Tuesday, August 3, 2010

Lamtumira, Berisha përcjell Uithers e Borchardt

Ambsadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ai gjerman, i dhanë dje lamtumirën kryeministrit Sali Berisha, pak ditë para se të largohen përfundimisht nga Shqipëria.

Dy ambasadorët, në përfundim të mandatit të tyre në Shqipëri, zhvilluan një takim të veçuar me kreun e qeverisë shqiptare. Sipas njoftimit zyrtar të Qeverisë, Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen ambasadorit Xhon Uithers për mbështetjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme, që SHBA i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe. Në këtë njoftim të shkurtër, theksohet anëtarësimi i Shqipërisë në NATO si dhe vlerësimi i ambasadorit amerikan për ecurinë e reformave në Shqipërinë, ndërsa rezervohen komentet e Kryeministrit për ambasadorin. Sipas njoftimit, Kryeministri i “uroi ambasadorit gjithë të mirat në projektin e tij për të ardhmen”. “Berisha vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të SHBA-së, mikut, aleatit dhe partnerit strategjik të shqiptarëve, të qeverisë amerikane, por dhe ambasadës së SHBA-së në Tiranë, për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke e cilësuar atë si një moment historik, si ngjarjen më të madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të sigurisë së Shqipërisë, pas shpalljes së pavarësisë. Ambasadori Uithers, pasi e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen, theksoi se largohet nga Shqipëria i lumtur, që ajo po ecën e sigurt drejt së ardhmes më të mirë. Ambasadori vlerësoi rolin dhe kontributin e Shqipërisë dhe politikave të saj konstruktive, të moderuara dhe miqësore, në shërbim të paqes dhe sigurisë në rajon”, - thuhet në njoftimin zyrtar. Nga ana tjetër, në takimin me ambasadorin gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt, Kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e tij dhënë në Shqipëri. “Kryeministri Berisha e falenderoi ambasadorin gjerman për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve dhe vlerësoi kontributin që ambasadori Borchardt dhe stafi i ambasadës në Tiranë ka dhënë në forcimin e zgjerimit e lidhjeve të gjithanshme dhe marrëdhënieve të ngushta të miqësisë e bashkëpunimit midis dy vendeve e popujve”, - thuhet në njoftim.

No comments: