Pas publikimit dje pasdite të fotove të kupolës së policisë shqiptare duke drekuar me vrasësin e dyshuar të Kryekomisar Dritan Lamajn, Arben Frrokun, drejtuesit e policisë thanë gjatë gjithë mbrëmjes nëpër ekrane televizive se Frroku ndodhej krejt rastësisht në atë tavolinë me dëshirën e tij kishte kërkuar që të dilte një foto me ta.
Agron Kuliçaj, Tonin Vocaj, Muhamet Rrumbullaku dhe Nikolin Bala ishin në një mendje:
Frroku gjendej “rastësisht” dhe provizorisht në atë tavolinë. Kishte edhe një tjetër element jo më pak të rëndësishëm në të cilin drejtuesit e policisë këmbëngulën në mënyrë të sinkronizuar mes tyre. Ata njëzëri thanë se fotoja ishte e vitit 2011. Ky element është tejet i rëndësishëm pasi siç dihet, konflikti publik mes Kryekomisarit Dritan Lamaj dhe biznesmenit Arben Frroku nisi në në muajin Janar 2012.
Por gazeta “DITA” ka siguruar një tjetër foto. Ajo daton në muajin Maj 2012, më saktë 17 Maj 2012, kohë kur kishte thuajse katër muaj që kishte nisur konflikti mes Lamajt dhe Frrokut. Madje është ekzaktësisht periudha kur një universitet privat i lidhur me Frrokun shpërndante edhe fletëpalosje ku kërkohej shkarkimi i drejtuesit të komisariatit nr.6 në Tiranë. Dy nga pjesëtarët e tryezës së fotove që dolën dje (Balaj e Frroku) kanë qenë sërish bashkë, kësaj here në stadium duke parë ndeshjen Partizani-Tërbuni. Edhe këtë herë rastësisht?
Vetë Nikolin Bala gjatë një interviste të dhënë mbrëmë për “A1 Televizion” ka thënë se “nuk kam ndonjë njohje të madhe me Arben Frrokun”. Por kjo foto që po boton sot “DITA” tregon qartësisht se pas “dollive” me krerët e policisë, të paktën një prej 4 krerëve , Nikolin Bala, ka qenë i shoqëruar me Frrokun edhe në muajin Maj 2012, kohë kur konflikti mes Lamajt dhe Frrokut ka qenë jo vetëm I njohur e i ditur, por edhe më i acaruar se kurrë.
Mohimet
Ndonëse dukeshin krejt të shpenguar, duke kënduar me çifteli, me gota rakie dhe me turshi përpara në tavolinë, katër krerët e policisë thanë se Arben Frroku nuk ishte shoqëruar me ta por thjesht u kishte kërkuar të dilnin foto. Por ka disa detaje që nuk përputhen me këtë “version” të koordinuar dhe të sinkronizuar të katër krerëve të policisë.
Më së pari, është njëtrajtshmëria e komodimit të pesë antarëve të tryezës. Në foto shihet qartësisht se njësoj si Kuliçaj, Vocaj, Bala dhe Rrumbullaku edhe Arben Frroku kishte lënë mbi tavolinë telefonat e tij, pra i pregatitur bashkë me ta për qëndrim të gjatë në tavolinë. Të gjithë xhaketë-zhveshur për qëndrim të gjatë. Një tjetët detaj është karrigia e zotit Frroku, nuk dukej sikur ai i kishte zënë vendin provizorisht dikujt. Përkundrazi ishte akomoduar njësoj si antarët e tjerë të tavolinës. Por një tjetër detaj jo më pak i rëndësishëm është origjina e fotove. Fotot janë siguruar në llogarinë e “Facebook” të drejtuesit të policisë Tonin Vocaj. Ky i fundit i kishte hedhur të gjitha fotot në një album të quajtur “Te dreka e Jak Memës”. Në llogarinë e tij të Facebook-ut të dhënat në lidhje me këtë album fotografik thonin se fotot ishin hedhur në llogari “Rreth një vit më parë”. Kohë që përkon me muajin shkurt 2012, megjithatë kjo është koha kur janë ngarkuar në “Facebook” fotot dhe nuk presupozon datën e realizimit të fotove. Nga veprimi i zotit Vocaj ama, lind një pyetje logjike. Nëse Arben Frroku ishte thjesht dikush që kërkonte të bënte një foto me krerët e policisë, si përzgjodhi pikërisht fotot ku ka dalë edhe Arben Frroku drejtuesi Vocaj për ti ngarkuar në “facebook”?! A ndodh shpesh që të hedhësh në “facebook” foto me persona rastësorë? Në albumin e zotit Vocaj nuk kishte ndonjë foto ku mungonte i dyshuari Frroku. Dhe… Pasditen e djeshme rreth orës 17:30, rezultoi se Vocaj e kishte mbyllur llogarinë e tij të Facebook-ut.
Kush janë katër krerët e policisë
Agron Kuliçaj: Drejtor i Departamentit të Hetimit dhe Zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Policisë (ish-truprojë i kryeministrit Berisha)
Tonin Vocaj: Drejtor i Drejtorisë së Krimeve të Rënda në Departamentin e Hetimeve të Krimit
Nikolin Bala: Drejtor i Njësive Operacionale Speciale
Mehmet Rrumbullaku: Drejtor i Departamentit të Sigurisë Publike
I afërmi i të vrarit: Në atë drekë është vendosur shkarkimi i Dritanit
Ndërsa 4 krerët e policisë që gjendeshin në foto me Arben Frrokun, po mohonin njëri pas tjetrit në TV duke pretenduar se ishte Arben Frroku ai që kishte kërkuar të bënte foto me ta, një i afërm i Arben Frrokut ka telefonuar dje mediat dhe ka dashur të flasë dhe të prononcohet në një lidhje direkte. Personi tha se quhej Alket Hyseni dhe se ishte jo vetëm një i afërm i Lamajt por edhe një mik i ngushtë i tij. “Foto nuk është bërë në vitin 2010. Duket qartë që Frroku është i nxirë në sy, është bërë në 2012, shumë pak kohë pas largimit të Lamajt nga komisariati numër 6… Ky vendim është marrë në atë tavolinë aty. Dyshoj dhe akuzoj drejtpërdrejt për vendimmarrje në atë tavolinë. Dyshimi më vjen nga mohimi që japin drejtuesit e policisë për faktin se Dritan Lamaj kishte shprehur se ishte kërcënuar me jetë, për të cilët prisja më shumë dinjitet,” deklaroi Alket Hyseni.
Alibia e Agron Kuliçaj
“Unë kam qenë në një drekë me kolegët e mi dhe ka qenë vetë zoti Frroku që ka kërkuar që të bëjë një foto me ne. Pra jo se ai ishte me ne por erdhi vetë dhe shprehu dëshirën që të dilte një foto. Që kur ka ndodhur vrasja kam qenë pjesëtar i grupit hetimor…Ne kemi dyshime të forta që Frroku është i përfshirë në vrasjen e Lamaj. Megjithatë unë po deklaroj këtu në televizionin tuaj se jap dorëheqjen nga hetimi”
Alibia e Tonin Vocajt
“Kemi qenë në një drek në një restorant në Dajt..rastësisht ka qenë edhe Arben Frroku, nuk ka qenë pjesëtar i tavolinës sonë…kemi qenë një grup zyrtarësh të policisë…dhe në lokal ka qenë edhe Frroku…ai është takuar me ne se unë personalisht e kam njohur atë dhe villain… Jam pjesë e këtij grupi hetimor, por pas daljes së fotove, do t’i kërkoj me shkrim prokurorit të mos jem pjesë e këtij hetimi….”.
Alibia e Nikolin Balajt
“Ajo foto është bërë në një drekë pas mesdite në mos gaboj dhe zoti Frroku ka ardhur në tavolinë me kërkesën e tij dhe e ka sjellë i zoti i lokalit. Unë nuk kam ndonjë njohje të madhe me zotin Frroku, thjesht e kam njohur si president i klubit … Ajo ka qenë një tryezë mes kolegësh dhe zoti Frroku ka ardhur aty me dëshirën e tij për të dalë foto”.
Alibia e Mehmet Rrumbullakut
“Reagimi im është fare i prerë dhe i qartë. Nuk kemi asnjë lloj lidhje me zotin Frroku. Kemi qenë në shoqërinë tonë si oficerë policie..pa asnjë lloj njohje apo komunikimi tjetër…unë kam qenë në shoqërinë e kolegëve të mi”
Burgaj: Koha kur jane bere fotot nuk ka te bej me konfliktin Lamaj-Frroku
I gjendur mes furtunës së një skandali që ka prekur kupolën më të lartë të policisë, Drejtuesi i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, vazhdoi dje teatrin “Ky është një veprim moral i tyre kur janë takuar rastësisht kur ai ka qene një qytetar normal.. pra kjo i pengon procedurat..” etj
No comments:
Post a Comment