Sunday, April 10, 2011

Meta: Lulzim Basha kryetari që na duhet të gjithëve

LSI hap fushatën, slogani: Ndryshimi i vërtetë për Tiranën

“Tirana është lodhur nga drejtimi arrogant i bashkisë në 12 vjet”

Lëvizja Socialiste për Integrim ka zgjedhur ambientet e liqenit të Tiranës për të prezantuar sloganin e saj për kryeqytetin, “Ndryshimi i vërtetë për Tiranën”. Ky slogan u prezantua nga drejtuesit e kësaj partie si slogani i fushatës, ndërkohë që gjatë fjalës së tij kreu i LSI-së Ilir Meta tha se u përqendrua më së shumti te kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, për të cilin u shpreh se është personi që do bëjë ndryshimin e vërtetë të kryeqytetit. Sipas Metës, jeta e një qytetari në kryeqytet shkurtohet 1.5-2 vjet për shkak të ndotjes së Tiranës. Ai shtoi se prej disa vjetësh është penguar qëllimisht ndërtimi i unazës së madhe, pasi interesat e ngushta kanë dominuar mbi interesat e komunitetit të Tiranës. “Politika e fasadave është shumë e vjetër, ndaj duhet një ndryshim i vërtetë për Tiranën, një ndryshim në dobi të çdo qytetari të Tiranës, sepse qytetarët e Tiranës nuk kanë nevojë për një kryetar bashkie që shikon interesat e tij, por ka nevojë për një kryetar bashkie që t’i ndihmojë qytetarët të jetojnë në harmoni dhe ky kryetar i ri është Lulzim Basha. Tirana ka nevojë për një kryetar që e do atë, ka nevojë për një kryetar që merret pa ndërprerë me problemet dhe shqetësimet e qytetit dhe të gjithë qytetarëve. Sepse Tirana ka nevojë për një kryetar me vizion, që zgjidh problemet e sotme dhe u paraprin atyre të së nesërmes. Sepse Tirana jonë nuk mund të vazhdojë 20 vjet pa një studim të përgjithshëm urbanistik vetëm e vetëm për interesa të ngushta korruptive. Ndaj Lëvizja Socialiste për Integrim në 12 këshilltarët e parë të Tiranës, 6 i ka të Lëvizjes Rinore për Integrim. Sepse ky është qyteti juaj, i të gjithë të rinjve dhe të rejave, sepse ky është qyteti ku ju vazhdoni të ëndërroni të jetoni, dhe të jetoni shumë më mirë se sot”, - deklaroi Meta në fjalën e tij. Ndër të tjera kreu i LSI-së tha se Tirana është lodhur nga drejtimi arrogant dhe ka nevojë për një drejtim të njerëzishëm, ka nevojë për një vizion që e bën të jetë gjithmonë e para, dhe kjo nuk bëhet vetëm në fushatë elektorale. Meta e mbylli fjalën e tij me thirrjen drejtuar qytetarëve: “Jam i bindur se më 8 maj me votën e të gjithë qytetarëve të Tiranës, të lodhur nga politika e mllefit dhe e mospërfilljes, do të shkojnë të votojnë për ndryshimin e vërtetë të Tiranës.”

Premtimi i Xhixhos

“Duke dëgjuar qytetarët kuptuam se biznesi i vogël në Tiranë është duke lënguar, taksat e larta dhe mungesa e politikave stimuluese po i zënë frymën shpirtit të sipërmarrjes. Prandaj ne do të mundësojmë hapjen e 2000 bizneseve të reja nëpërmjet një sistemi kreditimi me tarifa të ulëta, i cili do të financohet nëpërmjet një fondi të veçantë të buxhetit të Tiranës. Çdo i ri, e re, qytetar i Tiranës që ka një ide të mirë për të filluar një biznes të vogël, do të përfitojë prej këtij projekti konkret. Ky është ndryshimi i vërtetë për Tiranën.

No comments: