Agron Tufa
Personazhet e medias, bash ata aktorë që
përndezin sfondin e “pushtetit të katërt” nuk janë prej shumë kohësh
ndërmjetësues të së Vërtetës. S’kemi pse t’i idealizojmë. Në Shqipëri
ata njihen prej gjithkujt, sidomos me faktorizimin absolut gjatë
fushatave zgjedhore, kryesisht në sajë të shërbimeve me efikasitet të
lartë që i bëjnë vetvetes, kompanive multimediatike të biznesit, i cili
është i lidhur açik me dy partitë politike.
Pa ua përmendur emrat të
gjithëve (sepse më të njohurit njihen me gishtat e njërës dorë) mund të
themi se të gjithë ata e kanë pasur kohën e bollshme të na bindin, që i
vetmi rol i tyre është jenë “viagra” të pushteteve politike. Kështu
skema e mercenarizmit mediatik nuk ka ndryshuar fare në këto dy deceniet
e fundit për këto kryepersonazhë, që e sundojnë median e ekranit dhe
letrës; sipas kësaj skeme perfitimesh ata ndahen në dy palë: njëra e
nxjerr “karburantin” e makinerisë së servilizmit nga pozita në pushtet,
tjetra – nga opozita. Ka dhe një palë të tretë, e cila në sajë të
stazhit të gjatë të përvojës e ka pasuruar skemën, duke e nxjerrë
“karburantin” edhe nga pozita edhe nga opozita. Në këtë rast kemi të
bëjmë me formatimin dhe promovimin e një tipologjie të re në peisazhin
mediatik – atë të “Qerratait të madh”. Këtë piruetë striptize të
mercenarizmit mediokratik sapo e shfaqi Blendi Fevziu. Efekti i tij
shkaktoi një zilepsje të admirueshme tek siamezët e mediave të tjera,
ndaj në njërën prej të përditshmëve tona pamë të na shpjegonte se “si u
prish me Berishën”.
Kështu karakitatura e Bruno Vespës e
vërtiti elokuencën e shpjegimit duke e shpënë atë në një sferë
krejtësisht mistike, mitomane e fatidike. Në një faqe gazetë të
intervistës së tij, në stilin rrëshqitës e fërshëllyes të togut të
bashktingëlloreve gjarpëruese me “fvz”, tregon “mosmarrëveshjet” (apo
keqkuptimet) që ka patur me Berishën e krerë të tjerë të PD-së. Në thelb
të misticizmit të tij, Fevzi shpjegon se mosmarrëveshja ka natyrë
“stili”; se, gjoja ai nuk ka pranuar të drejtonte “Taun Holl-in” e
Berishës, njëlloj siç nuk ka pranuar ta bëj këtë më 2005 për Bashën, për
shkak se, “nuk përputhej me stilin tim”. Që ka stil mercenarizmi, këtë
nuk e vëmë në dyshim. Po ç’lidhje ka kjo me atë farë “stili” të Fevzit,
që ose përzihet dhe flet vetë më shumë se të ftuarit e tij, ose ndërpret
sipas interesit me tundje-shkundje krahësh e këmbësh, si polic trafiku,
ose kërcënon me shkop apo firas përfare nga prania në studio, duke i
lënë ta kapërthen e kacagjelon palët në debat? Të vetmin stil (nëse
quahet stil) të Fevzit e kemi parë të shfaqet jo në parametra stilistikë
të zhanrit, po në shërbimet e vyeshme ndaj palëve fitimtare, aq hapur,
aq trashë e ulëritshëm, sa të bën me turp para ekranit. Stili i Fevzit
nuk shfaqet në parametra të zhanrit. Ai është një komponente përtej
zhanrit ku studioja e tij dhe ai kanë shërbyer si “zjarrfikëse” për
problemet e shtruara.
I famshëm Fevzi është bërë, si një ndër
gazetarët që, ndryshe nga të tjerë mercenarë, nuk i refuzon shtrimet e
çështjeve të nxehta në studion e tij. Por ndryshe edhe nga ata, që nuk
hezitojnë, më të rrallë, t’i shtrojnë çështjet e problematikat e mprehta
publike për diskutim, Fevzi, këto çështje të zjarrta i sjell në studio
për t’i fikur, apo më saktë, për t’i çaktivizuar. Kështu përgjatë
rradhës së pafundme të “Njëmijë e një netëve” të tij në studio, Fevzi
është marrë profesionalisht me ç’aktivizimin dhe ç’minimin e çdo
problemi të madh që e mundon shoqërinë tonë. Duke i rënë nga dera e
pasme problemeve të mëdha, Fevzi e ka pranuar bujarisht ndezjen e
debatit, por ama me të njëjtët alihoxhë e hoxhalinj i ka ç’aktivizuar në
mënyrë të përsosur, duke ua heqë tejzat e zërit, pa e shterruar asesi
asnjërën prej tyre. Natyra bizarre e kësaj intence thotë kështu:
ekzistojnë problemet? Bujrëm në studion time! Aty do të fitoni…
memecërinë e sigurtë! Dhe njëmend përftohet diç e mjegullt: çështjet e
nxehta shtrohen, për ta u fol dhe këtu përfundon misioni. Dhe pikërisht
nga mënyra se si hapet debati mbi problemet më ekzistenciale të
shoqërisë, se si flitet dhe kush janë adeptët e përhershëm – kjo mbetet
enigmë, deshifrimin e të cilës e ruan për vete Fevzi. Në këto kuvende
studiosh personazhi kryesor është vetë Fevzi, ndërsa pala përtej
ekranit, ajo që është e interesuar dëshpërimisht për t’u përfaqësuar,
mbetet e përjashtuar, me gisht në gojë. Sepse Fevzi është një
zjarrfikëse! Në vitin 1998, në “opinionin” e Fevzit, në debatin midis
Gramoz Ruçit dhe të ndjerit Azem Hajdari, mbaj mend një moment delikat,
kur Fevzi nuk pranoi të vinte një kasetë që kishte sjellë me vete i
ndjeri, me qëllim që shqiptarët të shihnin qartë se kush u printe
turrmave të egërsuara vandale në Vlorë 1997.
Këmbëngulja e Hajdarit dhe hezitimi i
Fevzit morën fund nga zilja e telefonit fiks në studio, pas së cilës
Fevzi refuzoi ta shfaqte kasetën. Aty kuptuam që Fevzi ka eprorë, para
të cilëve s’pipëtin. Pamë gjithashtu që studioja e tij “Opinion”, si një
anije me vela mori kursin majtas “pro pushtetit”, kurs të cilin e
ndryshoi djathtas me një gjarpërim taktik të orëve të fundit me 2005 dhe
vetëm në 2013, kur u pa se miljet e gjata ujore të së djathtës po
ndeshnin në shkëmbinj nënujorë, e ndryshoi sërish timonin me një
gjarpërim psikotaktik në stilin e tij, tashmë të regjur në përvojën e
erës së pushtetit. Arsyet janë se “i ka pëlqyer Rilindja”, por më së
shumti i pëlqen argumenti irracional, bestyt e profetik, sipas të cilit
nënkuptohet – “ai lider që refuzon të vijë në studion time, e ka të
humbur betejën politike”… A thua se studioja e tij na qenkësh një
akuarium plot ujë jetëdhënës, apo rasat ku mund të gjejnë mjedisin e
domosdoshëm për mbijetesë të të gjithë koranëve në rrezik. Fevzi i
referohet studios së tij përvojëshumë, duke ndërmendur se, “…në 2005
Fatos Nano nuk erdhi në Opinion pasi e kishte konfirmuar; në 2009 po
ashtu Edi Rama nuk pranoi të vinte; këtë vit Berisha refuzoi të vinte,
pra s’është diëka e re”.
Ti, lexues kokëtrashë, a e kupton tani
se ç’do të thotë të mos shkosh në studion e Fevzit?! Sepse studioja e
tij nuk është thjesht Opinion, jo! Është shumë e më shumë! Është Medium
përcaktuas për fatin e mëtejshëm politik për çdo lider! Në një medium të
tillë, liderët që e kanë “kafshuar njëherë gjuhën”… vijnë dhe, ashtu,
të penduar kridhen në ujërat mistike fevziane ku Fevzi nuk është
gazetari! Absulotisht! Ai është ajo figura e falltarëve të moçëm në
tempujt antikë, zçri i Fatit, Tiresia vetë në tempullin e Delfit, që
parathotë të ardhmën në trajtë simbolesh; është bazilika antike e
Jerusalemit dhe ai, Fevzi koranor, është një shën Pagëzor që ep bekimin
për bashkëudhëtarët ngadhënjyes në pushtetin e ri; është tempulli
valëzor me energji besimi, prekja e të cilit i shëbëllen prekjes hyjnore
të mureve të tempullit të Mekës! Lum kush merr dorë e bekim te Fevzi e
mjerë kush i bie hasha Opinionit të tij! Pushtetet do të ndërrohen. Ato
janë nomadë: liderë nomadë, ministra nomodë, qeveri nomade, siç është
në të vërtetë karakteri çdo pushteti. Vetëm një është i paluajtshëm në
gjithë këtë stuhi ndryshimi, në këtë pantha rei: Fevzi i përjetshëm!
Nëse media është “pushteti i katërt”, kjo gjë nuk vlen për Fevzin: ai
është pushtet i Parë, pushtet mitik, porfetik e i përjetshëm. Është magu
që ripërtërin vetveten në një rrethqarkullim të pandalshëm; fytyra e re
e Janusit romak drejt së ardhmes, që lë prapa shpine kohën, historinë
me epokat e saj, traditat dhe kulturat e saj që plaken pandreqshëm dhe
të cilat, kanë të vetmet vlerë si relikte, të vetmen ekzistencë, qoftë
dhe të vobegtë, vetëm nëse renditen në memuaret e Fevzit për t’u shitur
në tirazhe marramendëse.
\Se vetë e vërteta flet drejt e nga
buzët e Fevzit, apo jo? E ndjeni si fërshëllen ajo kur gjarpëron në
narrativën e tij? Vetë e vërteta madje, sesi, ka kohë që ka marrë
shembëlltyrën e Fevzit. Dhe aq shumë është shkrirë në këtë ngjashmëri,
sa shumëkush vështirë e ka ta dallojë të vërtetën nga identifikimi i saj
i plotë me vetë Fevzin. Mos është vetë e vërteta mishërim i plotë i
Fevzit? Mos është Fevz? Fvz? Kujt i kaluan të rrënqethura në shtat nga
kjo dilemë? Nga kjo pandehmë? Me siguri liderëve politikë… Po, po,
atyre! Për një gjë duhet të jetë e qartë kjo specie supersticioze: nëse
duan të bëjnë hajër, nëse ua kanda t’i mishërojnë ëndrrat dhe deliret e
tyre, nëse ndjehen të dobët, impotentë në vullnetin e tyre për pushtet,
ata do të gjejnë dermanin në ujërat e Fevzit: aty gjejnë ilaçin,
balsamin, eliksirin, nektarin e ambrozin – viagrat e rritës politike, se
vetëm prej aty bëhet kërcimi mbi hamshorin e pushtetit. Në mos jo, xeni
mend! Kaq pako gjë ma merr mendja se e kanë ngulitur mirë në kokë
pretendentët për liderin e ri të PD-së këto ditë. Dhe atyre, nëse nuk e
kanë kuptuar vetë, më vjen t’u them: a e patë more djema se ç’ndodhi me
ata që i ranë hasha Fevzit?! Çfarë prisni more! Lerini more fushtat…
fushatën…! S’e keni aty kismetin! Kismeti ka kohë që ju pret në studion e
Fevzit! Aty madje (provoni të mos e merrni seriozisht!), e vetëm aty ju
vjen kurorëzimi, spiralja e ngadaltë por e ëmbël e ngjitjes! Ngjitjes
thashë?! Ç’ngjitje more! Inicimit! Te Fevzi, si san shpirtëror, mund të
ketë vetëm inicim! Dhe duhet pritur në paradhomën e Fevzit, pa bëzajtur,
plot besim, dikë bërë zap kalin e harbuar të mosdurimit deri në ditën e
Madhe të marrjes së pushtetit, që siç dihet, kalon vetëm e vetëm përmes
një rruge të njohur e të rrahur mirë: t’i përmbaheni besnikërisht
stilit të hollë, fin, elegant e sidomos të padukshëm të Fevzit… Fvz…Fz.
No comments:
Post a Comment