Rama takon Tony Blair, si hap i dytë
që pritet të mbyllet me konkretizimin e një kontrate me
ish-kryeministrin britanik në rolin e këshilltarit të qeverisë së re. A
është ky një lajm i mirë megjithëse, sipas shtypit britanik, z. Blair
është paksa i shtrenjtë me “honorare” që shkojnë në 4 milionë stërlina
për Brazilin dhe 16 për Kazakistanin?
Ka qenë dhe është akoma zakon i vendeve
të botës së tretë të pajtojnë si këshilltarë
figura të njohura të skenës
ndërkombëtare në pension. Jo rrallë vendime të tilla janë marrë me një
mendim të mbrapshtë për të zbukuruar vitrinën e qeverisjes dhe mbuluar
të palarat. Nuk mund të them a është ky rasti i marrëveshjes së përfolur
midis qeverisë së re “Rama-Meta” dhe zyrës së ish-kryeministrit
britanik, Tony Blair. Di se kjo zyrë, që pranon kërkesa ose ofrohet për
asistencë kudo ku sheh leverdinë e vet në radhë të parë, ka patur
komunikime të kësaj natyre edhe me qeverinë e zotit Berisha, por pa
finalizuar ndonjë gjë konkrete. Që Tony Blair ka qenë një nga skifterët e
luftës në Kosovë dhe qëndron përkrah madhështisë së presidentit
amerikan Bill Klinton si ndalues i genocidit kundër popullit shqiptar të
Kosovës dhe si çlirimtar i Kosovës, kjo nuk diskutohet.
Që ka qenë një kryeministër mjaft i
suksesshëm i laburistëve anglezë dhe që na vjen shumë mirë ta shohim sa
më shpesh përkrah tij zotin Edi Rama, edhe kjo është si një e një bëjnë
dy.
Përtej këtyre, publiku shqiptar ka
nevojë të mësojë me transparencë për çfarë marrëveshjeje bëhet fjalë, ku
konsiston asistenca e zyrës së zotit Blair për qeverinë e re të së
majtës shqiptare, cilat janë tarifat e shërbimit, nëse asistenca nuk
jepet falas, e tjerë. Për momentin ka më shumë “agjitacion” sesa
transparencë. Ndoshta nuk ka ende diçka konkrete dhe transparenca do të
vijë bashkë me marrëveshjen.
Duke thënë këto, mua më duket e
çuditshme dhe shoh një anomali në bujën e porositur që shoqëron këtë
lloj këshillimi. Qeverisja e çdo vendi demokratik, përfshirë këtë të
Shqipërisë, është në thelb një kontratë me zgjedhësit që e kanë votuar.
Qeverisja si e tillë nuk është kurrë teknike, por politike dhe
kombëtare. A ka dorë Tony Blair në programin elektoral të PS-së dhe
LSI-së? Jam i bindur se jo. As Blair dhe askush si Blair nuk mund të
posedojë autoritetin e revizionimit të këtij programi të votuar. Askush,
as Presidenti Obama, nuk mund të jetë më i madh se Rama në raport me
programin e tij të 23 qershorit dhe me obligimet për ta zbatuar. Përtej
nderimit për figurën e Tony Blair, unë në asnjë mënyrë nuk mund ta shoh
atë si kryeministër të kryeministrit të vendit tim, siç duan ta
përcjellin burizanët e shumicës së re. Së fundi, lejohem të paralajmëroj
se, nëse Rama një ditë prej ditësh vendos të tërhiqet nga ndonjë
premtim elektoral se kështu i ka thënë Blair, nuk duhet të harrojë se
llogarinë e ka me publikun shqiptar.
Florian Rauning, aktualisht ambasador
i Austrisë në Tiranë, është përzgjedhur si ambasador i ardhshëm i
prezencës së OSBE në Shqipëri. A mendoni se Shqipëria ka ende nevojë për
një zyrë të tillë?
OSBE në Shqipëri vazhdon të jetë pak a
shumë në sindromën e mitit të Sizifit që e ngrinte vazhdimisht gurin
deri afër majës së malit dhe aty i shpëtonte nga duart për t’ia nisur
gjithnjë nga e para. Demokracia sigurisht që ka bërë hapa të mëdhenj
përpara në Shqipëri, por zgjedhjet e fundit treguan e do të tregojnë
akoma më qartë në ditët e ardhshme se prezenca e OSBE-së jo vetëm nuk
duhet të largohet, por duhet të riprogramojë misionin e saj në Shqipëri,
duke hyrë thellë në problematikën e re të zgjedhjeve shqiptare e duke
diktuar zgjidhjet adekuate me realitetin. E kam pohuar në këtë rubrikë
dhe dua ta përsëris se dukja nuk duhet të na mashtrojë. Këto zgjedhje
janë prishur nga brenda dhe janë prishur në mënyrën më të keqe dhe më
fatale sepse janë prishur me para. Unë jam një njohës i mirë i historisë
së manipulimit të zgjedhjeve në Shqipëri, kam shkuar tre libra vetëm
për këtë temë, çështja e zgjedhjeve dhe asgjë tjetër ka përcaktuar
lëvizjet e mia politike. Kemi patur manipulime me kërcënime nga
punonjësit e rendit apo SHISH- kjo ka qenë e riparueshme dhe është
riparuar. Kemi patur futje votash në kuti nga njerëz të policisë- edhe
kjo e riparueshme. Kemi patur tjetërsime mandatesh me vendime gjykatash-
e riparueshme. Por kjo e zarfeve me para për të blerë votues,
komisionerë dhe numërues, përfaqëson nivelin më kritik të prishjes së
zgjedhjeve dhe provën gjenerale të vendosjes së hegjemonisë së parasë në
zgjedhje. Nuk kam asnjë dyshim se shumica e re do të tentojë t’i blejë e
manipulojë akoma më keq zgjedhjet. Unë nuk njoh liderë në kampin e
majtë që të kenë kultin e votës së lirë. Kur guxuan kësaj radhe që me
demek ishin në opozitë, imagjinoni se ç’do të bëjnë kur të kenë vetë
arrën dhe gurin në dorë. Shpëtimi është opozita e re, opinioni publik,
OSBE, SHBA, një transparencë e madhe dhe një hetim profesional nga
erdhën këto miliona para, çfarë Shqipërie është kjo ku koordinatorët e
një force modeste politike, si LSI, apo trezorierë të PS-së kryqëzohen
lart e poshtë dhe bien ngado në pritat e policisë me zarfet e parave në
çanta dhe në gji. Nuk them se qeveria nuk do t’i humbte zgjedhjet. E kam
pohuar e argumentuar disa herë këtë. Por blerja dhe vjedhja e votës nga
ish-opozita na lë pa shpresë. Prandaj bashkë me transparencën lipset
edhe një infrastrukturë krejt e re, infrastruktura e votimit dhe
numërimit elektronik në radhë të parë. Për të gjitha këto kemi sërish
nevojë për prezencën e OSBE-së.
Korriku ka qenë një muaj tragjik për gratë në Shqipëri: burra që vrasin gratë dhe nënat e fëmijëve të tyre…
E keni lexuar romanin e Stig Larson
“Burrat që urrejnë gratë”? Shumë e kanë lexuar si roman, shumë të tjerë
mund ta kenë parë film. Është një subjekt i kundërvënies midis një
epërsie banale të natyrës që kanë burrat ndaj grave, që është forca
fizike dhe forcës së inteligjencës që duhet të manifestojnë gratë në
këtë përplasje. Kjo që po tregoj unë me pak fjalë, ndodh në Suedi, në
një vend që konsiderohet parajsa e barazisë gjinore. Të kthehemi tani në
Shqipëri, të kthehemi në korrikun tragjik të këtij viti. Më ngrihet
mishi kokërr duke parë e dëgjuar për gjithë këto makabritete, kryesisht
kundër grave. Nuk them asgjë duke përsëritur se problemi është kompleks,
është ekonomik, social, kulturor…Nuk them asgjë po të përsëris se me
kanunet e tyre, të parët tanë i kanë pas dhënë një status paprekshmërie
gruas. Ajo që mund të them në këtë moment duke kujtuar gratë suedeze të
romanit “Burrat që urrejnë gratë” është kjo: e para, gratë duhet të
kompensojnë dobësinë e natyrës me forcën e inteligjencës. E dyta,
dënimet për burrat që torturojnë e vrasin gratë duhet të jenë shumë më
të rrepta.
Takime intensive por dhe ‘pushime
pune’ të krerëve të koalicionit të ri: Meta, Rama e Kokëdhima në Qeparo;
Meta viziton selinë e PS, një ‘teqe’ ku nuk ish falur prej 8 vitesh dhe
pas tij, Rama pret edhe Lefter Kokën. A kanë nisur ecejaket për
qeverinë e re dhe, a u duken negociatorët kuptimplotë?
Normale më duken të gjitha këto. Duhet
të kompilojnë programin dhe të ndërtojnë qeverinë për t’i patur gati në
fillim të shtatorit. Kanë marrë shumë deputetë, por ekuacionin e
qeverisë nuk e kanë aq të lehtë sa duket. Prandaj nuk përjashtoj t’i
kenë edhe më të shpeshta, por edhe më të sikletshme “pushimet e punës”,
vizitat e ndërsjellta në “teqetë” respektive apo në “teqe” asnjanëse.
Presidenti Nishani ka mbledhur krerët
e institucioneve të pavarura dhe të rëndësishme dhe u ka kërkuar të mos
stepen nga asnjë revansh. Kjo ka ardhur pas një turi të z. Rama në disa
prej këtyre institucioneve. Ju, a keni parë revansh?
Revansh në kuptimin e drejtpërdrejtë të
fjalës jo, por shenja janë dhënë. Presidenti i Republikës, zoti Nishani,
jo vetëm për këtë shkak dhe jo vetëm për të rivendosur gjendjen pas
takimeve që zoti Rama zhvilloi si fitimtar i zgjedhjeve me disa prej
krerëve të institucioneve të pavarura, i thirri këta për të biseduar dhe
konfirmuar ndarjen demokratike të pushteteve dhe statusin e
institucioneve të pjesës natyrore të shtetit në raport me institucionet e
pushtetit në Republikën e Shqipërisë. I thirri edhe për t’i motivuar,
duke qenë se është një zakon në Shqipëri që kur ndryshohet qeveria
krijohet një gjendje pritjeje dhe një vakum institucional edhe aty ku
nuk ka arsye dhe nuk duhet të krijohet. Ja pse takimi i Presidenti ishte
në kohën e duhur dhe përcolli sipas meje mesazhet e duhura. Takimi m’u
duk me vlerë edhe për një arsye tjetër: me ndryshimet që ndodhën në
zgjedhje, ka shumë mundësi që Presidenti Nishani të marrë rolin që
pretendojmë nga Presidenti i Republikës si garant i ligjit në vend. Ai
ka shansin të ngrihet në lartësinë e kohës, duke qenë se Meta e ka
votuar. Nga ana e tij, Rama kryeministër është thirrur në kauzë të
themelojë kulturën e kohabitacionit me Presidentin e zgjedhur nga pala
kundërshtare. Në këtë provë është thirrur për reciprocitet edhe Nishani.
Tensioni në bashkëpunim mes tyre do t’i bëjë mirë vendit.
U mbushën shtatë vjet qëkurse u nda
tragjikisht nga jeta Gramoz Pashko, ish-themelues i PD-së dhe një nga
figurat më karizmatike të Lëvizjes së Dhjetorit. Në fushatën për
zgjedhjen e kryetarit të PD-së, kandidati Basha është i pari që e ka
vendosur figurën e Pashkos përkrah figurave të Azem Hajdarit dhe Sali
Berishës. Si e vlerësoni këtë akt, jemi në histori apo në politikë?
Në histori dhe në politikë njëkohësisht.
Nga pikëpamja njerëzore jam emocionuar shumë kur kam dëgjuar Bashën të
evokojë nga galeria e themeluesve Azem Hajdarin dhe Gramoz Pashkon. Ata
ishin miq me njëri-tjetrin në çdo rrethanë, një miqësi e ngritur mbi
adhurimin e ndërsjelltë. Të tilla ishin miqësitë tona atëherë. Ata janë
larguar të dy nga kjo jetë në moshë të re, në mënyrat më të
paimagjinueshme. Ata janë brenga ime dhe e mijëra e mijëra demokratëve
të fillimit. Merret me mend pra sa shumë jam prekur kur dëgjova Bashën.
Dua të jem i sinqertë. Jam prekur posaçërisht kur përmendi emrin e
Gramozit, pasi për Azemin ka patur gjithnjë njohje dhe përkujtimore. Sa
herë kthejmë kokën prapa, drejt dhjetorit 1990, e shohim Gramozin krah
për krah me Berishën, binom i lidershipit popullor të kohës. Ai ka qenë
një vlerë autentike e rrallë e shoqërisë shqiptare, e lëvizjes
demokratike dhe e Partisë Demokratike. Liberaldemokrat par excellance,
ai ka autorësinë e ideve dhe projekteve të para që i hapën rrugën e
gjerë nismës së lirë në Shqipëri. Ma merr mendja se Basha e ka përmendur
jo vetëm si pjesë të historisë në kuadrin e vizionit të tij të shpallur
për të lidhur historinë e PD-së me një të ardhme të saj të re. E ka
përmendur edhe si përfaqësuesin më të shquar të korentit
liberaldemokratik në PD dhe kjo mua më duket shumë e drejtë, shumë
kuptimplote për programin e tij si pretendent për postin e kryetarit të
PD-së. Dëshiroj ta përsëris se, qysh në lindje PD ka qenë një parti
liberal-konservatore, ose konservatore-liberale. Sa herë që këto “dy
shpirtra” kanë fuzionuar në respekt të ndërsjelltë partia ka patur
suksese, si për shembull në vitin 1992, në vitin 2005, e tjerë. Sa herë
që “shpirtrat” janë grindur, apo më saktë, sa herë që konservatorët kanë
menduar t’i shtyjnë liberalët, partia ka patur disfata. Historia duhet
t’u mësojë diçka atyre që vijnë për të marrë përgjegjësi të larta
politike. Mendoj se duke evokuar kontributin e Pashkos, Basha ka treguar
se e ka bërë të vetin mësimin e fitores. Të dy kandidatët, për mendimin
tim, e kanë interpretuar mjaft mirë nevojën për të afirmuar lidershipin
e tyre pa mohuar vlerat e paraardhësve.
Instituti i Metrologjisë pas një
kontrolli nëpër karburante ka shpallur se shqiptarët paguajnë për një
litër naftë dhe marrin treçerekun. A nuk është konsumatori shqiptar i
nëpërkëmburi i madh i tranzicionit? Barnat, karburanti, ushqimet dhe
shumë produkte e shërbime nën mesataren…
Skandaloze! Turp, turp, njëmijë herë
turp! Në reflektimin e thellë të PD-së për tetëvjeçarin e shkuar,
reflektim i domosdoshëm për një Fillim të ri, duhet të zërë një vend të
veçantë fakti se populli shqiptar është ende një popull i pambrojtur nga
mashtruesit dhe delenxhinjtë. Rendin dhe jetën më shumë i mbron zakoni
sesa ligji. Kurse për ushqimet, për barnat, faturat e dritave, tarifat e
telefonave apo karburantet, individi i shkretë është i pafuqishëm,
është viktimë. E lexova me shumë trishtim lajmin e ri për mashtrimin e
ri me karburantet. Xhungël. Shfrytëzim cinik i vakumit të kalimit të
pushtetit, por edhe shenjë e keqe domethënëse për pushtetin e ri.
Si e keni parë garën për kryetar të
PD, a keni patur kontakte me kandidatët, cili është projeksioni juaj për
këtë parti pas 22 korrikut; cili do të jetë roli i Berishës (apo cili
duhet të jetë) dhe nëse do të bënit një endorsement për kë do ta jepnit:
Bashën apo Olldashin?
Një garë reale, e interpretuar mirë nga
të dy kandidatët. Si themelues i PD-së dhe si njeri publik që mbështes
PD-në dhe opozitën e re, jam kontaktuar e konsultuar edhe nga Basha,
edhe nga Olldashi; jam njohur me konturet e projektit të secilit, pastaj
i kam ndjekur në media me vëmendje dhe entuziazëm. E kam shkruar dhe po
e përsëris që, gara e tyre është shprehje e vitalitetit të PD-së; ata
do të mbahen mend si politikanët që i dhanë jetë të parës garë reale për
të zëvendësuar Sali Berishën në krye të PD. Do të ketë një fitues në
këtë garë, por nuk do të ketë një humbës. Ai që nuk do të dalë i pari do
të dalë i dyti, në kuptimin politik të garës. Për mua ka shumë rëndësi
që gara të vijojë kështu deri në fund dhe me mbarimin e numërimit të
votave i pari t’i zgjasë dorën të dytit, i dyti të parit. Bashkimi është
po aq i rëndësishëm sa vetë lideri. Ju ngulmoni për një endorsement nga
ana ime. Unë jam liberaldemokrat dhe miratoj me përparësi vizionet
liberaldemokrate. Por do t’ua lë anëtarëve të PD-së përzgjedhjen, i
bindur se ata do të bëjnë zgjedhjen më të mençur të një kryetari që do
të jetë njëherësh shef i opozitës dhe kryeministër hije. Do mjaftohem me
një përshkrim. Në këtë fushatë, por edhe më parë kam parë se Olldashi
komunikon, kurse Basha komunikon dhe elektrizon; Olldashi duket më i
rrahur si punëtor partie, Basha duket i pajisur me dhunti lideri;
Olldashi duket më i mbështetur nga drejtues partiakë, Basha më i
mbështetur nga anëtarësia e thjeshtë. Në lidhje me rolin e zotit
Berisha, unë mendoj se ai do të vazhdojë ta ndihmojë lidershipin e ri të
PD-së me gjithë bagazhin e tij si politikan profesionit dhe opozitar i
regjur, por ndërkohë nuk do t’i bëhet pengesë këtij lidershipi për
reformimin e partisë dhe përballimin e sfidave të reja.
No comments:
Post a Comment