Sali Berisha do të duhej të ishte i
fundit në ato 48 orë pas 23 qershorit, i cili mund të jepte dorëheqjen
për rezultatin e zgjedhjeve. Në të vërtetë, ai u bë i pari dhe i fundit
që mori përgjegjësinë e humbjes mbi supet e tij. Iku një Burrë Shteti,
por jo buburrecët e pushtetit.
Ndoshta
jemi i vetmi vend në botë, ku kryetari i opozitës deklaroi 48 orë pas
zgjedhjeve se nuk e kishte imagjinuar një fitore të tillë. 77 mandate
ishte pritshmëria e Ramës. I biri i tij shkonte dhe më tej në mos
besimin ndaj fitores të të atit, kur 5 ditë para votimeve deklaronte në
rrjetin social Facebook, se shqiptarët mund t’i jepnin një mandat të
tretë Berishës. Shkuan më larg edhe nga sa vetë e kishin imagjinuar.
Për
një lider si Berisha që ka dominuar politikën shqiptare të këtij
çerekshekulli, 23 qershori ishte një rezultat i pamerituar. Jo se ai
ishte Sali Berisha, por se këto 8 vite e bënë atë Kryeministrin më të
suksesshëm që implementoi reformat që garantonin nga nevojat më
elementare të qytetarëve dhe deri tek ato më të paimagjinueshmet, nga
sigurimi i energjisë elektrike dhe dhënia fund e mbushjes së ujit me
kova nëpër lagje, e deri tek lëvizja e lirë pa viza dhe rruga e Kombit.
Nuk
jemi në fushatë që përmendja e gjithçkaje të mirë të Berishës mund të
ngrejë më shumë peshoren në anën e fitores. Jemi në postfushatë, ku
zakonisht të mirat harrohen dhe shija e humbjes na bën që të kthehemi
dhe të inatosur të anatemojmë edhe të mirën, duke mos ditur të ndajmë
shapin nga sheqeri.
Ndonjëherë
djalli fshihet në detaje, në ato detaje që na kushtuan shumë. “E gjithë
përgjegjësia është e imja”, deklaroi Berisha, ndërsa pritej të dilte
rezultati zyrtar. Kryeministri duket se kuptoi në ato orë të vështira se
ishte mundur në këtë betejë jo nga kundërshtari, por nga karriget e
mbetuara bosh për një kohë të gjatë në PD.
Ndoshta
u punua me dy shpejtësi të ndryshme. Ku në njërën korsi, atë
qeverisëse, shpejtësia ishte maksimale, kurse korsisë partiake nuk iu
dha rëndësia e duhur. Ndoshta lidershipi dhe suksesi i Kryeministrit në
reformat e qeverisë në vend që të motivonte më shumë “karriget bosh” në
PD i bëri ato inekzistente. I tulati dhe ranë në një gjumë letargjik, ku
mbizotëronte mendimi se Berisha fiton i vetëm, ndërsa ne gëzojmë së
bashku.
Fitorja
nuk vjen vetë. Ajo kërkon ekip. Dhe ekipi duhet të jetë në lartësinë e
duhur për të luajtur në të gjitha frontet, me mish dhe me shpirt.
Fitorja
nuk është romantike. Ajo është edhe dinake, por mbi të gjitha
këmbëngulëse. Po nuk e deshe, nuk të do. Po e injorove, të injoron, po e
harrove, të harron. Po u ngope shkon me të uriturin, po u lodhe shkon
dhe flirton tjetërkund.
Fitorja
do angazhim dhe përkushtim dhe jo arrogancë provincialësh dhe
zengjinësh të rinj. Të bën për ujë të ftohtë dhe jo për xhin apo raki.
Kërkon mendje të kthjellët dhe jo mendje të humbur nën avujt e alkoolit.
Duhet t’i qëndrosh vigjilent dhe jo të përgjumesh nën sediljet komode.
Njeriun
duhet ta shikosh në sy dhe të mos fshihesh nën xhamat e errëta të
syzeve 800 euroshe “Kartier” apo “Reban”. Dorën njerëzve duhet t’ua
shtrish jo vetëm kur ua ndien një pjese, por edhe atëherë kur ata kanë
nevojë. Duhet të dish të kërkosh, të lypësh, pasi më parë të kesh mësuar
se për të marrë duhet që edhe të kesh dhënë. Vetëm mortja merr dhe nuk
jep.
Të
qëndrosh drejt një herë në katër vjet, pasi ke qenë i përulur përgjatë
katër viteve. Nëse ndodh e kundërta, atëherë të bëjnë të zvarritesh. Për
të qenë serioz duhet të largosh karagjozët. Për të qenë dinjitoz duhet
të braktisësh qesharakët. Për të qenë i vërtetë duhet të largosh
servilët. Për të mbërritur tek dija duhet të shkëputesh nga injoranca.
