Thursday, December 28, 2023

Iluzioni i një brezi që besoi se demokracia nuk vidhet dot më


 Shkruar nga Andi Bushati

Arrestimi i liderit të opozitës, Fatos Nano, u shoqërua nga një protestë e fuqishme dhe e pandalshme në rrugët e Tiranës. Berisha u mund në mënyrë plebishitare në referendumin për kushtetutën e re. Opozita ishte e gatshme të gjakosej në sheshe për të mbrojtur votën e vjedhur të majit ’96.


Për një kohë të gjatë, brezi im, ai i 20 -30 vjeçarëve të viteve ’90 u rrit me iluzionin e një bote të re, ku kthimi regjimeve diktatoriale ngjante i pamundur. Në lindje ishte shembur muri i Berlinit dhe po vazhdonte shpërbërja e “Perandorisë të së keqes”. Në perëndim mbizotëronte teoria e fundit të historisë së Fukujamës, e cila predikonte triumfin e liberalizmit dhe të demokracisë.

Edhe në Shqipëri njerëzit u kapluan nga ethet për të vepruar të lirë. Ata vrapuan pas dëshirës për të përfituar nga dora e magjishme dhe e padukshme e tregut. Dikush ngrinte një kioskë, një tjetër e kthente dhomën e katit përdhes në dyqan, ndërsa, një i tretë, më i guximshëm, merrte vrapin deri në Turqi, për të importuar prej andej çokollata Hilal apo çamçakëza, që nuk ishte më nevoja ti ruaje në një gotë me ujë për të nesërmen.

Ata që nuk kishin dhunti për biznes angazhoheshin në sindikata, shoqata apo parti politike që krijoheshin me një ritëm frenetik. Kudo nëpër trotuare tregtoheshin fletushka apo gazeta që nuk i vinin më fre fjalës, që nga “Erosi” i një ish kamarieri të shndërruar në një Larry Flint lokal, e deri te Koha Jonë e cila u kthye në një monument të kundërshtisë deri në papërgjegjshmëri.

Të gjithë i besonin triumfit të pandalshëm të lirisë deri në atë pikë sa edhe tentativat e Sali Berishës së parë për të ndërtuar një model vertikal dhe autokratik hasnin një rezistencë të fortë. SHIK-u i Gazidedes dhe policia e Agim Shehut, ndonëse donin të instalonin frikën, sfidoheshin hapur. Pak muaj pas përmbysjes reale të komunizmit, në 22 mars, PS, pavarësisht se me barrën e trashigimisë të së shkuarës mbi supe, mori mandatin për ta korigjuar me votë, në zgjedhjet lokale, pushtetin e ri. Pjesa më e madhe e figurave themeluese të PD, u shkëputën prej saj për të krijuar një forcë edhe më të djathtë edhe më liberale. Arrestimi i liderit të opozitës, Fatos Nano, u shoqërua nga një protestë e fuqishme dhe e pandalshme në rrugët e Tiranës. Berisha u mund në mënyrë plebishitare në referendumin për kushtetutën e re. Opozita ishte e gatshme të gjakosej në sheshe për të mbrojtur votën e vjedhur të majit ’96.

Revolta popullore e ’97 e vrau në mënyrë të përgjakshme çdo orvatje për të kthyer orën e historisë pas dhe u duk se i dha goditjen e fundit cilitdo që do të ëndërronte për një pushtet të pakufishëm personal. Bestydnia se demokracia ishte e patjetersueshme u bë më e fortë se kurrë.

Por, tre dekada më pas, brezi ndryshimit të madh është sot ai i 50 60 vjeçarëve me iluzione të humbura. Magjisë të dorës së padukshme të tregut tanimë ia ka zënë vendin përqëndrimi i pasurisë kombëtare në pak duar oligarkësh. Liria e fjalës është vrarë nga televizionet e mëdhenj që e kanë kanalizuar mbi 90% të audiencës në interesat personale të 5 familjeve. Askush nuk mobilizohet më që të protestojë për vjedhjen e votës. Njerëzit i presin me indiferencë arrestimet e opozitarëve kundër regjimit. Gjyqtarët e plepave janë zëvendësuar nga “heronjtë e fëmijëve tanë”, që ndryshe nga të parët nuk arrijnë të kenë as minimumin e dinjitetit të diskutueshëm të Zef Brozit. Shqipëria ka rrëshkitur me shpejtësi drejt një vendi me parti shtet, prej të cilës dirigjohen biznesi, mediat, drejtësia, shoqëria civile, pushteti lokal, universitetet madje dhe federatat sportive. Dhe e gjithë kjo po ndodh në përgjumjen e rëndë të shoqërisë.

Pyetja që shtrohet është se si mbërritëm deri këtu? Se si e pranuam ngadalë dhe heshtur humbjen njëra pas tjetrës të vlerave të arritura? Se si vazhduam të përkundim ëndrrën se atë që e patëm fituar nuk na e rrëmbenin dot më, ndërkohë që ajo vidhej për ditë nga pak nën hundën tonë?

Një shpjegim i thjeshtëzuar i këtij rikthimin në monizëm mund të bëhej duke e justifikuar atë me katapultimin këtej në anët tona të një gjeniu të së keqes si Edi Rama. As popuj me traditë shumë më të lashtë demokratike se jona, si gjermanët, italianët apo spanjollët nuk kanë qenë dot të aftë ti rrezistojnë diktaturave të shekullit të XX që iu ranë mbi kokë. Pra edhe ne nuk kemi ç’ të bëjmë më tepër, mund të qe justifikimi.

Një tjetër arsyetim, sërish disi alibik, është ai se ndryshe nga tentativa e Berishës së parë, regjimi i Ramës nuk ka në thelb dhunën por paranë. Ai nuk të agreson, por të korrupton. Ai nuk ta burgos mikun që ke ne krah, por ta rekruton për të ta kundërvënë. Ai nuk përplaset me një ndërkombëtar zhurmëmadh që ngre zërin për gjërat që s’shkojnë, por mundohet të zbulojë tek ai veset McGonigalit të mundshëm. Pra, në thelb, ai nuk të godet, por të përçan, nuk të vret por të atomizon, deri në asgjesimin e aftësisë për të ngritur kauza të përbashkëta. Ky lloj i ri sundimi, ndryshe nga tentativa autoritariste e e viteve ‘92-’97, është i pangjashëm me atë klasikun, që shqiptarët njohën gjatë gjysëm shekulli komunizëm. Ndaj, për rrjedhojë, ndoshta e kemi më të vështirë për ta perceptuar dhe jemi me antikorpe me të pamësuara për ta përballuar.

Një tjetër hipotezë mund të jetë edhe ajo e zbehjes së interesit të vendeve perendimore për vlerat demokratike. Të bindur tashmë se ato nuk janë një mall i eksportueshëm lehtë, si SHBA, si BE ndoshta kanë vendosur të vënë bast te liderët e fortë që garantojnë stabilitet, pavarësisht nga mjetet me të cilat e arrijnë këtë qëllim. Një gjë është fakt, pas fillim viteve 2000 interesimi i diplomatëve të vendeve aleate për zhbërjen e atyre vlerave që prezumoheshin të mbronin ka qenë gjithnjë e më i zbehtë.

Por, nga ana tjetër, të gjitha këto argumenta, si veç e veç, apo qoftë dhe të gjitha së toku, i ngjajnë justifikimeve të dikujt që kërkon fajtorë, për një gjë që i kanë vjedhur para syve. Edhe brezit tim, madje të gjithëve ne, na kanë rrëmbyer atë që kujtonim se e kishin fituar përgjithmonë, shoqërinë liberale. Neve po na servirin në një formë të re, të njëjtin monizëm të vjetër. Prandaj kjo plaçkitje, ky fund i hidhur iluzioni, nuk vlen të shpjegohet as me incidente të rastësishme, as me fenomene të përkohëshme, sado i fortë të mund të ketë qenë ndikimi i tyre. Për këtë që po përjetojmë përgjegjësia kryesore qëndron mbi të gjithë ne që jetuan me iluzionin se demokracia është një dhuratë që nuk ta marrin dot më mbrapsht. E duke nxituar përpara me sytë mbyllur haruam dalëngadalë se kjo shoqëri nuk kishte pasur kurrë mundësi të ngrinte një sistem të fortë imunitar ndaj të keqes. Gjithë, gjithë, shteti shqiptar ka jetuar pak vite pa diktaturë, në fillim të shekullit të shkuar dhe dy dekada kaosi tranzicioni mes viteve ‘97-2017. Një pikë uji në oqean, kur mendon natën e errët të mungesës së lirisë.

Po a mund të merrnim të mirqenë demokracinë dhe shoqërinë liberale kur ende i kishim të pazhvilluara antikorpet për mbrojtjen e tyre?

Fakti që se shtruam më dendur dhe më me forcë këtë dilemë na bën sot përgjegjës. Fakti që nuk e ndezëm sinjalin e alarmit kur partitë tona filluan të shndëroheshinë lodra personale, apo familjare, kur roli i pushteteve të tjera po zbehej deri në asgjesim, kur ndryshuam thelbin e kushtetutës së ‘98, që ishte konceptuar si diga ndaj përqëndrimit të pushteteve, për ta zëvendësuar me ndryshimet e 2008-ës, na bën patjetër fajtorë. Besimi i verbër se e keqja nuk ndodh, pasi ajo që është arritur është e pakthyeshme na yshti ti krijojmë të gjitha kushtet, që kur dikush të shfaqej për të shpallur se e donte “i vetëm tepsinë”, ne ti’a kishim bërë tashmë rrugën gati.

IIuzioni se kjo s’mund të ndodhte na bëri të shpërfillim se jetonim në një vend pa pikë tradite demokratike dhe krejtësisht të pa koracuar me armët për ta mbrojtur atë. Fakti se ç’bëri më pas Rama, se si u sollën ndaj tij kundërshtarët, apo se si ndryshoi arena gjeopolitike, janë shumë më të papërfillshme sesa ky injorim i mungesës së traditës. Ky ishte dhe gabimi i madh i këtij brezi që mburret ende se fitoi revolucionin, ndërkohë që në tre dekada hodhi çdo hap të gabuar për ta humbur atë. Me çmimin e lartë të vrasjes së demokracisë.

No comments: