Sunday, October 6, 2024

Kur kryetarit të Prokurorisë Speciale i flet subkoshienca!

 


Shkruar nga Pamfleti

Në vend të akteve heroike, ai tradhtoi veten dhe tha një të vërtetë që, kush i ka dy para mend në këtë vend, e di: Ai zbaton urdhrat e Bablokut dhe merret vetëm me ish-ët.

Si tha mo, si tha? Detyra jonë është të hetojmë zyrtarë të lartë, ish-kryeministra, ish zv-kryeministra, ministra, deputetë e gjyqtarë. Pastaj, tha, ne luftojmë korrupsionin, jo emra e pozicione.

O Altin, o derman, o duman!

Kokës së qelbur të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion i foli subkoshienca. Në mes të një forumi rajonal, mes të ngjashmëve të vet për nga pozicioni, por jo nga mënyra e të punuarit, Altini i Dumanëve, duke dashur të flasë me fjalë të mëdha, duke dashur të luajë rolin e heroit që zakonisht e shoqëron me lot e qyrre, me dënesë aktoriale nën zë, doli nga rrethimi.

Në vend të akteve heroike, ai tradhtoi veten dhe tha një të vërtetë që, kush i ka dy para mend në këtë vend, e di: Ai zbaton urdhrat e Bablokut dhe merret vetëm me ish-ët.

Heton, u bën presion, e ca i çon edhe në burg. Të gjithë janë ish-a.

Ish-kryeministra, ish zv-kryeministra, ish ministra, ish zv-ministra e rrugës ca drejtorë. Edhe këta të fundit mund të ishin fare mirë ish, por Altini i Dumanëve zbaton vetëm urdhra. Dhe kur Babloku i thotë "kape" atë, Altini fillon e leh, vrapon e kafshon. Ministrat i arreston, ama shefin e tyre, e mban jashtë. As i afrohet fare madje. Nuk u përmend as emrat. Jo për gjë, për por shefat duhet të urdhërojë kryeshefi, ai më i madhi fare, naltmadhnia e nëse për ta Naltmadhnia hesht, Altini ndalon.

Pikërisht këtu qëndron kleçka. Altini është një puthador shembullor oborri. Atë e sulin, ai sulet. Por kaq. Kapacitetet trunore të Altinit të Dumanëve nuk janë aq të larta sa të mendojë e aq më pak t'i mendojë thellë këto punë. Madje-madje, ngaqë Kryeministri, të cilit ia zbaton urdhrat me sy mbyllur, ndonjëherë i rreh shpatullat, Altinit të Dumanëve ka filluar t'i duket vetja i mençur. Mban edhe fjalime, por bash këtu e prish punën. Gjërat i ngatërrohen, ndërgjegjja ngre krye dhe nënvetëdija fillon e flet me fjalë goje. Dhe Altini i Dumanëve del zbuluar.

Në të tillë delir fluturonte të enjten, kur ndërsa po mundohej të thoshte se sa e suksesshme ishte puna e tij, se sa shumë kishte arritur SPAK nën drejtimin e tij, tha se "puna jonë është të hetojmë ish-zv/kryeministra, ish-kryeministra etj.,".

O Altini i Dumanëve. Ke për detyrë e objekt të punës të hetosh edhe ish edhe aksh, edhe kryeministra në detyrë. Nëse vjedhin e shkelin ligjin edhe jo ish-ët duhen hetuar o Altin.

Apo ç'e deshe thuaj. Altini e ka ngrenë karremin. Tani përpëlitet aq shumë sa herë pas here i flet publikisht subkoshienca. /Pamfleti

No comments: