiz Alia.
Përse Sigurimi i Shtetit duhet t’ju ndiqte juve?
Besoj për mënyrën se si më shikonin ata.
Keni fakte konkrete për këtë?
Kam fakte konkrete, dosja ka ekzistuar, nuk e di tani ekziston apo jo.  Shumë njerëz të mi kanë shprehur këto dhe unë retrospektivisht i vërtetoj të tëra. Ndaj them kam shumë e shumë gjëra të tjera, ku ngërthehet e gjithë familja ime, motra, vëllai, martesat e tyre të detyruara nga Nexhmija. Jo më martesa e Ilirit me Teutën, që kjo e fundit lakon se u dashuruan e të tjera me radhë. Martesat e vëllait dhe motrës time u bënë  që të prishej martesa ime me Sokolin. Siç i di këto të gjitha tashmë, për një kohë të gjatë mezi i kam kuptuar, por i kam vërtetuar me shumë analiza, dëshmi, takime etj, ashtu di çdo gjë, shumë hollësira por kam shprehur vetëm të domosdoshmet  për ata njerëz që unë i kam përmendur aty në zbërthim të çështjes. Për ta plotësuar këtë temë madhore, që në të vërtetë është çështje  kombëtare…. Por katastrofën më të thellë në Shqipëri e ka bërë agjentura.
Çfarë do me thënë agjentura?
Domethënë njerëzit që kanë qenë të lidhur me shërbimet antishqiptare…
Ju mendoni që në Shqipërinë komuniste, ku edhe miza që fluturonte kontrollohej, ka pasur një agjenturë të huaj që vepronte?
Sigurisht, se miza që fluturonte, nuk fluturonte kot.
Kush agjenturë? Cilat ishin agjenturat që vepronin në Shqipëri?
Ka qenë KGB-ja dhe UDB-ja. CIA shumë ka dashur të ketë nën kontroll situatën. Këto kanë ardhur prej Jaltës, kjo është rrjedhojë e Jaltës. Është logjike, po të fillojmë me formimin e partisë, të kalojmë me profilin e Hoxhës, etj mund të thuash shumë dhe kanë rëndësi historike për tu parë . Si detyrim i vendosjes gjeopolitike strategjike të vendit tonë , kjo çështje  mbeti me doemos me pasoja. Por  kanë pak rëndësi për temën tonë.
KGB-ja dhe UDB-ja ishin të pranishme në Shqipëri në nivele të larta, apo jo?
Rezultojnë që ishin të pranishme në Shqipëri, në nivelet më të larta.
Ju keni fakte për këtë, kush e thotë?
Faktet janë gjithçka që ka bërë Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha.
Ju po thoni që Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha ishin agjenturë e KGB-së apo UDB-së?
Po ishin fitimtarët.
Ç’do me thënë fitimtarët?
Domethënë, pasi bënë të gjithë luftën për pushtet, pasi shkatërruan dhe vranë të gjithë pretendentët..
Pretendentët i vrau Enver Hoxha apo Ramiz Alia me Nexhmije Hoxhën?
I “vrau” Enver Hoxha, sepse ishte ai në krye. Mund të ketë pasur edhe ndonjë firmë aty që në fund të fundit gjatë luftës për pushtet, kur i thua që ky njeri është i rrezikshëm e të tjera, vendimet janë të paracaktuara. Në parantezë, unë pashë filmin dhe kam qarë siç ka qarë çdo grua shqiptare, por këtu po analizojmë, t’i lëmë sentimentet.
Pra ju po thoni që Enver Hoxha përdorej për të eliminuar ata persona që ….
Enver Hoxha nuk përdorej. Është fjalë e dobët, edhe Enver Hoxha për sytë e mi është shumë i fortë dhe ashtu ka dalë i fortë. Por Enver Hoxhës i jepej një informacion i gabuar. Dhe ky informacion i gabuar nuk ka qenë vetëm kur ai u izolua, sepse kur u izolua u bë absolutisht i kontrollueshëm. Dua të them që informacioni i gabuar i jepet çdo lideri nëpërmjet rrugëve institucionale. S’ka bashkëpunëtor që t’i flasë titullarit kryesor, në këtë rast diktatorit, që ky zhvillim që po bëjmë nuk po ecën. Por do t’i bëjë vetëm lëvdata euforike. Kjo është logjika në të gjithë botën.
Përse Nexhmije Hoxha duhet të ishte agjente e KGB-së apo Ramiz Alia i UDB-së, ata ishin drejtues shumë të lartë të regjimit komunist?
Ramiz Alia nuk e merrte kurrë pushtetin dhe Nexhmije Hoxha nuk e merrte kurrë pushtetin, pasi të vdiste Enver Hoxha pa qenë të tillë.
Po e kishte përsa kohë Enver Hoxha ishte gjallë…
Po do të trajtohej nga Mehmet Shehu, ashtu siç u trajtua Mehmet Shehu nga Enver Hoxha, dua të them në emër të tij nga Kadri Hazbiu, Ramiz Alia e Nexhmije Hoxha.
Pra ju mendoni që Nexhmije Hoxha dhe Ramiz Alia kishin frikë nga Mehmet Shehu?
Padyshim.
Përse kishin frikë?
Sepse Mehmet Shehu ishte më i egri i të gjithëve.
Ishte i egër, por të gjithë mendojnë se ai do të sillej mjaft mirë me familjen e Enver Hoxhës…
Kështu mendojnë të gjithë, por nuk mendonte Nexhmije Hoxha kështu.
Ju mendoni se Nexhmije Hoxha kishte realisht frikë nga Mehmet Shehu?
Nexhmije Hoxha kishte realisht shumë frikë nga Mehmet Shehu.
E shprehte këtë?
Familja e Mehmet Shehut është sjellë realisht shumë keq ndaj familjes sonë.
Si është sjellë keq?
Bënin dualizëm të hapur që nuk kishte pse, sepse fëmijët e Enver Hoxhës ishin shumë të thjeshtë. Silleshin thjeshtë, pavarësisht se kanë të tjera kusure në kurriz por ishin të sjellshëm, nuk ishin vanitozë, nuk ushtronin pushtetin e të atit, kurse fëmijët e Mehmet Shehut ishin arrogantë, prepotentë edhe ndaj nesh, edhe ndaj familjes sonë ishin kërcënues. Nuk të përfillnin, kalonin përpara me makina, të fyenin, etj me radhë.
Pra ndihej ky dualizëm në bllok. Kur ka filluar?
Ky dualizëm ndihej vetëm nga fëmijët e Mehmet Shehut dhe Fiqireti ndaj Nexhmije Hoxhës. Jo nga Mehmeti ndaj Enverit. Mehmet Shehu për mendimin tim, priste me durim të vdiste Enver Hoxha. Mehmet Shehu vetë nuk i ka bërë keq Enver Hoxhës. Ndaj për mendimin tim, Enver Hoxha, ka pasur shumë të drejtë të mërzitej për Mehmet Shehun kur ai është vrarë.
Si është vrarë? Është vetëvrarë apo vrarë?
Është vrarë. Unë them që është vrarë, hollësirat nuk është as vendi dhe ato janë hipotetike.
Vrasjen e Mehmetit ju e nxirrni në analizën e sotme, apo e keni dyshuar që në momentin që ndodhi?
Unë e kam ndjerë që është vrarë, sepse nuk mund të vetëvritet një burrë si ai, aq më tepër që Enver Hoxha e kish falur dhe herë tjetër.
Më pas në analizat që keni bërë, ju rezulton i tillë…….
Në të gjitha analizat ashtu më del. Me mërzitjen e Enver Hoxhës ashtu më del. Me gëzimin e Nexhmijes, ashtu më del, edhe të fëmijëve dhe edhe me tablonë sinoptike ashtu më del. Sepse me tablonë sinoptike duhet të qetësonte Shqipërinë, njerëzit, sepse nuk është e kollajshme të vetëvritet një kryeministër, dhe duhet ta deklarojë spiun gjë që edhe mund ta ketë besuar. I KGB-së është, sepse e ka ditur vetë Enver Hoxha dhe e ka lejuar. Ai i dinte se kush është i KGB-së dhe kush jo, pra kë lejonte dhe kë jo.
Ju mendoni që Enver Hoxha e dinte se kush ishin spiunët e KGB-së?
Po. Po
Dhe i toleronte?
Jo i toleronte, i linte në funksion, jua diktonte funksionin. Dhe në rastin e tablosë sinoptike, thotë që më ka dalë poliagjent. Pra më ka dalë edhe në anë tjetër që unë nuk e njoh. Domethënë më ka tradhtuar.
Ju mendoni që edhe midis drejtuesve të lartë të regjimit komunist kishte njerëz që punonin për KGB-në dhe UDB-në?
Po, është e domosdoshme në çdo shtet, kështu është.
Është e vërtetë kjo?
Po është e vërtetë, një në tre veta ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Vëllai  i gruas së vëllait tim, ishte një ndër ata. Dhe vëllai im vdiq 40 vjeç, sepse ishte i pakënaqur me Ramiz Alinë pas vdekjes së Enver Hoxhës. E deklaroi këtë dhe për gjashtë muaj vdiq. Një histori e tillë, e ngatërruar me shumë intriga ndodhi edhe me time motër më vonë, e cila vdiq po rreth 40 vjeç, pikërisht kur do hapej publikisht. Të gjitha këto janë fakte që mua më kanë çuar në rrugën e studimit se çfarë ka ndodhur poshtë tek njerëzit e thjeshtë, pale ata të implikuarit biografikisht. Sepse mua m’i bëri Nexhmija dhe Ramizi, dikujt tjetër ia ka bërë kryetari i ….
Në qoftë se Mehmet Shehu përbënte një kërcënim për familjen Hoxha, sipas Nexhmije Hoxhës, pjesa tjetër e tyre nuk kishte asnjë lloj problemi?
Unë e filloj me Beqir Ballukun sepse atëherë kam qenë dëshmitare, sapo isha martuar. E kam diskutuar këtë gjë madje me Enver Hoxhën. Nuk e gjykoja dot sa fajtor ishte Beqir Balluku, por thosha se çfarë keni me fëmijët edhe fisin. Përgjigjja ishte shumë evazive, po e pakontestueshme që këto gjëra kështu janë, mos u fut. Unë e besoj që Beqir Balluku është likuiduar nga të tjerë, nga Mehmet Shehu dhe pas kësaj atij do t’i vinte radha sepse ai ishte më i fortë se  Ramiz Alia kur u lidh prej  krushqisë me Nexhmije Hoxhën.
Ka mjaft komente që lidhen me atë që quhet trashëgimia e Enver Hoxhës, që ndahet në dy pjesë, atë që duhet trashëgimia kulturore, dokumentare dhe trashëgimia pasurore. Ku gjenden shumë prej dokumenteve origjinale të Enver Hoxhës, ditarët, shënimet e tij, kopje të të cilëve ndodhen sot në Arkivin e Shtetit të transferuara nga arkivi i tij personal në fondin e Komitetit Qendror. Ku gjenden origjinalet?
Origjinalet i ka Nexhmije Hoxha dhe Teuta për pasojë. Jo kot e kam quajtur Nexhmija e dytë Teutën, jo për ilaritet por ato funksione kishte marrë që në gjenezë, që kur u martua me Ilir Hoxhën. U martua me intriga të llahtarshme, intriga që asnjë vajzë 15-vjeçare nuk do ti mbante në kurriz.
Si mund të bëjë intriga një 15-vjeçare?
Epo ja që ajo i ka bërë. Në qoftë se duhet të verifikohet e vërteta ime, duhet të ndalen tashmë se vjen një ditë që thuhen të gjitha. Edhe unë nuk dua ti them të gjitha. Intriga të nënës së saj, një kartomante, një grua që merrej me stregonerira, një manipulatore. E kaluara e të ëmës së saj është shumë e diskutueshme. Kjo grua, e lidhur me Nexhmije Hoxhën që herët, çfarë nuk kanë bërë që e bija, vajza e saj të bëhej nusja e Ilir Hoxhës.
Jeni e sigurt që nuk është motivimi i një problemi xhelozie mes jush?
Po, në qoftë se është motivim xhelozie, fakti që në vitin 1990, ka qenë ndërlidhëse e Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës me Edi Ramën, Blendi Gonxhen dhe të ndjerin Ardian Klosi. Të cilët, i fuste në kurth nëpërmjet mënyrave femërore dhe i rikatonte më pas. Kjo ishte metodë jo vetëm e saj, por e diktuar dhe e njohur nga Ramizi dhe Nexhmija.
Ramiz Alia, në fund të fundit e çoi në burg Nexhmije Hoxhën, në mos gaboj në 1991?
Ramiz Alia e çoi në burg Nexhmije Hoxhën sepse u thye paksa gjasme varianti i Katovicës, që nuk ishte Katovicë e Gorbaçovit, por ishte e Ramiz Alisë. Sepse Gorbaçovi nuk bëri Katovicën që në rast nevoje ta kthente pushtetin me gjak dhe hekur, kurse Ramiz Alia e deklaroi që pushteti ynë është i sigurt dhe ne do ta kthejmë pushtetin me gjak dhe me hekur. Kështu që në burg e futi Nexhmijen vetëm për kafe, siç futi edhe të tjerët moralisht jo politikisht. Edhe kjo i doli nga dora sepse ishte presioni i brendshëm, sepse ishte Sali Berisha kryeministër. Sali Berisha, cilido të ketë qenë komunist i egër, apo ekstremist komunist, etj, ishte nën presionin nga poshtë, nga e djathta e mirëfilltë.
Çfarë ka ndodhur me trashëgiminë dokumentare të Enver Hoxhës? Besoni që i ka Nexhmije Hoxha? Keni fakte apo analizë?
Po, po, i ka Nexhmije Hoxha. Ajo edhe për dokumentacionin tonë personal, letërkëmbimin me Enver Hoxhën na ka dhënë kopje, jo origjinalet. Origjinalin ia ka dhënë Ilirit dhe Teutës (trashëgimtarëve të pushtetit). Këtë e di, sepse ma tha vetë, se nuk kisha si ta dija. Edhe Pranverës i ka dhënë kopje, të gjitha të tjerat i ka mbajtur vetë edhe letërkëmbimin tonë, që nuk janë të rëndësishme, janë ditarë, letra.
A rrezikon zonja Hoxha të zhdukë, të shkatërrojë ose të dëmtojë materiale komprometuese, që mund të gjenden në arkiv por që kanë vlerë historike?
Për mua i ka zhdukur, sepse ajo fshihet pas Enver Hoxhës, bën propagandë është dogmatike, aspak patriote, është gjoja konservatore, marksiste leniniste. Por ndërkaq, në këtë formë ajo e degjeneron Enver Hoxhën, i cili qe shumë më pak marksist leninist se sa ishte nacionalist.
A ka pasur një trashëgimi financiare të Enver Hoxhës?
Nuk është e mundur të ketë pasur. Mund të ketë pasur trashëgimi shtetërore.
Kë quani ju shtetërore?
Shtetërore quaj fondin shtetëror. Një shtet ka fondin e vet, që sot ndodhet atje ku i ka çuar i biri i Ramiz Alisë, gjatë vizitës me të atin në Amerikë. Është në libër, se si ata e kanë transferuar fondin shtetëror, thesarin e shtetit në Amerikë dhe e zotërojnë për veten e tyre.
Fond i madh?
Nuk e di. Në këtë mes, Nexhmije Hoxhën e kanë nxjerrë jashtë. Nëse kishte kodin më parë, se ka më tani. Po pa gjë, nuk ka ngelur. E para paguhet nga UDB-ja dhe e dyta ka mënyrat e saj, pjesë tek DEKA.
Kjo është paksa mitologjike?
Mitologji, po qëndron aq sa qëndron parulla që: DEKA është e djemve të Enverit. Nuk do të qëndrojë në qoftë se deklarohet që fëmijët e Enverit nuk kanë pjesë tek DEKA. Në qoftë se jo, ata që kanë pjesë tek DEKA janë Nexhmija me fëmijët e tjerë. Kjo nuk është mitologji, është fakt.
DEKA ka pronarë, dihet kush e ka…
Është çështje aksionesh, që nuk mund të dihet asnjëherë.
A ka pasur pasuri familja Hoxha në fund të viteve ‘90?
Familja Hoxha, Enver Hoxha, nuk kishte si të kishte pasuri. Ai nuk e njihte lekun, nuk ka mbajtur ndonjëherë lek në duar apo në xhepa. Ka qenë një kohë madje që më ka thënë: “Liljana, mblidhni lekë se nuk i dihet jetës!”
Kur jua ka thënë këtë?
Vitet e fundit të jetës.
Por ndërkohë, sipas burimeve që ne jemi ende duke i verifikuar, por nuk i konfirmojmë deri më sot, në familjen e Enver Hoxhës, disponoheshin mjaft bizhuteri, me vlerë të madhe të konfiskuara në vitet ‘44, ‘45, ‘46 nga ato që quheshin klasa të përmbysura, bejlerë, pasanikë të mëdhenj, biznesmenë, që nuk janë regjistruar në pasurinë shtetërore. Nëse del e vërtetë, mbetet për t’u verifikuar…
Përjashtoj faktin që të jenë të Enver Hoxhës. Nuk e përjashtoj faktin të jenë të Nexhmijes dhe të vajzës dhe nuses, sepse edhe jua kam parë në duar, unaza shumë të vyera në atë kohë, që nuk i kishte njeri. Edhe vetë Enver Hoxha i ka kritikuar duke ju dhënë shembullin tim me duar të pastolisura. Sot e kam edhe unë një, disa madje jo aq të vyera mundësuar prej fëmijëve të mi, se sot erdhi koha për të tërë.
Po juve nuk ju ra në sy?
Më binin në sy dhe nuk e dija nga i kishin.
Dhe nuk i kishit pyetur kurrë?
Nuk i pyesja sepse nuk kishim atë marrëdhënie, nuk flisnim midis nesh. Por dhe nuk do e gjeja kurrë të vërtetën. Por më bëri shumë përshtypje sjellja e Nexhmijes tek Bugajski,  kur thoshte: pse s’dija unë që të mbulohesha me ar, të vija gjerdanë etj. Më ka bërë përshtypje se për mentalitetin e gruas së Enver Hoxhës (ashtu siç duhej të ishte ajo), nuk mund të vlonte dëshira, apo të ndjehej e pangopur  për gjerdanë e për unaza. Dëshira për t’i pasur ishte absurde. Ishte për të qeshur ta dëgjoje.
Pra ju nuk keni dëgjuar kurrë për këtë histori, për bizhu që ishin në pronësi…
Unë i kam parë bizhutë në duart e gruas së Ilirit sidomos, edhe të Pranverës. Për vete kam pasur ndonjë gjë të vogël që ma sillte Sokoli, kur ikte jashtë shtetit.
A ka qenë realisht Nexhmije Hoxha e papërfillshme nga Enver Hoxha në atë që quhej drejtim i shtetit?
Deri në vitin 1973 ajo ka qenë një grua intelektuale për hesap të saj dhe kaq. Me sëmundjen e Enver Hoxhës, tek kontrollonte shëndetin e tij, ajo u bë gjithnjë e më e fuqishme si transmetuese, fillimisht. Më vonë nuk mund ta thuash se çfarë bënte nëpërmjet transmetimit. Unë këtu kam sjellë, edhe është e vetmja fotografi që unë po sjell vetë( sepse çdo foto tjetër është prej medias), është një fotografi ku Nexhmije Hoxha flet në telefon, në kohën që Enver Hoxha rri normalisht. Praktikisht ajo po transmeton orientimin me këtë telefon.
Nuk ka shprehur keqardhje as në intervistën e fundit. Në eliminimet, a ka rol Nexhmije Hoxha?
Unë them që ka rol vetëm Nexhmije Hoxha. Shiko, ju keni shkruar me stilin e Montefiores, por Enveri nuk ishte Stalin. Ishte stalinist, sepse Stalini e mbrojti për Kosovën. Enveri në qoftë se do ta njihte Stalinin siç njihet sot  ai do të kishte korrigjuar shumë gjëra. Enver Hoxha  ishte ndryshe. Nuk ishte Stalin. Nuk njihte orgji-dashuri-urrejtje dhe pastaj gjakderdhje. Ishte shumë i kontrolluar, i matur, serioz dhe shumë i ekuilibruar dhe me jetën e tij. Nuk po flas, që e kam shoqëruar në mbledhje, por në shtëpi. Gjithçka e ka bërë Nexhmije Hoxha së bashku me Ramiz Alinë.
Po si mund ta bëjë një grua këtë?
Në emër të Enver Hoxhës. Është përdorur Enver Hoxha.
Keni biseduar ndonjëherë me Enverin për Nexhmijen? Kishte xhelozi mes jush dhe zonjës Hoxha?
Xhelozi? Jo xhelozi jo. Unë kam të drejtën e të gjithë botës, por nuk arrij të urrej, nuk e njoh urrejtjen. Ndoshta do të ishte mirë, sepse urrejtja është ndjenjë shumë e fortë, e të çon përpara ndonëse jo moralisht. Por unë kam frikë nga Nexhmije Hoxha.
Frikë?
Po frikë për atë që është. Edhe unë nga frika e kam bërë atë libër. Nga frika se Nexhmije Hoxha është ajo që mund të bëjë gjithçka, bashkë me Ramiz Alinë. Ka bërë gjithçka në këtë vend.
Po Ramiz Alia nuk jeton më…
Nuk jeton më, por disa muaj ka që ka vdekur.
Sot ju thatë që keni parë edhe filmin që unë bëra, keni thënë se keni lënë përgjysmë librin sepse jeni ndjerë keq. Vazhdoni pas të gjithë kësaj ta vlerësoni ende Enver Hoxhën ju personalisht?
Unë nuk e vlerësoj Enver Hoxhën absolutisht në rrugë personale. Por në kuptimin se si duhet ta vlerësojë  Enver Hoxhën një qytetar. Por unë e njoha Enver Hoxhën, dhe derisa e njoha nuk kam çfarë të bëj. Në rastin e vrasjeve unë Enver Hoxhën, e kthej përmbys dhe nuk e justifikoj me gjithë legjislaturën që ia lejonte ato.
Por vazhdoni ta admironi si person?
Po. Them që dhe është punuar, që të mos ndalemi tek arsimi, shëndetësia, siguria, kjo e ajo se ato dihen. Ju keni kapur një aspekt dhe në këtë aspekt keni punuar shumë mirë. Unë ju uroj. Do të ketë të tjera punime, ai njeri ka qenë nacionalist.

100 vjetori i pavarësisë/ Avni Mula: Notat e mia për Ismail Qemalin

Aida Tuci
Ekziston një vend në mes të Tiranës, ku mes qetësisë dhe tingujve të një pianoje gjendet një artist që nuk resht së shkruari. Në një nga dhomat e shtëpisë së tij është ulur dhe Avni Mula. Tavolina në studion e punës është mbushur me copa letrash ku janë “shkarravitur nota”, më tutje partiturat e një vepre muzikore. Procesi i krijimtarisë së një artisti fillon që te prehja e lapsit e përfundon tek ato partitura. Avni Mula vazhdon të kompozojë edhe sot që dora nuk i bindet si dikur. Ulet në piano për t’u dhënë zë notave që ka në mendje dhe pastaj ashtu ngadalë i hedh me laps një herë në një fletë “prove”, siç e quan ai, e pastaj në partitura. “Po kompozoj diçka për 100-vjetorin e Pavarësisë. Është një vit i shënuar për Shqipërinë dhe dua të bëj dhe unë diçka”- thotë ai. Pranon jo pa dhimbje që dora herë pas here nuk i bindet. “Nuk ka rëndësi, unë e kam në mendje muzikën dhe kam filluar të shkruaj diçka në partitura”. Mbi origjinën e veprës së tij ai niset nga ndërtimi i rrethanave që sollën Ismail Qemalin në Shqipëri. Cila ishte familja, gruaja greke, fëmijët e deri te bashkëkohësit e plakut të urtë. Përballja e libretit me muzikën vërtitet në gjithë procesin krijues të artistit. Ky është dhe subjekti mbi të cilin e ngre veprën e tij më të re Avni Mula. “Libretin ma kanë sjellë prej kohësh dhe unë pasi e kam lexuar po përpiqem të kompozoj muzikën. Kam shkruar disa pjesë dhe besoj se do ta mbaroj që të vihet në skenë me rastin e 100-vjetorit”- thotë Mula, i cili veprimtarinë krijuese e nisi diku në vitet ’60, duke shkruar muzikë këngësh fillimisht, pastaj romanca, kantata, poema vokale dhe skenike etj. Por vepra më madhore e krijimtarisë së tij mbetet opera “Borana”. Partiturat e saj ai i mban ende sipër tavolinës së punës. Teatri i Operas dhe Baletit e riktheu një vit më parë në skenë operan “Borana”, pas 27 vjetësh. U tha se Mula e kishte rishkruar dhe një herë veprën, çka menduam se ishte e vërtetë kur pamë partiturat e saj ende mbi tavolinë. “Jo, nuk i kam bërë asnjë korrigjim. Për mua është gabim të korrigjohet një vepër. Nëse artisti e ka kompozuar në një kohë të caktuar ajo ashtu duhet të mbetet edhe pas dhjetë apo pesëdhjetë vjetësh”- irritohet paksa kompozitori. Por shton gjithashtu se gjithmonë një kompozitor e vë në dyshim veprën e tij, sa më shumë që vitet kalojnë. “Në mendjen time unë them me vete po sikur të ishte kështu e ashtu kjo arie apo ky duet. Por vetëm kaq. Por kur vepra ka përfunduar dhe është vënë një herë në skenë, është e mira që ajo të mbetet ashtu”. Ai mendon se me vënien në skenë të operas “Borana” pas 27 vjetësh nga premiera jo gjithçka ishte ashtu siç ai do të donte ta shihte në skenë operan e tij. “Borana është një vepër me kërkesa të larta dhe ajo nuk u ekzekutua ashtu siç ishte, sepse është një vepër e zorshme shumë. Por ekzekutimi varet nga shumë faktorë. Unë mendoj se përsa i përket anës muzikore, nuk iu shkua deri në fund veprës. Edhe vënia në skenë e një operas është një proces i vështirë, prandaj kjo opera mbeti e panjohur për publikun, pasi nuk u arrit të vihej në skenë ashtu siç unë e kam shkruar operan këtu e shumë vite më parë.
“Borana”, me muzikë të Avni Mulës dhe libret të Gjergj Zhejit, është ngjitur për herë të parë në skenë më 5 prill 1984. Është një histori dashurish dhe tradhtish. Është viti 1448, kur sulltan Murati II, i nxitur nga Venediku, sulmon Arbërinë. Pasi nuk e ka marre dot betejën në shesh të mejdanit, përpiqet me anë të dredhisë. Tradhtari Bash Murghini dhe Ferucio, një i dërguar i Venedikut, që hiqet si tregtar, janë paguar të hedhin në erë portën e kalasë, duke ua lënë turqve rrugën të lirë. Sokol Suta, biri i Marka Sutës, një luftëtar i vjetër, zbulon planin, ndaj edhe e vrasin. Për të humbur gjurmët, tradhtarët hedhin hije dyshimi mbi Sokolin, çka e pikëllon pa masë luftëtarin, i cili mbyllet në shtëpi i turpëruar. Turpin që ka mbuluar babanë dhe të vëllanë do ta “lajë” Borana, e cila do të vishet si burrë për të luftuar turqit e për të zbuluar të vërtetën. “Disa personazhe nuk ishin prekur edhe pse nuk ishin të skalitura ashtu siç duhet, por mendoj se dirigjenti kishte bërë një punë të mirë për ta sjellë sa më pranë origjinalit pjesën, me gjithë se unë kur e kam shkruar këtë vepër kam menduar se ajo do t’i rezistonte kohës e do të vihej në skenë edhe pas dhjetë apo pesëdhjetë vjetësh.” Një vepër muzikorë që të arrijë perfeksionin duhet të vihet disa herë në skenë. Mula merr shembullin e ‘Traviatës’, që  është vënë me qindra herë në skenat më të mëdha të botës dhe dy herë edhe në skenën shqiptare. “Duhet që vepra të vihet herë pas herë në skenë, që të arrihet perfeksioni. ‘Traviata’ është vënë me qindra herë, kurse ‘Borana’ vetëm dy herë. Diferenca është shumë e madhe, prandaj them se duhet vënë disa herë në skenë “Borana” që të arrihet te cilësia e muzikorë e veprës. Avni Mula, që i ka kaluar të 80-at, rri me orë të tëra para partiturave, vazhdon ende t‘i kushtojë mendimet, ndjenjat, dashurinë gjithashtu një vepre muzikore që do të ngjitet në skenë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.

Parada gay në Tiranë, Ambasada Pink: Respekt për ne, myslimanët kundër

Sot në ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, anëtarë të komunitetit LGBT (lezbike, gay, biseksualë, transeksualë) kanë zgjedhur kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën për paradën e tyre.

Aktiviteti i tyre nisi rreth orës 09:30, ndërsa fjalën e mori i pari Ambasadori i parë i Ambasadës Pink në vendin tonë Altin Azizaj, i cili deklaroi se Shqipëria po nis një kapitull të ri, atë të respektimit të cdo komuniteti.

Ndërkaq edhe myslimanët kanë paralajmëruar sot një protestë paqësore ndaj homoseksualëve. Sipas njoftimit të Forumit Mysliman Shqiptar do të organizohet një manifestim me rastin e ditës së familjes.

AMBASADORI HOLLANDEZ: U SUPRIZOVA NGA DEKLARATA E SPAHISË, KA ENDE INJORANCËAmbasadori hollandez në vendin tonë, zoti Henk Van den Dool deklaroi sot se është ndjerë i suprizuar nga deklaratat e kreut të Partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahia në adresë të tij, për faktin se ai është pjestar i kabinetit të qeverisë dhe jo njeri i thjeshtë.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve ai falenderoi kryeministrin Berisha për mbështjetjen e tij, ndërkohë u shpreh i keqardhur se dikush është fyer teksa ai ka folur për vlerat e përbashkëta europiane.

“Këto deklarata nuk i dëgjon cdo ditë dhe kam qënë i suprizuar, dhe sigurisht dhe një nga këto cuditë e mija është se deklarata nuk është bërë nga një qytetet i thjeshtë, por një anëtar i qeverisë. Mua më ka ardhur keq dhe ende më vjen keq se duke folur për vlerat e përbashkatë europiane paskam fyer”, deklaroi ambasadori.

Ambasadori hollandez, thekson se ngjarjet e fundit diskriminuese ndaj komunitetit LGBT tregojnë se ka ende injorancë për homoseksualizmin. Sipas Van den Dool paragjykimi vjen nga mungesa e informimit.

“Jam i kënaqur të them se Shqipëria ka nënshrkuar të gjithë konventat europiane dhe ka një ligj të fortë kundër diskriminimit, duke përfshirë dhe diskriminimin seksual. Ngjarjet e fundit kanë treguar se ka ende injorancë për homoseksualizminm. Të ngresh cështje për homoseksualët pritet me paragjykim dh qeshja. Frika dhe paragjykimi rezulton nga mos informimi. Tregojini kush jeni”,- u shpreh ambasadori hollandez.

FILLORETA KODRA: FUSHATË TË GJËRË ANTIDISKRIMINIMI
Zv. Ministrja e Punës, Filloreta Kodra e pranishme në celjen e këtij aktiviteti, deklaroi se “Ministria ka hartuar një program pune për rishikimin e legjislacionit, ndërsa do të ndërmarrë një fushatë të gjërë antidiskriminimi”, sic tha ajo.

Kodra deklaroi se duhet bashkëpunim më i gjerë mes shoqërisë civile, mediave e institucioneve në luftën kundër diskriminimit të këtij komuniteti.
Ajo deklaroi më tej se “të gjithë para ligjit janë të barabartë”.

AMBASADA PINK: SHQIPËRIA KAPITULL TË RI Ambasadori i parë i Ambasadës Pink, Altin Azizaj në celjen e festivalit të diversitetit, ftoi cdo shqiptarë të jetë pjesë e tij dhe të ngrejë lart flamurin LGBT si shenjë e respektimit të të drejtave njerëzore dhe mosdiskriminimit të këtij komuniteti.

“Ky është një manifestim publik për një botë të lirë, të hapur dhe të denjë, që vendi të shkëputet nga bota e vjetër. Sot hapet i pari festival i diversitetit. Ne kërkojmë të jetojmë me nder dhe barazi si gjithë qytetarët e tjerë.
Sot Shqipëria po shkruan një kapitull të ri, është Shqipëria e demokracisë dhe lirisë ku respektohen të drejtat dhe barazitë themelore të njeriut, respekton komuinitetin LGBT. Ne jemi kundër diskriminimt dhe homofobisë. Kjo është Shqipëria e re ku cdo komunitet jeton në paqe dhe harmoni. Komuniteti LGBT ka jetuar dhe do jetojë në këtë vend pavarësisht paragjykimeve. Cdo kush prej nesh beson tek vletrat, tek familja dhe morali”, tha ai.

Azizaj deklaroi më tej se, “Do të adresojmë të gjitha mangësitë ligjore që pengojnë sot këtë komunitet”.

SOT NE TIRANE PARADA GAYSot në ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, anëtarë të komunitetit LGBT (lezbike, gay, biseksual,transeksual) kanë zgjedhur kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën për paradën e tyre. Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë është një përkujtim i heqjes së homoseksualitetit prej Klasifikimit Ndërkombëtar të Sëmundjeve, bërë nga OBSH, më 17 maj 1990.

Dje në Tiranë është zhvilluar edhe ekspozitën "Kukafshehti", e para e këtij lloji që adreson jetën dhe dashurinë e komunitetit gay, si pjesë integrale e shoqërisë shqiptare. Ekspozita ishte iniciativë e Aleancës Kundër Diskriminimit, LGBT, ndërsa mësohet se nuk ka marrë pjesë asnjë politikan shqiptar, përveç përfaqësuesve të përfaqësive diplomatike në vendin tonë.

Mësohet se shumë prej ambienteve ku do të zhvillohen këto aktivitete do të 'blindohen' në mënyrë që të mos krijohen incidente. Masat që janë marrë nga shoqatat që mbrojnë të drejtat e komunitetit LGBT kanë ardhur për shkak të debateve të forta që nisën në lidhje me zhvillimin e një parade gay në Tiranë. Veç policisë private, kryetarët e këtyre shoqatave kanë zhvilluar edhe një takim me drejtues të Bashkisë së Tiranës dhe u kanë kërkuar mbështetjen e policisë bashkiake për mbarëvajtjen e këtyre aktiviteteve.

Kujtojmë se, përkujtimi i kësaj dite nga ky komunitet, nuk është pritur mirë në vendin tonë. Madje nga Partia e Legalitetit ka pasur deklarata shumë të ashpra drejtuar LGTB. Kreu i saj Ekrem Spahia ka bërë shpeshherë deklarata që kjo paradë të mos mbahej në vendin tonë, cënon moralin e shoqërisë shqiptare, siç tha ai.
Spahia shkoi deri aty sa kërkoi edhe shpalljen non grata për ambasadorin e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në vendin tonë, zoti Henk Van den Dool.

Megjithatë, kreu i qeverisë shqiptare i ka cilësuar të papërshtatshme deklaratat e tij, ndërsa ka deklaruar se Shqipëria është një vend i lirë dhe si i tillë respekton çdo komunitet.

Po dje edhe ambasadori i BE-së Ettore Sequi bëri thirrje t’i jepet fund këtyre deklaratave diskriminuese të bëra nga politikanë të caktuar.

(ma.ar/el.me/BalkanWeb)

Nexhmije Hoxha: Liliana më ka frikë se ia di të kaluarën

Nexhmije Hoxha reagon për herë të parë mbi intervistën e dhënë nga Liliana Hoxha. "Unë kam frikë nga Nexhmije Hoxha... ajo ishte një grua e tmerrshme, e frikshme". Kështu u shpreh ajo në një intervistë të saj ditën e martë te Fevziu.

Reagimi Megjithëse e rezervuar, është hera e parë që Nexhmije Hoxha prononcohet lidhur me shkrimet e intervistat e Lilianës, nuses së djalit të saj të vogël, Sokol, të dhëna në media pas viteve 1990. Është ora 11.00. Formojmë numrin e zonjës Nexhmije, e pas dy zilesh, ngre receptorin. Na përgjigjet me mirësjellje duke na pyetur për punët e përditshme dhe duke përfituar nga situata e pyesim menjëherë.
Zonja Nexhmije, pse ju ka frikë Liliana, ç’ka ndodhur mes jush?
(Në fillim, zonja Hoxha, heziton, e pas disa sekondash artikulon shpejt e qartë opinionin e saj mbi Lilianën).
"Nuk merrem me mendjen e çoroditur të Lilianës. E dini pse ka aq frikë Liliana nga Nexhmije Hoxha? Ajo e di se unë e njoh shumë mirë, se si ka qenë e ç’ka bërë në të kaluarën, në familjen tonë dhe në këto vite pas '90 kur u shkëput nga familja e Enver Hoxhës. Këto i kam të shkruara e të dokumentuara por, s'kam ndër mend të ulem, të merrem e, t’i përgjigjem, si unë e familjarët e mi, marrëzirave të Lilianës. Kaq kisha. Faleminderit."
Ky ishte reagimi i parë dhe i vetëm i Nexhmije Hoxhës në këto 20 vjet mbi Lilianën.
Pritshmëria
Liliana Hoxha, nusja e djalit të vogël të Enverit, Sokolit, tashmë dihet që në çdo intervistë të saj, fokusohet te Nexhmije Hoxha duke sjellë akuza nga më të ndryshmet për të që nga ato më të voglat e deri te ato që shkojnë përtej imagjinatës, duke mos përdorur asnjë fakt përveç dëshmisë së saj, herë-herë dyshuese ose mitologjike siç e quajti dhe Fevziu të martën, një nënvizim të saj. "Nexhmije Hoxha më ka vrarë vëllanë, më ka vrarë motrën, ka vrarë të gjithë shqiptarët, ata që janë vrarë e persekutuar vetëm për pushtetin e saj. Unë atë grua e kam frikë", u shpeh Liliana ndërsa në kartelën mjekësore të kohës rezulton se ata kanë vdekur nga sëmundje e pashërueshme. Në një tjetër intervistë me Fevziun vite më parë, Liliana Hoxha shprehej se nuk e dinte që shqiptarët jetonin me tollonë, diçka e paimagjinueshme kjo për një grua, familja e së cilës nuk jetonte në bllok. Megjithatë pjesën e saj e kemi dëgjuar me të vjetrat e me të rejat duke u kthyer thjesht në legjendë urbane, ndërsa Nexhmije Hoxha thotë se e njeh mirë të kaluarën e saj, por nuk prononcohet duke theksuar se as ajo e as familjarët e saj, s’i përgjigjen marrëzirave të Lilianës.

LilIana Hoxha: “Nexhmija më ka vrarë vëllanë, motrën dhe gjithë shqiptarët”
Keni biseduar ndonjëherë me Enverin për Nexhmijen? Kishte xhelozi mes jush dhe zonjës Hoxha?
Xhelozi? Jo xhelozi jo. Unë kam të drejtën e të gjithë botës, por nuk arrij të urrej, nuk e njoh urrejtjen. Ndoshta do të ishte mirë, sepse urrejtja është ndjenjë shumë e fortë, e të çon përpara ndonëse jo moralisht. Por unë kam frikë nga Nexhmije Hoxha.
Frikë?
Po frikë për atë që është. Edhe unë nga frika e kam bërë atë libër. Nga frika se Nexhmije Hoxha është ajo që mund të bëjë gjithçka, bashkë me Ramiz Alinë. Ka bërë gjithçka në këtë vend.
Çfarë mund të bëjë Nexhmije Hoxha, një grua 90-vjeçare, e vetmuar?
Po flasim për xhelozitë. Të ishte për karakterin tim për këto pyetje unë do të ngrihesha e do të ikja. Por kam ardhur të sqaroj opinionin shqiptar, ndaj dhe të përballem. Ju po flisni për xhelozi, e unë do flas për fillimet e mia, jo tani. Pikërisht se Nexhmije Hoxha nuk më ka dashur kurrë, pikërisht se Nexhmije Hoxha më ka vrarë vëllanë, më ka vrarë motrën, ka vrarë gjithë shqiptarët, ata që janë vrarë e persekutuar vetëm për pushtetin e saj, unë atë grua e kam frikë.
Kur e keni njohur për herë të parë?
Në vitin 1972.
Përse vajtët në Komitet Qendror?
Sepse unë duhet të ndahesha nga Sokoli sepse thashë nuk dua, nuk më pëlqen atmosfera këtu. Jo Sokoli, se ai më pëlqente shumë, por jetesa në bllok, kisha shumë paqartësi, nuk ndihesha mirë. Nuk desha. Më kishte thënë edhe im atë, që djali i Enverit është i mrekullueshëm, por unë nuk mund të lejoj që vajza ime të dalë me të. Kaq më duhej.
Dhe ju shkuat të takonit Nexhmije Hoxhën?
Unë e "lashë" në fakt Sokolin dhe ai vajti me vrap në familje dhe tha që Liliana më la. Urgjentisht brenda javës ajo më kërkoi në zyrë për të legjitimuar njohjen zyrtare .
Dhe si ka qenë takimi juaj i parë me të?
Kam zbritur e frikësuar. Kam vajtur në shtëpi e frikësuar, më e torturuar se më parë, ta lë apo mos ta lë Sokolin.
Përse?
Se ishte një grua e tmerrshme, e frikshme. Ka qenë gjatë gjithë jetës sime e frikshme.

(el.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Pas Nanos, Dule i premton dhe Rames: Ka vullnet per konsensus mbi Presidentin

Kryetari i PS, EDi Rama ka realizuar nje takim me kreun e PBDNJ Vangjel Dule, duke vijuar turin e bisedimeve per konsensusin ne zgjedhjen e presidentit dhe te miratimit te ndryshimeve ne reformen zgjedhore. Ne perfundim te takimit Dule eshte shprehur se mes partive parlamentare ka vullnet pozitiv dhe mund ti pergjigjemi detyrimeve te vendosura nga BE per Shqiperine. Sipas tij zgjedhja e presidentit duhet te kaloje ne nje proces i cili duhet te karakterizohet nga konsensusi. Si shembull ai ka sjelle liberalizimin e vizave dhe anetaresimin ne NATO qe sipas tij u arriten kur u tregua vullnet pozitiv politik. Por kur nuk arrihet konsensusi atehere nuk shkojme ne marrjen e se drejtes dhe perkrahjes nga strukturat nderkombetare.
Per Dulen Presidenti duhet te garantoje frymen e duhur te shtetit dhe te marredhenieve institucionale dhe perfaqesimit te vendit. Sipas tij Fatos Nano do te ishte figura me e pershtatshme dhe ka mbeshtetjen e PBDNJ
Pyetjes nese do te votohet emri nga mazhoranca ai tha se ka propozuar Nanon per President, por do te jete kunder pjesemarrjes ne nje proces ku emri do te vije njeanshmerisht nga PD.
Ndersa vete Rama, i cili deri me tani ka zhvilluar takime me kreun e LSI Ilir Meta dhe te PDIU Shpetim Idrizi, tha se BE kerkon nga Shqiperia te reagoje por se pari duhet te jete politika qe duhet te marre masa. Sipas tij eshte kryeministri qe kerkon President per veten, por se opozita kerkon President per vendin. Serish Rama nuk ka pranuar te perballet me pyetjet e gazetareve duke transmetuar vetem ate cfare ai mendon se duhet te thote per publikun pa shpjegime te tjera

Rikthehet në polici pas 12 vitesh Mit’hat Havari

Havari akuzoi Ramën për aksionin te parku “Rinia”: Ai është mashtrues.
Kryepolici i hekurt emërohet shef në komisariatin e Përmetit.
Rikthehet në polici pas 12 vitesh Mit’hat Havari. Kryepolici i njohur si “Dora e hekurt” që luftoi bandat e vitit ’97 në Berat dhe i identifikuar për prishjen e parkut “Rinia” kur drejtonte Policinë Ndërtimore, emërohet sërish në radhët e uniformave blu.
Dy javë më parë, 62-vjeçari me gradën kryekomisar është caktuar në detyrën e shefit të Komisariatit të Përmetit, në qarkun e Gjirokastrës. Këtë fakt e konfirmoi vetë Havari, i cili në nëntor të vitit të shkuar reagoi fuqishëm kundër kreut të PS-së, Edi Rama, duke e quajtur mashtrues për aksionin e famshëm për prishjen e ndërtimeve pa leje në parkun “Rinia”. Emërimi i kryekomisarit Havari është bërë në qytetin e Përmetit, i cili në të vërtetë konsiderohet si një nga zonat më të qeta për sa u përket shifrave të veprave penale. Një fakt i fortë që i ka rihapur dyert Havarit, ka qenë dhe vendimi i Gjykatës së Tiranës, dhënë një muaj më parë, në lidhje me largimin e tij nga detyra e kryepolicit të kryeqytetit, në vitin 2000. Havari e fitoi gjyqin e hapur ndaj Ministrisë së Brendshme dhe Policinë e Shtetit, pas lirimit nga detyra të drejtorit të Policisë së Tiranës, me motivacionin e “braktisjes së detyrës”. Nga ana e tij, kryekomisari deklaroi se ai nuk e kishte braktisur detyrën, por e cilësoi pasojë e përplasjes së strukturave, pasi nga Kryeministri u vu në dispozicion për të marrë detyrën e kreut të Policisë Ndërtimore. Që nga momenti i largimit nga detyra e fundit, ajo e shefit të Ndërtimores, Mit’hat Havari është angazhuar me komente dhe reagime të ndryshme publike në kryeqytet, derisa në vitin 2005 ishte dhe kandidat i zgjedhur prej partisë së drejtuar nga Genc Pollo. Figura e Havarit si drejtues policie pati mbetur në hije dhe e harruar disi, pavarësisht emrit të tij në radhët e forcave të rendit, kryesisht në periudhën 1996-2000. Ai ka drejtuar disa komisariate e drejtori policie, si në Elbasan, në Berat e Shkodër para se të emërohej si polici i parë i Drejtorisë së Tiranës. Më tej, emri i Mit’hat Havarit u lidh direkt me atë të aksioneve të Policisë Ndërtimore, në kohën kur ishte kryeministër Ilir Meta dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Havari u rikthye në qendër të medias së fundi me deklaratën e tij publike, kundër ish-kryebashkiakut Rama, aktualisht kreu i Partisë Socialiste. Shkak u bë libri “Kurban” i Ramës, ku sipas Havarit, Rama mashtronte mbi të vërtetën e aksionit të zhvilluar në parkun “Rinia” për prishjen e ndërtimeve pa leje në të. Sipas Havarit, parku nuk ishte meritë e Ramës që u shndërrua në një “qilim të blertë”, por u transformua “falë vullnetit të qeverisë dhe personalisht të Ilir Metës dhe institucioneve të tjera që vareshin prej tij, përfshi këtu dhe Policinë Ndërtimore që unë drejtoja”.
Gjykata
Një muaj më parë, Gjykata e Tiranës i dha të drejtën ish-drejtorit të Policisë së kryeqytetit, Mit’hat Havari në procesin kundër Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Vetë Havari i kishte paditur institucionet për vendimin e dhënë 12 vjet më parë, kur ai la detyrën e kryepolicit të Tiranës. Ndonëse detyrën e kishte lënë që në vitin 2000, kur u emërua në postin e Policisë Ndërtimore, ai u lirua nga radhët e policisë me një vendim të vitit 2005, me motivacionin e braktisjes së detyrës. Por, në prill të këtij viti, gjykata vendosi anulimin e këtij akti administrativ për Havarin.
Detyrat
Mit’hat Havari mbahet mend mirë për detyrat e tij kur drejtonte policinë në disa prej rretheve problematike në vend. Nga Elbasani ai u caktua në Berat, ku kujtohet për luftën kundër bandave në vitin 1997. Më tej, Havari u emërua në komisariatin e policisë në Shkodër, ku dhe u shënua një përplasje me armë, prej nga mbetën të plagosur rëndë dy prej punonjësve të policisë. Pas Shkodrës, emërimi i kryekomisarit u bë në Tiranë, drejtoria më e rëndësishme në shkallë vendi. U desh pak kohë që ai të qëndronte këtu, pasi me urdhër të kryeministrit të atëhershëm u caktua drejtor i Ndërtimores.

Gonxhja u përgjigjet akuzave të Liljana Hoxhës: Si e kam njohur Teutën në ‘89-’90

Liljana Hoxha e akuzoi Teutën për joshje ndaj Alisë, Ramës, Klosit e Gonxhes.
“Liljana thotë haluçinacione, Teuta ishte e sjellshme e korrekte”
I atakuar krejt papritur në një emision televiziv, Blendi Gonxhja rrëfen të vërtetën mbi pozitën dhe njohjen që ka pasur dy dekada më parë me Teuta Hoxhën.
Ish-drejtuesi i Lëvizjes Studentore në Instituin e Lartë të Arteve (sot, Akademia e Arteve) dhe në Qytetin Studenti ‘89-’91, hedh poshtë akuzat që Liljana Hoxha i bëri gjatë intervistës me Blendi Fevziun në “Opinion”. E reja e ish-udhëheqësit komunist Enver Hoxha aludoi se kunata e saj, Teuta Hoxha, “në vitin 1990 ka qenë ndërlidhëse e Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës me Edi Ramën, Blendi Gonxhen dhe të ndjerin Ardian Klosi… Të cilët i fuste në kurth nëpërmjet mënyrave femërore dhe i ritakonte më pas…”. I pyetur nga gazeta “Panorama” rreth kësaj deklarate, Blendi Gonxhja preferon që të mos merret me akuzuesen publike të tij, Liljana Hoxhën, por e sheh të arsyeshme që të sqarojë publikun. “Shpreh keqardhjen time për këtë pasazh të intervistës së një personazhi si Liljana Hoxha, të cilën nuk e njoh dhe nuk dua t’i hyj në hak për asgjë. Por, meqenëse pyetem nga gazeta dhe meqenëse emri im është përmendur në aludimet e saj, po sqaroj publikun, në respekt të epokës që emri im përfaqëson dhe të historisë sime personale e të brezit tim, të lidhur aq ngushtë me ngjarjet e rëndësishme historike të viteve ‘90 dhe të rrëzimit të diktaturës më të egër të Ballkanit. Nuk flas për Liljanën, as për të rrëzuar këtë halucinacion të saj, por duke folur mendoj se i shërbej publikut që të jetë i qartë”, thotë Blendi Gonxhja.

Blendi Gonxhja
Më pas ai hyn drejt e në temë duke theksuar: “Nuk ka pasur asnjë lloj ndërlidhjeje mes meje dhe për aq sa unë di, edhe mes Edi Ramës apo të ndjerit Ardian Klosi me Nexhmijen apo Ramizin. As takim e asnjë lloj përpjekjeje të askujt për të na takuar apo lidhur ndonjëherë”. Bashkangjitur kësaj, Gonxhja bën një retrospektivë të viteve ‘89-‘90 duke shpjeguar se si është njohur me Teuta Hoxhën, si dhe pozitat e të dyve në marrëdhëniet e punës. “Në vitet 1989-1990, unë si Blendi Gonxhja, kam punuar part-time në Muzeun Historik Kombëtar disa ditë në muaj si kurator për disa ekspozita të ndryshme gjatë kohës kur studioja në Akademinë e Arteve të Bukura (ish-ILA), ku rastësisht kam njohur edhe drejtoreshën e Muzeve Shqiptarë, që përkohësisht ishte me seli në Muzeun Kombëtar, znj. Teuta Hoxha. Për aq sa mbaj mend, Teuta ishte një person i sjellshëm, korrekt dhe dashamirëse krahasuar me nomenklaturën dhe me frymën e rëndë të administratës së asaj kohe. Në asnjë rast apo formë nuk di që Teuta Hoxha të ketë dalë jashtë kuadrit të profesionit dhe detyrave të saj si drejtoreshë e Muzeve Shqiptarë. Përkundrazi, ruaj respekt të plotë për etikën dhe qëndrimin e saj për aq kohë sa kam punuar në Muzeun Kombëtar. E ndiej për detyrë të theksoj se parimet dhe idealet e mia, si një ndër drejtuesit e Lëvizjes Studentore për demokraci brenda ILA, por edhe më pas në Qytetin Studenti, nuk më lejonin dhe nuk më lejojnë kurrë të ndërmarr luftë klasore kundër familjarëve të familjes Hoxha, pikërisht sepse kjo do të ishte tërësisht e kundërta e asaj për të cilën unë dhe brezi ynë luftoi dhe mbi të cilën fitoi. Unë dhe brezi im luftuam që në Shqipëri të mos kishte më luftë klasash, të përndjekur apo viktima të biografive, por që të ishim të gjithë të barabartë dhe të lirë në një rend meritokratik e demokratik. Hedh poshtë çdo aludim të Liljana Hoxhës në lidhje me sa ka thënë mbi personin tim dhe mbi atë periudhë historike”.
ELISABETA ILNICA

Liljana Hoxha: Teuta, raport shtatzënie fals për t’u martuar me djalin e Enverit

Nusja e familjes Hoxha flet për Blendi Fevziun në “Opinion”, TV KLAN.

Teuta dhe Ilir Hoxha dhe Liljana Hoxha
“Frika e Ramizit dhe Nexhmijes ndaj familjes Shehu dhe implikimi i tyre si agjentë të UDB-KGB” Akuza Teutës për kurthe femërore ndaj Alisë, Ramës, Gonxhes e Klosit.
Është një ndër personazhet që ka shumë për të treguar. U rikthehet shpesh historive të vjetra, por edhe sjell dëshmi të reja. Me një kombinim të tillë rrëfimesh, Liliana Hoxha bisedoi përballë gazetarit të njohur, Blendi Fevziu, në emisionin “Opinion” të televizionit “Klan”. Si nusja e Sokolit, djalit të ish-udhëheqësit komunist, Enver Hoxha, ajo di shumë ngjarje brenda familjes së saj, por edhe “bllokmenëve” të tjerë. Për ato episode që ka jetuar vetë, Liliana Hoxha nuk pranon kundërshtime. Për ato të dëgjuara nga të tjerët apo të lexuara ndokund, bën analiza…
Zonja Hoxha, a jeni e sigurt që keni ende gjëra për të thënë? Kam përshtypjen se ju keni shkruar shumë, keni folur shumë, keni dhënë intervista…
Kam shumë, shumë gjëra për të thënë, e kam thënë edhe herën e fundit. Janë hollësira që bindin më shumë lexuesin, siç edhe e ngjethin më shumë atë.
Si i dini ju këto gjëra? Ku i keni mësuar?

Ato që unë di, i di nga jeta ime. Kurse hollësira për njerëzit e tjerë, që normalisht unë nuk i njoh, as i kam takuar, as kam ndenjur me ta, përsëri i njoh në rrugë institucionale…
Çfarë domethënë në rrugë institucionale?
Domethënë, ashtu siç di që unë kam qenë e ndjekur në kohën e diktaturës.
Si keni qenë e ndjekur? Ju ishit nusja e djalit të Enver Hoxhës…

Kam pasur dosje në diktaturë. Nuk e di sa qe gjallë Enver Hoxha apo jo, por ka të ngjarë edhe atëherë.
E ndjekur nga kush? Kush tjetër veç Enver Hoxhës mund t’ju ndiqte?

Nga Sigurimi i Shtetit. Sot them nga Nexhmije Hoxha dhe Ramiz Alia.
Përse Sigurimi i Shtetit duhet t’ju ndiqte?

Besoj për mënyrën se si më shikonin ata.
Keni fakte konkrete për këtë?


Liliana Hoxha
Kam fakte konkrete, dosja ka ekzistuar, nuk e di nëse tani ekziston apo jo. Shumë njerëz m’i kanë shprehur këto dhe unë retrospektivisht i vërtetoj të tëra. Ndaj them kam shumë e shumë gjëra të tjera, ku ngërthehet e gjithë familja ime, motra, vëllai, martesat e tyre të detyruara nga Nexhmija. Jo më martesa e Ilirit me Teutën, që kjo e fundit lakon se u dashuruan e të tjera me radhë. Martesat e vëllait dhe motrës sime u bënë që të prishej martesa ime me Sokolin. Siç i di këto të gjitha tashmë, për një kohë të gjatë mezi i kam kuptuar, por i kam vërtetuar me shumë analiza, dëshmi, takime etj., ashtu di çdo gjë, shumë hollësira, por kam shprehur vetëm të domosdoshmet për ata njerëz që unë i kam përmendur aty në zbërthim të çështjes. Për ta plotësuar këtë temë madhore që në të vërtetë është çështje kombëtare. Komunizmi ishte komunizëm, komunizmi duhet të ikte meqenëse si ideal është sublim, por si praktikë polli totalitarizëm. Ndonëse komunizmi duhet të ikte, fatkeqësia reale nuk ishte “komunizmi” në vetvete, jo se bëri pak si ideologji. Sepse bëri Kushtetutën që në vetvete ligjëronte reprezaljet. Por katastrofën më të thellë në Shqipëri e ka bërë agjentura.
Cila agjenturë? Cilat ishin agjenturat që vepronin në Shqipëri?

Ka qenë KGB-ja dhe UDB-ja. CIA shumë-shumë ka dashur të ketë nën kontroll situatën. Këto kanë ardhur prej Jaltës, kjo është rrjedhojë e Jaltës. Është logjike, po të fillojmë me formimin e partisë, të kalojmë me profilin e Hoxhës etj., mund të thuash shumë dhe kanë rëndësi historike për t’u parë. Si detyrim i vendosjes gjeopolitike strategjike të vendit tonë, kjo çështje mbeti medoemos me pasoja. Por kanë pak rëndësi për temën tonë.
KGB-ja dhe UDB-ja ishin të pranishme në Shqipëri në nivele të larta, apo jo?

Rezultojnë që ishin të pranishme në Shqipëri, në nivelet më të larta.
Ju keni fakte për këtë, kush e thotë?

Faktet janë gjithçka që ka bërë Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha.
Ju po thoni që Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha ishin agjenturë e KGB-së apo UDB-së.
Po ishin fitimtarët.
Ç’domethënë fitimtarët?

Domethënë pasi bënë të gjithë luftën për pushtet, pasi shkatërruan dhe vranë të gjithë pretendentët..
Pretendentët i vrau Enver Hoxha apo Ramiz Alia me Nexhmije Hoxhën?

I “vrau” Enver Hoxha, sepse ishte ai në krye. Mund të ketë pasur edhe ndonjë firmë aty që në fund të fundit, gjatë luftës për pushtet, kur i thua që ky njeri është i rrezikshëm e të tjera, vendimet janë të paracaktuara. Në parantezë, unë pashë filmin dhe kam qarë siç ka qarë çdo grua shqiptare, por këtu po analizojmë, t’i lëmë sentimentet.
Pra ju po thoni që Enver Hoxha përdorej për të eliminuar ata persona që ….

Enver Hoxha nuk përdorej. Është fjalë e dobët, edhe Enver Hoxha për sytë e mi është shumë i fortë dhe ashtu ka dalë i fortë. Por Enver Hoxhës i jepej një informacion i gabuar. Dhe ky informacion i gabuar nuk ka qenë vetëm kur ai u izolua, sepse kur u izolua u bë absolutisht i kontrollueshëm. Dua të them që informacioni i gabuar i jepet çdo lideri nëpërmjet rrugëve institucionale. S’ka bashkëpunëtor që t’i flasë titullarit kryesor, në këtë rast diktatorit, që ky zhvillim që po bëjmë nuk po ecën. Por do t’i bëjë vetëm lëvdata euforike. Kjo është logjika në të gjithë botën.
Përse Nexhmije Hoxha duhet të ishte agjente e KGB-së apo Ramiz Alia i UDB-së, ata ishin drejtues shumë të lartë të regjimit komunist…

Ramiz Alia nuk e merrte kurrë pushtetin dhe Nexhmije Hoxha nuk e merrte kurrë pushtetin pasi të vdiste Enver Hoxha, pa qenë të tillë.
Po e kishte për sa kohë Enver Hoxha ishte gjallë…

Po do të trajtohej nga Mehmet Shehu, ashtu siç u trajtua Mehmet Shehu nga Enver Hoxha. Dua të them në emër të tij nga Kadri Hazbiu, Ramiz Alia e Nexhmije Hoxha.
Pra ju mendoni që Nexhmije Hoxha dhe Ramiz Alia kishin frikë nga Mehmet Shehu?

Pa dyshim.
Përse kishin frikë?

Sepse Mehmet Shehu ishte më i egri i të gjithëve.
Ishte i egër, por të gjithë mendojnë se ai do të sillej mjaft mirë me familjen e Enver Hoxhës…

Kështu mendojnë të gjithë, por nuk mendonte Nexhmije Hoxha kështu.
Ju mendoni se Nexhmije Hoxha kishte realisht frikë nga Mehmet Shehu?

Nexhmije Hoxha kishte realisht shumë frikë nga Mehmet Shehu.
E shprehte këtë?

Familja e Mehmet Shehut është sjellë realisht shumë keq ndaj familjes sonë.
Si është sjellë keq?

Bënin dualizëm të hapur që nuk kishte pse, sepse fëmijët e Enver Hoxhës ishin shumë të thjeshtë. Silleshin thjesht, pavarësisht se kanë të tjera kusure në kurriz por ishin të sjellshëm, nuk ishin vanitozë, nuk ushtronin pushtetin e të atit. Kurse fëmijët e Mehmet Shehut ishin arrogantë, prepotentë edhe ndaj nesh, edhe ndaj familjes sonë ishin kërcënues. Nuk të përfillnin, kalonin përpara me makina, të fyenin etj. me radhë.
Pra, ndihej ky dualizëm në Bllok. Kur ka filluar?

Ky dualizëm ndihej vetëm nga fëmijët e Mehmet Shehut dhe Fiqireti ndaj Nexhmije Hoxhës. Jo nga Mehmeti ndaj Enverit. Mehmet Shehu për mendimin tim, priste me durim të vdiste Enver Hoxha. Mehmet Shehu vetë nuk i ka bërë keq Enver Hoxhës. Ndaj, për mendimin tim, Enver Hoxha ka pasur shumë të drejtë të mërzitej për Mehmet Shehun kur ai është vrarë.
Si është vrarë? Është vetëvrarë apo vrarë?
Është vrarë. Unë them që është vrarë, për hollësira nuk është as vendi dhe ato janë hipotetike.
Vrasjen e Mehmetit ju e nxirrni në analizën e sotme, apo e keni dyshuar që në momentin që ndodhi?
Unë e kam ndier që është vrarë, sepse nuk mund të vetëvritet një burrë si ai, aq më tepër që Enver Hoxha e kish falur dhe herë tjetër.
Më pas në analizat që keni bërë, ju rezulton i tillë…

Në të gjitha analizat ashtu më del. Me mërzitjen e Enver Hoxhës ashtu më del. Me gëzimin e Nexhmijes ashtu më del, edhe të fëmijëve, edhe me tablonë sinoptike ashtu më del. Sepse me tablonë sinoptike duhet të qetësonte Shqipërinë, njerëzit, sepse nuk është e kollajshme të vetëvritet një kryeministër, dhe duhet ta deklarojë spiun, gjë që edhe mund ta ketë besuar. I KGB-së është, sepse e ka ditur vetë Enver Hoxha dhe e ka lejuar. Ai e dinte se kush është i KGB-së dhe kush jo, pra kë lejonte dhe kë jo.
Ju mendoni që Enver Hoxha e dinte se cilët ishin spiunët e KGB-së?

Po. Po.
Dhe i toleronte?

Jo i toleronte, i linte në funksion, ua diktonte funksionin. Dhe në rastin e tablosë sinoptike, thotë që më ka dalë poliagjent. Pra, më ka dalë edhe në anë tjetër, që unë nuk e njoh. Domethënë më ka tradhtuar.
Ju mendoni që edhe midis drejtuesve të lartë të regjimit komunist kishte njerëz që punonin për KGB-në dhe UDB-në?

Po, është e domosdoshme, në çdo shtet kështu është.
Dhe këta njiheshin nga drejtuesit e lartë komunistë?

Enver Hoxha njihte ata që ua dinte hapin. Ata që nuk i njihte, po të bëheshin rrezik, do t’i likuidonte. Do t’i likuidonte në emër të së vërtetës që ata ishin rrezik ose, në emër të intrigës që u thurej nga të tjerë që ata ishin rrezik.
Të gjitha këto eliminime që Enver Hoxha bënte, ndahen në dy pjesë: eliminimet e atyre që quheshin kundërshtarë politikë, klasat e përmbysura që në një farë mënyre komunizmi u mori pushtetin dhe i ndëshkoi dhe eliminimet brenda kupolës drejtuese të Partisë Komuniste…

Enver Hoxha ka bërë reprezalje vetëm në luftën për pushtet. Luftën e klasave e kemi zhvilluar vetë, e ka zhvilluar shoqëria që është e molepsur nga agjentura. Shqipëria ka kaluar nën vrojtim, 1 në 3 veta do të ishte i Sigurimit. Këtë s’e ka bërë Enver Hoxha dhe as e ka ditur ai.
Është e vërtetë kjo?

Po është e vërtetë, një në tre veta ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Vëllai i gruas të vëllait tim ishte një ndër ata. Dhe vëllai im vdiq 40 vjeç, sepse ishte i pakënaqur me Ramiz Alinë pas vdekjes së Enver Hoxhës. E deklaroi këtë dhe për gjashtë muaj vdiq. Një histori e tillë, e ngatërruar me shumë intriga, ndodhi edhe me time motër më vonë, e cila vdiq po rreth 40 vjeç pikërisht kur do hapej publikisht. Të gjitha këto janë fakte që mua më kanë çuar në rrugën e studimit se çfarë ka ndodhur poshtë tek njerëzit e thjeshtë, pale ata të implikuarit biografikisht. Sepse mua m’i bëri Nexhmija dhe Ramizi, dikujt tjetër ia ka bërë kryetari i …
Ju e ndienit këtë dhunë që ushtrohej poshtë?

Nuk e kam ndier kurrë këtë dhunë që është ushtruar poshtë, e kam ndier vetëm në familjen e Enver Hoxhës, jam ngritur kundër saj, kam luftuar kundër saj… Për sa i takon Enver Hoxhës, nuk të falte për pushtet. Por ama fali Sejfulla Malishovën, fali Kristo Frashërin, e të tjerë si ata. Shumë të persekutuar i kanë fëmijët nëpër shkolla, sepse i kanë dërguar letër Enver Hoxhës dhe Enver Hoxha i ka toleruar. Unë vetë jam martuar me Sokol Hoxhën, pasi ime motër mori nipin e armikut të popullit që ishte në burg. Pra Enver Hoxha toleronte.
Por ka eliminuar persona, që në gjykimin tim nuk e kërcënonin pushtetin e tij…

I janë paraqitur si të tillë në rrugë institucionale.
Po marr Beqir Ballukun, Petrit Dumen…

Unë personalisht këtë çështje e filloj me Beqir Ballukun…
Sepse në qoftë se Mehmet Shehu përbënte një kërcënim për familjen Hoxha, sipas Nexhmije Hoxhës, pjesa tjetër e tyre nuk kishte asnjë lloj problemi?
Unë e filloj me Beqir Ballukun sepse atëherë kam qenë dëshmitare, sapo isha martuar. E kam diskutuar këtë gjë madje me Enver Hoxhën. Nuk e gjykoja dot sa fajtor ishte Beqir Balluku, por thosha se çfarë keni me fëmijët edhe fisin. Përgjigjja ishte shumë evazive po e pakontestueshme që këto gjëra kështu janë, mos u fut. Unë e besoj që Beqir Balluku është likuiduar nga të tjerë, nga Mehmet Shehu dhe, pas kësaj, atij do t’i vinte radha, sepse ai ishte më i fortë se Ramiz Alia kur u lidh prej krushqisë me Nexhmije Hoxhën.
Në eliminimet e Enver Hoxhës disa ngjallin pikëpyetje, pavarësisht se kanë qenë njerëz të angazhuar apo kundërshtarë të tij, është nipi i tij, apo kushëriri Abaz Omari, Bahri Omari, një njeri që e kishte ndihmuar shumë, madje në momentin e pushkatimit ka marrë edhe dhurata nga Nexhmije Hoxha, dhe më pas Syrja Selko, i cili po ashtu e kishte ndihmuar. Përse kanë ndodhur këto eliminime? A i kishit dëgjuar ju në familjen e Hoxhës këto eliminime?

Atëherë jo. Këto i kam dëgjuar në ‘90-n. Nuk i justifikoj, llahtarisem.
Pra nuk flitej për Bahri Omarin në familje?

Jo, lihej të kuptohej nga vizitat që bënin të bijtë, që respektoheshin shumë nga Enver Hoxha, edhe ata e respektonin shumë, që burri i Faries është ekzekutuar. Edhe bindja ime ishte që është ekzekutuar sepse ishte armik, ishte ballist. Se nuk ishte ashtu, këtë gjë e mora vesh pas vitit ‘90 dhe e kam thënë, diku, nderim për ata djem, të cilët të dyzuar midis të atit dhe Enverit arritën të kenë nderim për Enverin. Unë nuk do ta kisha bërë dot këtë gjë.
Po për rastin e Syrja Selkos apo Abaz Omarit, nuk përmendeshin fare?

Ata i kam dëgjuar nga ju, nga filmimet tuaja.
Ka mjaft komente që lidhen me atë që quhet trashëgimia e Enver Hoxhës, që ndahet në dy pjesë, atë që duhet trashëgimia kulturore, dokumentare dhe trashëgimia pasurore. Ku gjenden shumë prej dokumenteve origjinale të Enver Hoxhës, ditarët, shënimet e tij, kopje të të cilëve ndodhen sot në Arkivin e Shtetit të transferuara nga arkivi i tij personal në fondin e Komitetit Qendror. Ku gjenden origjinalet?

Origjinalet i ka Nexhmije Hoxha dhe Teuta për pasojë. Jo kot e kam quajtur Nexhmija 2 Teutën, jo për ilaritet, por ato funksione kishte marrë që në gjenezë, që kur u martua me Ilir Hoxhën. U martua me intriga të llahtarshme, intriga që asnjë vajzë 15-vjeçare nuk do t’i mbante në kurriz.
Si mund të bëjë intriga një 15-vjeçare?


Ilir dhe Teuta Hoxha
Epo ja që ajo i ka bërë. Në qoftë se duhet të verifikohet e vërteta ime, duhet të ndalen tashmë se vjen një ditë që thuhen të gjitha. Edhe unë nuk dua t’i them të gjitha. Intriga të nënës së saj, një kartomante, një grua që merrej me stregonerira, një manipulatore. E kaluara e të ëmës së saj është shumë e diskutueshme. Kjo grua, e lidhur me Nexhmije Hoxhën që herët, çfarë nuk kanë bërë që e bija, vajza e saj, të bëhej nusja e Ilir Hoxhës.
Po mund të jetë e drejta e çdo nëne që ta martojë vajzën e saj me djalin e kreut të shtetit…

Po, por jo medoemos të bëjnë presion tek autoritetet mjekësore që ata të pranojnë që është shtatzënë kur nuk është. Njerëzit janë gjallë dhe le ta kundërshtojnë. Le ta kundërshtojë Nexhmija edhe mjeku. Kështu janë këta njerëz. Kështu i kanë nisur fillesat e tyre.
Si kanë qenë raportet tuaja me nusen tjetër të familjes Hoxha? Ka pasur xhelozi mes jush?

Kjo është një pyetje fare normale. Jam shumë e ftohtë ndaj pyetjeve të tilla. Kuptohet që ka pasur deri obsesion, i njëanshëm, sepse s’mund të ishte e dyanshme. Duhet ta njohësh atë dhe kush e njeh le ta vlerësojë, le ta pëlqejë. Si e kam njohur, si jam llahtarisur prej saj, sa ka ardhur në shtëpinë e Enver Hoxhës, këto gjëra nuk i përkasin fushës së xhelozisë humane. Janë çështje pushteti që i delegonte Nexhmija që intuitivisht unë e kam ndier që në fillim. Unë prej saj vetëm jam ruajtur dhe kam thënë që një gjë kaq e trashë, kaq e pashkolluar është shumë e rrezikshme, sepse është në gjendje që të bëjë gjithçka e komanduar siç ishte.
Jeni e sigurt që nuk është motivimi i një problemi xhelozie mes jush?

Po, në qoftë se është motivim xhelozie fakti që në vitin 1990 ka qenë ndërlidhëse e Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës me Edi Ramën, Blendi Gonxhen dhe të ndjerin Ardian Klosi… Të cilët, i fuste në kurth nëpërmjet mënyrave femërore dhe i rikatonte më pas. Kjo ishte metodë jo vetëm e saj, por e diktuar dhe e njohur nga Ramizi dhe Nexhmija.
Ramiz Alia në fund të fundit e çoi në burg Nexhmije Hoxhën, në mos gaboj në 1991-shin…

Ramiz Alia e çoi në burg Nexhmije Hoxhën, sepse u thye paksa gjasme varianti i Katovicës, që nuk ishte Katovicë e Gorbaçovit, por ishte e Ramiz Alisë. Sepse Gorbaçovi nuk bëri Katovicën që në rast nevoje ta kthente pushtetin me gjak dhe hekur, kurse Ramiz Alia e deklaroi që pushteti ynë është i sigurt dhe ne do ta kthejmë pushtetin me gjak dhe me hekur. Kështu që në burg e futi Nexhmijen vetëm për kafe, siç futi edhe të tjerët moralisht, jo politikisht. Edhe kjo i doli nga dora, sepse ishte presioni i brendshëm, sepse ishte Sali Berisha kryeministër. Sali Berisha, cilido të ketë qenë komunist i egër apo ekstremist komunist etj., ishte nën presionin nga poshtë, nga e djathta e mirëfilltë.
A ka pasur një trashëgimi financiare të Enver Hoxhës?

Nuk është e mundur të ketë pasur. Mund të ketë pasur trashëgimi shtetërore.
Kë quani ju shtetërore?
Shtetërore quaj fondin shtetëror. Një shtet ka fondin e vet, që sot ndodhet atje ku i ka çuar i biri i Ramiz Alisë, gjatë vizitës me të atin në Amerikë. Është në libër, se si ata e kanë transferuar fondin shtetëror, thesarin e shtetit në Amerikë dhe e zotërojnë për veten e tyre.
A ka pasur pasuri familja Hoxha në fund të viteve ‘90?
Familja Hoxha, Enver Hoxha, nuk kishte si të kishte pasuri. Ai nuk e njihte lekun, nuk ka mbajtur ndonjëherë lek në duar apo në xhepa. Ka qenë një kohë madje, që më ka thënë “Liliana mblidhni lekë se nuk i dihet jetës”.
Kur jua ka thënë këtë?
Vitet e fundit të jetës.
Por ndërkohë, sipas burimeve që ne jemi ende duke i verifikuar, por nuk i konfirmojmë deri më sot, në familjen e Enver Hoxhës disponoheshin mjaft bizhuteri, me vlerë të madhe të konfiskuara në vitet ‘44, ‘45, ‘46 nga ato që quheshin klasa të përmbysura, bejlerë, pasanikë të mëdhenj, biznesmenë, që nuk janë regjistruar në pasurinë shtetërore. Nëse del e vërtetë, mbetet për t’u verifikuar…

Përjashtoj faktin që të jenë të Enver Hoxhës. Nuk e përjashtoj faktin të jenë të Nexhmijes dhe të vajzës dhe nuses, sepse edhe ua kam parë në duar, unaza shumë të vyera në atë kohë, që nuk i kishte njeri. Edhe vetë Enver Hoxha i ka kritikuar duke u dhënë shembullin tim me duar të pastolisura. Sot e kam edhe unë një, disa madje jo aq të vyera mundësuar prej fëmijëve të mi, se sot erdhi koha për të tërë.
A flitej për vrasjet në familjen tuaj?
Jo, nuk flitej.
Keni biseduar ndonjëherë me Enverin për Nexhmijen? Kishte xhelozi mes jush dhe zonjës Hoxha?
Xhelozi? Jo xhelozi, jo. Unë kam të drejtën e të gjithë botës, por nuk arrij të urrej, nuk e njoh urrejtjen. Ndoshta do të ishte mirë, sepse urrejtja është ndjenjë shumë e fortë e të çon përpara, ndonëse jo moralisht. Por unë kam frikë nga Nexhmije Hoxha.
Çfarë mund të bëjë Nexhmije Hoxha, një grua 90-vjeçare, e vetmuar?

Po flasim për xhelozitë. Të ishte për karakterin tim për këto pyetje, unë do të ngrihesha e do të ikja. Por kam ardhur të sqaroj opinionin shqiptar, ndaj dhe të përballem. Ju po flisni për xhelozi, e unë do flas për fillimet e mia, jo tani. Pikërisht se Nexhmije Hoxha nuk më ka dashur kurrë, pikërisht se Nexhmije Hoxha më ka vrarë vëllain, më ka vrarë motrën, ka vrarë gjithë shqiptarët, ata që janë vrarë e persekutuar vetëm për pushtetin e saj, unë atë grua e kam frikë. E keni ende frikë?
Jo atë si person, por fenomenin. Bën Nexhmija e dytë ndonjë përgjigje në shtyp, që nuk ka lekë të blejë shtëpi se është e varfër, po ato janë të pabesueshme. Kjo tregon që fenomeni vazhdon. Sepse kanë ato bizhuteri që thatë ju, që unë i kam parë me kohë. Në vitet ‘90, Pranvera thoshte kam dollarë, kurse unë, fëmijët e mi dhe Sokoli nuk kishim të hanim. Po ta lëmë me kaq. Kështu që unë nga ajo grua kam pasur frikë që ditën që e kam parë, që ditën që shkova në Komitetin Qendror, ku e kam njohur për herë të parë.
Kur e keni njohur për herë të parë?

Në vitin 1972.
Përse vajtët në Komitet Qendror?

Sepse unë duhet të ndahesha nga Sokoli, sepse thashë nuk dua, nuk më pëlqen atmosfera këtu. Jo Sokoli, se ai më pëlqente shumë, por jetesa në Bllok, kisha shumë paqartësi, nuk ndihesha mirë. Nuk desha. Më kishte thënë edhe im atë që djali i Enverit është i mrekullueshëm, por unë nuk mund të lejoj që vajza ime të dalë me të. Kaq më duhej.
Dhe ju shkuat të takonit Nexhmije Hoxhën?
Unë e “lashë” në fakt Sokolin dhe ai vajti me vrap në familje dhe tha që Liliana më la. Urgjentisht brenda javës ajo më kërkoi në zyrë për të legjitimuar njohjen zyrtare.
Dhe si ka qenë takimi juaj i parë me të?

Kam zbritur e frikësuar. Kam vajtur në shtëpi e frikësuar, më e torturuar se më parë, ta lë apo të mos e lë Sokolin. Përse? Se ishte një grua e tmerrshme, e frikshme. Ka qenë gjatë gjithë jetës sime e frikshme.
Ka qenë vetëm me ju apo dhe me të tjerët?

Unë mendoj që ka qenë me cilindo që ajo ndihej e kërcënuar. Në familje ka qenë e kërcënuar prej meje. Ajo nuk është e keqe me mua, ajo është grua e tmerrshme. Nuk ka grua të dytë si ajo.

BLENDI FEVZIU

Sunday, May 13, 2012

Blendi Fevziu: Ja kushtet e Ramës për intervistën

Gazetari Blendi Fevziu rrëfen për Shqiptarja.com prapaskenat e intervistës me liderin socialist Edi Rama. Një nga intervistat më të shikuara për shkak të bojkotit 5 vjeçar të liderit socialist që gazetari Fevziu sqaron se nuk ka qënë një bojkot ndaj opinion por ndaj televizionit Klan. Fevziu mohon të ketë zhvilluara intervista të buta me Kryeministrin siç u komentua në rrjetet sociale por nga ana tjetër ai thotë se edhe intervista me Edi Ramën ishte rutinë, por se mori audiencë për shkak të mungesës së tij të gjatë në studion e Opinion. Cilat ishin kushtet e Ramës dhe si u negociua për intervistën? Pse Blendi Fevziu është përgatitur me ditë të tëra duke parë dvd-të e kolegëve për një intervistë që ai e quan rutinë. Pse u vendos kronometri "Koha jote mbaroi" gjatë bisedës me kreun socialist? Cila kohë filloi në Opinion? Një erë e re ndoshta!?

Intervista juaj me Edi Ramën është shndërruar në temën kryesore të tavolinave të Tiranës. Gati gati mund të themi që nuk po pyet më njeri se cfarë u tha në takimin e Lalzit, por kush fitoi tek Opinioni Rama apo Fevziu?
Blendi Fevziu: Nuk besoj se ishte as ndeshje futbolli dhe aq më pak boksi. Dmth nuk bëhet fjalë për fitues dhe humbës. Ishte një intervistë e zakonshme që për arsye të mungesës së gjatë të Ramës në Opinion kishte më shumë vëmendje se sa zakonisht. Por në vetvete ishte një intervistë rutinë, gjë që u pa edhe nga spoti edhe nga gjithë vijimësia e saj.

Në facebook kishte kritika për ju Blendi të llojit: Pse Fevziu nuk e ka pyetur kështu Berishën, Metën?
Blendi Fevziu: Me sa duket ata që kanë bërë kritikat shohin vetëm Ramën dhe jo Berishën e Metën. P.sh. Intervista e fundit e Metës, ditën e pafajësisë së tij, në 15 Janar në mos gaboj, ka qenë shumë më agresive se sa ajo e Ramës. Intervista është në faqen e Opinion në web, shihet thjeshtë dhe këtë mund ta verifikojë kushdo. Ndaj Berishës po ashtu ka mjaft intervista me po kaq ritëm. Mund të kujtoj vetëm një, atë pas fitores së Bashës në Tiranë dhe akuzave të PS për përmbysje të rezultatit me gjykatë. Ka qenë në Qershor në mos gaboj. Shumë më agresive se sa kjo ndaj Ramës. Edhe kjo mund të kontrollohet në web. Ka pasur intervista po kaq agresive ndaj Jozefina Topallit apo Fatmir Mediut e Lulzim Bashës. Natyrisht, unë po flas për njerëz që ndjekin emisionet. Mund të jesh fans i Ramës dhe të mendosh që paanësi është ta lësh Ramën të flasë 10 minuta. Po ky është fjalim, jo intervistë!

Edhe vetë Rama reagoi me insertet e shumtë që nxirrnit nga arkivat e Klan? Në fakt pse nuk keni vepruar kështu edhe me intervistat e tjera? Ishte një hakmarrje personale apo profesionale? I bëtë pyetjet që do donit të ja kishit bërë në 5vjet?
Blendi Fevziu: Kjo është fare foshnjore. Cdo emision ka minimumi 3 sinkrone. Intervistat e momentit zakonisht s'rëndohen me inserte. Po kur dikush mungon 5 vjet dhe do të përballet me akuzat e kundërshtarëve ndaj tij, natyrisht që do përdoren inserte. Prap po ju jap një shembull. Në intervistën e Ramës u transmetuan 5 inserte. Në intervistën e Berishës më 22 Mars, 1 muaj e gjysëm më parë, ku ai foli për 20 vitet e tij në politike qenë, në mos gaboj 12 inserte. Përfshi deklarata e tij për paratë e pastra të shqiptarëve, piramidat etj.

Mendoni se është dëmtuar Opinioni nga ky bojkot? Në besueshmëri e kam fjalën!
Blendi Fevziu: Nuk di ta them sepse s'është se ka sondazhe për këtë. Di që nga bojkoti i një politikani, më shumë se një emision dëmtohet politikani vetë.

Pse e ndërprisnit aq shpesh liderin socialist gjatë fjalës së tij?
Blendi Fevziu: Për hir të ritmit të emisionit. Kur Rama ra dakort të vinte në emision, unë kërkova të shoh disa intervista të fundit të tij, për të kuptuar stilin e të folurit, teknikën e përgjigjes dhe batutat. Pashë 5 intervista në 3 emisione të ndryshme dhe afro 12 copa intervistash në you tube. Kur po shihja intervistat që më kishin hedhur në dvd, u tremba! Në një intervistë 2 orë e 21 minuta pashë që atij i ishin bërë vetëm 14 pyetje. Një prej përgjigjeve ishte e gjatë 15 minuta e 31 sekonda dhe kishte brenda 9 argumenta. Në një tabelë që bëjmë ne për këtë rast, kjo do të thotë jashtë cdo standarti profesional. E konsultova me Baton Haxhiun dhe ramë dakort që ta negocioja me Ramën. I thashë që unë nuk mund të lejoja përgjigje me të gjata se 3 minuta dhe për hir të së vërtetës ai e kuptoi dhe ra dakort. Vendosëm që pas shpinës sime dhe përballë Ramës të vendosej një kronometër me numra të mëdhenj që numeron mbrapsht dhe të fillonte nga 4 minuta. Kur kjo kohë mbaronte, shfaqej fraza: Koha juaj mbaroi. I shërbente Ramës për orientim dhe ndihmoi që emisioni të merrte ritëm. Ndryshe mund të kisha edhe unë përgjigje 15 minutëshe dhe kjo do të ishte katastrofë! Në fund, në 171 minuta transmetim unë kisha bërë 68 pyetje dhe afro 12 batuta. Ritëm i garantuar për një emision.

E keni parë intervistën në shtëpi pas transmetimit? Në fillim dukeshit i emocionuar, më pas qeshnit më shumë se zakonisht. Nuk ju kam parë të qeshni aq shumë në asnjë intervistë! Rama pinte ujë shpesh? Kush nga ju, kish më shumë emocione, mendon?
Blendi Fevziu: Zakonisht nuk i shoh intervistat më pas dhe as emisionet në përgjithësi. S'di që të kem pas emocion dhe besoj se intervista ka qenë plot batuta të dyanshme, dhe kjo tregon clirim. S'e di nëse dikush ka vënë re emocion. Edhe mundet?!

Rama nuk pa kurrë nga celulari i tij, ndërsa ju (ndoshta pakujdesi e regjizorit) u shfaqët shpesh duke parë nga celulari? Kush ju shkruante? Sandri? Berisha?
Blendi Fevziu: Jo, unë kisha një akord që mos ta mbaja celularin on. Ai që keni parë ju është kronometri që mbaj në tavolinë për të kontrolluar kohën e përgjigjes. Celularin e kam parë pas emisionit dhe meqenëse kishte shumë mesazhe, ju kam kthyer pergjigje pasi u ndava me Ramën, diku pas orës 1.30 të natës ose të nesërmen në mëngjes.

Thonë që e keni fikur telefonin në pjesën e dytë sepse ju vinin shumë mesazhe dhe kjo gjë ju stresoi? Ju kam parë deri në fund dhe nuk më duket të keni fikur telefonin, por mund të jemi të gabuar? E fikët apo jo telefonin?
Blendi Fevziu: Sapo jua thashë këtë gjë. Jo në pjesën e dytë, por që në fillim. Kam mbajtur on vetëm kronometrin.

Çfarë bisedonit me Ramën gjatë reklamave? Pati ndonjë batutë?
Blendi Fevziu: S'mbaj mend tani, po kryesisht shqetësimin nëse ishim në ritëm apo po bëhej e zgjatur intervista!

Pavarësisht të gjithave ju z Fevziu keni bërë një nga intervistat më të mira. Një intervistë e shpejtë, hard talk. A mendoni se do të duhet të praktikoni këtë stil edhe me liderë të tjerë të politikës shqiptare? Me Berishën p.sh?
Blendi Fevziu: Këtë lloj interviste më shumë se me këdo dhe fillimisht e kam praktikuar me Berishën, me Nanon dhe më pas me Ramën në fillimet e veta. Dy të parët janë mjeshtra të batutës dhe të shpejtësisë në përgjigje. Për fat të keq, këtë lloj interviste s'e bën dot me të gjithë.

A ju kish vënë Rama ndonjë kusht para intervistës? Kush negocioi për ardhjen e tij në Opinion?
Blendi Fevziu: Absolutisht asnjë të vetëm. I vetmi shqetësim qe problemi i kohës që e bisedova me të dhe ramë dakort për 4 minutëshin. Jo ndonjë gjë tjetër. Ah, edhe dicka. Ai kërkonte që kamera ta merrte nga e djathta e tij dhe për këtë kameramanët dolën në anën tjetër nga intervista standart. Problem që lidhet me raportin e tij me këndin e shikimit të kameras. Dhe e fundit ishte rënia dakort për temperaturën në studio. E la në dorën tonë dhe ne zbatuan standartin prej 19 gradësh të intervistave.

Pavarësisht bojkotit në Opinion keni qënë në kontakt të vazhdueshëm me Edi Ramën, si i menaxhoni marrëdhëniet personale me ato profesionale?
Blendi Fevziu: Fare normale.

Çfarë marrëdhënie keni patur me Edi Ramën në këto 5 vite?
Blendi Fevziu: Pa ndonjë kulm të vecantë. Jam parë për ndonjë kafe, ndonjë drekë, kam shkëmbyer ndonjë telefon ose mesazh. Kemi folur për librat dhe gjëra të këtij lloji. Marrëdhënie normale si me shumë politikanë të tjerë.

Çfarë ju ka thënë pse nuk vinte ai? Ishte një problem me ju apo me Tv Klan?
Blendi Fevziu: Ka thënë që kishte një problem me Klanin, por nuk e ka specifikuar këtë problem asnjëherë. Dhe unë s'kam insistuar sepse s'më dukej se kish një arsye reale. Ishte një kalkulim politik. Thjeshtë i kam përsëritur cdo fillim sezoni ftesën për të ardhur në Opinion. Kaq.

A është e vërtetë që gjatë kësaj kohë keni tentuar që të negocioni për të cuar Berishën në TCH dhe Rama të vinte në Klan?
Blendi Fevziu: Jo, asnjë herë. Rama kur më tha që do vinte në Opinion, shtoi se duhej që edhe Berisha të shkonte në Top Chanel, por ky s'është problem i imi. Dhe as i Klanit.

A harruat ta pyesnit Ramën për dicka? Dhe si e kuptuat përgjigjen e tij për Ilir Metën? I kish kërkuar apo jo ndjesë?
Blendi Fevziu: Më mbetën disa pyetje nga skeda që kisha përgatitur, por jo vecanërisht të rëndësishme. Asgjë që doja medoemos ta pyesja. Përgjigja për takimin me Metën m'u duk e qartë: Meta më ka ftuar për ta takuar dhe s'ndryshoj gjë nga kapitulli i Kurbanit për të. Për falje e të tjera, s'di të them. Por ishte konkret në këtë përgjigje që kërkonte shumë guxim nga ana e tij.

Ju e njihni Ramën. Dikur keni qenë miq. Mendoni se është tipi që ul kokën dhe kërkon falje?
Blendi Fevziu: E kam njohur mirë Ramën dhe besoj se më mirë njoh sjelljen e tij në TV, reagimin pas ngacmimeve dhe batutave. Këtu, kish mbetur, ose u rikthye ai i pari. S'e di si mund të jetë ai në raportet më private. Unë as kam pasur rast t'i kërkoj falje për gjë dhe as ai mua!

(mk/im/shqiptarja.com)

Thursday, May 10, 2012

Presidenti, Nano i kërkon mbështetje Berishës, kryeministri: Do të jetë një personalitet i PD-së

TIRANE- Ka zgjatur rreth gjysme ore takimi mes kandidatit te vetëshpallur për president të Republikës, Fatos Nano me kryeministrin e vendin, Sali Berisha ne godinen qeveritare.
Kreu i qeverise, sipas nje njoftimi te kryeministrise ka vleresuar takimin, por ai mbështet dhe do te mbështesë një personalitet të shquar të Partisë Demokratike në postin e Presidentit të Republikës.
Deklarata e plote
Në këtë takim, që u zhvillua në Selinë e Këshillit të Ministrave, ish kryeministri Fatos Nano, i parashtroi kryeministrit Berisha kërkesën për të mbështetur kandidaturën e tij në postin e lartë të Presidentit të Republikës, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi në kuadrin Kushtetues do të ishte i dobishëm për vendin dhe objektivat e tij, si dhe duke evokuar disa nga marrëveshjet e arritura në të shkuarën në zgjidhje të sfidave të vendit.
Kryeministri Berisha e garantoi zotin Nano se ai personalisht dhe si kryeministër vlerëson të gjitha marrëveshjet e arritura së bashku në të shkuarën në interesin më të mirë të vendit dhe kontributin e këtyre marrëveshjeve në zgjidhjen e sfidave e problematikave.
Nga ana tjetër Kryeministri theksoi  se, qëndrimi i bërë tashme publik në mënyrë të përsëritur prej tij ndaj kandidaturës së zotit Nano për President të Republikës, ka lidhje tërësisht me spektrin politik, detyrimet që rrjedhin nga përkatësitë e ndryshme në këtë spektër dhe se ai mbështet dhe do te mbështesë një personalitet të shquar të Partisë Demokratike në postin e Presidentit të Republikës.
Kryeministri Berisha theksoi se pas kthimit nga Samiti i Chikagos ai do të hapë negociatat me aleatët e tij, pa përjashtuar edhe faktorë të tjerë, i bindur se mazhoranca aktuale i ka të gjitha mundësitë për t’i dhënë vendit Presidentin e ardhshëm të Republikës.
Takimi
Nano ka hyre ne orarin e percaktuar, ne 14.30 ne kryeministri dhe ka dale prej saj ne oren 15.09 minuta, pa bere asnje deklarate per mediat lidhur me biseden e zhvilluar.
Pak me vone, kryeministria ka publikuar nje deklarate lidhur me takimin Berisha-Nano.
Gjatë këtij takimi, mesohet se Nano ka njohur kryeministrin Berisha me platformën e tij për zgjedhjen në krye të shtetit. Me kete takim, vleresuar edhe si me i rendesishmi, Nano ka mbyllur etepen e takimeve konsultuese me kreret e partive.
Ish lideri socialist, që prej shpalljes së kandidaturës së tij është takuar me të gjithë krerët e partive parlamentare, nga disa prej te cileve ka marre mbeshtetje te drejteperdrejte.
Nano është takuar me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, kreun e LSI-se, Ilir Meta, kryetarin e PBDNJ-se, Vangjel Dule, kryetarin e partisë PDIU, Shpëtim Idrizi si dhe një ditë më parë kreun e Partisë Republikane, Fatmir Mediu.

Skënder Gjinushi: “Edi Rama e Ilir Meta të kërkojnë falje për 21 janarin pas takimit”

Intervista/ Kreu i PSD:  Paqja nuk bëhet me dreka e darka, apo me pajtime të rreme dhe kompromise personale.
Kreu i PSD: Konsultimet, alibi për Berishën.
“Paqja nuk bëhet me dreka dhe darka apo me pajtime të rreme e kompromise personale”
Socialdemokrati Skënder Gjinushi i kërkon Edi Ramës të kërkojë falje për ngjarjet e 21 janarit. Sipas tij, në paqëtimin e dy politikanëve, pas disa vitesh përplasje parimore, duhen dhënë shpjegime se cilat ishin arsyet që i kishin ndarë dhe ato që i kanë bashkuar.
Ndryshe, sipas Gjinushit, paqja është e rreme, ndërsa më së shumti tingëllon si pazar. Në intervistën e tij, kreu i PSD-së e sheh procesin e konsultimeve për Presidentin jashtë një tryeze institucionale, një alibi që mund ta përdorë Kryeministri Berisha për të justifikuar zgjedhjen e kreut të ri të shtetit nga Partia Demokratike.
Zoti Rama ka iniciuar një cikël takimesh me kryetarët e partive parlamentare për ndërtimin e një procesi për zgjedhjen e Presidentit. Sa optimistë jeni për rezultatet e tij?
Deri tani jemi, siç u bë në 2007 madje dhe më prapa, si në formë ashtu dhe në përmbajtje. Sepse forma se si shkohet në një President konsensual, është shumë e thjeshtë. Fillimisht duhet pranuar politikisht që nuk do abuzohet me votën formalisht apo me Kushtetutën, por për hir të stabilitetit dhe standardit të pranohet që Presidenti të dalë nga një proces dhe të jetë konsesual. Një deklaratë të tillë nuk e kemi. Por thuhet qartazi që do të ketë e shumta konsulta, të cilat për mua janë sa për të larë gojën. Dhe në fund thuhet se kemi një Kushtetutë, e cila interpretohet sipas qejfit të atij që “do të pyesë 100 vetë dhe do bëjë siç di vetë”.
Nisur nga përvoja juaj, lëvizjet e deritanishme premtojnë për një President konsensual?
Meta dhe Rama gjatë një takimi
Deri tani nuk fryn asgjë për mirë. Madje, fatkeqësisht të gjitha këto mund të shërbejnë vetëm si alibi. Berisha do të thotë nesër se gara nisi tre muaj para, pati konsultime me kryetarë partish, gara u bë transparente dhe në fund ne e zgjodhëm sipas Kushtetutës. Pra, pa një tavolinë të institucionalizuar qartazi me vendimin politik se do të zgjedhim një President konsensual, të gjitha të tjerat u ngjajnë lojërave të mëparshme, apo lojës që po bëhet tani për sistemin zgjedhor. Saliu mburret se do zbatojë Kushtetutën, e cila edhe me ato ndryshime që iu bënë, detyron zgjedhje të Presidentit me konsensus. Presidenti është emërues i të gjitha institucioneve të pavarura; marrim dy gjykatat, Kushtetuese dhe e Lartë. Gjykata e Lartë është i vetmi organ gjyqësor që gjykon korrupsionin apo veprat penale të politikanëve, pra të qeverisë. Atëherë si mund të mendohet se kjo Kushtetuta jonë ia lë qeverisë të zgjedhë Gjykatën e Lartë apo Kushtetuese, të cilat janë rojet e vetme që do ruajnë të korruptuarit. Nëse i akuzuari për korrupsion, zyrtari i lartë i maxhorancës, zgjedh rojën e vet, më mirë lëre pa roje, se nuk na duhet.
Do të ishte më mirë që këto takime të zhvilloheshin në Parlament dhe jo në hotele?
E para, këto janë lëvizje bosh, sa kohë nuk ka një vendim politik. E dyta, këto rrezikojnë të përdoren si alibi dhe do të përdoren prej Berishës për të thënë se pati konsultime. E treta, janë përpjekje të dëshpëruara për të krijuar idenë e një klime të re, ku absolutisht nuk ndryshon asgjë e re për mirë, nëse nuk ndryshojnë gjërat në realitet. Në situatën ku ndodhemi, nuk mund të ketë një rikthim në normalitet pa zbardhjen e “21 Janarit”, pa nxjerrjen e përgjegjësive morale e politike së pari, e më pas dhe penale. Nëse kërkojmë të vendosim një paqe duke mbyllur skandalet dhe aferat e mëdha, sigurisht paqja është e rreme dhe s’është afatgjatë, ndërsa në sytë e njerëzve tingëllon pazar.
Një video-përgjim i zotit Dritan Prifti me zotin Meta çoi opozitën në një demonstratë të dhunshme me pasojë katër viktima. Por pak ditë më parë kemi pasur një darkë private të zotit Rama me zotin Meta. Si ju tingëllon kjo pas gjithë atyre akuzave?
Vazhdimisht, që në ’97-n ka qenë nevoja që Shqipëria të shohë përpara, por jo me ata që e kanë lënë prapa dhe pa vënë pikat mbi “i” për shpërdorimet madhore, mbi krimet madhore. Pra, edhe sot ne jemi në kushtet që, nëse duam të ecim përpara, kjo nuk bëhet me dreka dhe darka apo me pajtime të rreme apo kompromise personale, por duke vënë të drejtën atje ku është shkelur. Thuhet gjithashtu të luftojmë korrupsionin. Në Shqipëri korrupsioni trajtohet si një epidemi dhe, të gjithë ata që i ka zënë ajo, janë hallexhinj. Për epidemitë që të zënë nga halli, vatrat e infeksionit i djegin, ndërsa bartësit e infeksionit i izolojnë të paktën, kurse ne u bëjmë thirrje të gjithë bartësve të infeksionit të luftojnë epideminë. Këtu luhet me një gjë: kur zihen dy politikanë apo dy individë është pozitive që të pajtohen, por kur ti nuk je zënë, por ke përplasje parimore reale të faktuara që kanë qenë dhe platforma fushate, kërkohet një shpjegim shumë i madh për të treguar pse sot je bashkë. Pra, nuk mund të mbyllësh 21 janarin pa kërkuar falje për familjet, pa e thënë edhe një herë që ata janë viktima dhe dëshmorë. Sepse fatkeqësisht ende flitet sikur janë dy palë. Më 21 janar është opozita që organizoi, është qeveria që vrau, por është dhe populli. Por politika jonë popullin nuk e quan, por populli u vra në mënyrën më skandaloze, më të padrejtë, më barbare, thjesht për terror ndaj opozitës, për t’i thënë opozitës mos më shkel më gardhin. Pra ajo që s’ka ndodhur as në ‘90, as ’97, as në ‘98 nga ana e qeverisë ndaj protestuesve, ndodhi në 2011 prej saj, për “t’i treguar vendin” opozitës. Së paku, kjo histori kërkon një zbardhje reale, kërkon marrjen e përgjegjësive politike, që absolutisht jemi larg kësaj, përgjegjësi penale dhe, nëse do të thuhet se ishin dy palë, duhet të kërkohet falje nga të dyja palët për këtë ngjarje. Por faji i atij që vret nuk është i barabartë me fajin e atij që organizon protesta.
Populli protestues edhe i 21 janarit, dhe ju si opozitë ndiheni i tradhtuar nga takimet e fshehta mes politikanësh të papajtueshëm deri dje mes tyre?
Unë pas 2007 kam deklaruar se sot ka vdekur përfundimisht morali politik, ose më saktë morali i politikës është imoraliteti. Sepse janë bërë disa “paqe të mëdha” pa zbardhur atë që i kishte ndarë. P.sh. u takua Nano me Berishën, kur Nano ishte 4 vjet i burgosur politik i Sali Berishës dhe nuk iu kërkua asnjëherë falje atij. Por Nano hyri si kryetar opozite në burg dhe jo si individ. Berisha kur bëri pakt me Nanon për të cilin u kishte thënë padrejtësisht shqiptarëve se ishte hajdut, duhet t’i kishte kërkuar falje shqiptarëve për atë vendim. Por po kërkove falje, bëhesh i tepërt për të vazhduar në politikë. Më tej, ai sulmoi me armë qeverinë për hakmarrje se gjoja Nano ishte kupola në vrasjen e Azem Hajdarit. Atëherë si mund të bëhet ky pajtim pa u zbardhur e vërteta?! Janë të detyruara të dyja palët të japin shpjegime se çfarë i ndau dhe çfarë i bashkoi. Pastaj ka një gjë që kuptohet thjesht: “Unë kam bërë të miat, ti ke bërë të tuat, hajde të bëhemi bashkë dhe të vazhdojmë vazhdimin”.
Po paqja e fundit në cilin kontekst bëhet?
Hë për hë jemi po aty. Paqja reale fillon në rrugë institucionale, me reflektime dhe ndryshime thelbësore. Nëse nuk janë të tilla, kuptohet që janë të rreme.

Rama: Me Metën jo për të rishkruar të kaluarën, s’pendohem për ato që kam thënë

Një thuajse betejë televizive maratonë mes gazetarit Blendi Fevziu dhe kreu të PS Edi Rama, ky i fundit konfirmoi takimet me Metën dhe vullnetin për të takuar Berishën duke thënë se nuk kishte Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama pas disa vitesh mungesë në studion e “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, komentoi takimin e tij të para dy ditëve me kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta dhe një sur ë zhvillimesh të reja nga ana e PS. “Unë nuk jam takuar me Ilir Metën për të rishkruar të kaluarën. Qëndrimet e kaluara kur janë mbajtur, janë mbajtur në rrethana të qarta politike dhe pa asnjë dyshim janë pjesë e historisë dhe unë nuk ndiej asnjë arsye që të ndihem keq. Partia Socialiste përmes meje dhe të tjerësh kemi hyrë me vullnetin për të dhënë një shembull pozitiv të munguar, kur ndërmarrim nisma të tilla ne nuk marrim përsipër të rishkruajmë të shkuarën por për ecurinë e të ardhmes”, u shpreh Rama. I pyetur nëse Partia Socialiste ka një emër konkret për President, Rama u shpreh se, “Duhet një proces, më tej një emër. Nëse Presidenti më i mirë i mundshëm për vendin duhet gjetur në atë sallë parlamenti me 140 vetë, se jashtë asaj salle nuk ka njerëz me po aq integritet, atëherë ruana Zot. Partia Socialiste ka vetëm një kusht sa na takon ne, që Presidenti të mos jetë i imponuar nga radhët e Partisë Demokratike, ashtu sikurse nuk do imponohet nga Partia Socialiste”. Ndërkohë ai ka thënë se nuk pendohet për ato që ka thënë me herët ndaj Metës apo Berishës.
“Qëndrimet e mia si kreu i PS janë qëndrime të mbajtura në rrethana të qarta dhe pa asnjë dyshim janë pjesë e historisë. Unë nuk ndjej arsye që të mendoni se do më bëni të ndjehem keq për çdo gjë që kam thënë dhe bërë nga koha që drejtoj PS”, deklaroi Rama.


Pjesë nga intervista:

Në datën 1 maj në mbrëmje ju keni takuar, darkuar dhe qëndruar për një kohë të gjatë me një nga rivalët më të mëdhenj tuaj, zotin Ilir Meta. Pse duhet të bënit një takim, apo pse duhet të vinit në një darkë gjysmë të fshehtë kur do kishit një takim publik më pas?
Ne kemi bërë publik me kurajë dhe ambicie një vizion për një rilindje shqiptare. Dhe unë besoj që rruga për të shkuar drejt rilindjes shqiptare kalon edhe përmes ndryshimit të sjelljeve tradicionale në udhëkryqe të rëndësishme kur bëhet fjalë për çështje madhore si ajo e Presidentit të Republikës, që padyshim për t’u zgjidhur ashtu siç duhet kërkon bashkërendimin e forcave mes kundërshtarëve.
Por Rilindja mund të ishte në një kohë të bukur paradite… dhe pse duhet të ishte në mes të natës në Gjirin e Lalëzit?
Nuk ka asgjë të fshehtë, unë kam bërë një ftesë publike. Është e njohur për të gjithë, ku i jam drejtuar të gjithë përfaqësuesve të forcave politike, që nga kryeministri deri te përfaqësuesi i një force të sapokrijuar politike, për t’u takuar për të eksploruar mundësitë e hapjes së një dialogu, i cili të na çojë drejt një zgjidhjeje të dakordësuar.
Por nuk jeni takuar publikisht, por privatisht…
Patjetër dhe unë po ju përgjigjem. Dhe pas ftesës sime unë kam marrë mbrapsht një ftesë nga kryetari i LSI-së, i cili ka shprehur dëshirën për t’u takuar paraprakisht për të biseduar sy më sy. Nuk kam menduar asnjë sekondë ku është vendi, ku është ora apo detaje të tjera të karakterit protokollar, por kam shkuar për ta takuar, për t’i thënë në sy gjithçka unë mendoj se është shumë e rëndësishme që ta ndajmë së bashku me gjithë përfaqësuesit politikë, por duke besuar se kësisoj mund të mbillet dhe një farë besimi në një klimë mosbesimi absolut mes të gjitha palëve dhe pas një moskomunikimi të gjatë, i cili sigurisht është i lidhur me një histori jo të pëlqyeshme dhe me një histori që na ka vendosur ballë për ballë. Le të mos e harrojmë për asnjë moment se unë jam takuar me kryetarin e LSI-së si përfaqësues i forcave që sot qeverisin, pra me një nga kundërshtarët e sotëm.
Meqenëse jeni takuar privatisht, Meta hyn te miqtë tuaj?
Unë do të dëshiroja që të fokusohemi te çështja, tek arsyet që janë shumë madhore dhe të biem dakord bashkë që ky është një moment për të folur për arsyet e këtyre takimeve, për të folur për psenë e kësaj hapjeje dhe për nevojën e këtij dialogu mes palëve.
Cili ishte shkaku që ju detyroi të bënit 50 km rrugë për të takuar Metën, cila ishte biseda konkrete?
Shkaku që ju thashë, për të diskutuar jo në rrugë protokollare, por sy më sy, lidhur me atë shqetësim që unë kisha shprehur në ftesën time publike. As më shumë, as më pak.
Por kanë dështuar t’ju takojnë me përfaqësues të mazhorancës, Kantrimeni, Lajçak, Baton Haxhiu. Tani, o një arsye shumë e madhe, o është magjistar Nard Koka që ju bashkoi?
Unë do preferoja që t’i referohemi të vërtetave dhe mos t’i referohemi dhe as përrallës që është shpërndarë për publikun me shumë folklore brenda dhe me detaje krejtësisht të paqëna dhe as thashethemeve të mëparëshme. Sepse e vërteta është që edhe me kryeministrin unë jam takuar. Jam takuar në presidencën e republikës dy herë, jam takuar edhe kur kërkua një takim me përfaqësuesit e BE-së, dhe nuk kam shprehur asnjëherë dhe për asnjë arësye asnjë refuzim për t’u ritakuar në rast se do të ishte shfaqur nevoja dhe do të ishin krijuar kushtet.
Çfarë pati konkret nga takimi. Arritët një vendim konkret?
Shprehja e gjithë atij shqetësimi shumë serioz që unë kam, por që unë besoj se është një shqetësim i ndarë me shumë të tjerë faktorë dhe padyshim në opionin publik, për të krijuar kushtet që Shqipëria të zgjedhë një president që të përfaqësoj unitetin kombëtar, të jetë mishërim i aspiratës tonë europiane. Të mos harrojmë asnjë çast se bëhet fjalë për një provë e cila do të përcaktojë në mënyrë të qartë fatin e provimit tonë të vjeshtës së ardhëshme. Unë do të bëj çmos me mish e me shpirt që Shqipëria të marrë statusin e BE-së.
A ka një problem moral në këtë takim? A e amniston ky takim Ilir Metën nga akuzat që i keni bërë më parë?
Së pari unë nuk jam takuar me Ilir Metën për të rishkruar të kaluarën. Qëndrimet e mia si kryetar i PS-së në këto momente dhe në të tjera momente të caktuara kur kemi mbajtur qëndrime politike janë qëndrime të mbajtura në rrethana të qarta dhe pa asnjë dyshim janë pjesë e historisë.
Janë pjesë e historisë?
Patjetër. Dhe unë vetë nuk ndjej asnjë arësye që të më bëj të mendoj se mund të ndjehem keq për gjithçka unë kam thënë si kryetar i PS-së. Por më lejoni nga ana tjetër t’iu them se është shumë më e rëndësishme të kuptohet që procesi në të cilin ne, Partia Socialiste përmes meje dhe të tjerësh kemi hyrë me vullnetin për të krijuar kushtet që politika shqiptare të jap një shembull pozitiv të munguar me vite përballë familjes ku ne duam të integrohemi, asaj Europiane, por edhe një shembull pozitiv të munguar në vite karshi shqiptarëve që kanë qëndruar dhe qëndrojnë të ndarë dhe përçarë prej shumë kohësh, imponon një komunikim dhe përpjekje për krijimin e një klime besimi mes kundërshtarësh. Pra është e domosdoshme që të mbajmë parasysh se kur ndërrmarim një nismë të tillë politike, me këtë qëllim madhor dhe me këtë vullnet ne nuk marrim përsipër të rishkruajmë të shkuarën, por marrim përsipër të flasim për të ardhmen. Politika është qënie e gjallë e cila funksionon në të sotme në funksion të së ardhmes.
Pa patur ndjesi ndaj të shkuarës. Pra mund të jesh çdo lloj vrasës kriminel dhe ju nuk mbani asnjë qëndrim ndaj saj?
Ky nuk është një princip, por është një spekullim. Më lejoni të përmend një rast të parapak ditëve. Në debatin e fundit para garrës presidenciale në Francë presidenti Sarkozi iu drejtua rivalit të tij me një fjali ku i tha ju jeni një shpifarak i vogël. Pak ditë më pas presidenti fracez Sarkozi në homazhet tradicionale nuk u detyrua të shkonte sëbashku por theu një traditë të gjatë të atyre homazheve duke ftuar presidentin e sapozgjehdur. Atëherë sipas jush çfarë duhet të mendonin francezët?  Të mos harrojmë dhe diçka tjetër këtu nuk bëhet fjalë për komunikim mes personash, këtu nuk bëhet fjalë për komunikim ku njeriu zgjedh se me kë do të kaloj kohën e lirë dhe baohet te simpatitët, afeksionet apo të dashuritë e tij. Këtu nuk është çështje personi, as sipamtiash dhe as antipatisht. Këtu është çështje njerëzish që përfaqsojnë vullnete të shprehura të opjesëve të ndryshme të të njëjtit popull që ka të njëjtin qëllim dhe aspiratë që sa më parë të ndahemi nga kjo rrugë e rënimit të mëtejshëm.
Ky vullnet kërkon që të jemi gjithmonë korrekt dhe të ndershëm në raport me të tjetrin. Kjo do të thotë që unë dhe ju të ndajmë një mendim të ndryshëm në lidhje me videon Meta-Prifti. Unë kam besuar se nuk është fajtor ju keni menduar të kundërtën… A mendoni se mendimi i drejtësisë që e shpalli të pafajshëm Metën është I gabuar?
Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje më lejoni t’iu them tre gjera. Së pari unë nuk kam parë në asnjë emision në televizionet prestigjoze që intervistat të bëhen me inserte të kësaj natyre. Ky është problemi juaj dhe i kësaj shtëpe mediatike ku njësoj si te ajo shtëpia tjetër ardhja ime është një hap për t’i parë gjërat me syrin e së ardhmes dhe për të mos ngatërruar për asnjë moment as historinë në çështjet që duhen zgjidhur së bashku në funksion të interesit kombëtar dhe as qëndrimet të cilat ua përsëris, janë qëndrime politike të mbajtura gjatë gjithë periudhës time si kryetar i PS-së. Unë besoj se për një mijë e një insertet e një mijë e një arësyet që ne mund të rendisim duke iu referuar të shkuarës, është dita për ta kërkuar rrugën e së ardhmes duke i ndarë qartësisht betejat politike të palëve për të cilat edhe demokracia duhet të funksionojë me betejn për aspiratat e një populli të tërë që të gjitha palët përfaqsojnë. Edhe Sali Berisha është ai që është dhe unë kam bërë ftesë dhe për të. Do të takohem dhe me Sali Berishën.
S’ka ndonjë gjë të jashtëzakonëshme?
Pse qënka e jashtëzakonëshme që takohem me Ilir Metën apo me Shpetim Idrizin? Këta përfaqësues të këtyre forcave parlamentare përfaqsojnë pjesë apo pjesëza të një populli që nuk është i ndarë kur pyetet e do apo nuk e do integrimin në BE. Nuk është i ndarë kur pyetet e do apo një President që t’i përfaqësoj të gjithë. Unë në kohë të padyshimta kam qënë se nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, por është sistemi që korrupton njerëzit. Ndaj pikërisht për të hapur një faqe të re ne jemi sot në prag të këtij udhëkryqi për të dhënë gjithçka që mundemi.
Drejtësia si veproi që e shpalli të pafajshëm Ilir Metën?
E para punës një herë që unë në konceptimin tim të gjuhës shqipe dhe të përdorimit të saj nuk di të shaj. E dyta e punës jua përsëris unë fola për një situatë në të cilën udhëkryqi para të cilit jemi e imponon një përpjekje për bashkërendim. Unë nuk fola për një rrugë rozë tash e mbrapa ku politika do pushojë së bëri politikë dhe ku palët do pushojnë së mbajturi qëndrime ndaj njera tjetrës. Ju jeni gazetar por nuk jeni prokuror dhe as gjykatës. Ju jeni gazetar dhe duhet të bëni çdo përpjekje që kur i referoheni detajeve të jeni të saktë, sepse nuk ka patur as udhëtim në mesnatë dhe as makinë të fshehtë. Ka pasur një takim normal, jo publik pas një ftese të hapur publike për trë hapur rrugët e komunikimit me të gjithë ata që kanë një zë dhe kanë disa vota në një process që nuk duhet të vendoset numerikisht por duhet të vendoset dakortësisht. Ka një thënie që paqja bëhet me armiqtë dialogu bëhet me kundërshtarët. Sali Berisha nuk është armiku im, Ilir Meta nuk është armiku im, janë kundërshtar sot me histori të ndryshme…
Nesër mund të jenë aleatë?
Është dita për të kërkuar dialog dhe për të gjetur dakortësisnë dhe kjo nuk nënkupton as rishkrimin e historisë dhe as vendosjen në rendin e ditës të gjykimeve me natyrë morale të cilat nuk kanë lidhje me çka ne po diskutojmë dhe po bëjnë. Për një arësye shumë të thejshtë se ka një moral më të lartë sesa morali i deklaratave reciproke të nxjerra nga konteksti, kur ne flasim për dialog për një çështje më të madhe dhe ky është morali i Shqipërisë që ne duam të ndërtojmë.
Ishte apo jo fajtor Ilir Meta, se kemi dëgjuar shumë që tani akuzojnë pas gjashtë muajësh bashkëpunojnë dhe thonë ato ishin politike?
Unë jam gati të bëj më shumë dhe jam gati që edhe në këtë rast të tregoj nga pozita e kryetarit të opozitës sot atë që do të bëj nesër nga pozita e kryetarit të qeverisë. Nëse sot është ende një çudi e madhe që po u takoka kryetari i opozitës me kryeministrin apo me një përfaqësues i mazhorancës, kur unë do të jem kryeministër i Shqipërisë një nga gjërat të cilat do të jetë prioritet në politikën time të komunikimit do të jetë vendosja e kontakteve normale me liderin e opozitës dhe kjo nënkupton kontakte publike por edhe kontakte jopublike.

A i kërkuat falje Ilir metës?
…Unë me kryetarin e LSI-së nuk jam takuar dhe nuk do të takohem përsëri për të rishkruar të kaluarën, por për t’u përpjekur që të shkruajmë një faqe të re në të ardhmen pavarësisht se në cilat pozicione si kundërshtarë me qëllimin që Shqipërisë të mos i mungojë më ajo që ka munguar deri më sot për shkak se kundërshtarët nuk kanë dashur të kuptojnë se ka ditë politike kur nuk ka asgjë për të zgjidhur së bashku, por ka momente politike historike kur gjërat mund të zgjidhen vetëm së bashku. Dhe ky është një moment i tillë
Do ndryshojë kapitulli i Kurbanit për Ilir Metën?
Kapitulli i Kurbanit nuk do të ndryshojë. Unë nuk di se si do të ndryshojnë kapitujt e librave për Enver Hoxhen në të ardhmen…

Reagon djali Umberto Bosit: S’kam dijeni për diplomën

Më në fund ka reaguar djali i Umberto Bossi-t, Renzo,  me anë të një deklarate për shtyp në lidhje me diplomën e tij.
Renzo Bossi thotë se distancohet plotësisht nga ajo diplomë universitare.
Nuk kam qenë kurrë në Shqipëri, nuk flas shqip, nuk kam pretenduar kurrë ndonjë titull akademik dhe nuk jam në dijeni të atij dokumenti të vitit 2010,” thuhet në deklaratën e tij.
“Ne jemi në vitin 2012 dhe unë kurrë nuk kam thënë se kam një diplomë, kjo të paktën duhet të jetë kuptimplotë për ju,” vijon deklarata.
Bossi hedh dyshime në lidhje me dokumentin duke thënë se data e lindjes së tij është e gabuar.
“Nuk kam folur kurrë sepse unë besoj tek gjyqësori, por jam detyruar të bëj një sqarim publik për këtë fushatë sulmesh ndaj meje,” thotë Bossi. / Ansa/ Përgatiti:  E.L