Thursday, December 28, 2023

Fundosja e “kartelit” në Beograd



Shkruar nga Fadil Lepaja

Në Beograd, si gjithkund në rajon, këto ditë populli ka filluar të dehet, kush me wiski e kush me vodka. Të gjithë duan të hanë, të pinë dhe të dehen për natën e ndërrimit të moteve dhe askush nuk ka dëshirë të merret me protesta dhe greva, së paku jo deri pas vitit të ri serb, që i bie me 7 janar.

Tashmë është e njohur se, në Serbi,  pushteti e akuzon për ushtrim të dhunës, opozitën e bashkuar rreth motos “Serbia kundër dhunës”.

Kjo duket si një përpjekje e pushtetit që ta zhbëjë krejt energjinë e rezistencës së paralajmëruar, në një hajgare të madhe publike, duke e përafruar kështu me atmosferën festive. Ndërkohë nga greva dhe rezistenca e  paralajmëruar gjithë popullore, në mbrojtje të votës së vjedhur,  ka mbetur vetëm krye opozitarja Marinka Tepiç, e cila edhe përkundër rekomandimit të mjekëve nuk po pranon ta ndërpresë grevën. 

Duke shfletuar median serbe, edhe ato të opozitës,  rezistenca duket krejt joreale në vigjilje të festave të fundit të vitit.

Importi i elektoratit nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova i solli partisë së presidentit serb edhe një mandat, ndërkohë që greva e paralajmëruar është përmbytur nga atmosfera festive e  fundit të vitit, ashtu si u përmbyt këto ditë edhe “Karteli” mbi lumin Sava. Ky “Karteli” ishte veç një kafene lundruese, një trajekt i përshtatur për lokal nate, ku në mungesë të masave të sigurisë, u fundos. Kështu quhej lokali, nuk ishte fjala për “Kartelet” serbe që e dominojnë rajonin. Administrata lokale ka paralajmëruar se planifikon të mbyll një pjesë të tyre, për mosrespektim të standardeve për këtë lloj lokalesh të natës, ku përflitet se bëhet qejf  aq i madh, sa as toka nuk do ta mbante, lëre më ...xhepi i qytetarëve të  thjeshtë, të cilët jetojnë nga paga.

U paralajmërua krizë e madhe politike dhe dilema nëse presidenti aktual do të mbijetojë këtë turbulencë. Dëshirat u shoqëruan nga idetë se kjo krizë mund ta rrëzonte atë nga pushteti ashtu si i ndodhi dikur ish presidentit Slobodan Millosheviç.

Dikush do të thotë se kjo ishte një turbulencë e vogël, e dikush mund të thotë se kështu fillojnë ndryshimet e mëdha, me një grup që proteston dhe që shtron kërkesa të pamundura. Vetëm kur kërkesat janë të pamundura mund të rrotullohet fati pasi kërkesat reale çojnë në kompromis, e kompromisi nuk e ndryshon situatën, prandaj...nëse do ndryshime, kërko të pamundurën.

Dikur edhe ish presidenti i Serbisë Slobodan Milosevic, para se të binte u akuzua për vjedhje votash. Revolta popullore, e ndihmuar edhe nga perëndimi, e rrëzoi atë nga pushteti, pastaj me përcjellje ... e dorëzuan në Hagë si të dyshuar për krime lufte. Siç është e njohur, ai nuk e priti aktgjykimin e gjykatës, vdiq në burg. Arrestimi dhe dërgimi i  tij në Hagë, ishte asokohe një shok për shoqërinë serbe pasi elitat atje nuk ishin ende të përgatitura për ndryshime. Akademia, kisha, politika nuk ishin të gatshëm për ndryshim të kursit anti- perëndimor, të cilin e kishte marrë shoqëria serbe për “të mbijetuar” dhe në përpjekje që të vizatojë, me gjakun e popujve të pambrojtur, kufijtë e Serbisë së madhe në boshllëkun që po mbetej nga shpërbërja e Jugosllavisë.

Por zëvendësimi i Milosheviçit me një properëndimor, nuk solli një shoqëri demokratike, por pas pak vitesh solli në pushtet konservatorët serb, të cilët shpejt e likuiduan jo vetëm ish kryeministrin properëndimor Gjingjiç, por edhe vetë  idenë e Serbisë Evropiane.

Ardhja e Tomislav Nikoliçit dhe më pas, e Aleksandër Vuçiçit ishte njëlloj kompromisi, ideologjik, për një Serbi lindore që do të dukej perëndimore, e konceptuar si “diçka në mes”, si një përpjekje për të marrë rolin e dikurshëm “as me lindje as me perëndim” që e kishte ish-Jugosllavia e Titos. Por Vuçiç nuk e ka karizmën e ish diktatorit komunist, prandaj për ta kompensuar ai  flet, flet derisa e humb fillin.

Pikërisht presidenti aktual serb, e luan këtë kartë në marrëdhëniet mes Evropës dhe Rusisë, duke shërbyer herë si urë, intermediator, e çfarëdo që nevojitet në marrëdhëniet dydrejtimëshe, të tensionuara në mes të Rusisë dhe perëndimit.

Edhe Milosheviç, dikur përflitej si “njeri i amerikanëve”, paraqitej si politikan shumë bashkëpunues me perëndimin, pak a shumë sikurse po ndodh aktualisht me pushtetin e presidentit serb Vuçiç. Edhe djali i ish presidentit Milosheviç dikur përflitej si një nga drejtuesit e krimit në Serbi dhe një nga njerëzit më të pasur, i cili pas rënies së babait të tij, u strehua në Rusi.

Ngjashëm  përfliten edhe familjarë të presidentit aktual dhe familjarët të kryeministres në dy mandate Brnabiç. Rënia e tyre e paralajmëruar nga opozita, paraqitet si rënie e karteleve të krimit, por si duket i vetmi kartel që këto ditë ra në Beograd është fundosja e kafenesë lundruese me emrin “Karteli”.

A do të ndalojë pushteti lokal në Beograd shumicën e kafeneve lundruese mbi lumin Sava, pavarësisht nga emri i tyre, apo do ta tolerojë jetën e shfrenuar të natës, mbi këto “kartele” lundruese, mbetet të shihet nga zhvillimet post-festive. Ndërkohë, Presidenti serb duket se do ti mbijetoj edhe këto zgjedhje të vjedhura, të ndihmuara nga elektorati i importuar,  pasi në lindje dhe perëndim të dy palët duket se ende besojnë se Aleksandri është me ta.

Me kë është Aleksandri? Nuk po pyesim për miqtë dhe vëllezërit rajonal të tij! Duket se është çështje jashtë vëllazërisë rajonale!/Pamfleti 

No comments: