Friday, March 23, 2012

Berisha: Presidenti, çështje shqiptare, nuk pranoj emër nga ndërkombëtarët

Z.Berisha, nga largësia e 20 viteve, çfarë mendoni që me eksperiencën që keni tani mund ta kishit bërë ndryshe në fillimet tuaja?
Me eksperiencën që kam tani, “piramidat” nuk do ishin lejuar kurrë. Këtë mendoj dhe e kam theksuar edhe një herë se ndjej keqardhjen më të madhe, por dhe aty unë kam marrë një vendim nga më të vështirët. Vendimi im ishte ky: Një borxh që nuk është marrë, nuk mund të njihet. Në mënyrë të përsëritur u kishim deklaruar shqiptarëve që bankat kishin intereset më të larta. Por megjithatë, qytetarët shqiptarët shqiptarë kishin shumë të drejtë të zemëroheshin me Sali Berishën dhe qeverinë, sepse duhet të mbroheshin nga ky fenomen. Kam pasur dy brejtje dhe pikëpyetje shumë të mëdha për veten time. E para: Neve na u shfaqën “piramidat” se nuk kishim ligjet, kishim vakum ligjor. Dhe e dyta: vendimi, që një borxh që s’është marrë, nuk mund të njihet.
A i keni stimuluar “piramidat” ju, z.Berisha?
Kurrë!
Qeveria juaj…?
Absolutisht. Ndodhi që vitet 2007-2010 ishin vitet e “piramidave” më gjigante në historinë e njerëzimit në botën perëndimore. Brejtja e parë e ndërgjegjes. Ato u shfaqën në vende të cilat kishin çdolloj institucioni për mbikëqyrjen e tregut. Dhe në fakt, jo që u shfaqën skemat, por më dramatikja ishte që bankat u shndërruan në “piramida”. Atëherë mbërrita në një konkluzion që problemi është genetik. Genet e babëzisë janë ato të cilat veprojnë kur ka mungesë ligji, por janë ato që gjithashtu tejkalojnë edhe ligjin. Ndaj nuk mund të them më se na ndodhën, sepse nuk kishin ligje, sepse këto ndodhën në vendet që kishin të gjitha ligjet. E dyta: rivali im doli dhe iu tha shqiptarëve se do t’ju jap çdo qindarkë. Unë u deklarova shqiptarëve se nuk mund të jap asnjë qindarkë. E vërteta është që mund të jepja. Kjo kërkonte që taksat e atij që s’kishte vendosur para në “piramida” t’i merreshin dhe t’i jepeshin këtij që kishte humbur para te “piramidat”, gjë që s’kishte moral. Ndaj dhe mora përgjegjësinë duke deklaruar se një borxh që s’është marrë, nuk njihet.
Përse ndërhytë ju kur këtë borxh nuk e kishit marrë ju dhe nuk kishit mekanizmat ligjorë për ta ndaluar? Pse i mbyllët fondacionet?
I mbyllëm sepse i gjetëm “piramida”.
Mund të ndërhynit më parë?
Ne iu drejtuam gjykatës. Gjykata e Apelit Tiranë iu dha të drejtë “piramidave”. Kur ato morën dhenë, ne përgatitëm ligjin. Ajo ishte veprimtari financiare private. Gjykata u dha të drejtë pasi shfrytëzoi një klauzolë të Kodit Civil që lejon huamarrjen me interes. Në këtë kontekst, unë mendoj se shqiptarët të cilët katër vite më vonë votuan më shumë partinë dhe personin që iu tha se nuk i kthej paratë…
Z. Berisha, a keni dështuar ju me ndëshkimin e krimeve të komunizmit?
Ne bëmë ligjin për lustracionin. Të njëjtin ligj që Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e kishte quajtur të vlefshëm. Gjykata kushtetuese e Çekisë e kishte quajtur të vlefshëm..
Por Gjykata Kushtetuese Shqiptare e quajti të pavlefshëm…
E cila ishte e ndërtuar nga pesë gjykatës, që kishin në historinë e tyre me dhjetëra dosje dënimesh nga më monstruozet dhe më të rëndat. Në këtë ligj, Presidenti i vendit u rreshtua me persekutorët dhe nuk firmosi ligjin. Dua të them që përpjekjet për të përndjekurit politikë kanë qenë shumë të mëdha. Për sa i përket kompensimit, ne po e vazhdojmë këtë proces. Çdo vit kemi dhënë dëmshpërblim. Janë shtuar kategoritë që përfitojnë.
A ndiheni përgjegjës për ‘97-ën z. Berisha dhe, a mund ta kishit menaxhuar ndryshe?
Sigurisht, për shkak të përgjegjësisë thirra zgjedhjet e parakohshme. Qytetarët menduan dhe besuan një pjesë e tyre se paratë i kishte marrë qeveria. Unë thirra bashkëpunëtorët e mi dhe u thashë se kjo parti ka dy rrugë: ose t’u faktojë shqiptarëve se nuk ka prekur paratë e tyre, ose të shkrihet. Një parti politike që do kishte lejuar të prekeshin paratë e qytetarëve shqiptarë, nuk duhet dhe nuk mund të kishte asnjë të ardhme. Ky ishte vendimi im. Pas dy vjetësh kontroll të gjithanshëm brenda dhe jashtë vendit, kundërshtarët që erdhën me rebelim në pushtet, u detyruan të deklarojnë se qeveria e PD-së nuk ishte e implikuar në skemat piramidale. U faktua pas dy vitesh se asnjë institucion shtetëror nuk ishte implikuar në skemat piramidale, ndërkohë që në vendet e tjera kishte pasur implikime. Gabimi ynë ishte që i lejuam ato. Nuk mund të pendohem pse nuk njoha borxhin që s’më takonte ta njihja. Nuk mund të pendohem se thirra zgjedhjet e parakohshme. Nëse partia dhe qeveria do ishin implikuar në skemat piramidale, Partia Demokratike duhej të shkrihej.
Nëse figuronin ministra apo zyrtarë të tjerë të lartë të implikuar në skemën piramidale?
Partia Demokratike do merrte përgjegjësi të tjera. Nëse PD-ja do ishte e implikuar në ndërtimin e skemave piramidale, unë isha i vendosur të kërkoja shkrirjen e partisë.
A i qëndroni ende deklaratës suaj të bërë tre muaj më parë në këtë studio, se Presidenti i vendit do t’i takojë sërish Partisë Demokratike?
Nuk e kam diskutuar asnjëherë këtë gjë.
Dhe, e keni një emër tani pas tre muajsh?
Absolutisht jo! Nuk e kam, por unë vlerësoj debatin që bëhet, ndonëse nuk është etike që të hapet muaj përpara debati për zgjedhjen e vet, kur Presidenti është në detyrë. Por ky zotëria, në një rast unik në historinë e vendit krijoi parti politike, kështu që ky është një njeri që nuk ka minimumin e kurajës dhe ndërgjegjes qytetare, sepse në çdo rrethanë, para se të bënte këtë duhet të jepte dorëheqjen. Duhet të paktën të dilte baras me Kreshnikun e tij. Institucionet shtetërore nuk janë as të Kryeministrit, as të Presidentit, por janë të gjithë qytetarëve të vendit. Para se ta shndërrosh institucionin më të lartë të vendit në një partiçkë politike….
Por z. Topi mund të krijojë një parti që mund t’ju lërë ju në opozitë z.Berisha
E vërteta është që në zgjedhjet dhe fitoren në zgjedhje, një ndihmë konstante e kam nga vetë z.Rama. Së dyti, e falenderoj shumë se më dha një ndihmë shtesë me këto dy partitë që po u bën avokatinë. Në një analizë të plotë elektorale do të kem nja dy deputetë më shumë për shkak të tyre dhe kjo është absolutisht e vërtetë. Por ka disa probleme të thella etike. Nuk ka ndodhur kurrë që një president në detyrë të krijojë parti politike. Këtë e bën vetëm ai që është primitiv në politikë ose i detyruar, jo i lirë. Kur nuk je i lirë bën çdo gjë pastaj. Një njeri i lirë nuk mund t’ia bëjë kurrë institucionit të Presidencës  këtë. Z.Topi ka shkarkuar veten para çdo shqiptari si President Republike në momentin kur ka shndërruar Presidencën në parti politike.
A keni marrë ju paralajmërim apo këshillë nga ndërkombëtarët për të zgjedhur apo mos zgjedhur emra konkretë?
Tani dua të jem i sinqertë me qytetarët e mi. Gjatë këtyre 20 viteve ka pasur vetëm një rast që është vënë në diskutim bashkëpunimi me një zyrtar, por në tërësi rregulli është që të vetmen gjë që s’e marr parasysh dot është…Kam shumë respekt për të huajt, jam jashtëzakonisht respektues, fleksibël, por në çështje emrash unë nuk jam i hapur.
Nuk ju kanë bërë një bisedë të tillë, apo ju nuk e merrni parasysh?
Unë kam një kurrikul. Jam i lexuar. E dinë që tek unë kjo bisedë nuk bën.
Nuk jua kanë bërë, po thoni?
Absolutisht jo.
Dhe nëse ju vjen një sugjerim…?
Jo, në mënyrë absolute, më vjen keq. Dhe të më vijë, as edhe një nuk mund të pranoj. Jam njeri shumë i hapur, shumë fleksibël, por përzgjedhja e kandidaturës për kryetarin e shtetit është çështja e shqiptarëve. Janë disa çështje që, në qoftë se shqiptarët vetë nuk i zgjidhin, askush nuk mund t’ua zgjidhë. Në mënyrë absolute nuk ka as edhe momentin më të vogël të mosrespektit ndaj miqve, ndaj partnerëve, ndaj të huajve. Por fakti është fakt, se pastaj nuk funksionon. Vendi ka një procedurë kushtetuese për president. Presidenti është kryetari i shtetit.
Kur mendoni se do të dalë me një vendim mazhoranca për Presidentin?
Në afatin kushtetues.

Zoti Berisha, si e mendoni se do jetë në të ardhmen raporti juaj me historinë?

Është raporti i fundit që më intereson.  Në këto 20 vite mendoj se është bërë më evident identiteti i shqiptarëve.

Pas lidershipit tuaj, mendoni se do të vazhdojë modeli i “Berishizmit” në PD?

Në asnjë moment të vetëm unë nuk kam menduar se idetë e mia dhe parimet e mia të garantojnë një trashëgimtar për to. Jo, ne jemi një shoqëri e lirë, bazohemi në vlera që besojmë dhe jemi një parti e qendrës së djathtë. Tani unë dua të them diçka: ka një rregull në këto parti, ai që është nënkryetar është se do kryetari.

No comments: