Thursday, February 28, 2013

Fjalët e fundit të Benedikti XVI: “Jam shtegtar i thjeshtë, që fillon etapën e fundit të shtegtimit të tij mbi tokë”. Në orën 20.00, Selia Vakante

“Faleminderit, të dashur miq. Jam i lumtur që ndodhem mes jush, rrethuar nga bukuria e Gjithësisë, Krijim i Zotit, e nga simpatia juaj, që më bën shumë mirë. Faleminderit për miqësinë e dashurinë tuaj!” Këto qenë fjalët e para, që Benedikti XVI u tha besimtarëve, që e kishin mbushur plot e përplot oborrin e Pallatit Apostolik të Kastel Gandolfos.
“Ju e dini se kjo ditë e imja është e ndryshme nga të mëparshmet: do të jem Papë i Kishës Katolike deri në orën 8 të mbrëmjes, pastaj jo më. Tani, jam thjesht një shtegtar, që fillon etapën e fundit të shtegtimit të tij në këtë botë. Dua të punoj akoma me zemër, me dashuri, me lutje, me reflektime, me të gjitha forcat e brendshme, dua të punoj për të mirën e përbashkët, për të mirën e Kishës e të njerëzimit. Dhe e ndjej se simpatia juaj më mbështet. Të shkojmë përpara së bashku me Zotin, për të mirën e Kishës e të botës. Faleminderit!”


Pas këtyre fjalëve, Papa Benedikti XVI u dha të gjithëve Bekimin e tij të fundit Apostolik, duke dalë nga skena në majë të gishtave, por pa zbritur nga Kryqi i Krishtit.
Papa mbërriti në heliportin e Vilave Papnore, në Kastel Gandolfo, në orën 17.23, i shoqëruar nga tingujt e këmbanave të dioqezës së Albanos, pasi ishte larguar nga Vatikani në orën 17.07, gjithnjë nën tingujt e këmbanave. Helikopteri u rrotullua disa herë mbi Sheshin e Shën Pjetrit, për të përshëndetur besimtarët e mbledhur, që shtrëngoheshin për herë të fundit rreth Ipeshkvit të Romës, të cilit i shprehën me të gjitha mënyrat, mirënjohjen e tyre të thellë e të ndjerë. Helikopteri u ngrit mbi Koloseum e mbi Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran: të mrekullueshme, imazhet e transmetuara nga Qendra Televizive e Vatikanit.
Pak para orës 17.00, në oborrin e Shën Damazit, Benedikti XVI u përshëndet nga krerët e Sekretarisë së Shtetit, udhëhequr nga kardinali Bertone, kardinajtë Valini e Komastri dhe nga Roja Zvicerane. Mallëngjyese, përshëndetja e shoferit të makinës, i cili ndjeu nevojën t’i puthte dorën Atit të Shenjtë, në një gjest të përlotur, që kërkonte siguri. Makina, pasi kaloi para Shpellës së Lurdës në Vatikan, ndaloi në heliportin e vogël të këtij shteti 1 kilometër katror, ku Benedikti XVI u prit nga kardinali dekan Anxhelo Sodano dhe nga kardinali Lajolo, për t’u nisur me helikopter për në Kastel Gandolfo.
Këtu, Jozef Racinger u prit nga kardinali Bertelo, imzot Shaka, nga ipeshkvi i Albanos, nga drejtori i Villave Papnore, nga kryetari i bashkisë dhe nga famullitari. Benedikti XVI do të qëndrojë në Kastel Gandolfo dy muaj, për t’u kthyer pastaj në Vatikan si Papë nderi, me banesë në Kuvendin e klauzurës “Mater Ecclesiae”. Në orën 20.00, papnia e tij merr fund dhe fillon periudha e Selisë Vakante.
Që prej 400 vjetësh, Papët shkojnë në Kastel Gandolfo për verim, por sot, qyteza e qetë laciale përjetoi emocione të papara. Në shesh, për të përshëndetur Papën, famulli të tëra, familje, rregulltare, lëvizje e shoqata katolike, të rinj, ardhur në shtegtim. T’i dëgjojmë zërat e tyre:
    Erdha, sepse doja të isha më pranë Papës.
  • Faleminderit për fenë e për mësimet.

  • Jemi nga të gjitha vendet e botës: Peru, Argjentinë, Bregu i Fildishtë, Filipine, Brazil… e duam t’i shfaqim Benediktit XVI afërsinë tonë në lutje e t’i themi se do të vazhdojmë të mësojmë nga magjisteri i tij. Na ka shndritur në këto tetë vjet: e kemi ndjerë si atin tonë. Si të ishte katekist, na mori për dore e na udhëhoqi gjatë këtyre viteve.

  • Duam t’i themi se e duam fort e i kërkojmë të lutet për ne.

  • Jemi këtu për t’i treguar Papës përkrahjen tonë.

  • Sidomos, e konsiderojmë privilegj përjetimin e këtij çasti historik, me të njëjtin qëndrim si Papa: duam të rizbulojmë marrëdhëniet me Zotin, pra, thelbin e jetës.

  • Na mëson ta vendosim Zotin në plan të parë, por na tregon edhe si të jemi të përvuajtur.

  • Kemi shpresë, sepse besojmë në Zotin.

  • Nuk mund të kemi frikë nga asgjë. Jam e lumtur, që ndodhem këtu.

“Përvuajtëria të bëri të madh. Ki besim në lutjen tonë”, lexohej në parrullat, që njerëzit mbanin në duar. “Faleminderit” është

No comments: