Tuesday, August 3, 2010

Dëshmi rrëqethëse nga të mbijetuarit e Masakrës së Tivarit

Dr. Muhamed Pirraku
image

Si u vranë mijëra burra shqiptarë në Tivar të Malit të Zi në fund të Luftës së Dytë Botërore

Nata e Bartolomeut në Tivarin e ri

Nga të dhënat e raportit të majorit Gjuro Çetnik del se "u nxorën nga radhët” 580 veta, 430 të vrarë dhe 150 të plagosur, siç u tha më herët. Këta ishin nga pjesa e kolonës që ende gjendej në rrugë, jashtë oborrit të ndërtesës së Monopolit të Duhanit. Pse raportuesi nuk dinte ose pse nuk informonte edhe për të masakruarit gjatë marshutës dhe brenda murit të lartë në oborr dhe brenda në ndërtesë, nuk dimë!?!

Mirëpo, nga dosja e Azem Hajdinit për KQ të LKJ së, nr. 2029 1/1966 mësojmë se "diku pas mesnatës (fillimi i datës 31 mars) u nisëm (nga Shkodra) në drejtim të Ulqinit, duke i lënë të sëmurët në mëshirën e ushtarëve serbë e malazezë. Në rrugë e sipër, jo shumë larg Shkodrës, kolona jonë aty kah ora tre pas mesnatës ka hasur në një eksploziv që shtrihej mjedisit të rrugës, në një gjatësi 10 deri 20 metra. Me të plasur të eksplozivit, në mesin tonë u krijua një panik shumë i madh" dhe "nga frika shumë prej nesh u rrokullisën në të dy anët e rrugës e më pastaj filluan të shtënat e ushtarakëve, me ç'rast u vranë dhe u plagosën shumë shokë tanë (...). Pos tre të plagosurve që na lanë t'i bartnim, të sëmurët dhe të plagosurit e tjerë nuk lejuan t'i merrnim me vete (...). Instinkti i vetekzistencës dhe rreziku që në çdo moment mund të të likuidonin, nuk lejonte tjetër të mendohej, por vetëm si të shpëtohet jeta. Këtë gjendje psikike e bënte edhe më të tmerrshme hasja gjatë rrugës në kufomat që binin në krye apo nga mesi i kolonës. Në këtë pjesë të rrugës, sharjet dhe ofendimet si: "Viste zarobljeni, vodićemo vas u logor na prinudni rad!", "šiptarsku vam majku...!", "osvetiće s crnogorska omladina!", ishin "përshëndetjet" më të shpeshta (...)”.

Më tutje, Azem Hajdini, që nuk linte pamundësi për ta mohuar me burime, do të konstatojë: “Me të arritur në Tivar, diku në mes të orës 12-13:00, në çdo skutë të qytetit diktohej një mobilizim i madh i ushtrisë dhe i popullsisë, të cilët me armë në dorë, të drejtuar kah ne, na shikonin me përbuzje të madhe. Diktuam qartas komplotin dhe grackën që na ishte përgatitur. Shpirtrat tanë të virgjër u gjetën në shënjestër të pushkëve dhe të mitralozave që ishin vendosur në çdo kënd të rrugëve, në dritare dhe në tarraca të shtëpive e në shkëmbinjtë, në kodrat përreth. Fitohej përshtypja se nga ky bllokim as zogu s'do të mund të fluturonte gjallë..."

Dhe, përderisa Shtabi i Divizionit të 46-të i AJ-së Plojën e Tivarit e quan vetëm "incident të padëshiruar", ku u vranë "rreth 450 dhe u plagosën rreth 120 shqiptarë", Azem Hajdini në dëshminë e tij, shkroi: "Në qendër të Tivarit të Ri, na kanë urdhëruar të ndalemi dhe të ulemi midis rrugës, gjoja për pushim. Në afërsi të rrugës kishte qenë një krua, nga i cili ujë rridhte pa ndërprerë" dhe, sipas marrëveshjes së një grupi, do të ngrihen tre shokë: Sylë Ali Morina - Gllabari, Jahir Murtezi - Beçuku dhe Ramadan Mihaliqi - "për të apeluar tek oficeri që t'u lejonte rekrutëve që të pinin ujë. Oficeri i priti me të shara: "Šiptarsku vam majku...!" dhe u urdhëroi ushtarëve të shtinin në ta dhe i vranë. Plagosën edhe disa shqiptarë dhe "një ushtar malazez".

Ka disa tregime për vrasjen e drenicasit Sylë Ali Morina - Gllabari, si fill i realizimit të projektit të masakrës, të cilat mund të sublimohen në këtë konstatim: Sylë Morina me dy shokët, sapo iu afrua çezmës, një ushtar e qëlloi me kondak. Syla shquhej për shkathtësi dhe trimëri, ndaj ia rrëmbeu pushkën dhe dhunuesin e la të vdekur. Ushtarët e tjerë shtinë me armë dhe vranë Jahir Murtezin e Ramadan Mihaliqin dhe plagosën edhe disa rekrutë shqiptarë. Një oficer tentoi ta vriste Sylën me revole, por u pengua nga rekruti drenicas Halil Nikë Gllanasella, ndaj Sylë Morinën e plandosi një oficer tjetër me rafal automatiku. Në atë rrëmujë Halil Nika do të futet në masën e rekrutëve dhe askush nuk e denoncoi. Oficerët, në ndjekje të tij, e kapën rekrutin 18-vjeçar, Ali Lush Kodrën nga Çardaku i Therandës, plotësisht i paimplikuar me ngjarjen te çezma dhe e masakruan para të gjithëve. Një rekrut tjetër, tashtimë i pazoti ta sundonte veten, u thërriti shokëve: “Një herë kemi le e një herë kemi me vdekë…!” dhe ua hodhi dy bomba masakruesve të Ali Lushit, duke vrarë dhe plagosur disa prej tyre.

Sipas kujtesës së dhjetëra përjetuesve të Masakrës së Tivarit të 1 prillit 1945, planin e masakrës më tutje e drejtuan dy oficerët - Sveta Timotijeviç dhe Vladimir Roloviç. Ushtria serbo-malazeze kishte zënë pozita të mira për sulm dhe sapo arritën edhe tre oficerë të tjerë nga komanda ushtarake e vendit, shpërthyen të sharat në serbisht.

Mbledhësi i kujtesës së përjetuesve të Masakrës së Tivarit, Xani, më tutje, sublimon mendimin edhe të të mbijetuarve të tjerë: "Nuk vonoi shumë dhe përmes altoparlantit na u komunikua se gjoja dikush prej nesh ka tentuar t'ia grabisë ushtarit të plagosur malazez revolen, andaj kjo dhe kërkesa e organizuar për ujë u shërbeu si pretekst për ta kualifikuar si tentim kryengritjeje, për çka u kërcënuan me masa hakmarrëse drastike (...). Pas disa çastesh të heshtjes së varrit, u ngrit në këmbë njëri nga shokët tanë (...), i cili, pas konsultimit me shokë, ishte drejtuar kah oficerët me kërkesë dhe me apel qe t'u japin fund këtyre vrasjeve, maltretimeve dhe sjelljeve barbare. Por, pa u afruar mirë, në të u vërsulën ushtarët malazezë dhe me armët e me bajonetat që i kishin, vunë pushkë e copëtuan si lakër".

Tashti oficerët jugosllavë "filluan të kërcënoheshin se një nga një do të na likuidonin të gjithëve. Heshtjes sonë të mëtejme filluan t'u përgjigjeshin me tërbim. Urdhëruan që nga mesi i kolonës të ndaheshin 80 veta, të cilët i lidhën duarsh dhe i dërguan pas një ndërtese e më pastaj vetëm dëgjuam rafalet dhe britmat e klithjet (...)".

Sipas interpretimit që u bëri Aleksandër Rankoviçi zhvillimeve që sollën në Plojën e Tivarit të 1 prillit 1945, "udhëheqësit e eshalonit e nxitën revoltën midis shqiptarëve", duke planifikuar të vrisnin "40 shqiptarë për një luftëtar të vrarë". Vërtet, Shtabi i Brigadës X Malazeze, duke pasur si ekzekutorë ushtarakët Cveta Timotijeviç dhe Vladimir Roloviç, urdhëroi të nxirreshin nga kolona 100 rekrutë shqiptarë të zgjedhur, i veçuan pas një ndërtese dhe i pushkatuan me plojë të armëve automatike e bomba.

Fare pak veta shpëtuan nga kjo plojë, me plagë të rënda e të lehta dhe disa arritën të ktheheshin në kolonë, e cila nisi të trazohej. Oficerët tashti do të komandonin për grupimin e rekrutëve, në mënyrë që të realizohej "një shfarosje masive" sa më efikase. U urdhëruan të ecnin me duar të lidhura mbi kokë dhe për të hyrë në oborrin dhe në ndërtesën e Monopolit të Duhanit.

"Ndërtesa ishte e rrethuar nga të tria anët me kodra shkëmbore, kurse oborri ishte me mur të lartë me rrethojë të hekurt, me majë të mprehta (...). Në të dy anët e hyrjes së oborrit të ndërtesës ishin vendosur nga 10-15 ushtarë të përgatitur me shufra hekuri në dorë. Secili prej nesh që hynte nëpër atë hyrje, merrte goditje në kokë, në gjoks apo në shpinë (...). Këtu, në hyrje të oborrit, mbetën të shtrirë rreth 100 a 150 veta. Shumica prej tyre edhe të vdekur (...)". Pasi disa qindra veta hynë në ndërtesë, shumica hynë në oborr dhe një pjesë në grumbull "në rrugën e gjerë 7-8 metra e të gjatë 80-100 metra", ushtarët malazezë e "kapën Milazim Haxhiun nga fshati Tërnovc" i Drenicës, kinse ai paskësh tentuar t'i merrte revolen "oficerit" malazez, që u plagos dhe "mbi trupin e tij para syve tanë u zbraz një shanzher i revoles. Edhe pse e dinim se xhelatët e pashpirt po përgatitnin masakër të paskrupullt ndaj nesh", shtatë shokë, me Ibrahim Kocën, djalosh 17 vjeç, u drejtuan kah komandanti për ta lutur që të ndërpriteshin pushkatimet. Komandanti urdhëroi: "Udrite, majku im šiptarsku, neka znaju da je ovde Crna Gora, i da ćemo sve do jednog zaklati...!"

Dhe, sipas konstatimit të Xanit, "para se Ibrahim Koca ta kryente paraqitjen e kërkesave (...), në të janë vërsulur shumë ushtarë, e kanë ngulur në bajoneta, e kanë ngritur lart e pastaj e kanë hedhur në një shkëmb për ta parë më lehtë. Pastaj, me një fjalë, në mënyrë mizore ia kanë prerë hundën, veshët, krahët, e kanë bërë copë-copë".

Përjetuesi dhe pasqyruesi besnik i tragjedisë, Azem Hajdini - Xani, më tutje, do të konstatojë: "Pas këtij akti shtazarak, shtabi dhe ushtarët janë tërhequr anash nja 100 deri 150 metra. Pas dhënies së sinjalit, me një armë të rëndë të kalibrit të madh, përnjëherë nga të gjitha anët janë dëgjuar krisma. Rrebeshet e armëve të ndryshme vinin drejt nesh nga çdo skutë, oborr, shtëpi, shkëmb, dritare e pullaze të shtëpive. Shtihej me armë të zjarrit, me pushkë, me automatikë, me mortaja dore, me revole e me çka jo tjetër (…). Kështu, rrethi i ndërtesës, oborri dhe sheshi u shndërruan në lumë gjaku, që i përngjante një kataklizmi të vërtetë.

Krahas sulmit në oborr dhe në shesh, me armët e njëjta dhe intensitet të njëjtë sulmuan edhe brenda ndërtesës. Nga të shtënat e armëve dhe bombat, plafonët e ndërtesës filluan të binin mbi koka të njerëzve, kurse dyshemeja u shndërrua në liqene gjaku. Në njërin prej kateve, nga të shtënat, u rrënua krejt plafoni dhe së bashku me të një pjesë e madhe e njerëzve të gjallë dhe të vdekur ranë mbi kokat e tyre që ishin një kat më poshtë (...)".

Autori i parashtresës, drejtuar KQ të LKJ së, të Serbisë e të Kosovës, Azem Hajdini, i cili gjatë ekzekutimit të plojës ishte brenda në një dhomë të Monopolit të Duhanit, shkroi: "Nuk di si ta përshkruaj, por më kujtohet se një pjesë e atyre që u sëmurën psikikisht, por edhe të tjerë, nga frika e madhe, përnjëherë ranë në njëfarë kome (...). Të shtënat kanë zgjatur gjersa nuk është ngritur askush në këmbë dhe derisa s'kanë dhënë ndonjë shenjë gjallërie (...). Më pastaj, me intensitet më të dobësuar, të shtënat kanë vazhduar ndaj atyre që janë përpjekur të iknin këmba-dorës si dhe ndaj të plagosurve që janë strehuar nëpër shtëpi, plevica, kotarë të derrave, ahure kafshësh, në zgavrat e trungjeve të ullirit, në gypat e kanalizimit e gjetiu (...). Pas këtij akti mizor (…) të shtënat u ndërprenë, me përjashtim të ndonjë pushke e cila aty këtu shtihej mbi ata të cilët kishin tentuar të largoheshin nga kjo kasaphane. Pas nja 10-15 minutash pasoi proklamata e re e shtabit, në të cilën thuhej: "Informohen të gjithë ata që kanë mbetur gjallë ose që janë të plagosur se Komandanti Suprem i UNÇ-së, shoku Tito, ka urdhëruar ndërprerjen e zjarrit dhe të gjithë i ka falur pavarësisht prej gabimeve që kanë bërë (...)"!?!

Më tutje, Xani reflektoi qartë mbi dinakërinë dhe sadizmin antishqiptar që ushtria malazeze zbatoi ndaj të plagosurve që gjendeshin midis kufomave në sheshin kasaphanë: I ftuan të plagosurit se do t'u “jepej ndihma mjekësore”, duke kërkuar që të thërrisnin: “Rroftë Shoku Tito!’, ‘Rroftë bashkim vëllazërimi!’ dhe ‘Rroftë Ushtria Nacional Çlirimtare!"

No comments: