Thursday, April 14, 2011

Berisha: Shoshori trillon, nuk kam qenë në asnjë gjyq

Kryeministri Sali Berisha tha dje se, lidhur me ngjarjen e së dielës në Bathore, policia ka zbatuar ligjin në mënyrë të paanshme. Në një intervistë në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, në “News 24″ kreu i qeverisë konfirmoi se ndryshimet në qeveri do të bëhen brenda pak ditësh, ndërkohë që hodhi poshtë të gjitha akuzat ndaj tij, të bëra nga Hysen Shoshori, ish-i dënuar politik, i cili e akuzon Berishën se ka dëshmuar kundër tij në gjyq.

Doja ta nisja bisedën me incidentet që kanë nisur në fillim të kësaj fushate elektorale. Duket një fushatë shumë e tensionuar, pse është e tillë?
Janë incidente dhe kërkoj që këto mos të përsëriten. Unë dënoj kategorikisht çdo akt dhune. I bëj thirrje anëtarëve të maxhorancës që të respektojnë rigorozisht ligjin dhe të shmangin çdo lloj akti dhune. Këtë thirrje e bëj për të gjithë simpatizantët e partive politike dhe qytetarëve. Një festë ndër më të bukurat periodike kushtetuese që është fushata elektorale, e cenojnë, e dëmtojnë, e shëmtojnë. Në tërësi jam optimist se kjo do të jetë një fushatë, për të cilën ne po bëjmë çdo gjë që të vendosim në piedestal qytetarin dhe vlerat qytetare. Jashtë çdo lloj konteksti, tensionimi dhune dhe unë jam i bindur.
Në këtë kontekst, çfarë roli do të kenë forcat e Rendit? Kam parasysh kallëzimin penal të zotit Prençi për zëvendësministrin e Brendshëm, i cili është ministër në detyrë. Ku, sipas zotit Prençi, mori një urdhër të paligjshëm nga zv.ministri i Mbrojtjes, citoj: për të shtypur militantët e PS-së në Bathore të dielën?
Ky është një proces në hetim. Të dy palët kanë paditur në Prokurori njëri-tjetrin, le të hetohet. Si është? Një gjë është e sigurt, që policia ka vetëm një urdhër, të zbatojë ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin. Kjo është porosia e prerë që drejtorit të Përgjithshëm, ministrit në detyrë, i është lënë nga Kryeministri i vendit. Një gjë është e sigurt, ata kanë zbatuar ligjin në mënyrë të paanshme.
Ju keni kërkuar shpjegime nga dy protagonistët e kësaj ngjarjeje?
Që të dy më kanë dhënë shpjegime. Njëri me shkrim, tjetri me gojë, që të dy janë adresuar në Prokurori, le të bëhet hetimi. Jo vetëm në Prokurori, por edhe në mënyrë administrative dhe do të dalë e vërteta.
Çfarë shpjegimesh ju ka dhënë zoti Premçi?
Deri sa zoti Prençi i është drejtuar Prokurorisë dhe zoti Peka po ashtu, lë të lemë Prokurorinë të hetojë.
Po Prokuroria mund t’i zgjasë hetimet pa fund. Kemi një fushatë elektorale, çfarë garancish kemi që zoti Peka nuk do të japë më urdhra të paligjshme?
Të plota garancitë. Të gjitha veprimet e kryera në të gjitha rastet kanë qenë thellësisht ligjore, tërësisht apartiake. Kjo është e vërteta jashtë çdo lloj zhurme, veprimet që janë kryer në të gjitha rastet, kanë qenë tërësisht ligjore. Unë kam besim të plotë se policia do t’i përmbahet ligjit.
Zoti Peka çfarë shpjegimesh ju ka dhënë, e ka mohuar të ketë dhënë një urdhër për të çuar këto forca në Bathore?
Çështja është në hetim, gjersa është në hetim nuk besoj se është çështje për t’u diskutuar në media dhe nga Kryeministri i vendit.
Zoti Prençi vërtetë është një polic në profesion, por ka qenë anëtar i Partisë Demokratike, anëtar e Këshillit Kombëtar të saj, i akuzuar për ngjarjet e 14 shtatorit. Nuk njihet si një polic militant i së majtës, ka qenë me të djathtët, si ka mundësi që akuzoi eprorin e tij?
E vërteta është se eprori i tij, drejtori i Policisë së Tiranës, kanë mbajtur një qëndrim ligjor dhe të paanshëm. Se çfarë është zhvilluar dhe se si ka ndodhur midis ministrit në detyrë dhe zotit Prençi, kjo do të qartësohet dhe do të hetohet.
Opozita kërkoi shkarkimin e zotit Peka?
Opozita ka të drejtat e veta.
Ju do ta dëgjoni këtë kërkesë?
Jo nuk kam asnjë arsye. Çështja është në hetim. Kaq është e gjitha.
Dua të japim deklaratën e një të përndjekuri politik, që ju akuzon ju se keni denoncuar në një gjyq publik që është zhvilluar në vitin 1975. Ju e keni mohuar te kolegu Fevziu…
Nuk kam qenë kurrë në asnjë proces gjyqësor gjatë gjithë jetës sime, as civil, as penal, as politik, as jopolitik. E dyta, nuk e njoh fare këtë familje. Njerëz, të cilët për arsye të ndryshme bëjnë deklarata të ndryshme, ka sa të duash. Këto ditë, kryeredaktori i gazetës sime më njofton se i biri ka kërkuar të bëjë deklaratë se ky është një manipulim i tërë dhe më pyeti si të veprojmë. I thashë mos u merr fare me të. Nuk i njoh fare si familje, i biri duhet të jetë fare i çliruar. Nuk e njoh fare të birin, këtë zotërinë nuk e di nëse jeton, apo jo. Kjo përbën thjesht një fantazi nga më vulgaret, nuk e di nëse i dehur apo jo i dehur, nuk e di se në ç’gjendje psikike është ky që bën deklarata, s’kam të drejtë fare ta paragjykoj. Di që gjatë jetës sime nuk kam marrë pjesë kurrë në asnjë proces civil apo penal.
Bëhet fjalë për vitin 1975?
Jo nga viti 1975, por nga 1944 kur kam lindur gjer sot, s’kam qenë kurrë në asnjë rast, asnjëherë, në asnjë sallë gjyqi.
Nuk jeni kurioz ta prisni këtë njeri?
Nuk mund të kem asnjë kuriozitet dhe të shpenzoj qoftë edhe një sekondë. Si ky mund të dalë një tjetër.
Ka qenë 25 vjet në burg…
Ky dhe shumë të tjerë që janë dënuar me 25 vjet, por cili është statusi mendor i tij, këtë nuk e di. Cila është arsyeja që ky bën një deklaratë trillim, këtë nuk e di. Unë di që nuk kam qenë kurrë në një sallë gjyqi. Ju thashë që kryeredaktori më tha që i biri ka dashur të japë një intervistë që është manipulim i paskrupullt dhe i thashë mos u merr me të. Jo për inat. Por i biri të ndjekë punën e tij.
Çfarë ndodh nëse fiton zoti Basha, do prishet apo jo Piramida, sepse ai deklaroi që është kundër prishjes?
Kemi një zhvillim shumë të rëndësishëm. Volf Prix, një nga arkitektët më të mëdhenj të kohës, fitoi me distancë nga projektet e tjera për Parlamentin e Shqipërisë. Tirana do të ketë një nga parlamentet më të bukura, më moderne. Kjo përbën një risi, një zhvillim shumë pozitiv për qytetin tonë. Duhet të pranojmë një gjë…
Pra piramida do të shembet?
Po si nuk i del mendja nga Piramida atij njeriu?
Deklarata e zotit Basha ishte për të treguar që nuk ishte një ushtar i bindur i juaji?
Ato çka thotë ai, i ka bindje. Për këtë ju garantoj. Ai është një bashkëpunëtor imi dhe ju garantoj që mendimin e tij e formulon dhe e shpreh në mënyrën më konstante, siç e ka vetë. Do ishte e gabuar të mendohej se ai atë mendim e ka të stisur, apo të akomoduar. Qeveria ka mendimin e vet. Basha deklaroi se do t’i përmbahem interesave të qytetarëve. Atë qëndrim që ka shpallur, duhet ta marrësh qëndrimin e tij. Nuk përfaqëson qëndrimin e qeverisë.
Ndryshimet e qeverisë para zgjedhjeve do t’i bëni?
Para. Ja, këto ditë do të bëhen.
Do të bëhet vetëm zëvendësimi i dy ministrave?
Akoma nuk kam arritur në vendimin përfundimtar.
Brenda kësaj jave do të bëhen?
Po, mundet brenda kësaj jave.

No comments: