Nuk është një intervistë për punën, ama
dikujt me axhendën plot gjatë gjithë sezonit si Zana Çela, nuk ka si të
mos ia shënojë puna ditën, nga mëngjesi në mbrëmje. Por ngelet pak vend
dhe për ushtrimet e zgjimit, drekat me miqtë dhe mbrëmjet e vona me
familjen
Cili është mëngjesi yt rutinë?
Çohem rreth orës 8 të mëngjesit,
përgatis një mëngjes fare të lehtë dhe të paktën për 10 minuta bëj
ushtrime për fizikun, që të zgjohem, për të vazhduar një ditë të gjatë
pune.
Cili do të ishte mëngjesi yt ideal?
Pas kafesë së mëngjesit, të lexoja më shumë letërsi historiko-biografike.
Jashtë shtëpisë, cili është vendi i preferuar për kafen e mëngjesit?
Hotel “Rogner”.
Me kë dëshiron të jesh në këtë gjerbje kafeje mëngjesi?
Me bashkëshortin tim.
A të pëlqen puna që bën, profesioni që ke?
Profesioni që kam është pasioni im, kur të mbarojë ky pasion do të heq dorë nga ky profesion.
A u devijon shpesh detyrimeve apo afateve ditore që ke?
Ndodh rrallë, pasi unë jam në
përgjithësi shumë e organizuar në axhendën e punëve të mia, ndodh për
arsye objektive, kur nuk jam mirë…
A je dembele? Nëse po, kur të ka kushtuar më shumë ky dembelizëm?
Jooo, nuk jam aspak dembele.
Ku të zë dreka zakonisht?
Gjatë sezonit të vjeshtës, dimrit, pranverës, afër zyrës sime, në verë në shtëpi.
Cilat janë restorantet më të preferuara për drekën tënde?
Janë disa restorante përreth zonës së Liceut Artistik e RTSH.
Fton apo të ftojnë më shpesh për drekë?
Në dreka pune ftoj, por dhe më ftojnë.
A je kursimtare?
Do doja të isha, por nuk jam.
A ke në rit gjumin apo pushimin e drekës?
Jo, nuk mundem ta kem.
Kur ke qenë e vogël, a ta kanë diktuar prindërit pushimin e detyruar të drekës? Bëje rrenga për t’i shpëtuar?
Po, mamaja na vinte në gjumë rregullisht dhe unë e ndjeja të nevojshme atëherë pushimin e drekës.
Çfarë ke ruajtur që nga fëmijëria?
Unë kam jashtëzakonisht kujtime nga
fëmijëria, pasi fëmijëria ime ka kaluar në skenë, që nga mosha
6-vjeçare. Kam imazhe e regjistrime televizive të paharrueshme dhe jam
shumë e lumtur për këtë.
Cila është koha që mbart për ty kujtimet më të bukura?
Oh, çdo periudhë e jetës sime ka kujtime të forta që nuk krahasohen me njëra-tjetrën.
Po kujtimet e hidhura?
Po humbja e gjyshes sime në një moment shumë absurd, që shoqërohet me karrierën time.
Ç’ndodh me sekretet e tua? I rrëfen diku, i shkruan diku, i mban vetëm për vete…? Ke mbajtur ditar?
Kur isha e vogël, madje deri në vitin e
dytë të Liceut Artistik, kam mbajtur ditar. Gjatë periudhës së punës
sime, blloqet e axhendës dhe shënimeve të punës janë padyshim memorizimi
më i mirë i viteve të karrierës sime. Ato blloqe i ruaj me fanatizëm,
se jam e sigurt që një ditë do më duhen….
Çfarë ka në portofolin tënd?
Gjërat e domosdoshme që ruhen në një portofol.
Në mëngjes e gjen gjithmonë menjëherë atë që kërkon në dollapin e rrobave?
Po sigurisht që e gjej, por kam dilemë se cilën prej tyre të vesh.
Ekziston një aromë të cilën ti e preferon për produkte kozmetike, ushqime të paketuara, aromatizues ambienti apo makine?
Jam alergjike dhe erërat kimikate ma
shtojnë alergjinë. Kam një markë parfumi të preferuar që e përdor që
prej 20 vitesh dhe vetëm ai parfum nuk më shkakton alergji.
Çfarë CD ke në makinë?
Muzikë të të gjitha llojeve e gjinive. Në varësi të gjendjes shpirtërore, herë dëgjoj disa e herë, të tjera.
Çfarë muzike ke zile telefoni?
Nuk përdor muzikë, por efekte tingëlluese, sepse meloditë e celulareve më japin lodhje pas pak kohësh që i përdor.
A ke miq të vjetër? Nëse po, a takoheni shpesh me ta?
Sigurisht që kam e takohemi, por jo
shumë shpesh, pasi disa nuk jetojnë në Shqipëri e disa janë, si dhe unë,
shumë të ngarkuar, e disa me detyra të rëndësishme.
A je e hapur për miqësi të reja apo duhet kohë e prova për t’u bërë mik i yti?
Jam në një moshë që i dalloj menjëherë miqtë, kështu që nuk më duhet kohë t’i pranoj e respektoj si të tillë.
Ku rri zakonisht me miqtë?
Oh, sipas rastit, i ftoj ose më ftojnë në shtëpi.
Në ç’orë mbyllesh zakonisht në shtëpi? Pra kur mbaron zakonisht dita jote?
Pas orës 20:30, kur nuk jam me aktivitete kulturore, e kur jam në sezon aktivitetesh pas orës 2 pas mesnate.
Kur shkon për të fjetur?
Shumë vonë, e kjo nuk është mirë për shëndetin, por puna ime ma ka prishur regjimin.
Kush është njeriu i fundit që i thua “Natën e mirë dhe gjumë të ëmbël”?
Djali im dhe bashkëshorti.
No comments:
Post a Comment