I
harruam këto dhe menduam se, përveç nesh nuk ka kush tjetër të fitojë.
Sikur të kishim materializuar në vota të gjithë frutet e atyre reformave
të implementuara gjatë këtyre viteve në drejtimin e qeverisë nga
Berisha do t’i kishim bërë njerëzit të kuptonin se rritja e pagave dhe
pensioneve në këto tetë vite është shumë herë më e madhe se 20 mijë lekëshi apo 50 lekëshi i dhuruar në të dielën e nxehtë të 23 qershorit.
Do
t’i kishim bërë njerëzit të kuptonin se ai 50 mijë lekësh i një dite të
vetme është shumë herë më i vogël se premtimi për të mos pasur rrogë më
të ulët se 350 mijë lekëshi dhe paga të mesme më të ulët se 700
dollarëshi.
Duhej
të materializonim në vota në fshat pikërisht ato miliona e miliona
dollarë fonde të dhëna për fermerët, që kanë ndërtuar tashmë një bujqësi
konkurrente dhe që është e gatshme të garojë me vendet jo vetëm të
rajonit.
Duhej
të materializonim në vota ato mijëra e mijëra kilometra rrugë që bënë,
që e gjithë Shqipëria nga cepi më i largët verior deri tek më i thelli i
jugut të mund të përshkohet në jo më shumë se 8 orë, ndërsa deri para
tetë vitesh bëhej për dy ditë.
Dhe
për t’i materializuar të gjitha këto, çelësi i artë ishte organizimi.
Nuk mundëm të materializonim në vota atë për të cilën punuam 8 vite.
Bëmë më të vështirën, arritëm zhvillimin, bëmë reformat dhe Shqipërinë
të ndryshojë e shqiptarët të prekin Europën dhe nuk arritëm të bëjmë më
te lehtën, të korrnim frutet e asaj që kishim mbjellë.
Statuskuoja është humbja e re
Ne humbëm qeverisjen, duke harruar PD-në, tani duhet të rifitojmë PD-në për të mbërritur sërish tek qeverisja.
Gjatë
këtyre ditëve, deklarata e Berishës është lexuar në mënyra të ndryshme.
Pothuajse askush nuk është përqendruar në thelbin e saj. Ajo ka të bëjë
me të ardhmen e PD, motorit të opozicionit shqiptar. Berisha me
dorëheqjen e tij i ka hapur rrugë ndryshimit të PD.
I
ka ardhur fundi statuskuosë në parti dhe i është hapur rruga
ndryshimit. Kjo do të ndodhë. Askush nuk do të mund ta ndalë. Edhe nëse
duhet të kalojë mbi interesa apo konflikte interesi.
Statuskuoja
është armiku i çdo ndryshimi. Ai është pengmarrësi më i madh. Ai ka
fytyrën e humbjes. Ai është gremina e të gjithëve dhe e mira e pakicës.
Për të arritur tek ndryshimi duhet të kalojmë mbi statuskuonë. Kozmetika
është e panevojshme për një parti me moshë 23-vjeçare.
Askush
si Berisha nuk e njeh më mirë PD, askush si ai nuk ia di pikat e dobëta
dhe askush si ai nuk e di forcën e saj. Megjithatë, ai dha shembullin.
Ai e dha mesazhin e tij. Duhet ndryshimi. Të gjithë duhet të reflektojnë
në këtë bosht. Ka ardhur ora që PD të ecë përpara.
Më
22 korrik, PD duhet të ndryshojë për t’u ringritur. Kjo është më e
rëndësishmja për t’u kuptuar. Njerëz të përkushtuar dhe jo të përgjumur.
Njerëz të devotshëm dhe jo të rëndomtë, njerëz idealistë dhe jo
materialistë. Baza e ringritjes është morali. Dhe morali nis nga
njerëzit e duhur, në vendin e duhur dhe në kohën e duhur.
Është
absurde të mendosh se meqë Berisha i mori të gjitha përgjegjësitë
përsipër, askush tjetër të mos e ndjejë barrën e përgjegjësisë me vepra,
por vetëm me fjalë. Buburrecët e pushtetit janë sot politikisht
brejtësit më të papëlqyer jo vetëm në rradhët e demokratëve, por edhe të
shoqërisë.
Tani
fuqia është e anëtarësisë së PD, e cila ka mjetin për të shkundur
aparatin që ka zënë ndryshk. Ajo është e lirë dhe mbi të gjitha është e
vërtetë. Ajo pulson me ritëm shumë më të shpejtë se e kujtdo burokrati.
Ajo është më e fuqishme edhe se mendja më inteligjente, sepse vepron me
ndjesinë e zemrës dhe jo me kalkulimet e mendjes.