Tuesday, October 8, 2024

Hoxha turk i Namasgjasë që irritoi SHBA, a po tërhiqet Erdogan?


 Erdogan, që nuk është as në nivelin e sulltanëve të Portës së Lartë, por katapulton një klerik nga Bursa, turk safi që të drejtojë xhaminë e Tiranës...

Prej disa ditësh, mediat e financuara nga Edogani përhapën

një lajm, sipas të cilit dikasteri qëndror turk ka emëruar një imam nga qyteti i Bursës për të drejtuar faltoren.

Vetë imami, Enes Bastyr, publikoi lajmin në rrjetin social të tij, ku theksonte se ishte emëruar për të drejtuar xhaminë e madhe të Tiranës, e që e konsideronte një nder të madh.

Lajmi mori dhenë në mediat shqiptare dhe disa ndërkombëtare. Vetëm 24 orë më pas, domethënë sot, para pak minutash, hoxha i shkolluar në universitetin ‘Gazi Osman Pasha’, e fshiu postimin nga faqja e tij.

Çfarë ka ndodhur?

Pasi sipas të gjitha gjasave, hoxha Enes e ka postuar me ibadet të shefit të madh të tij, përkatësisht autoritetit qëndror religjoz që është vendosur nën komandën e qeverisë, që kur Erdogan erdhi në pushtet.

Dy janë shkaqet e këtij hapi pas të hoxhës; ose është bërë për të matur pulsin, që Erdogan ta përdorë kur të vijë nesër në Tiranë; ose i është kërkuar nga ndërkombëtarët.

Gjasat janë të jetë kjo e dyta. Pasi akti politik i vendosjes së një kleriku turk në xhaminë e Tiranës, është një akt i pastër pushtimi. Madje edhe pushtuesit vendosin kryesisht në administratë, por edhe në objektet e kultit, klerikë që i kanë aleatë por janë vendas. Përshembull Britania, vendosi në krye të muftinisë së Palestinës, Mohammed Amin al-Husseini, i cili ishte një antisemit i thekur dhe antiperëndimor i zjarrtë. Ai u vu edhe me kundërshtimin e ulemës vendase, me firmën e guvernatorit britanik të Palestinës, i cili ishte hebre.

Akti i Erdoganit, është një thikë mu në zemër ndaj bashkësisë islame shqiptare, e cila në vitin 1921 ka shpallur autoqefalinë e vet, dhe ka vendosur që të zgjedhë me proces votimi kreun e saj. Një gjest që ka rritur mjaft autoritetin e ulemës shqiptare, e cila përgjithësisht në atë kohë përbëhej nga patriotë dhe njerëz të ditur.

Akti i Erdoganit, e kthen atë fiks si në kohën e Perandorisë Osmane, ku sulltani ishte ndër të tjera edhe kalif, pra drejtues shpirtëror, një lloj pape që zgjidhte të gjithë klerikët. Përkatësisht imamët, myftinjtë dhe kadilerët në territoret e pushtuara. Por me kalimin e shekujve, ulema zgjidhej në territor.

Erdogan, që nuk është as në nivelin e sulltanëve të Portës së Lartë, por katapulton një klerik nga Bursa, turk safi që të drejtojë xhaminë e Tiranës. Të cilën e ka quajtur dhuratë, pasi e ka ndërtuar me paratë e tij, një dhuratë për besimtarët shqiptarë.

Por një moment vendosi që dhuratën ta kthejë në pronë e ta menaxhojë siç i do ‘kokrra e qejfit’. Duke trazuar ujrat mjaft të trazuara në komunitetin klerikal të Shqipërisë.

Ku ende, sot e kësaj dite është një kryepeshkop grek në krye të ortodoksëve, ndërkohë që ka edhe priftërinj katolikë italianë në Kishën Katolike. E cila duhet thënë se të gjithë kupolën drejtuese të katolikëve shqiptar e ka vendase dhe kjo është fuqizuar në vite. Madje Papa Françesku, shuguroi kryepeshkop të Tiranës, më i rëndësishmi, një perlat që është shkolluar vitet e fundit dhe nuk i përket elitës së vjetër të priftërinjve të Shkodrës, por është nga Kurbini.

Megjithatë, ajo që vret më shumë është heshtja me ‘bisht ndër shalë’ e erdoganistëve që kanë vite që sulmojnë KMSH-në e drejtuesit e saj. Të cilët janë të gjithë shqiptarë, e që në realitet kanë bllokuar tentativën e sulltanit për ta pushtuar bashkësinë islame.

Asnjë fjalë në faqet e tyre për poshtrimin që Erdogan i bëri, duke i fyer e sjellë me parashutë një hoxhë turk. Të paktën të jepnin një opinion. Jo!, kanë mbyllur gojën. Sepse në realitet i ushqen sulltani me fonde e rroga.

Ja pra që lufta e tyre kundër “gylenistëve” nuk qenka as parimore, e as demokratike. Duke i kthyer në vegla të Ankarasë, e cila siç treguan faktet, as nuk ka qëllim të ndihmojë besimtarët, e as vendin. Por të kolonizojë në të gjitha aspektet Shqipërinë./Pamfleti

Shkruar nga Pamfleti

No comments: