Sunday, August 1, 2010

Letërsia në rivalitet me erën teknologjike?

Besa Dodaj
Nëse duhet apo jo, që letërsia të ndryshojë mënyrën e transmetimit të mesazheve të saj, duke pasur parasysh edhe ‘rivalitetin’ e erës teknologjike? Ismail Kadare dhe Flutura Açka flasin për këtë temë.

Prej më se dy dekadash, shkrimtarët, por edhe shtëpitë botuese kanë debatuar shpesh herë për vendin, që po zë libri në jetën e njeriut sot, me modernizimin e teknologjisë. Se sa afër dhe larg është tani letërsia me lexuesin. Nga ana tjetër jo rrallë herë edhe botuesit shqiptarë herë pas here përjetojnë kriza, të cilat ndikojnë në prodhimtari, por edhe në cilësi. Megjithë këtë problematikë, që karakterizon sot librin, një tjetër çështje parashtrohet. A duhet apo jo që letërsia të ndryshojë mënyrën e transmetimit të mesazheve të saj, duke pasur parasysh edhe ‘rivalitetin’ e erës teknologjike?

Një nga shkrimtarët tanë të njohur, Ismail Kadare, në lidhje me këtë çështje ka nënvizuar se ndryshimi i mënyrës së transmetimit të mesazheve të letërsisë, duke pasur parasysh zhvillimin e teknologjisë është një debat i vjetër. Një debat, që ka filluar para shumë vitesh.”A mundet, që rinovimi i makinës të ndryshojë letërsinë? Unë mendoj se në parim, letërsia nuk ndryshon. Kur letërsia, lindi në kohët e tragjedive greke, ishte moderne, lindi bashkë me modernitetin. Një pjesë është gjithmonë moderne në kohën e saj dhe pastaj bëhet klasike. Por jo për shkak të zhvillimit të teknikës, kjo nuk është e mundur”, - ka vlerësuar ai. Një pjesë e madhe e shoqërisë mendojnë, që teknika mund të bënte mrekullira, por sipas autorëve letërsia i përket një hapësire shpirtërore, që është tërësisht e huaj për teknikën. Dhe me këtë mendim pajtohet edhe Kadareja. “Ndryshimet, që ndodhin në letërsi nuk u binden ndryshimeve politike apo teknike, por ligjeve të brendshme të vetë letërsisë. Shpikja e telefonit, nuk ka pasur fare të bëjë me letërsinë. Ka pasur gjithmonë risi teknologjike në botë, por nuk kanë sjellë risi letrare”, - ka shtuar ai.

Në anën tjetër një nga përkthyeset dhe autoret tona të njohura, Flutura Açka, e ka quajtur fat të mirë, kalimin e fazës eksperimentale të letërsisë. “Letërsia ka ndryshuar. Një pjesë autorësh, që u përpoqën për ekzibicion letrar, pothuajse dolën nga tregu. Lexuesi shqiptar është një lexues i kualifikuar, që lexon autorë në gjuhë të huaj dhe e ka shumë të lehtë të vendosë për fatin apo fatalitetin e çdo autori shqiptar. Nuk e di në e dinë apo e kanë kuptuar autorët shqiptarë këtë”, - është shprehur autorja për “Botën sot”. Ndërsa duke folur rreth faktit se sa afër jemi ne në këtë letërsi ajo thotë se ne duhet të mendojmë si shqiptarë kur ulemi, por duhet të shkruajmë si evropianë dhe duhet të konkurrojmë me një letërsi që i ka dhënë fund eksperimenteve letrare foshnjarake. “Nuk mund të konkurrosh në Evropë kur shkruan për fshatin tënd asisoj, që s’ta lexon as fshati yt. Konkurrimi në eurozonë është një çështje, që na vë ne shkrimtarët shqiptarë para një prove shumë të madhe”,-ka vlerësuar znj.Açka.

Letërsia në rivalitet me erën teknologjike?

Nga ana tjetër jo rrallë herë edhe botuesit shqiptarë herë pas herë përjetojnë kriza të cilat ndikojnë në prodhimtari, por edhe në cilësi.

Ismail Kadare, në lidhje me këtë çështje ka nënvizuar se ndryshimi i mënyrës së transmetimit të mesazheve të letërsisë, duke pasur parasysh zhvillimin e teknologjisë është një debat i vjetër.

Në anën tjetër një nga përkthyeset dhe autoret tona të njohura, Flutura Açka, e ka quajtur fat të mirë, kalimin e fazës eksperimentale të letërsisë.

No comments: