Friday, July 19, 2013

Basha: “Përmes një platforme të detajuar, PD do të mundësojë vlerësimin e kontributit të çdo anëtari”

Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vijuar prezantimin e platformës së tij për drejtimin e Partisë Demokratike, në Lezhë, Kukës dhe Laç. Zoti Basha ka theksuar se nën drejtimin e tij, Partia Demokratike do të hartojë një platformë me anë të cilës të bëhet e mundur vlerësimi i kontributit të çdo anëtari të PD, nga themeluesit e deri tek më të rinjtë.


“Më lejoni të shpreh mendimin tim, se një nga shkaqet e humbjes ka qenë mungesa e vëmendjes, mirënjohjes, përfilljes dhe respektit për anëtarët dhe militantët e thjeshtë të Partisë Demokratike. Ne duhet dhe do të përgatisim një platformë, e cila ta shlyejë këtë borxh të akumuluar me anëtarësinë tonë” – u shpreh z. Basha.

 Zoti Basha ka paralajmëruar se menjëherë pas zgjedhjes së kryetarit të PD do të bëjë një analizë të thellë të rezultatit të 23 qershorit, duke dëgjuar zërin e çdo anëtari.

“Në vullnetin tim personal sot dhe dhënë besimi juaj në vullnetin tim si kryetar i ri i Partisë Demokratike, që gjëja më e rëndësishme që duhet bërë dhe do të bëhet është analiza e plotë, e gjithanshme dhe me përfshirjen e çdo anëtari të PD, e zgjedhjeve të 23 qershorit, jo për të bërë koka turku, as për gjueti shtrigash, natyrisht as për të larë duart nga përgjegjësitë por për të parë sy me sy njeri – tjetrin, çfarë gabimesh bëmë, në mënyrë që në bazë të këtyre gabimeve, të sigurojmë anëtarësinë e plotë të PD dhe mbështetësit tanë, se do të mësojmë prej tyre dhe do të kthehemi më të vendosur dhe më të fuqishëm se kurrë”

Përballë mazhorancës së mashtrimit, zoti Basha ka paralajmëruar se do të qëndrojë e fuqishme, opozita e drejtuar nga PD.

“Ne duhet të jemi të vendosur që Partia Demokratike të tregohet një forcë e madhe dhe e hapur, e gatshme të përthithë dhe kapitalizojë çdo energji, çdo forcë që sot e sheh veten në opozitë me mazhorancën e zullumit, të përndjekurit politikë, pronarët, biznesin e vogël, të  mesëm dhe grupet e tjera të interesit të ekonomisë shqiptare që presin të përballen me furinë neo-bllokmene të mbushjes së valixheve që i zbrazën duke blerë votat e shqiptarëve, me botën akademike, me shoqërinë civile dhe për ta vektorizuar të fuqishëm sot si energji opozitare e nesër si kusht i një mazhorance që do të vijë në pushtet”

19.07.2013

No comments: