Tuesday, February 6, 2024

Misteri mbi vizitën e Blinken në Tiranë? Ja ç’thotë Ambasada e SHBA

 


A do e vizitojë Tiranën më 16 shkurt Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken? Sipas raportimeve mediatike, vizita e Sekreatrit Blinken pritet të realizohet në mesin e muajit shkurt, por duket se Ambasada amerikane në Tiranë nuk e konfirmon diçka të tilla.

Burime diplomatike në Washington, i thanë gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu, se është duke u punuar në finalizimin e detajeve të kësaj vizite, e para për Blinken në Shqipëri, prej vitit 2021 kur ai mori drejtimin e diplomacisë amerikane.

Për momentin nuk dihet qëllimi primar i kësaj vizite, por sugjerohet se vjen si një vlerësimin amerikan për Shqipërinë, si një aleate e SHBA dhe në NATO.

Por, sipas News 24, vizitën e mundshme të Sekretarit Amerikan të Shtetit në Tiranë këtë muaj, Ambasada Amerikane në Tiranë nuk e ka konfirmuar.

E pyetur gjithashtu me një koment të mundshëm lidhur me lajmin e dhënë nga disa media shqiptare për këtë vizitë të Blinken në Tiranë, nga Ambasada ka patur një përgjigje mohuese “Jo, jo!”

Tashmë duhet pritur nëse Sekretari amerikan i Shtetit do të vizitojë Tiranë dhe nëse burimet diplomatike nga Washingtoni kanë anashkaluar Ambasadën, apo kjo e fundit për efekt sigurie nuk ka konfirmuar vizitën.

Sekretari amerikan i Shtetit pothuajse 3 vjet më parë shpalli ish-Kryeministrin Sali Berisha në listën e personave “non grata” që solli më pas edhe një përplasje të fortë në distancë mes tij dhe zyrtarit më të lartë të DASH.

Nëse Blinken vjen në Tiranë në datën e paralajmëruar, vizita zhvillohet vetëm 4 ditë para një proteste kombëtare të thirrur nga opozita e drejtuar nga Sali Berisha, që ndodhet në arrest shtëpie. Por gjithashtu vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit, nëse realizohet, vjen në një moment kur Kryeministri Rama ndodhet nën akuza publike nga opozita edhe përsa i takon asaj që njihet si çështja McGonigal.

BURIMI 

No comments: