Sunday, July 21, 2013

Prapaskenat e 9 shkurtit ’91, Meksi shkarkoi Azem Hajdarin

Nga Mujë Buçpapaj

Gara e brendshme për kreun e ri të Partisë Demokratike ka tërhequr papritur vëmendjen e opinionit, aq sa ka lënë në hije edhe vetë përgatitjet për kompozimin e qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit 2013.
Ndoshta ajo çfarë e bën më interesante këtë garë është fakti se pas 22 korrikut do të njihemi me emrin e atij që do të zëvendësojë liderin historik të demokratëve, Prof. Dr. Sali Berishën. Përpos kësaj, nga profili dhe besueshmëria e kryetarit të ardhshëm do të varet shumë edhe natyra e kursit politik të opozitës së djathtë në vend.


Po kaq në pyetje është edhe platforma që do të përshtasë ai për të ringritur partinë, shuar sherret e brendshme pas një humbjeje poshtëruese, ruajtur ata ekuilibra që e kanë mbajtur këtë parti të bashkuar dhe forcë alternative për pushtet, si dhe orientimin e saj drejt forcimit dhe rikthimit sa më të shpejtë në fuqi.
Meqenëse jemi duke përcjellë me kureshtje garën për kreun e ri të PD-së, do të ishte interesante për të parë se si janë zhvilluar konkurrencat brenda kësaj partie gjatë 23 vjetëve, prej kur është krijuar kjo parti, me emrin e së cilës lidhen disa nga arritjet më të bujshme të shqiptarëve gjatë gjithë historisë së tyre moderne.
Vërtet PDSH-ja është dominuar nga lideri karizmatik Sali Berisha, por gjatë dekadës së parë të kësaj partie, përpjekjet për ta spostuar apo zëvendësuar atë përmes zgjedhjeve të brendshme kanë qenë të forta dhe shpesh dramatike. Pas vitit 1999, edhe nga rivalët e Berishës është pranuar fakti se Berisha ishte i pakonkurrueshëm në PD dhe sfiduesit kanë qenë fillimisht thuajse formalë dhe pastaj në dy Kuvendet e fundit nuk kanë pranuar as të garojnë.
FILLESA
Dihet se lideri i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, Azem Hajdari, është edhe kryetari i parë i Partisë Demokratike. Prej 12 dhjetorit 1990 ai u quajt si kryetar i Komisionit Nismëtar të PD-së, sido që kishte atributet e një kryetari në vendimmarrje dhe orientim politikash.
Studentet, përfshirë edhe Hajdarin, sado që kishin 7 anëtarë në kryesinë provizore të PD-së, ata shiheshin si të papërgatitur për ta çuar PD-në drejt fitores së shpejtë dhe natyrisht pa përvojën e duhur jetësore dhe profesionale, kështu që sytë hidheshin nga profesorët e zgjedhur nga studentët në Komisionin Nismëtar. Një pjesë e këtyre intelektualëve në fakt po tregonin padurim, teksa kishin planifikuar largimin e Hajdarit, i cili kishte krijuar prej ditëve të para të Lëvizjes së Dhjetorit 1990 profilin e një lideri të fortë, popullor dhe të guximshëm.
Kështu që, gjatë një mbledhjeje të mbajtur më 9 shkurt 1991 në mungesë të Hajdarit dhe Berishës, të cilët ishin në një takim që kishte organizuar presidenti komunist Alia me liderët e partive politike në vend, u organizua një mbledhje, e cila pati si përfundim heqjen e Azem Hajdarit si kryetar i PD-së.
Mbledhja zgjodhi përkohësisht kryetar Dr. Aleksandër Meksin, anëtar i Komisionit Nismëtar. Këto zgjedhje nuk u njohën, pasi “mbledhja ishte organizuar në mënyrë joformale”, si dhe se “nuk kishte kuorumin e duhur për të marrë një vendim të tillë.”
Demokratët e kundërshtuan këtë procedurë si të parregullt dhe më 13 shkurt 1991 do të mbahej aktivi i parë i Partisë Demokratike, i cili do të zgjidhte me votim të fshehtë një kryesi prej 19 anëtarësh. Pas këtij aktivi, Komisioni Nismëtar i PD-së, do të shndërrohej në Komision Drejtues të kësaj partie.
KRYETARI I RI
Nga votimi i bërë një ditë më vonë në kryesinë e re, Prof. Dr. Sali Berisha, një lider karizmatik i lëvizjes antikomuniste, u zgjodh kryetar i Komitetit Drejtues të
PD-së me 9 vota, i mbështetur nga votat e tre anëtarëve të rinj të këtij forumi, Neritan Ceka, Rexhep Uka dhe Blerim Çela. Pas tij u renditën, Aleksandër Meksi me 5 vota, Gramoz Pashko me 4 vota dhe Azem Hajdari vetëm me 1 votë.
Zoti Eduard Selami u zgjodh sekretar i përgjithshëm i këtij komiteti. Ky organizëm kishte për detyrë të drejtonte partinë deri në mbajtjen e Kuvendit Kombëtar në fund të shtatorit 1991.
Muajt në vijim ishin shumë dramatikë për vendin. Zgjedhjet e 31 marsit 1991 dhe konfirmimi i papritur i PPSH-së, ngjarjet e 2 prillit në Shkodër, rëniet njëra pas tjetrës të qeverive, asaj “Nano”, si dhe prej qershorit 1991 qeveria e stabilitetit me pjesëmarrjen e PPSH-së dhe të PD-së, kishin krijuar një panoramë të re politike në vend, të paimagjinuar më parë.
Natyrisht që kompromisi PD-PPSH, ishte një zgjidhje e vetme për ruajtjen e vendit nga shkitja në anarkinë totale, sido që aq dëshpëruese për demokratët, që mezi prisnin të shihnin PPSH-në të dalë nga skena qeverisëse e vendit. Kështu që kishin filluar hapur presionet e bazës ndaj PD-së për të dalë nga qeveria e stabilitetit (qershor-dhjetor 1991). Berisha po i përkrahte këto mendime gjithnjë dhe më shumë, i bindur se nuk kishte rrugë tjetër për nxjerrjen e vendit nga kriza. Në kundërpërgjigje të këtij qëndrimi, në fshehtësi, klanet e majta në PD po planifikonin largimin e Berishës nga drejtimi i PD-së.
Para Kuvendit të parë të PDSH, që do të mbahej më 26 shtator 1991, grupi i të majtëve në udhëheqjen e PD-së kishte organizuar edhe skenarin e zëvendësimit të Berishës me Cekën. “Ramiz Alia në prapaskenë po punonte që të bënte për vete kundërshtarët e Berishës në kryesinë e PD-së, sidomos Pashkon, Cekën dhe Zogajn. (E.Biberaj «Shqipëria në tranzicion», fq.194). Berisha që ishte figura më e padiskutueshme në PD, i mbështetur nga delegatët, studentët dhe ish-të dënuarit politikë, u zgjodh kryetar i PDSH me 499 vota pro, ndërsa rivalët e tij për këtë post, Neritan Ceka dhe Azem Hajdari morën nga 77 dhe 7 vota. Të majtët kishin humbur përfundimisht betejën për të kontrolluar PD, ndërsa ishin akoma që të mos dilej nga qeveria e koalicionit.
IKJA NGA QEVERIA “BUFI”
Demokratët e braktisën përmes polemikash të brendshme Qeverinë e Stabilitetit të drejtuar nga socialisti Ylli Bufi dhe zëvendësi i tij, demokrati Gramoz Pashko, duke i imponuar Presidentit Alia caktimin e 22 marsit 1992 si ditë të zgjedhjeve të parakohshme. Kjo shihej si rrugë e vetme për të nxjerrë vendin nga kaosi dhe mjerimi total, si dhe për të siguruar një ndihmë të vërtetë ndërkombëtare, aq të domosdoshme për ekonominë e falimentuar shqiptare. Një qeveri teknike e drejtuar nga Vilson Ahmeti përgatiti zgjedhjet e 22 marsit, e cila do të mbetej si dita më e rëndësishme e historisë së re të Shqipërisë, pasi i dha fund shtetit komunist 50-vjeçar.
Në zgjedhjet e 22 marsit PD rezultoi të kishte fituar 92 vende ose 65.7%, PS 38 vende ose 27%, PSD 7 vende ose 5%, PBDNJ 2 vende ose 1.4%. PR nuk fitoi asnjë vend.
Më 3 prill 1992, Presidenti komunist Ramiz Alia njoftoi dorëheqjen, siç tha ai‚ “për të mirën e Atdheut”. Ishte e qartë se postin e Presidentit do ta zinte kreu i PD-së, Sali Berisha. Ai ishte provuar si një politikan i aftë dhe i vendosur për të çuar Shqipërinë përpara. Berisha, pa konkurrent, ishte bërë figura më popullore në vend. Më 9 prill 1992, me 96 vota pro dhe 35 kundër, Sali Berisha u zgjodh President i ri i vendit.
Më 10 prill, Berisha dekretoi Aleksandër Meksin të krijonte qeverinë e parë demokratike. Ndërkohë që në postin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë ishte zgjedhur Pjetër Arbnori.
Më 16 Prill 1992, mbahet Konferenca Kombëtare e PD, e cila zgjedh në postin e kryetarit të partisë si pasardhës të Berishës, Eduard Selamin, deri atëherë sekretar i Përgjithshëm i kësaj partie. Selami mori 411 vota nga 485 gjithsej, ndërsa Azem Hajdari dhe Arben Imami, të dy kandidatë për kryetarë, u zgjodhën nënkryetarë të Partisë.
Në statutin e PD-së ishte sanksionuar që Kuvendi i partisë mbahej çdo dy vjet. Kështu që, në Kuvendin e Dytë të PD-së të mbajtur në 4 dhjetor 1993 do të rizgjidhej në postin e kryetarit zoti Eduard Selami, Sekretar i Përgjithshëm u zgjodh Dr. Tritan Shehu, ndërsa nënkryetarë, Ali Spahia dhe Engjëll Hysenbegasi.
PERPLASJET NE PD
Pas polemikave rreth njësimit të postit të kryetarit të partisë me atë të kryeministrit të vendit, i paraprirë nga diferenca qëndrimesh me Presidentin e vendit Sali Berisha, për sa u përket procedurave për miratimin e referendumit për Kushtetutën, i mbajtur në nëntor 1994, dhe humbjen dëshpëruese të tij etj., Eduard Selami do të humbiste vendin e kryetarit të PD-së pas rreth tre vjetësh në krye të kësaj partie.
Një Konferencë e jashtëzakonshme e PD-së e mbajtur më 5 mars 1995 do ta shkarkonte Selamin pas një procesi votimi të hapur. Plot 607 delegatë nga 664 gjithsej kishin votuar kundër tij. Nga ana e tij Eduard Selami e pranoi rezultatin. Ai vazhdoi të ishte anëtar i PD-së dhe kryetar i Komisionit të Jashtëm në Kuvendin e Shqipërisë edhe për dy vitet në vazhdim, duke shmangur qartësisht një përçarje e cila do ta dëmtonte Partinë Demokratike.
NGJITJA E SHEHUT
Partia deri në Kuvendin e ardhshëm do të udhëhiqej nga Sekretari i Përgjithshëm i saj, Prof. Tritan Shehu, i ardhur në këtë post pas një karriere të shkëlqyer si mjek, në vitin 1993.
Më 4-5 prill 1996 do të mbahej Kuvendi i Tretë zgjedhor i Partisë Demokratike. Forumi më i lartë demokrat mblidhej rreth 2 muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të 26 majit dhe në një atmosferë mjaft pozitive. Vendi kishte njohur përparime domethënëse, realizuar me përkushtim nga demokratët nëpërmjet reformave rrënjësore dhe të gjithanshme. PD priste me të drejtë të konfirmohej për një mandat tjetër qeverisës, sido që socialistët nga ana e tyre kishin bërë plane të tjera. Kuvendi zgjodhi kryetar të PD-së Prof. Tritan Shehun, pas një gare me Sekretarin e Marrëdhënieve me Publikun, Ferdinand Xhaferri, ndërkohë që Sekretar i Përgjithshëm do të zgjidhej profesori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Dr. Besnik Gjongecaj, i cili pas zgjedhjeve të 26 majit të atij viti do të emërohej ministër i Arsimit të Lartë dhe Shkencës.
Siç dihet, PS nuk do t’i njihte zgjedhjet, të cilat i kishte braktisur disa orë para mbylljes së kutive të votimit. Qeveria demokratike, e gjendur përballë kritikave të forta ndërkombëtare dhe bojkotit të parlamentit nga opozita e majtë, dukej të kishte shumë vështirësi përpara. Pas disa muajsh qetësi, situata do të ndryshonte radikalisht me shembjen e skemave mashtruese piramidale, përfshirjes së vendit në trazira të armatosura, largimit me dhunë të qeverisë legjitime “Meksi”, sundimit të komiteteve rebele kryesisht në jug të vendit, shpërbërjes së forcave të rendit dhe atyre të armatosura, që patën për pasojë daljen e situatës nga kontrolli, si dhe ardhjen e forcave shumëkombëshe për të rivënë rendin deri në zgjedhjet e qershorit të atij viti.
PD i humbi thellë zgjedhjet e parakohshme të 28 qershorit. Thuajse në 40% të territorit të vendit ajo nuk pati mundësi të bënte fushatë, për shkak se selitë e saj ishin djegur, ndërsa drejtuesit i saj ose ishin kërcënuar dhe larguar për shkaqe sigurie, ose ishin ekzekutuar. Megjithatë PD do të mund të fitonte rreth 30% të votave, falë besnikërisë së elektoratit të saj dhe guximit të qindra komisionerëve dhe drejtuesve demokratë në ato qendra ku u numëruan votat.
Sali Berisha kishte dhënë dorëheqje nga posti i Presidentit të vendit më 31 korrik 1997, duke shkuar në PD për ta ringritur serishmi në këmbë. Në fakt, siç konsiderohej atëherë, PD nuk kishte asnjë mundësi tjetër për t’u rikthyer në skenë përveç grumbullimit të saj rreth ish-presidentit Berisha, i cili shihej si e vetmja pengesë e pakalueshme për socialistët. Dhe kjo do të provohej qartë në vitet në vijim.
Më 20-21 tetor 1997 u mbajt Kuvendi i Katërt zgjedhor i Partisë Demokratike, i cili u zhvillua në një atmosferë të rëndë politike. Qindra anëtarë dhe drejtues të saj ishin ekzekutuar, përfshirë edhe plagosjen e Azem Hajdarit në Kuvend, por edhe autorin e këtyre radhëve nga bandat e komiteteve të veshura me uniformën e policisë, administrata ishte spastruar masivisht për motive politike, po kështu edhe gjykatat, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, shtypi i djathtë nuk lejohej të shpërndahej thuajse në 80% të territorit të vendit, televizioni shtetëror e kishte bojkotuar totalisht opozitën, ndërsa PD-së do t’i duhej të luftonte për të mos u zhdukur edhe fizikisht.
Në një garë me ish-kryetarin e Parlamentit, Pjetër Arbnori, Sali Berisha u zgjodh kryetar i PD-së, ndërsa Genc Pollo deri atëherë këshilltar i tij, u zgjodh në postin e nënkryetarit të Partisë, ish-ministri i Financave Ridvan Bode u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm.
Më 17 korrik 1999 u mbajt Kuvendi i Pestë i Posaçëm i PD-së (jozgjedhor). Ky Kuvend vendosi futjen e PD-së në parlament, i cili ishte bojkotuar pas ekzekutimit nga struktura të Policisë së Shtetit të themeluesit të PD-së Azem Hajdari më 12 shtator 1998, para selisë së kësaj partie.
Prej 30 shtatorit deri më 1 tetor të vitit 1999 u mbajt Kuvendi i Gjashtë zgjedhor i Partisë Demokratike. Kryetari i PD-së, Berisha, i cili ndodhej thuajse në një rrethim ndërkombëtar, u sfidua nga nënkryetari i kësaj partie, Genc Pollo, siç u tha atëherë, i nxitur nga ky faktor për ta larguar Berishën nga politika.
Pollo nuk pranoi ta zhvillonte garën deri në fund. Një ditë para mbajtjes së Kuvendit, ai njoftoi moskandidimin e tij, siç tha ai “për mospërmbushje të kushteve të garës.” Në këto rrethana zgjidhja u gjet me futjen në garë të Uran Butkës, anëtar i kryesisë së PD-së. Butka, ish-i persekutuar politik dhe pinjoll i një familjeje të shquar nacionaliste, pati deklaruar në Kuvend se ishte në garë më shumë për të plotësuar kushtin e garimit me dy rivalë sesa për ambicien e fitimit të vendit të kryetarit të PD-së.
Pavarësisht dorëheqjes nga gara për kreun e PD-së, Pollo mori pjesë në Kuvend, ku kërkoi që të zgjidhej anëtar i Këshillit Kombëtar, gjë që nuk rezultoi të kishte sukses. Pas humbjes së garës, siç tha ai “të pabarabartë”, në nëntor të vitit 1999 Pollo u largua nga PD-ja duke krijuar Partinë Demokratike të Re, e cila në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2001 do të fitonte 5 deputetë.
Nga ky Kuvend, përpos Prof. Berishës kryetar, u zgjodhën: Jozefina Topalli nënkryetare, Jemin Gjana nënkryetar dhe Ridvan Bode Sekretar i Përgjithshëm.
Më 15-16 dhjetor 2001 u zhvillua Kuvendi i Shtatë zgjedhor i Partisë Demokratike. Kongresi u mbajt pas manipulimit të rëndë të zgjedhjeve të përgjithshme të 24 qershorit të vitit 2001, e reflektuar kjo edhe në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it dhe në një rezolutë të KE-së. Në këtë Kuvend Sali Berisha u sfidua nga ish-kryeministri Aleksandër Meksi, një figurë mjaft popullore e PD-së dhe e të djathtës shqiptare.
Gara u shoqërua me paraqitjen e programeve nga të dy kandidatët. Berisha u përqendrua kryesisht tek rrugët e rikthimit të shpejtë të PD-së në pushtet, si dhe paraqitjes së një programi për qeverisjen e ardhshme, ndërsa Meksi prezantoi një listë reformash, që kishin si qëllim demokratizimin e partisë.
Zoti Meksi paraqiti disa ide të rëndësishme, një pjesë e të cilave PD po i përshtat rreth 10-13 vjet më vonë, siç ishte instalimi i parimit “një anëtar-një votë”, institucionalizimi i mendimit ndryshe, përfaqësimi i pakicës në forume dhe vendimmarrje, kandidimi individual etj.
Platforma e ish-kryeministrit demokrat, e cila ishte botuar edhe në gazetën “RD”, nuk fitoi dhe zoti Meksi dha dorëheqjen nga kandidimi për postin e kryetarit, me pretendimin se “nuk i kishin krijuar lehtësi proceduriale për zhvillimin e fushatës.”
Kryesia që doli nga ky Kuvend ishte: Sali Berisha kryetar, Bamir Topi nënkryetar, Jozefina Topalli nënkryetare, Ridvan Bode Sekretar i Përgjithshëm, Sokol Olldashi zgjidhet për herë të parë Sekretar për Organizatat Partnere.
Partia Demokratike e ndihmuar nga ndërkombëtarët do t’i impononte PS-së, marrjen e vendit të kryetarit të shtetit në vitin 2002, duke propozuar për atë post gjeneralin në pension Alfred Moisiu, ndërsa dukej qartë se në zgjedhjet e radhës do të ishin në favor të PD-së dhe opozitës së djathtë.
Më 23-24 prill 2005 do të mbahej Kuvendi i Tetë i Partisë Demokratike.
Në këtë Kuvend zoti Berisha u zgjodh pa konkurrentë, pasi PD mendonte se do të ishte vetëm një formalitet i panevojshëm vendosja e çdo figure tjetër përballë liderit historik të kësaj partie.
Kryesia që doli nga ky Kuvend ishte: Sali Berisha kryetar, Bamir Topi nënkryetar, Jozefina Topalli nënkryetare, Ridvan Bode Sekretar i Përgjithshëm, ndërsa për herë të parë zoti Lulzim Basha zgjidhet anëtar i kryesisë së kësaj partie.
PD do të rikthehej bindshëm në pushtet në zgjedhjet e përgjithshme të 3 korrikut 2005. Katër vitet e qeverisjes së saj (2005-2009), u konsideruan si një pikë kthese në historinë e vendit, tashmë anëtar i NATO-s. Pavarësisht se nuk u përmbush pritshmëria e demokratëve në zgjedhjet e qershorit 2009, PD dhe aleatet e saj arritën të merrnin 70 vende në parlament, por pas një koalicioni legjitim me LSI, tashmë PD kishte siguruar edhe një mandat tjetër qeverisës. Kjo atmosferë pozitive, por edhe vetëkënaqësie, reflektohet edhe në kongresin e radhës të demokratëve.
Më 14 dhjetor 2009 mbahet Kuvendi i Nëntë i Partisë Demokratike. Kryesia që doli nga ky Kuvend ishte: Sali Berisha Kryetar, Jozefina Topalli nënkryetare, Astrit Patozi nënkryetar, Ridvan Bode Sekretar i Përgjithshëm. Gjatë katër viteve në vazhdim, mbizotëroi prirja për të ndërtuar një parti elektorale të tipit amerikan, ndërkohë që strukturat partiake u mënjanuan dhe u lanë në harresë. Kjo apati, shkëputje nga anëtarësia si dhe mosveprim, pati shumë ndikim në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, ku ingranazhet elektorale të një gjiganti politik si PD-ja nuk funksionuan si duhet. Humbja e këtyre zgjedhjeve çoi në dorëheqjen e liderit demokrat Sali Berisha nga kreu i
PD-së, i cili si kryeministër kishte realizuar nënshkrimin e marrëveshjes së asocim-stabilizimit me BE-në, kishte përmbushur të gjitha kushtet për marrjen e statusit të vendit kandidat për Unionin Europian, si dhe falë reformash të mëdha dhe komplekse, kishte arritur heqjen e regjimit të vizave për çdo qytetar shqiptar me vendet e Bashkimit Europian, duke ruajtur ekonominë shqiptare në parametra pozitivë, pavarësisht krizës rajonale. Përpos të tjerash, ai organizoi zgjedhjet më të mira të mbajtura në historinë e pluralizmit politik shqiptar, duke arritur standardet më të larta ndërkombëtare.
Kuvendi i Dhjetë i Partisë Demokratike pritet të zhvillohet gjatë kësaj vjeshte. Por më parë kësaj partie do t’i duhet të zgjedhë kryetarin e saj të ri, përmes një gare të hapur mes dy rivalëve potencialë, L. Bashës dhe S. Olldashit. Votimi do të kryhet bazuar në parimin “një anëtar-një votë”, i cili aplikohet për herë të parë për zgjedhjen e kryetarit të PD-së, ndërkohë që për kryetarët lokalë të kësaj partie ishte aplikuar kohë më parë.

No comments: