Gjergj Meta
Kam zgjedhur fjalën peregrinus për të titulluar rubrikën time të përjavshme në Mapo Weekend. E mora hua këtë fjalë prej Benediktit XVI, i cili mbrëmjen e datës 28 shkurt 2013, dita e fundit e Pontifikatit të tij, e përdori për të përkufizuar vetveten, në copëzën e fundit të jetës së tij. Më ngjiti kjo fjalë menjëherë, pasi thotë shumë. Në fund të fundit të gjithë, në një mënyrë a tjetër, kemi brenda nesh trajtat e shtegtarit. Zgjedhja e një fjale nga ky Papë për rubrikën time, ka për qëllim të shprehë edhe krejt afeksionin tim për këtë njeri, që në thjeshtësinë e tij, në sytë e gjithë globit, tregoi madhështi. Fjala latine peregrinus vjen nga ndajfolja peregre që ka në përbërje fjalën per, e cila do të thotë “nëpërmjet”, “nëpër”, “ndër” dhe ager, që do të thotë “fushë”.
Ndërsa zbërtheja këtë fjalë, e duke menduar papën, më ranë ndërmend rreshtat e një psalmi që thotë “Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon/ më mballon kullotave të gjelbra, më prin në ujëra të qeta/ shpirtin ma përtërin. Ai më prin shtigjeve të drejta në sajë të dashurisë së emrit të tij”. Kjo do të jetë jeta e tij, shtegtar në kullotat e fushat e Hyjit. Por pikërisht pse njeriu është viator (udhëtues) në vetë esencën e tij, ashtu sikur është politikon, apo faber, apo religiosus, ky Papë i la vendin dikujt tjetër, por pa ndërprerë udhëtimin e tij.
Të kthehemi tek homo peregrinus. Kuptimi i të qënit shtegtar të njeriut e lidh atë pashmangshmërisht me idenë e kërkimit të diçkaje apo dikujt si horizonti i jetës së tij. Edhe kur njeriu, për një arsye apo tjetër, zgjedh një lloj staticiteti në jetën e tij, ekziston gjithsesi një shtegtimi i brendshëm në formën e itinerarit të mendjes dhe zemrës që përsëri e bën njeriun shtegtar. Ideja e shtegtimit na lidh gjithashtu edhe me idenë e relativizimit të gjërave. Duke ecur e duke lënë, njeriu lidhet vetëm pas gjërave thelbësore, ato çka i nevojiten për udhëtim e pas asgjëje që e pengon në këtë udhëtim.
Fjala peregrinus do të thotë edhe “i huaj”, pasi njeriu që shtegton është kudo i huaj. Fjala në pjesën më të madhe na kujton një realitet mesjetar të njerëzve të cilët shtegtonin në vendet e shenjta. Hebrenjtë e kishin për detyrë të shtegtonin në tempullin e Jerusalemit. Ende sot myslimanët e kanë për detyrë, të paktën një herë në jetë të shtegtojnë në Mekë. Të krishterët nuk e kanë për detyrë, por janë të njohura tashmë shtegtimet në Tokën e Shenjtë dhe në shenjtoret, sidomos ato mariane.
Të jesh shtegtar do të thotë së pari të jesh në rrugëtim. Të dalësh në rrugë do guxim, pasi duhet të lësh siguritë dhe rrethimin e mureve. Të rrethuar shpesh me siguritë që i japim vetes sonë apo që të tjerët na imponojnë, ne nuk kemi guximin që të çelim derën e të nisemi. Për ku? Duhet një orientim. Të orientohesh do të thotë të kërkosh diellin, pasi fjala orientim vjen prej oriens (prej nga lind dielli). Nuk ka të bëjë aq më kuptimin gjeografik se sa me nevojën e thellë të njeriut që të shkojë drejt dritës që ndriçon jetën e tij dhe të tjerëve. Peregrinus pra është ai, i cili niset drejt diellit, drejt një kuptimi të qartë e të ndriçuar të jetës.
Njeriu shtegtar është gjendja më natyrore e tij, por kjo nga ana tjetër nuk do të thotë endacak apo bredharak, apo një lloj ecje kaotike pa një horizont kuptimi dhe plotësie. Në qoftë se ka diçka që e dallon epokën në të cilën jetojmë është pikërisht humbja e orientimit. Ne përdorim fjalët, por shpesh nuk ua dimë kuptimin apo ua fshehim këtë kuptim. Kaosi (humnerë në kuptimin etimologjik të fjalës) është sot kërcënimi më i madh që i bëhet njeriut. Kaos ka të bëjë me humbjen e orbitës, por edhe me humbjen e pikave të referimit, sidomos të dritës duke rënë në humnerën e errët të pakuptimit. Rënia e sigurive metafizike në kohën moderne dhe aktuale ka nxjerrë para nesh shumë detyra. Personalisht nuk e quaj aq shumë një tragjedi këtë gjë, se sa një rast të mirë për të dalë nga situata, nëpërmjet gjetjes së qasjeve të reja ndaj situatave të reja. Nga shumë anë thuhet, sidomos në ambientet me frymë fetare, se humbja e Zotit çon drejt humbjes së njeriut. E kam thënë dhe e ripohoj edhe vetë këtë gjë, por ka edhe një çështje të madhe që sot shtrohet krahas saj: si e paraqesim apo ua afrojmë njerëzve sot Zotin? Rënia e sigurive dogmatike na bën të jemi më konservatorë duke ruajtur edhe grimcat e fundit të një mendimi të ngurtë, apo na nxjerr nga siguria e rrethimit për të kërkuar rrugë e mënyra të reja për t’iu përgjigjur nevojës së njeriut për kuptim?
Në këtë rubrikë ajo çka dëshiroj të bëj është pikërisht kjo gjë: të sjell nëpërmjet reflektimeve të mia një kontribut sado të vogël, jo aq për të sjellë njerëz në grigjën time, se sa për të ofruar nota përshpirtërie, apo spiritualiteti si mund të thuhet në një gjuhë më moderne, për të cilat jam i sigurt që aq shumë ka nevojë njeriu i sotshëm, e ndër ta jam edhe vetë. Në këtë shtegtim të brendshëm thjesht i përgjigjemi ftesës që na vjen nga thellësia e qenies sonë, që ne kurrë nuk mund ta heshtim apo ta mbulojmë. Shkollat frojdiane e quan nënvetëdije, unë e quaj intimiteti më i thellë i njeriut ku gjenden gjurmët më të qarta të pranisë së diçkaje apo dikujt që na tejkalon. Në këtë shtegtim jam edhe vetë peregrinus. Njëfarë Agustini prej Ipone, që ka jetuar në kapërcyell ndërmjet shekullit V dhe VI, në itinerarin e tij të brendshëm në kërkim të një kuptimi të jetës thotë: “Mos dil prej vetvetes, kthehu te vetvetja: në brendinë e njeriut banon e vërteta e nëse do të hetosh që natyra jote është e luhatshme, dil edhe përtej vetes tënde”. Thirrja drejt brendisë është njëkohësisht thirrje për të dalë nga vetvetja e për t’u nisur drejt një shtegtimi që nuk mbaron kurrë.

No comments:
Post a Comment