Tuesday, July 23, 2013

Basha kreu i ri i PD: Opozitë ballore dhe të fortë, falënderoj Olldashin për garën

 Lulzim Basha është zgjedhur kryetari i ri i Partisë Demokratike, i cili do të marrë drejtimin e demokratëve pas dorëheqjes së liderit historik Sali Berisha.

Lajmi fillimisht u konfirmua nga burime brenda selisë blu për një fitore të thellë të Bashës kundrejt kandidatit të tij, Sokol Olldashi. Burime brenda PD-së bënë me dije se Lulzim Basha ka marrë 80% të votive, Sokol Olldashi 20% të votive.


Basha do jetë demokrati i 4-t që do të mbajë postin e kreut të PD-së, pasi më parë këtë post e mbajtën, Tritan Shehu, Eduard Selami dhe Sali Berisha. Lulzim Basha i cili aktualisht mban postin e kreut të Bashkisë së Tiranës, do të duhet të përballet me drejtimin e partisë në opozitë pas humbjes se 23 qershorit.

I pari që ka uruar Bashën ka qenë Ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë Genc Pollo, ndërkohë nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook” , Berisha ka uruar pasardhësin e tij për fitoren plebishitare ndaj kandidatit tjetër, Sokol Olldashi.

Rreth 41 mijë anëtarë të PD-së morën pjesë në votimin e një dite më parë për zgjedhjen e lidershipit të ri. Në garë për postin e kreut të PD-së, morën pjesë dy kandidatët Lulzim Basha dhe ministri aktual i Transporteve, Sokol Olldashi, të cilët për rreth 19 ditë zhvilluan takime në të gjithë Shqipërinë për prezantimin e platformës së tyre, pasi lideri historik i saj, Sali Berisha, dha dorëheqjen pas zgjedhjeve të 23 qershorit.

VOTAT Ora 20:00- PD publikon tabelën përmbledhëse përfundimate të zgjedhjeve për kryetarin e ri. Si më poshtë gjeni rezultatet zyrtare përfundimtare të Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale:

Numri i Anëtarëve që kanë votuar: 41532
Fletë Votimi të papërdorura: 78468
Fletë Votimi të Dëmtuara: 0
Fletë Kutimi të Gjetura në Kuti: 41532
Vota të Pavlefshme: 252
Vota të Vlefshme: 41280

SHPERNDARJA E VOTAVE TE VLEFSHME Lulzim Xhelal BASHA: 33220
Sokol Vangjel Olldashi 8060

Në përqindje - Basha 80.39%, Sokol Olldashi 19.61%

BASHA KRYETARI I RI I PD: OPOZITË BALLORE NË CDO FUSHË, FALËNDEROJ OLLDASHIN PËR GARËN
Ora 14:20
Kreu i ri i PD-së, Lulzim Basha në fjalën e tij të parë pas zgjedhjes falënderoi rivalin e tij për këtë post, Sokol Olldashin si dhe cdo demokrat që i dha besimin për drejtimin e Partisë Demokratike.

“Ju falenderoj nga zemra për besimin që më dhatë për të marrë drejtimin e PD, partinë e vlerave dhe idealeve më të larta, forcës së shembjes se komunizmit dhe të implementimit të lirisë. Jam i vëtëdijshëm për përgjegjësinë e madhe që ka drejtimi i partisë së themeluar në vitet 1990 dhe të udhëhequr nga Sali Berisha, dhe ka pasur në krye elitën e mendjes dhe shpirtin e kurajos për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa. Në këtë garë të parën e parimit ‘1 anëtarë 1 votë’, iu vërtetuam qytetarëve se jemi përfaqësuesit më të denjë të dinjitetit njerëzor. Falenderoj Olldashin për kontributin e tij, që dëshmoi vlerat unike të PD. Në këtë garë ishin dy kandidatë para mijëra anëtarëve, por në fillim gjatë dhe fund të kësaj gare nuk harrojmë se jemi të gjithë demokratë krenarë për trashëgiminë politike më të vendosur dhe bashkuar se kurrë”, u shpreh Basha në konferencën për shtyp në selinë blu.

Basha ritheksoi se në mandatin e tij në krye të PD do të mbështetet tek përvoja e themeluesve të partisë dhe e cdo militanti partie. Si drejtues i PD, Basha paralajmëroi një opozitë të fortë dhe ballorë.

“Do ndërtojmë opozitë krijuese të fortë ballore dhe alternative, do kemi përballje për cdo situatë. Shqiptarët do shohim projektet dhe zgjedhjet tona për to”, tha Basha.

FJALA E PLOTE E LULZIM BASHES
"Të dashur demokrate dhe demokratë, anëtarë të Partisë Demokratike, zonja dhe zotërinj, militantë, mbështetës, simpatizantë, votues të Partisë Demokratike, të dashur qytetarë shqiptarë!

Ju falënderoj nga zemra, për besimin e jashtëzakonshëm që më dhatë me votën tuaj, për të marrë përsipër përgjegjësinë e drejtimit të Partisë Demokratike, partisë së vlerave dhe idealeve më të larta në historinë e Shqipërisë, forcës politike të shembjes së komunizmit dhe eleminimit të pasojave të tij, partisë së implementimit të lirive civile, politike dhe ekonomike, partisë së pronës, iniciativës së lirë dhe sipërmarrjes, partisë së integrimit euro-atlantik dhe interesit kombëtar të shqiptarëve, të infrastrukturës rrugore dhe energjitike, të investimeve dhe zhvillimeve strategjike.

Jam thellësisht i vetëdijshëm, se sa përgjegjësi e madhe është të drejtosh një forcë që ka lindur nga lëvizja historike e dhjetorit 1990, të një partie që ka bërë historinë e re të Shqipërisë, që është udhëhequr nga Sali Berisha, që ka pasur në krye të saj që prej fillimit elitën e mendjes, shpirtit dhe kurajos, për ta bërë Shqipërinë të lirë dhe demokratike, si gjithë Evropa.

Falënderoj me respekt dhe mirënjohje secilin prej anëtarëve të familjes tonë të madhe demokrate anembanë vendit, anëtarët, strukturat dhe drejtuesit e saj, për përgjegjshmërinë, përkushtimin dhe vlerat e larta qytetare me të cilat u angazhuan në këtë proces. Në këtë garë, të parën të vërtetë të parimit një anëtar - një votë në Shqipëri, ne demokratët iu dëshmuam sërish bashkëqytetarëve tanë, se jemi perfaqesuesit më të denjë të vlerave, parimeve dhe praktikave të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor.

Falënderoj Sokol Olldashin, kandidatin tjetër, për kontributin e tij në këtë garë e cila dëshmoi para mbarë shqiptarëve vlerat e patjetërsueshme dhe unike të Partisë Demokratike. Në këtë garë ishim dy kandidatë që shpalosëm vlerat, vizionet dhe vullnetet tona respektive para mijëra anëtarëve, por në fillim, gjatë dhe në përfundim të kësaj gare, ne nuk harrojmë për asnjë çast, se jemi të gjithë demokratë, anëtarë të një familje të madhe, krenarë për identitetin dhe trashëgiminë tonë politike, më të vendosur dhe më të bashkuar se kurrë.

Në projektin tonë të fillimit të ri, Partia Demokratike do të mbështetet fuqishëm tek anëtarët dhe militantët e saj të përkushtuar në vite, do të dëgjojë e respektojë zërin dhe kontributin e çdo anëtari të saj dhe do të lartësojë vlerat e gjithpërfshirjes dhe bashkëvendimmarrjes në çdo nivel dhe për të gjithë çështjet, në piedestalet statutore dhe praktikave të saj.

Në përpjekjen time për ta drejtuar këtë fillim të ri, unë do të jap gjithçka me përkushtimin më të madh, me vendosmërinë më absolute dhe me përgjegjësinë më të lartë ndaj jush, anëtarëve të Partisë Demokratike. Për këtë do të mbështetem fort tek vizioni, kurajo dhe qëndresa historike e themeluesve, e Azem Hajdarit dhe qëndrestarëve të tjerë, do të mbështetem tek energjia e pamatë e anëtarëve dhe militantëve të paepur, tek përvoja e dhjetëra drejtuesve të Partisë Demokratike, sot dhe ndër vite, do të mbështetem tek pasuria e paçmueshme e vlerave të lidershipit historik të Sali Berishës. Unë do të punoj pa ndarë që Partia Demokratike e lindur nga ëndrrat e të rinjve shqiptarë, të vazhdojë të jetë forca e ëndrrave, shpresave dhe dëshirave të të rinjve shqiptare, gjeneratës së parë të lirisë dhe gjeneratave të tjera. Së bashku me ta kemi fituar ngaherë, së bashku me ta do t’i japim krahë fitoreve tona të ardhshme.

Detyrat që na presin nuk janë të lehta, sfidat janë të mëdha, por gjatë gjithë rrugës tonë 23 vjeçare ne kemi treguar se sa herë kemi qenë të bashkuar, të vendosur dhe të hapur në vlerat e shpirtit pozitiv të demokratëve, ne jemi përballur me sukses dhe kemi fituar. Ne do ndërtojmë një opozitë krijuese, të fortë, ballore por edhe alternative, do kemi një përballje publike të përhershme. Për çdo sektor, për çdo situatë, për çdo problem shqiptarët do shohin alternativën, projektet, zgjidhjet tona për problemet e tyre.

Do jemi çdo ditë, kudo, në çdo anë të vendit me qytetarët, elitat lokale, mediat në mbrojtje të interesave publike, do jemi më të përndjekurit e komunizmit, pronarët, biznesin e vogël dhe të mesëm e grupete tjera të interesit të ekonomisë shqiptare, botën akademike dhe shoqërine civile, do jemi me gratë shqiptare, rininë, fëmijët, të moshuarit, pakicat, në krah të çdo qytetari shqiptar që ndihet i cënuar nga pushteti politik i votës së deformuar e të vjedhur dhe besimit të përdhosur të 23 qershorit.

Ne jemi partia e vlerave të mëdha perëndimore, jemi partia që beson tek sipërmarrja e lirë, tek shtresa e mesme, aftësia krijuese e individit, e shtetit minimal, e taksave të ulta dhe konkurrenca e ndershme.

Le të nisim pra, vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, rrugëtimin tonë të ri së bashku, me ballin lart për vlerat tona, për të shkuarën, të sotmen dhe misionin e së ardhmes, t’u japim shqiptarëve jo vetëm një opozitë të fortë dhe të vendosur, në mbrojtje të interesave të tyre por t’i japim vendit alternativën e shpresës dhe forcën ta mbyllë trazicionin, pas përballjes me këtë qeveri të veseve të vjetra, të bashkuar si kurrë më parë në vendosmërinë tonë, për ta rikthyer Partinë Demokratike në udhëheqje të projektit tonë historik, Shqipërisë moderne, të zhvilluar dhe evropiane!

Zoti na ndihmoftë! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët".


OLLDASHI: PROCESI I ZGJEDHJES SË KRYETARIT I DEFORMUAR, POR NUK LARGOHEM NGA PARTIA
Sokol Olldashi, kandidati i cili humbi përballë Lulzim Bashës për postin e kreut të PD-së pas shpalljes së rezultati shprehu pakënaqësinë ndaj procesit teksa e cilësoi të deformuar. Në një konferencë për shtyp, Olldashi tha theksoi se para garës atij ishte premtuar se nuk do kishte ndikime nga jashtë, por në realitet pati.

“Përzgjedhja e kreut te ri te PD u bë përmes një procesi të deformuar. Nuk u qartësua transparenca e listave dhe nuk u vunë ne dispozicionin ti. Ditën e votimit mijëra demokratë nuk gjeten emrin në lista. Procesi që mu premtua se do ishte jashtë ndikimeve, nuk ishte i tillë. Frika u krye me fletët e votimit qe ishte e identifikueshme”, u shpreh Olldashi.

Olldashi denoncoi përfshirjen në mënryë të njëanshme të krerëve lokalë, teksa shtoi se ai gjatë fushatës së tij kishte identifikuar faktin se PD duhet të korrigjonte gabimet duke uruar që të jetë në gjendje ta bëjë të ardhmen.

“Kjo ishte një energji e tepërt brenda nesh që duhej harxhuar në 23 qershor. Unë gjatë fushatës time kam evidentuar faktin se PD duhej të ngrihej mbi gabimet, shpresoj se do jetën inteligjencën ta bëjë”, tha Olldashi.

Olldashi u shpreh i bindur se pavarësisht hatër mbetjeve dhe prishjes së rregullave brenda familjes së PD-së do të qëndrojë krah militantëve në misionin opozitar.

Ftoj demokratët që PD është ndërtuar si shtëpi e madhe dhe mund të prishen dhe rregullat, por ne mbetemi anëtarë të PD. Mbetem i vendosur të përfaqësoj militantët e PD në misionin e tij opozitar”, tha Olldashi i cili tha se nuk pendohet se ka kandiduar për kreun e PD.

TOPALLI: UROJ QË BASHA TË NA COJË DREJT FITORES
Ora 12:55
Jozefina Topalli ka uruar zgjedhjen e Luzim Bashës në krye të PD-së. “Në një moment të vështirë të Partisë Demokratike, demokratët u ngritën për t’i dalë zot partisë së tyre! Me pjesëmarrjen e tyre në çdo takim, gjatë dy javëve të fushatës për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike, me qytetarinë dhe emancipimin e tyre, demokratët dëshmuan shpirtin e idealeve, mbi të cilat u lind dhe punoi kjo parti. Të vetëdijshëm për nevojën e ringritjes, të vendosur për t’i dalë zot asaj, në ditë të vështira, të bindur se Partia Demokratike kishte nevojë më shumë se kurrë për anëtarësinë e saj, demokratët e bënë garën një proçes emancipues, të veçantë, të civilizuar dhe demokratik. Sot, Partia Demokratike ka një kryetar të ri dhe uroj që ai t'i çojë sa më shpejt demokratët drejt fitores! Mirënjohje të thellë anëtarëve dhe antareve të Partisë Demokratike për shpirtin e tyre të paepur, zemrën e tyre të madhe, besimin dhe vullnetin e fortë për t’u ringritur!”, shkruan Topalli në “Facebook”.

BERISHA: BASHA, HISTORI E VËRTETË SUKSESI, FILLIM I RI I FUQISHËM PËR PD
Ora 12:00
Kreu i PD-së në detyrë njëherësh lideri historik i së djathtës Sali Berisha nga selia blu në një konferencë për shtyp, ka uruar pasardhësin e tij teksa e ka vlerësuar arritjen e tij si histori suksesi të një të riu në liri.

"Kryetari i ri u zgjodh në një votë plebishitare të anëtarësisë së PD-së në votimin e djeshëm një anëtar një votë. Z.Lulzim Basha përfaqëson suksesin e të riut shqiptar, i cili në një moshë shumë të re, gjimnazist do të meritonte të përfaqësonte në KQZ partinë e tij, PD-në, në zgjedhjet e para pluraliste të vendit. Më pas si qindra të rinj shqiptar që dolën në liri, studioi në një nga universitetet më të njohura të Europës", deklaroi Berisha

Duke i bërë edhe një rezume jetës politike gjatë këtyre viteve, Berisha tha se Lulzim Basha është historia e vërtetë e suksesit të vërtetë të shkëlqyer të PD-së. Berisha theksoi ndër të tjera fitoren e Bashës ne krye të Bashkise se Tiranes, ndaj rivalit Edi Ram.

 Ai përmbushi me një vendosmëri, aftësi dhe përkushtim të madh çdo mision që iu ngarkua. Së pari, Rrugën e Kombit, u emërua Ministër për atë mision dhe e realizoi në mënyrë të shkëlqyer. U emërua në krye të diplomacisë shqiptare kur vendi po bënte çdo përpjekje për anëtarësim në NATO, fitoli simpatinë, respekti dhe dashurinë e kolegëve të tij dhe u shndërrua në një promotor të vërtetë të këtij procesi. U emërua në krye të Ministrisë së Brendshme për të përmbushur një premtim elektoral konkret të heqjes së vizave me BE-në. Është ministri dhe personaliteti që së bashku me shumë të rinjtë shqiptarë mbërritën në Bruksel si maratonomak i heqjes së vizave për shqiptarët.U caktua nga PD për të garuar për Bashkinë e Tiranës, mundi Kryetarin e PS-së dhe Kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe drejton sot Bashkinë e Tiranës", theksoi ai.

Më tej, ne fjalën e tij, Berisha vlerësoi edhe procesin e votimit për kreun e ri të PD-së, duke shtuar se ai ishte një provë që demokratët e kaluan në mënyrë të shkëlqyer.

"Partia Demokratike është parti e vlerave, parimeve, më të shkëlqyera, më të larta dhe ajo jo se ka pasur shkop magjik, por se ka pasur një program me vlera dhe parime. PD-ja ka arritur të shënojë në biografinë e saj suksese dhe arritje të mëdha. PD-ja ka mbetur në Europën ish-komuniste forca e themeluar në vitet 90 më e fuqishme. PD-ja faktoi dje para shqiptarëve se është një forcë e vlerave. Dje votuan mbi 41 mijë anëtarë duke befasuar, duke dëshmuar që pavarësisht nga rezultati i 23 qershorit demokratët mbeten të pathyeshëm. Ndaj dhe unë do të shpreh edhe mirënjohjen time më të thellë ndaj tyre", u shpreh Berisha.

Gjithashtu Berisha, vlerësoi edhe ministrin aktual të Transporteve, Sokol Oldashin për rolin e tij në këtë garë.

"Roli i Olldashit është shumë i madh.Olldashi është deputet i PD-së dhe çdo deputet i PD-së, ka një rol shumë të madh në parlamentin shqiptar.Beteja e fillimit të ri, kërkon një mbështetje të fuqishme, një opozitë më të fuqishm në parlamentin shqiptarë", përfundoi Berisha.

BERISHA: JA CFARË I THASHË DY KANDIDATËVE PARA GARËS
“Do iu them dy sekrete. Jo dje por pardje ju kam kërkuar dy kandidatëve se listat janë këto. Kur ndodh një fenomen i papritur nuk mund të pretendonim të kishim regjistrin më të përsosur, midis asaj që PD duhej të ngrihej me shpejtësi në këmbë dhe asaj tjetër që të ndërmerrej një proces i tejzgjatur burokratik dhe unë zgjodha te parin. 41 mijë votues faktuan se kisha te drejte,. Nuk e prisja ketë pjesëmarrje te jashtëzakonshme për afatin. Të jem i hapur një ditë para i kërkova të dyve të vendosim një fletore anash dhe të votojnë të gjithë ata që kanë dokumentin e partisë,. Nuk arrita ti bind dhe unë pranova se ata ishin në garë jo unë. Së dyti, ditët e para iu kam duruar një mesazh konfidencial, të dashur miq kjo garë nuk është garë mes aksionerëve, ai që nuk fiton do pranojë humbjen dhe do mbështesë fituesin. I falënderoj të dy se nuk kam marrë fedback negativ për këtë kërkesë, të cilën si kryetar në detyrë ia paraqita”, tha Berisha.

CILI DO JETË ROLI I OLLDASHIT ? “Shumë i madh. Olldashi është deputet i PD-së dhe cdo deputet i PD ka rol të madh në parlamentin shqiptar. beteja e fillimit të ri kërkon një mbështetje të fuqishme,. Një opozitë ndër më të fuqishme dhe kam binden se cdo deputet do ngrihet ne lartësinë e përgjegjësisë së tij” tha Berisha.

BERISHA: BASHA NUK DO JETË SI RAMA “Ka qenë një kohë që Rama mbushte bulevardin me plehrat e protestave dhe Basha nuk do e bëjë. Ka qenë një kohë kur Koco Kokëdhima fitonte tenderat, Basha nuk do e bëjë. Gjithcka testohet në të ardhmen, Kur votohet mbi 80 % e anëtarësisë, unë kam marrë 75%, jam mirënjohjes miqve të mi Hajdari dhe Ceka që garuan me mua”, theksoi Berisha.

E KENI MBËSHTETUR BASHË NË FORMË JO TË NJOHUR? "Lidhur me komentet me zotin Olldashi pyesni atë. Atë cka mund t’u them unë ju votimi ishte i fshehtë dhe asnjë anëtar nuk ka vënë në diskutim votimin e thjeshtë. Ai u vu në përputhje të plotë me votimin e fshehtë. Cdo fletë votimi ka një numër për t’u identifikuar. Numri shërben për të verifikuar nëse janë fletët reale apo të tjera. Gara ka qenë e shkëlqyer nuk e ka njohur Shqipëria ndonjëherë një garë të tillë", sqaroi Berisha.

SA TË VËSHTIRË DO E KETË PD OPOZITËN NË PARLAMENT PA KRYETARIN E SAJ? “Në historinë e PD, kryetari i saj nuk ka qenë kryetar i grupit parlamentar. Kjo është e vërteta. Që në vitin 1991 dhe gjer sot nuk kemi pasur kryetarin e partisë kryetar të grupit parlamentar”, tha Berisha.

DO E KETË VËSHTIRË DREJTIMIN NË PESHË NE ‘HIJEN’ TUAJ? “Shokët e mi që më kanë njohur mua, në shkollë të mesme e dinë që unë isha një nxënës që merresha me veten time 18 orë, marrja me veten time ishte leximi. At që më kanë njohur në shkollën e lartë e njëjta gjë, ata që më kanë njohur mjek e njëjta gjë. Asnjëherë detyrat nuk më kanë bërë të jem tjetër. Asnjë nuk duhet të prokupohet cdo bëj. Do zhvilloi betejë tu fuqishme pushteti që doli nga mashtrimi. Betejë që bllokon numrin e votave pasi u faktua se ka në shpinë thesin me votat e vjedhura., Betejë bashkë me ushtrinë e madhe të demokratëve”, tha Berisha.

HUMBJA, BERISHA: BASHA DO BEJE ANALIZEN E DUHUR Rezultati multifaktorial, por PD është në detyrimin e saj qytetar parimor të analizojë këtë rezultat. Por ta analizoj me objektivitet dhe të nxjerr konkluzionet e cila do jenë. Nuk e kam unë në dorë. Kësaj radhe është në tagrin e kryetarit të ri të udhëheq procesin e analizë të nxjerrë mësimet më të mira në mënyrë që ato të mos përsëriten, për të bërë”, tha Berisha.

DO KETË RISTRUKTURIM TË PD? BERISHA: DUHET ‘HAPUR’ PARTIA PD është parti e të rinjve. Ata që patën fatin të formohen në liri ata kanë raport tjetër me të vërtetën dhe ky raport është themelor për njeriun e qytetëruar. Duke pasUr respekt për ata me të cilën kam punuar duhet të hapemi krejtësisht ndaj gjeneratës së re.

BERISHA: NUK DO E HAP SESION E RI PARLAMENTAR Do e kisha drejtuar sesion parlamentar, nëse pushteti nuk instalohej me premtimin antiglobaliste që filloi ti rrëzojë pa ardhur ende në seli. Do e drejtoja nëse pushtetit nuk do kishte ardhur nga klanet e krimit dhe drogës janë këto arsyet. Në grup do shfrytëzoj cdo hapësirë për të qenë zëri i pamposhtur i demokratëve të partisë.

EDUART SELAMI: BASHA DO UDHËHEQË PD DREJT FITORES
Ora 11:40
Eduart Selami, një nga themeluesit e PD-së. Ka uruar Lulzim Bashën për fitoren kundrejt kandidatit Sokol Olldashi.

“Urimet më të mira demokratëve për zgjedhjen e kryetarit të ri. Kjo ishte një gare ku Partia Demokratike shpalosi vlerat e saj më të mira. Uroj zotin Basha për detyrën e re dhe shpreh bindjen që do ta udhëheqë Partinë Demokratike në fitoren e zgjedhjeve te ardhshme”, shkruan Selami në “Facebook”.

BASHA TAKIM ME BERISHËN NË KRYEMINISTRI
Ora 11:30
Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me kryeministrin në detyrë Sali Berisha në Kryeministri. Basha pas shpalljes së rezultatit përfundimtar për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD, takimin e parë ai e ka zhvilluar me liderin historik të së djathtës Sali Berisha.

Takimi ka zgjatur pak minuta, ndërkohë ende nuk dihen detaje.

Ndërkohë, kryeministri Berisha pritet që të dalë në një konferencë për shtyp rreth orës 12:00.

BERISHA: URIMET KRYETARIT TE RI TË PD, LULZIM BASHA
Ora 11:00
Lideri historik i së djathtës Sali Berisha i cili dha dorëheqjen pas zgjedhjeve të 23 qershorit, ka uruar pasardhësin e tij për fitoren. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social ‘Facebook”, Berisha teksa uron Bashën për fitoren, nënvizon se ai u zgjodh nga një mbështetje plebishitare.

“Te dashur miq, ju ftoj te urojme të gjithë së bashku sukseset më të mëdha kryetarit të ri të PD, z.Lulzim Basha, i cili u zgjodh dje me një mbështetje plebishitare nga anëtarësia e PD. Lulzim Basha është historia e suksesit të të riut shqiptar në liri dhe që i ka bërë shërbime të çmuara PD, vendit dhe kombit te tij. Ju ftoj të punojmë fort e më përkushtim nën udhëheqjen e liderit tonë për një fillim të ri e të fuqishëm të PD, vendimtar për fitoren e ardhshme të saj, integrimin dhe zhvillimin e Shqipërisë!”, shkruan Berisha.

BURIME BRENDA PD: BASHA FITORE TË THELLË
Ora 10:20
Lulzim Basha duket se do jetë kryetari i ri i PD-së. Burime brenda PD-së flasin për jnë fitore të thellë të Bashkës kundrejt kandidatit të tij, Sokol Olldashi. Teksa pritet rezultati përfundimtar, burime brenda PD-së bëjnë me dije se Lulzim Basha ka marrë 80% të votave Sokol Olldashi 20% të votave

PËRFUNDON PROCESI I NUMËRIMIT TË VOTAVE
Ora 10:00
Përfundon procesi i numërimit të votave për kreun e ri të PD-së. Procesi i numërimit të votave nisi rreth orës 03:00 minuta të ditës së sotme, ndërkohë që pritet shpallja e rezultateve zyrtare. Procesi zgjati gjatë gjithë mesnatës për rreth 6-7 orë.

Në procesin e numërimit morën pjesë 10 grupe me nga 4 persona secila, 2 u zgjodhën nga kryesia e partisë dhe nga një përfaqësues për secilin kandidat. Numërimi i fletëve të votimit u zhvillua në Pallatin e Kongreseve. Burime brenda PD flasin për fitore të thellë të kandidatit Lulzim Basha.

POLLO: URIME BASHËS, KREU I PORSAZGJEDHUR I PD
Ora 8:30
Ministri i Teknologjisë dhe Inovacionit Genc Pollo ka uruar kandidatin për kreun e PD-së Lulzim Basha.

Teksa ende nuk ka dalë rezultati zyrtar për kreun e ri të PD-së, në një postim në rrjetin social ‘Facebook”, Pollo shkruan: “ Urime Lul Bashës, kryetar i porsazgjedhur i Partisë Demokratike. Fat të mbarë e sukses të shpejtë.

Anëtarët e partisë demokratike votuan në 39 qendra votimi të hapura në të gjithë vendin, ndërsa votat do të numërohen në kryeqytet.

NIS NUMERIMI I VOTAVE
Ora 3:30
Rreth orës 03:30 minuta të ditës së sotme nisi numërimi i votave për të zgjedhur pasuesin e Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike. Shkak i vonesës së nisjes së numërimit u bë mbërritja me vonese e kutisë së Sarandës, e cila mbërriti rreth orës 03:20 minuta të ditës së martë.

Në procesin e numërimit morën pjesë 10 grupe me nga 4 persona secila, 2 u zgjodhën nga kryesia e partisë dhe nga një përfaqësues për secilin kandidat. Numërimi i fletëve të votimit u zhvillua në Pallatin e Kongreseve.

Rreth 105 mijë anëtarë të kësaj force politike u thirrën për të zgjedhur liderin e ri për herë të parë përmes parimit “një anëtar-një votë”, megjithëse pjesëmarrja ishte e ulët, votuan vetëm 41360 anëtarë. Anëtarët e partisë demokratike votuan në 39 qendra votimi të hapura në të gjithë vendin, ndërsa votat do të numërohen në kryeqytet.

Të dy kandidatët, kryetari aktual i Bashkisë së kryeqytetit Lulzim Basha dhe ministri i Transporteve Sokol Olldashi kanë nënvizuar nevojën e një përfshirjeje të drejtpërdrejtë të anëtarësisë në vendimmarrje dhe premtojnë fitore në garën më të afërt me kundërshtarin e tyre të majtë. Ata kanë evituar debatet e drejtpërdrejta me njeri tjetrin, ndërsa kanë zhvilluar takime thuajse në të gjithë vendin me anëtarët e partisë së tyre.

Procesi i votimit për kreun e ri të PD-së u përfshi nga problematika e mungesës së votimit të mijëra anëtarëve demokratë në mbarë vendin, të cilët nuk kanë gjetur emrat në listat e votimit. Por një tjetër problematikë është shfaqur edhe prania e kodit rendor në fletët e votimit, e cila e bën të identifikueshme votuesin dhe për cilin nga kandidatët ka votuar. Është vënë re një përqindje e dobët e pjesëmarrjes në votime, që sipas të dhënave paraprake llogaritet në rreth 40 për qind.

ZHVILLIMET E DITES SE HENE
KUTITË GRUMBULLOHEN NË PALLATIN E KONGRESEVE
Ora 22:30-
Pranë Pallatit të Kongreseve në Tiranë vijojnë të vijnë kutitë e votimit të zgjedhjeve të sotme për kreun e ri të PD-së. Mësohet se procesi i numërimi do të nisë rreth mesnatës kur të kenë mbërritur të gjitha kutitë nga 39 qendrat e votimit. Numërimi do të zhvillohet pa praninë e mediave.

MBYLLET PROCESI I VOTIMIT NË 4 QENDRAT E QARKUT KORCË

Ora 20:07- Procesi i votimit për kryetarin e ri të Partisë Demokratike është mbyllur një orë me vonesë në Qarkun e Korcës. Për shkak të anëtarëve që prisnin në radhë ky votim u shty me rreth 1 orë. Raportohet se në orën 20:00 votimi ka mbaruar në të 4 qendrat e hapura në këtë qark.

Pjesëmarrja në votim për kreun e PD, ka qënë 50 për qind, ndërsa mësohet se 446 anëtarë nuk kanë votuar pasi nuk kishin emrin në listë.

MBYLLET PROCESI I VOTIMIT NË SELINË E PD, VAZHDON NE RRETHE
Ora 19:15- Është mbyllur procesi i votimit në selinë qëndrore të Partisë Demokratike. Kutitë e votimit pritet të transportohen në Pallatin e Kongreseve, aty ku do të bëhet edhe procesi i numërimit. Por edhe pse ka përfunduar orari zyrtar nuk janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit në të gjithë vendin, pasi ka shumë anëtarë nëpër rrethe që presin të votojnë.

SHKODËR, MBYLLET PROCESI I VOTIMIT PËR KREUN E RI TË PARTISË DEMOKRATIKE
Ora 19:00-
Është mbyllur përpara pak çastesh procesi i votimit në rrethin e Shkodrës për kreun e ri të Partisë Demokratike. 6910 anëtarë demokratë me të drejtë vote nga 10 250 që ka i gjithë qarku Shkodër, u përfshinë në proces votimi për të zgjedhur njërin prej dy kandidaturave në garë, Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi. Në dy qëndrat e votimit të degës së rrethit Shkodër, me vendndodhje në mjediset e Teatrit "Migjeni', procesi i filluar në orën 08.00 të mëngjesit, vijoi me një normalitet të plotë deri tani. Pas përfundimit të procesit të votimit, komisionet përkatëse janë duke përgatitur procesverbalet, dhe sipas drejtuesve të tyre, pas pak minutash, kutitë do të jenë të gatshme për t'u transportuar në kryeqytet.


OlldashiVOTON,OLLDASHI: NDJESË DEMOKRATËVE QË S'KISHIN EMRIN NË LISTË
Ora 18:40-
Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi ka votuar në limitet e kohës për kreun e ri të kësaj partie në qendrën e votimit të ngritur në selinë e Partisë Demokratike.

Në një prononcim për mediat, Olldashi falënderoi gjithë demokratët që votuan, ndërsa kërkoi ndjesë për ata që nuk mundën të gjejnë emrin në listë.

"Procesi i votimit në PD u mbyll. Votova me fletën nr 041302. U shpreh mirënjohjen time të gjithë demokrateve që morën pjesë në votim. U kërkoj ndjesë atyre mijëra demokrateve që nuk votuan dot, sepse nuk gjetën emrin në listë. Ky është një problem, përmasën e të cilit e kam patur të panjohur, pasi, për asnjë moment nuk pata në dispozicion listën e votuesve. Duke ditur që në Tiranë kishte një shtesë prej rreth 2500 personash, mendova se ishte pikërisht ky kontigjent. Mesa duket paska qënë një kontigjent tjetër, që mbetet për t'u parë c'është.

Këto janë probleme që nuk kanë lidhje me rezultatin, por mbeten probleme edhe nëse nga kutitë raporti i votave del 90 me 10 për Sokol Olldashin. U uroj suksese të gjithë kandidatëve rivalë", tha ai.

VOTIMI NË RRETHE
Ndërkaq procesi i votimit për zgjedhjen e kreut të ri të Partisë Demokratike, vijon në të gjithë vendin. Ashtu sikundër ishte njoftuar procesi i votimit ka nisur në orën 08:00 në qytetin e Durrësit, votimi po zhvillohet normalisht, në Pallatin e Kulturës ‘Aleksandër Moisiu’, ku janë regjistruar mbi 4400 votues.

Proces normal po zhvillohet edhe në Mirditë ku 2900 votues kanë regjistruar emrat ne lista, po ashtu në Kurbin ku janë regjistruar 1381 votues. Ndërkaq, në qytetin e Pukës, procesi i votimit për zgjedhjen e kreut të Partisë Demokratike, nisi me vonesë pasi pengesë  u bënë listat e anëtarëve, pasi në rrethin e Pukës ishin dërguar vetëm 730 fletë votimi.

Procesi konsiderohet i qetë edhe në Fier, ku votimi ka nisur që prej orës 8 të mëngjesit në ambientet e teatrit Bylis. Raportohet se pjesëmarrja në votime në këtë rreth është e lartë. Procesi i votimit i qetë edhe në rrethet e tjera të vendit.

Në rrethin e Elbasanit janë thirrur për të votuar 5684 anëtarë të cilët do të zgjedhin mes Sokol Olldashit dhe Lulzim Bashës, postin për kreun e PD, pas dorëheqjes së kryeministrit aktual Sali Berisha.Por ajo ç’ka vihet re është se që në orët e para të votimit që po kryhen në ambjentet e teatrit “ Skampa” ka radhë të gjata të anëtaresisë së PD të cilët nuk gjejnë emrin në lista. Lidhur me këtë anëtaret e komisionit, deklaruan se “ problemi qëndron tek vetë anëtarët të cilet nuk kanë bërë rifreskimin e emrave në lista, por gjithesi ky numër është i vogël dhe nuk përbën problem”.

Edhe në Korçë vijon normalisht proçesi i votimit për zgjedhjen e kreut të ri të PD-së. Proçesi i votimit ka filluar që prej orës 07:00 dhe deri në këto momente nuk ka patur probleme. Një pjesë e anëtarëve ankohen se nuk kanë emrat në lista, por kjo është thjesht një pakujdesi e tyre, shprehet kryetari i komisionit, Ardian Shkëlqimi. Sipas tij, të regjistruar në listat e anëtaresisë së PD-së në rrethin e Korçës janë 4777 votues dhe proçesi do të vijojë derisa të votojnë të gjithë anëtarët.
Në qëndrën e votimit të rrethit të Korçës, në Bibliotekën “Thimi Mitko”, vihet re një fluks i votuesve.

VOTON TOPALLI: ZGJEDHJA E KREUT TË PD, LEKSION KUNDËRSHTARIT POLITIK
12:35
Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli vlerësoi të hënën zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së si 'një proces emancipues për politikën shqiptare'.

"Dua të falenderoj çdo anëtare dhe çdo anëtar të PD-së, se ata kanë bërë të mundur në momente të vështira në Partinë Demokratike që të realizojnë një proces emancipues për politikën shqiptare. Jam e impresionuar dhe e frymëzuar prej tyre për shpirtin e tyre të madh e të thellë demokratik" u shpreh për mediat nënkryetarja Topalli, pasi votoi në selinë e PD-së.

Sipas saj "Sali Berisha pas dorëheqjes ka vendosur një standard edhe më të lartë në politikën shqiptare. Pjesëmarrja e anëtarësisë në takimet e kandidatëve është shprehje e një civilizimi dhe shpirti të thellë të demokracisë që do t'i japë leksione edhe kundërshtarit politik që ka përdorur paranë, forcën dhe krimin për të marrë pushtetin", nënvizoi Topalli.

BASHA VOTON: DESHMOJME VLERAT E DEMOKRACISE
Ora: 12:00 -
Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha votoi rreth orës 12:00 në qendrën e votimit të ngritur në selinë e Partisë Demokratike. Në një prononcim të shkurtër për mediat, Basha e cilësoi procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri si dëshmi të vlerave të demokracisë dhe procesin e parë të vërtetë në zgjedhjet brenda një partie.

Basha falënderoi anëtarësinë e PD-së, ndërsa foli tone të ashpra për mazhorancën e re dhe kreun e saj, duke i akuzuar për deformim të vullnetit të shqiptarëve në zgjedhjet e 23 qershorit.
lulzim basha voton per kreun e PD
“Ky është rasti kur krahasojmë identiteti tonë, vlerat tona me antivlerat e turpshme, me diskreditimin që i bëhet qytetarit shqiptar nëpërmjet vjedhjes dhe tjetërsimit të vullnetit të qytetarëve, siç provojnë kutitë e Lezhës dhe akoma me keq tentativën e Ramës për të penguar transparencën e plotë. Deformimi i vullnetit të qytetarëve shqiptarë është e papranueshme këtu në mes të Europës.”- deklaroi Basha.

ZHBLLOKOHET PROCESI I VOTIMIT NË PUKË
Ora 12:00
Problemet me listat bënë që procesi i votimit për kryetarin e Partisë Demokratike në rrethin e Pukës të fillonte në orën 12:00.

Zhbllokimi i procesit u bë pas vendimit që votimi të bëhej me listat e reja dhe jo ata që kishin ardhur nga kryesia e PD ku kishte dublime dhe nuk ekzistonin emrat e dhjetëra anëtarëve të kësaj force politike.

KORCË, ANËTARËT E PD: PROBLEMET ME LISTA TË QËLLIMSHME
Ora 11:45
Edhe në Korcë, janë regjistruar probleme me listat e votuesve. Kreu i PD-së Gjergji Papa tha se rastet janë sporadike teksa shtoi se ajo nuk është e qëllimshme.

Nga ana tjetër, anëtarët e PD-së që nuk kanë gjetur emrin në lista pretendojë se gjithçka është e qëllimshme. “Mbështesim Bashën, gjithçka e qëllimshme”, shprehen ata.

VOTON BERISHA: DO JEM NJËRI PREJ JUSH, NUK LARGOHEM
Ora 11:20
Kryetari i dorëhequr i PD-së Sali Berisha iu drejtua kutisë së votimit për zgjedhjen e pasardhësit të tij rreth orës11:20. Në një prononcim për gazetarët pasa se të futej në qendrën e votimit lideri historik i PD-së, i cili dha dorëheqjen pas zgjedhjeve të 23 qershorit duke e cilësuar zgjedhjen e kreut të ri të PD një ditë historike, përmes parimit ‘1 anëtar 1 votë’, i siguroi demokratët se nuk do largohet, por do jetë njëri prej tyre që fillimin e ri për partinë ta shndërrojë në një fitore më të madhe kundër kundërshtarit politik.

“Dy momente desha të theksoj, të theksoj me kënaqësi të veçantë se kjo është një dikë historike për Partinë Demokratike, pasi për herë të parë në historinë e saj por edhe në historinë e vendit, zgjedh bazuar në parimin më demokratik një anëtar një votë, kryetarin e saj të ri. Është një rast i shkëlqyer për tu përcjellë përshëndetjet më të përzemërta të gjithë anëtarëve dhe anëtareve të Partisë Demokratike, për mënyrën e civilizuar me të cilën ata ndoqën, respektuan garën e hapur për Kryetar partie. Për pjesëmarrjen e tyre sot në votime ti siguroj përsëri se do të jem njëri prej tyre për të bërë gjithçka që në një fillim të ri të fuqishëm të Partisë Demokratike ajo ta shndërrojë garën e parë të saj në një fitore të thellë”, u shpreh Berisha.
Berisha voton
PROBLEME ME LISTAT DHE NË BERAT
11:13
Kryetarja e komisionit në qendrën e votimit, Berat Liljana Bica në një prononcim për News24, bën me dije se disa anëtarë të PD nuk gjejnë emrat në listat e votuesve.
Gjithashtu Bica thekson se janë regjistruar edhe probleme me shtypjen e shkronjave në listat e emrave.

TIRANË, PROBLEME ME LISTAT
10:40
Teksa demokratët në gjithë vendin vijojnë të votojnë për kreun e ri të PD-së, në Tiranë është shënuar problem me listat, për personat që janë transferuar në Tiranë.

Nga qendra e votimit e vendosur në ‘Muzeun Historik Kombëtar”, gazetari Erion Skëndaj raporton p[personat e transferuar në Tiranë nuk mund të votojnë dot pasi nuk e kanë gjetur ermin e tyre në lista për shkak se nga momenti që janë anëtarësuar nuk e kanë marrë me vete dokumentacionin transferimit.

Vera Jarani, ish-kryetare e një seksiOni të PD në jnë prononcim për News24, bën me dije se vajza e saj megjithëse nuk mund të votojë për kreun e ri të PD-së pasi emri i saj nuk figuron në lista.

“Vajza është interesuar dhe nuk e ka emrin në listë. Më vjen çudi pse emrat mungojnë, vajza nuk vjen nga rrethet . unë e kam shtëpinë tek rruga “Çerçiz Topulli”, njësia 9. i me bijë nuk do votojë , vajza e ka kartën e anëtarësimit. Problemi është vënë re sot. Vajza ime është anëtarësuar para 1 viti”, shprehet Jarani.

GJIROKASTËR, SEKRETARI I PD: DISA ANËTËRË JANË HEQUR NGA LISTAT
Ora 10:15
1680 Demokratë nga Gjirokastra i janë drejtuar sot kutive të votimit për të zgjedhur kreun e ri të partisë. Ndërkohë, që janë regjistruar parregullsitë e para. Adrian Islami themelues dhe sekretar i PD nga viti 1997-2001 në një prononcim për News24, deklaron se janë hequr emrat e anëtarëve të mëparshëm të PD dhe janë zëvendësuar.

“Kjo gjë bëhet vetëm për pjesë korruptimi dhe nga klane të posaçme për të ruajtur identitetin e krerëve lokal. Themeluesi i PD-së, Sokol Karaulli, ka qenë themelues nuk e ka emrin edhe pse mban një vërtetim që e ka që nga Azem Hajdari”, thekson Islami.

Sekretari i PD-së për Gjirokastrën ka sulmuar kandidatë Basha dhe Olldashi, duke i akuzuar se e kanë kthyer partinë në klane.

BERISHA: DITË HISTORIKE PËR DEMOKRATËT
Ora 10:05
Kryetari i PD-së në detyrë Sali Berisha e ka cilësuar ditë historike zgjedhjet e pasardhësit të tij.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, Berisha thekson se për herë të parë në historinë e saj PD do e zgjedhë kreun e ri të saj përmes parimit “një anëtar, një votë’.

“Të dashur miq, sot ditë vërtet historike për PD! Në, anëtarët e saj, do zgjedhim për herë të parë në historinë tonë, por dhe të vendit, me një garë të vërtet me parimin "një anëtar një votë", Kryetarin e ri të PD. Rroftë Partia Demokratike dhe anëtarësia e saj! sb”, shkruan Berisha.

PUKË, ENDE NUK KA FILLUAR VOTIMI PËR KRYETARIN E PD-së
Ora 08:35-
Procesi i votimit për kryetarin e PD-së nuk kanisur ende në qytetin e Pukës. Pengesë për nisjen e votimit janë bërë listat e anëtarëve, pasi në rrethin e Pukës janë dërguar vetëm 730 fletë votimi. Anëtarët e PD-së thonë se listat i përkasin vitit 2005 dhe në to nuk ekzistojnë emrat e anëtarëve që i janë bashkuar PD-së vitet e fundit.

KORÇË, NIS PROCESI VOTIMIT
Ora: 08:00-
Në Korçë procesi i votimit për kreun e ri të PD-së ka nisur normalisht në orën 08:00. 5200 anëtarë të PD-së janë thirrur të marrin pjesë në votime. Sipas kryetarit të komisionit të kësaj qendre votimi, Adrian Shkëlqimi procesi i votimit është duke u zhvilluar i qetë edhe pa probleme. Sipas tij, pavarësisht orëve të para të nisjes së procesit pjesëmarrja në votim duket e kënaqshme, ndërsa pjesëmarrësit nuk kanë hasur probleme me gjetjen e emrit në listë. Në të gjithë qarkun e Korçës pritet të marrin pjesë 11.600 votues, nga këta 5200 janë anëtarë të partisë demokratikë ne rrethine Korçës, 2300 në rrethin e Devollit,3400 në rrethin e Pogradecit dhe 700 anëtarë në rrethine Kolonjës.
BASHA BASHA
MBYLLJA E FUSHATES, BASHA: RAMA-META, DYSHE ZULLUMESHNjë dita para zgjedhjeve për kreun e ri të PD-së, kandidati Lulëzim Basha ka mbyllur fushatën në një takim me anëtarët e njësive 1,3,4 dhe 11 në kryeqytet. Përpara mbështetësve të tij, Basha premtoi se nëse fiton zgjedhjet e nesërme në PD do gjejë mënyrën për ta ringritur këtë parti, për të fituar beteja të tjera.

“Kjo garë po vërteton se si ne, demokratët në momentet jo më të mira tonat rrezatojmë vlera dhe dinjitet për qytetarët e politikën shqiptare. Falenderoj nga zemra cdo anëtar që u përfshi në këtë proces të jashtëzakonshëm dhe emancipues. Të nisim rrugën tonë drejt rikthimit dhe fitores. Kemi vendosmëri për tu ringritur”, tha ai.

Gjatë këtij takimi Basha lëshoi një thirrje për bashkim mes cdo demokrati. “Në këtë garë, që në momentin e parë kam pasur një thirrje, kërkesa ime e parë, e dytë dhe e tretë ndaj cdo demokrati është që edhe sot të jemi më të bashkuar dhe me afër se kurrë me njëri-tjetrin”.

Duke u shprehur se është përgjegjësi të kandidosh për kreun e ri të PD-së, Basha tha se nuk pretendon të zëvendësojë Berishën, por kandidon për të mos e lënë të ndalë orën e lirisë.

“Askush nuk e zëvendëson Berishën, ai është lideri historik i PD, por ora e PD nuk mund të ndalë, është ora e lirisë dhe zhvillimit europian. Nuk jam i shtyrë nga ambicija personale, sot marr përgjegjësinë time para cdo demokrati dhe mbështetësi për të ofruar gjithcka nga shpirti, mendja e trupi im", tha ai.

Teksa komentoi rezultatin e 23 qershorit, Basha u shpreh se pas zgjedhjeve të reja brenda PD-së do të bëhet edhe një analizë për të gjetur pikat e forta dhe të dobëta të forcës së djathtë, më të madhe në vend.

“Rezultati nuk ishte ai që prisnim, dëshironim, për të cilin kishim punuar. Këto ditë dhe javë kanë qënë të një reflektimi të thellë. Ky tur takimesh e ditët para tij më kanë dhënë mundësinë të ndjej dhe prek hidhërimin për humbjen të militantëve anë e mbanë vendit. Kam dëgjuar dhe ndjerë tronditje, edhe për dorëheqjen e liderit tonë historik, Sali Berisha”, tha Basha ndërsa shtoi se, “Do bëhet një analizë për humbjen e zgjedhjeve, të evidentojmë pa emocion gjithcka që bëmë në këtë fushatë e vitet pararendëse”, tha ai.

Sipas Bashës, një nga shkaqet e humbjes ishte mungesa e vëmendjes ndaj bazës, antarëve dhe militantëve të PD. Ai premtoi më tej, se në krye të PD-së do të respektojë vlerat e cdo anëtari, se do dëgjojë zërin e tyre dhe do i bëjë ata pjesë të vendimmarrjes në këtë parti.

“Anëtari i PD është sovran i padiskutueshëm. Zgjedhjet do zhvillohen sipas parimit një anëtar një votë. Nuk ka, nuk shoh asnjë arsye që ky parim të mos jetë në statutin e PD. Unë do kërkoj mendimin e sovranit për cdo veprim, kjo duhet të kthehet në një normë standarde në punën e PD. Të mobilizojmë cdo mendje, e cdo shpirt, cdo anëtar”, tha ai.

Basha nuk nguroi të akuzojë të majtën dhe ti shpallë asaj luftë frontale e ballore, për ta nxjerrë sërish në opozitë.

“Kundërshatri ka komplekse të thella me trashëgiminë dhe identitetin e forcës sonë politike. Në cdo prag zgjedhjes ndryshojnë ngjyrat, bëri mavinë e mashtrimit me ngjyrën tonë. Identitetin e tij nuk arrin ta shqiptojë”, tha Basha ndërsa nënvijëzoi se ata “Vijnë nga një humnerë antivlerash”.

Kandidati për kreun e PD, tha më tej se është i vendosur të bëjë një opozitë të fortë ndaj mazhorancës së re, të cilën e cilësoi si mazhorancën e zullumit. AI tha se do bëjë cdo gjë për tu përballur me dyshen Rama-Meta. “Gati të bëj opozitë të fortë ndaj dyshes së zullumit Rama-Meta. Gati të përballem me këtë mazhorancë të zullimit”, vijoi ai.

Ai shtoi se PS faktoi edhe nga rinumërimi i Lezhës se ka ardhur në pushtet me vota të vjedhura.
“PS ka ardhur në pushtet me vjedhjen e votave, këto janë vlerat e tyre, e dëshmon rinumërimi i Lezhës. Kanë vjedhur dhe abuzuar me votën e shqiptarëve, ai bërtiste për votat në 4 vite, ndërsa sot u faktua në Lezhë si hajduti i votave, më i pacipë me mjete banditeske”, shtoi Basha.

Duke iu drejtuar Ramës, ai i kujtoi shprehjen “Kush të ka mundur njëherë është gati të të mundë përsëri”.

(er.nu/ma.ar/e.m/a.k/BalkanWeb)

Lulzim Basha kreu i ri i PD
Lulzim Basha është zgjedhur kreu i ri i Partisë Demokratike

Lindur në Tiranë më 12 qershor 1974, Lulzim Basha mbaroi me rezultate të shkëlqyera shkollën 8-vjeçare “Skënder Çaçi”, si dhe shkollën e mesme “Sami Frashëri” në Tiranë.

Lulzim Basha u angazhua që në dhjetorin e 1990 bashkë me të rinj të tjerë gjimnazistë të Tiranës përkrah studentëve dhe Partisë Demokratike të sapothemeluar. Pjesëmarrës aktiv në protestat para dhe pas zgjedhjeve të Marsit 1991, gjatë zgjedhjeve të 1992 ai ishte vëzhgues i Partisë Demokratike në KQZ.

Në vitin 1993, Basha nisi studimet në Universitetin e Utrechtit në Hollandë, ku u diplomua në të Drejtën Europiane dhe Ndërkombëtare Publike.
Në vitin 1999, Lulzim Basha u bë pjesë e skuadrës që përgatiti akt-akuzën për krime lufte ndaj Sllobodan Millosheviçit në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi. Ai më pas shërbeu në Misionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ku ndihmoi në krijimin e Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë.

Në korrik 2005, Lulzim Basha u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë si një nga përfaqësuesit e qytetit të Tiranës. Fitores së një prej zonave të vështira elektorale për Partinë Demokratike në Tiranë i parapriu angazhimi i Bashës si Koordinator i Komitetit të Orientimit të Politikave, Zëdhënës i Fushatës 2005 dhe pjesmarrja e tij në dhjetëra debate televizive përballë përfaqësuesve të mazhorancës socialiste.
Në qeverinë e re të Kryeministrit Berisha, Bashës iu besua fillimisht detyra e Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Në këtë detyrë ai nisi punimet për ndërtimin e Rrugës së Kombit, autostradës Durrës-Kukës-Morinë, vepra më e madhe infrastrukturore e ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri e cila bashkoi Shqipërinë me Kosovën.

Në maj 2007, Basha u zgjodh Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, në një kohë kur për herë të parë Shqipërinë e vizitoi një President në detyrë i SHBA-së, Xhorxh W. Bush. Gjatë drejtimit të diplomacisë nga Lulzim Basha, Shqipëria mori ftesën dhe një vit më pas u antarësua në NATO, hapi negociatat për liberalizimin e vizave me zonën Shengen, iu pranua aplikimi zyrtar për anëtarësim në Bashkimin Europian, dhe Kosova u shpall e pavarur.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, Lulzim Basha kryesoi fushatën elektorale në Qarkun e Elbasanit ku Partia Demokratike shënoi një rezultat historik duke marrë 7 nga 14 mandate në krahasim me 2 mandate në vitin 2005.

Në qeverinë e re Bashës iu besua portofoli i Ministrit të Brendshëm. Nën drejtimin e tij u përmbushën të gjitha kriteret teknike për liberalizimin e vizave në zonën Schengen, si dhe u arritën standarte të reja në luftën kundër krimit, aseteve kriminale dhe bashkëpunimit në fushën e rendit dhe sigurisë. Këto hapa bënë të mundur vendimin e Komisionit Europian për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë në dhjetor 2010.

Në vitin 2011, Lulzim Basha kandidoi kundër kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama. Fushata e Tiranës u konsiderua fushata më e mirë që Partia Demokratike kishte zhvilluar ndonjëherë. Fitorja e Bashës riktheu Partinë Demokratike në pushtet në Bashkinë e Tiranës pas 11 vitesh.
Gjatë më pak se dy viteve në drejtim të Bashkisë Tiranë, kryebashkiaku Basha ka udhëhequr një proces transformimi të kryeqytetit shqiptar. Zhvillimi ekonomik dhe punësimi, permirësimi i cilësisë së jetës për qytetarët e Tiranës dhe zbatimi i një numri projektesh strategjike për ta shndërruar Tiranën në një qytet modern dhe Europian janë shtyllat kryesore të këtij transformimi të përditshëm dhe të prekshëm për qytetarët e Tiranës dhe të gjithë vizitorët e kryeqytetit shqiptar.

Në qershor 2012 Basha u zgjodh Kryetar i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.

(BalkanWeb) 

No comments: