Thursday, December 21, 2023

Dyshimet/ Kuvendi thotë “PO”, Berisha drejt arrestit në seli

 


Vota e Edi Ramës dhe ajo e 74 deputetëve të tjerë të shumicës së tij parlamentare mjaftuan për ti hapur rrugën arrestimit të Sali Berishës gjatë një senance surrogato, kur nuk u lexuan dot as raportet që e justifikonin një masë të tillë dhe as u dëgjua vetë deputeti që duhej të mbronte veten.

Me një urgjencë mbresëlënëse dhe brenda pak minutave u votua pika 3 të axhendës: “Për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit z. Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”. 

Megjithëse emri i tij u thirr disa herë nga kryeparlamentarja, Lindita Nikolla, Berisha rrefuzoi ta merrte fjalën pa larguar më parë dhjetra gardisë që kishin mësyrë në sallë. Grupi i opozitës ishte rrethuar prej tyre sikur të qe një bandë kriminale dhe askush nga deputetët demokratë nuk arritë të flasë. Kërkesa për të larguar gardën u interpretua me shpejtësi nga Lindita Nikolla si rrefuzim për të marë fjalën dhe menjëherë u kalua në një votim blitz që sipas socialistëve qe i mjaftueshëm për të hapu rrugën e arrestit të liderit të opozitës. Procedurës parlamentare i parapriu një vendim langaraq i Gjykatës Kushtetuese, e cila u zbyth përpara kërkesës së një grupi deputetësh për të interpretuar gjenezën e ashpërsimit të masave kundër Berishës. Ata kërkonin nëse quhet kufizim i lirisë të deputetit detyrimi i tij për tu paraqitur dhe anullimi i udhëtimeve jashtë shtetit që pati kërkuar SPAK. Por gjykata më sipërore e vendit rrefuzoi ta interpretojë këtë konflikt, duke i hapur rrugë arrestimit.

Pas asaj SPAK “zbuloi” një praktikë të tërthortë për të kërkuar heqjen e imunitetit të deputetit Berisha pa paraqitur prova kundër tij ashtu sikurse e kërkon ligji.

Një truk i prokurorëve Arben Kraja dhe Enkeleida Millonai që kishin vendosur paraprakisht të kufizonin lirinë e deputetit në fjalë pa pyetur parlamentin, tani i kërkonte kuvendit masë më të rëndë ndaj Berishës, që e kishte quajtur të paligjshëm detyrimin e paraqitjes dhe marrjen e pasaportës. Duke pretenduar se lideri i PD e kishte sfiduar me mosparaqitje, SPAK kërkoi arrestimin si një masë më të rëndë. Por me këtë lëvizje tinzare, ai krijoi precedentin e rrezikshëm që deputeti mund të zhvishet nga imuniteti edhe nëse prokurorët nuk sjellin prova. Pra, deri më tani, Prokuroria e Posaçme ka kufizuar lirinë e një deputeti, në këtë rast liderit të opozitës, duke anashkaluar parlamentin dhe e pastaj ka përdorur këtë “risi” si një rast për të kërkuar arrestimin, duke shmangur detyrimin për të paraqitur prova.Kjo procedurë shkeleshko u kalu në heshtje nga Kushtetuesja dhe u çertifikua nga mazhoranca e Edi Ramës.

Por hapat e dyshimta të kësaj sage nuk përfundojnë këtu. Që në fillim të këtij procesi, masën ndaj Berishës e mori një gjykatëse e dyshuar për konflikt interesi, si Irena Gjoka, pasi ishte shkarkuar me firmën personale të ish-presidentit (1992 -1997).

GJKKO nuk e mori parasysh pretendimin e palës mbrojtëse për largimin e saj. madje më keq akoma, kur avokatët e Berishës u larguan në shenjë proteste, ajo caktoi dy karagjozë si avokatë kryesisht. I pari Artan Simoni që morri përsipër të mbronte liderin demokrat e kishte quajtur atë publikisht: “një bishë të plagosur, që diku paska gabuar”. Pasi u diskredidua për këtë teatër ai u largua nga mbrojtja. Por çështja u shndërrua në karagjozllëk kur, përsëri, drejtësia e re dhe e pavarur caktoi për të mbrojtur Berishën, Valentina Todoreskun, e cila përmbyste me like në facebook Edi Ramën dhe bënte atyr thirrje për mbërritjen e orës së burgut për Saliun. Pra në harkun e dy muajve një proces që duhej të qe farmaceutikisht i pavarur rezultoi përditë e më shumë i politizuar.

Pikërisht këto i kanë bërë deputetë demokratë që kanë qenë të ashpër me Berishën dhe që gjithnjë janë shprehur për SPAK, të vënë në dyshim këtë proces. “Vendimi antikushtetues i Kuvendit ndaj Sali Berishës, miratuar vetëm me votat e Edi Ramës pa arsyetim dhe prova, është akt i mirëfilltë politik. Shpërfillja e Kushtetutës dhe ligjit në rastin konkret, është standardi më i keq i vendosur në një shoqëri demokratike. Cilido duhet të jetë i barabartë përpara ligjit, por barazia duhet të ekzistojë edhe në të drejta. Një standard për bashkëpunëtorët e Edi Ramës dhe një tjetër standard tërësisht i ndryshëm për kundërshtarët e Edi Ramës, nuk është as barazi dhe as drejtësi”, u  shpreh Gaz Bardhi, mënjëherë pas votimit në kuvend.

Edhe idhtari i drejtësisë së amerikanëve, Agron Gjekmarkaj reagoi ashpër: “Kushtetuta e vendit u shkel në nenin e saj nr. 73 dhe u krijua një precedent që la shije gjuetie mbi Sali Berishën, i cili përfaqëson pjesën më të madhe të opozitës. Ai nuk është mbi ligjin, por as nën të nuk duhet të futet me aksion politik. Pritëm që në mbledhjen e Këshillit të Mandateve të paraqiteshin prova ndaj tij, por ato nuk i pamë. Dikur kjo mazhorancë kërkonte prova dhe u nxirrte sytë prokurorëve për Saimir Tahirin. Dy standardet janë një standard triumf i politikës mbi drejtësinë, helm ky, që mund të fundosë ëndrrat për një drejtësi të re. Goditja ndaj tij nuk është e barabartë me asnjë goditje ish-ministri, nëse dikush kërkon të ndërtojë paralelizma. Një vend pa opozitë apo me atë të nëpërkëmbur, të shtypur nga thundra gardistësh, është vend pa garanci dhe, si i tillë, pa demokraci, është regres. Një vend ku të votuar nga populli opozitar përdoren nga pushteti, është një vend në krizë të thellë etike, aq shumë të tillë sa propozohen bash nga këta, ligje që opozita të dënohet me burg nëse bën denoncime”.Gjithësesi tani është fakt se brenda mksimumi pesë ditësh Sali Berisha do të shkojë drejt arrestit (më shumë mundësi shtëpiak për shkak të moshës). Pak orë pasi Parlamenti miratoi me 75 vota pro autorizimin e SPAK për arrestimin e deputetit Sali Berisha, i ka dërguar Prokurorisë së Posaçme vendimin që njofton zyrtarisht heqjen e imunitetit të ish-kryeministrit.

“Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Bashkëlidhur ju dërgojmë: Vendim nr. 127/2023 “Për kërkesën e Prokurorise sẽ Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Tiranë, për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit.” E vetmja gjë që nuk është vendosur ende është nëse Berisha do të izolohet në shtëpinë e tij, apo nëse ai do të zgjedhë ta kalojë masën e shtrënguar të sigurimit në zyrë.

Lapsi.al

No comments: