Saturday, December 30, 2023

Gjykata miraton kërkesën e SPAK, ‘arrest shtëpie’ me polic te dera për Sali Berishën


 Gjykata e Posaçme ka miratuar kërkesën e SPAK, teksa ka dhënë masën “arrest në shtëpi” dhe ndalim komunikimi për Berishën.

Kjo masë nga SPAK erdhi pasi më herët, ish-kryeministri nuk zbatoi vendimin e Gjykatës, atë të detyrimit me paraqitje para policisë gjyqësore.

Berisha ka pretenduar se kërkesa e SPAK ishte bërë në kundërshtim me Kushtetutën pasi kërkesa nuk ishte aprovuar nga Parlamentit për t’i hequr atij imunitetin

Meta: Akti ekstrem i përndjekjes politike të Berishës është vepër e Edi Ramës për eliminimin e opozitës

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, reagoi pas vendimit të sotëm ndaj liderit të opozitës, Sali Berisha.

Meta shprehet se kjo është një vepër direkte e Edi Ramës që ka për qëllim eliminimin e opozitës.

“Vendimi i sotëm i GjKKO është një akt ekstrem i përndjekjes politike të Prof. Dr. Sali Berishës dhe vepër e drejtpërdrejtë e Edi Ramës për eliminimin e opozitës.

Izolimi i paprecedentë i liderit të opozitës është kambanë alarmi për liritë dhe të drejtat e çdo qytetari, për vetë ekzistencën e shtetit të së drejtës, si dhe për pluralizmin politik, që është nga sot më i kërcënuar se kurrë më parë,” shkruan Meta.

Bylykbashi: Berisha është i rrezikshëm se po ngre opozitën kundër regjimit të Ramës

Sali Berisha sot nuk është formalisht i akuzuar, por megjithatë e arrestuan.

Martin Nimoeller, nëse do ta ribënte perlën e tij me titull “Në fillim ata erdhën”, do të shkruante:

“Në fillim erdhën për liderin e opozitës, por unë nuk fola se ai nuk më pëlqente.

Më pas erdhën për opozitën, por nuk fola se isha pa parti.

Kur erdhën për mua, nuk kishte mbetur më kush të fliste.”

SPAK thotë vetë se për Sali Berishën kanë vetëm dyshime të arsyeshme. Por dyshimi i arsyeshëm është në favor të personit nën hetim e jo të SPAK. Sot SPAK dhe GjKKO janë nën dyshimin e arsyeshëm se janë armë politike kundër opozitës.

Nuk kanë ende prova për akuzën që i bëjnë Sali Berishës. Kanë vetëm dyshimin e arsyeshëm se ka miratuar ligje dhe VKM në favor të dhëndrit të tij, trashëgimtar i një prej familjeve të mëdha pronare në Tiranë. Nëse prova të SPAK janë:

– Ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave në fuqi nga 1993-2015 dhe vendimet e miratuara nga qeveria e Sali Berishes në zbatim të ligjit;

– 53.775 vendime ne favor të 42.545 subjekteve pronare që u ishin marrë pronat nga regjimi kriminal komunist që sot e trashëgon PS (Familja Begeja ku dhëndri i Sali Berishës është vetëm një prej 64 trashegimtarëve të vetëm një prej 42.545 familjeve pronare që përfituan nga aktet e Sali Berishës);

– 101.600 hektarë (troje, tokë bujqësore, pyje, kullotë, etj) të njohura e të kthyera fizikisht pronarëve legjitimë;

– 56.140 hektarë të njohura për kompensim;

– 2.903 objekte të njohura e të kthyera tek pronarët;

-3.341 prona shtetërore të ndërtuara mbi troje të pronarëve të shpronësuar nga komunizmi, për t’u privatizuar me të drejtë parablerje nga pronarët që rifituan pronësinë; 

dhe të gjitha këto nga 1993-2012, atëherë Sali Berisha po akuzohet se ka qeverisur sipas programit të tij politik të votuar nga zgjedhësit. Praktikisht nën akuzë është vota e lirë dhe drejtësi më komuniste se kaq, nuk ka!

Sigurisht duhej të bënte më shumë, por SPAK dhe GjKKO po e akuzojnë Sali Berishën se të gjitha këto i paska bërë që të fshehë qëllimin për t’i kthyer disa qindra metra katrorë dhëndrit të tij.

Po e akuzojnë se ndërtuesi (korruptuesi aktiv) që ishte pronar i vjetër në të njëjtën pronë, ka korruptur dhëndrin e Sali Berishës (të korruptuarin pasiv) që t’i mbushte mendjen vjehrrit të tij kryeministër, që ky i fundit t’i mbushte mendjen Edi Ramës, kryetar i PS dhe i Bashkisë Tiranë, kryekundërshtari politik i Sali Berishës, që ai, Edi Rama, t’i ndërronte me firmën e tij destinacionin e truallit nga terren sportiv në truall ndërtimi dhe të jepte edhe lejen ndërtimit. Pra me firmën e Ramës të zhvillonin pronën e të bënin para.

Këtu këputet fija e logjikës së SPAK dhe GjKKO. Të arrish në këtë konkluzion duhet ose budallallëk ose maskarallëk, por nuk ka asnjë provë për të parën. Është maskarallëk politik i pastër.

Epo, pavarësisht kësaj, Sali Berisha sot është nën masën e arrestit në shtëpi, me urdhërin të mos komunikojë me asnjë përveç familjarëve.

Sali Berisha është kryetar i PD dhe lider i opozitës. Sot Edi Rama, me dorën e SPAK dhe çekiçin e një gjyqtareje që me bindje ka shkelur disa here kushtetutën, po përpiqet të mos lejojë opozitën të luftojë regjimin e tij.

Si rregull dikush arrestohet se është i rrezikshëm shoqërisht. Po, Sali Berisha është i rrezikshëm sepse u ktheu e kompensoi pronat 42.545 pronarëve. Jo vetëm kaq, por mbi të gjitha është i rrezikshëm sepse po ngre opozitën kundër regjimit të Ramës.

Si rregull dikush arrestohet sepse mund të prishë provat, por ndërkohë duke nxjerrë dokumente e fakte që SPAK i ka fshehur, Sali Berisha po pasuron provat dhe për këtë po arrestohet.

Si rregull dikush arrestohet sepse mund të largohet e t’i shmanget drejtësisë, por Sali Berisha është çdo ditë në krye të Opozitës në çdo cep të Shqipërisë, e do të vazhdojë të jetë. Siç e tha nënkryetarja socialiste e Kuvendit në mbledhjen për heqjen e imunitetit, arsyeja pse duhet arrestuar është se “Sali Berisha vazhdon mobilizon njerëz e na i sjell para Kuvendit”.

Nuk mund të ketë regjim me një drejtësi të pavarur. Por në Shqipëri sot ka një regjim sepse drejtësia është kthyer në armë politike. Mediat botërore shkruajnë se edhe presidenti kinez Xi Jinping përdori antikorrupsionin si mekanizëm për të kapur pushtetin dhe sot është po aq i fuqishëm sa Mao Ce Dun.

Kjo ndodh kur drejtësia kthehet në armë politike.

Vendimi sot tregon se sistemi i drejtësisë është thellësisht i politizuar dhe duhet reformuar nga fillimi, që jo vetëm të jetë i drejtë, i pakorruptuar, i pakapur e i paanshëm, por duhet edhe të duket e ndjehet nga të gjithë njerëzit si i tillë.

Përpara se të bëhet kjo, duhet të reagojmë!

Bardh Spahia: Si demokratë, ne e kemi të qartë betejën tonë, asnjë hap pas!

Anëtar i kryesisë së PD,Bardh Spahia, ka reaguar në rrjetin social Instagram mbi vendimin e fundit të GJKKO për lënien në arrest shtëpie, të kreut demokrat Sali Berisha.

Këtë vendim, Spahia e cilëson se një vendim të derigjuar politikisht.

“Askush prej nesh nuk mund të ketë një jetë të mirë për vete dhe familjen, kur shteti i së drejtës ka rënë, pluralizmi po synohet të zëvendësohet me partinë-shtet dhe demokracia me diktaturën e bandave”, shkruan Spahia ndër të tjera.

POSTIMI

Idetë as nuk burgosen, as nuk eliminohen! Akti kundër Sali Berishës nuk i përket një drejtësie të pavarur, por një drejtësie të dirigjuar politikisht.

Pa prova, pa fakte, pa i marrë kurrë një dëshmi, me procedura antikushtetuese dhe antiligjore, dosja e sajuar kundër Sali Berishës përbën një gur në qafë për çdo shqiptar, demokrat, socialist apo pa parti. Ky standard antidemokratik do t’i trokasë në derë kujtdo nesër, por do të jetë vonë, nëse nuk e ngremë zërin sot.

Askush prej nesh nuk mund të ketë një jetë të mirë për vete dhe familjen, kur shteti i së drejtës ka rënë, pluralizmi po synohet të zëvendësohet me partinë-shtet dhe demokracia me diktaturën e bandave.

Si demokratë, ne e kemi të qartë betejën tonë: asnjë hap pas!

Arresti shtëpiak ndaj liderit të opozitës/ Gazment Bardhi: Masat ndaj Berishës antiligjore dhe sulm ndaj opozitës

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me masën e sigurisë së dhënë ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Deklaratë e kryetarit të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi:

Tejkalimi i nevojës, veprimeve të arsyeshme dhe abuzimi me masat shtrënguese kthehet vetvetiu në padrejtësi. Opozita vërtetë nuk ka betejë me drejtësinë, por e kundërta e kësaj duhet të jetë edhe më e zëshme: drejtësia nuk mund të ketë betejë, përtej asaj që dikton ligji, me opozitën.

E në këtë drejtim, një deputeti nuk mund ti pezullohet ushtrimi i funksionit, që defacto arrihet nëse atij i ndalohet komunikimi dhe përmbushja e veprimtarisë politik qoftë edhe në kushte izolimi, sepse këtë nuk e lejon shprehimisht ligji.

Abuzimi me ligjin në këtë rast, duke izoluar Sali Berishën në kushte që nuk aplikohen as për të burgosurit, është qartazi i paarsyeshëm, i panevojshëm dhe një tejkalim që lë shijen e përndjekjes politike ndaj opozitës.

Përndjekja politike ndaj opozitës do ta rradhiste Shqipërinë krah Rusisë, dhe jo krah vendeve të NATO-s apo BE-së. Në një vend anëtar të NATO-s, në një vend kandidat për anëtar të BE-së, cilido duhet të jetë i barabartë përpara ligjit, cilido mund të hetohet dhe nëse rezulton i fajshëm të dënohet.

Por në një vend anëtar të NATO-s, në një vend kandidat për anëtar të BE-së, askush nuk mund të përndiqet politikisht, askush nuk duhet të trajtohet përtej standarteve që lejon ligji dhe janë të nevojshme në një shoqëri me drejtësi dhe barazi. Abuzimi, tejkalimi dhe mungesa e arsyes janë gjithmonë PADREJTËSI!

Vokshi: Zyrtarisht në diktaturë! Rama e arriti atë që planifikoi prej vitesh

Kryetarja e Kryesisë së Deputetëve në Partinë Demokratike Albana Vokshi e ka cilësuar masën e sigurisë nga GJKKO ndaj liderit Sali Berisha si një ndjekje politike e Ramës.

Në një lidhje me ‘Skype’ për Task Force me Sonila Meçon në Syri Tv, Vokshi shprehehet se ky vendim nuk ishte i papritur pasitë gjitha institucienet janë të kapura nga Edi Rama, ndër to edhe Drejtësia e Re.

“Ne e dinim që Edi Rama do ti shkonte deri në fund asaj ç’ka ka planifikuar prej vitesh. Është një përndjekje politike që i ka bërë liderit të opozitës prej shumë vitesh duke përdorur të gjitha pushtetet që tashmë ai i zotëron. Qartazi duket që i zotëron të gjitha, edhe atë që i thonë Drejtësia e Re, të cilat me veprimet e fundit për fat të keq i kanë treguar shqiptarëve që jo vetm nuk ka drejtësi të re  por përkundrazi, me të gjitha vendimet të cilat janë marrë qoftë nga SPAk, qoftë nga gjykatat speciale të cilat u ngritë me një pritshmëri shumë të madhe nga publiku shqiptar për të vënë drejtës. Me vendimet e fundit ndaj liderit të opozitës, ku nuk ka asnjë fakt, asnjë provë, asnjë akuzë dhe merret vendimi për ta arrestuar.

Çfarë emri duhet ti vesh një vendi që arreston liderin e opozitës? Që të gjitha pushtetet i zotëron një person, përfshirë edhe drejtësinë? Çfarë emri t’i vesh një vendi ku Gjykata Kushtetuese nuk kryen funksionin e saj kushtetues për të interpretuar konfliktin apo marrjen e kompetencave të parlamentit.  Nuk ka një emër tjetër përveçse diktaturë. Zyrtarisht jemi në diktaturë.”

Këlliçi: Rama sot e rreshtoi Shqipërinë në krah të Rusisë

Nga Belind Këlliçi

Ta gëzojmë drejtësinë e re!

Sot zyrtarisht, Edi Rama e rreshton Shqipërinë krenare krahë Rusisë, ku lideri i opozitës burgoset pa asnjë fakt, pa asnjë provë, pa asnjë akuzë. Nga sot jemi i vetmi vend i NATO me kryetarin e opozitës të burgosur dhe madje të privuar nga e drejta e fjalës.

Ky proces thellësisht politik, do t’i kthehet shumë shpejt në bumerang Edi Ramës, i cili sot krekosej në mbrojtje të hajdutit 2 metrosh Ilir Beqja e shpjegonte se si të qenurit person nën hetim nuk do të thotë asgjë!

Kur ky standard i drejtësisë aplikohet për një ish President, ish Kryeministër të vendit, imagjinoni se çfarë ndodh me një qytetar të thjeshtë.

Nga sot Shqipëria rikthehet nën diktaturë!

No comments: