Thursday, April 14, 2011

Pse Artan Lame, Elsa Ballauri dhe Zef Preçi, munguan dje tek “INICIATIVA PER TIRANEN”

Shkruan:
Henri Çili

Ata do ta shpjegojnë vetë dhe secili mund të ketë pasuar arsye të ndryshme, nga ato tekniket deri tek ato parimoret, por mungesa e tyre, dje, në panelin e dytë dhe të fundit të “Iniciativës për Tiranën”, ku kandidatët për Bashkinë e Tiranës ishin të ftuar të debatonin me 31 ekspertët dhe intelektualët e Iniciativës, jo thjesht më trishtoi, si miq tepër të mirë që i kam. Më trishtoi se sadopak, në mungesën e tyre ndikoi një opinion i përhapur aty këtu në qytet se “Iniciativa ishte e njëanshme”, se “nuk ishte e balancuar” dhe të tjera si këto.

Por, a ishte iniciativa e njëanshme, a ishte ajo e pabalancuar, ai ishte ajo kasten për t’i shërbyer kandidatit të PD-së, Lulzim Basha? Të treja këto, nga pozitat e atij që bashkë me Grida Duman dhe Nevila Xhindin e grupit organizator, dua t’i shpjegoj me pak radhë.

Në radhë të parë, “Iniciativa për Tiranën” kishte një qëllim kryesor: të lehtësonte një debat për problemet e qytetit, për problemet e zhvillimit të kryeqytetit tonë dhe të përfitonim nga një rast i artë, ku qytetaria, në një farë mënyrë e ul në gjunjë politikën përpara publikut, zgjedhësve dhe shoqërisë civile: zgjedhjet lokale të 8 majit.

Ndaj kjo iniciativë, përmes një konsensusi të gjerë, brenda saj ftoi të dy kandidatët, ishte e hapur ndaj pranisë së të dy kandidatëve për Bashkinë e Tiranës dhe do të kishte zhvilluar të njëjtin debat, me të njëjtën përgjegjësi me secilin prej tyre. Këtë e shprehu në të dy Forumet, jo vetëm moderatorja e këtij debati, por dhe shumica e panelistëve, që e përmendën literalisht këtë disponibilitet, ashtu dhe të tjerët që nuk patën nevojë të përsëritnin këtë disponim.

Nëse ky grup do të kishte qëllim të mbështeste kandidadin e PD-së, nuk do të ishte fare problem, që në këtë listë të kishte një tjetër rreshtim, një tjetër listim për të shprehur mbështetjen ndaj këtij kandidati. Brenda këtij grupi ka kaq vlera, kualitete dhe individualitete personale dhe profesionale, sa ata që donin të bënin këtë, mund të mblidheshin bashkë dhe të bënin një mbështetje për këtë kandidat. Por nuk ishte ky qëllimi, sepse ndryshe nuk kishte asnjë arsye të mos realizohej.

A ishim të anshëm? Po, për diçka ishim të anshëm: që të gjithë ata që u inkuadruan plotësisht, apo të paktën në apelin publik që iniciativa publikoi, donin në këtë moment, për këto zgjedhje, të diskutonin për qytetin dhe Tiranën, jo për tiraninë. Jo sepse tema e tiranisë nuk është e rëndësishme, jo se ajo nuk duhet diskutuar dhe për të nuk duhet preokupuar, por sepse ndoshta nuk është ky vendi dhe momenti për këtë temë. Zgjedhjet politika janë përpara dhe në atë moment ia vlen të diskutohet, përfshi këtu dhe prespektivat më të zymta për demokracinë shqiptare, përfshi këtu edhe rrezikun e një tiranie për këtë vend!

Për të gjitha të tjerat ishim vërtet të paanshëm, ishim pluralë në raport me ideologjitë, në raport me bindjet politike, në raport me interesat profesionale.

Ndaj, edhe pse i kuptoj hezitimet e kolegëve e miqve të çmuar, me të cilët u bashkuam në këtë iniciativë, edhe them se një aktivitet i tillë, ishte vlerë në vetvete në debatin publik dhe më tepër vlerë do të përbëjnë idetë dhe mendimet që javën tjetër do të publikohen në një libër, sërish do të doja të kapërcenim hezitime të kësaj natyre, duke qenë të pranishëm në debatin publik kudo ku jemi. Qoftë edhe një bashkim të përkohshëm të ideve tona. Siç qe rasti i “Iniciativës për Tiranën” dhe siç është rasti për një debat qytetar për Tiranën.

No comments: