Ç’ndodhi realisht me të djathtën?! (Blendi Fevziu)
Nëse
befasimi i së majtës është tretur shpejt në euforinë e fitores dhe në
triumfin mbi Berishën, e djathta ngjan e shokuar dhe e paqartë
E
majta shqiptare është befasuar nga rezultati që ajo vetë ka arritur në
zgjedhje! 23 qershori ka konfirmuar një maxhorancë të panjohur prej
vitesh, e cila pritet të arrijë në kufijtë e 84–85 mandateve, por që
ç‘është më e keqja, e ka reduktuar përfaqësimin e së djathtës në thuajse
55-56 deputetë! Por nëse befasimi i së majtës është tretur shpejt në
euforinë e fitores dhe në triumfin mbi Berishën, e djathta ngjan e
shokuar dhe e paqartë për atë që ka ndodhur. Asnjë nga drejtuesit e
lartë të PD nuk di të përkthejë votën e 23 qershorit dhe përgjegjësia
zbret nga problemi themelor në një seri problemesh jo dhe aq dytësore.
Probleme që po t’i mbledhësh bashkë krijojnë pazëllin e humbjes
traumatike. Disa prej tyre, por në radhë të parë analistët, kanë filluar
të hedhin hipotezat e para dhe të gjithë bashkë drejtojnë gishtin te
lideri historik i selisë Blu, Sali Berisha.
Argumentet ende të pasistemuara sapo kanë filluar të shfaqen. Ka njerëz
që thonë se Berisha e personalizoi fushatën duke e kthyer në një
referendum pro apo kundër tij. Kjo për një njeri që militon në politikë
prej 23 vitesh dhe që ka 8 vjet në pushtet ishte fatale; Ka njerëz që
thonë se fushata e Berishës ishte një strategji krejtësisht e gabuar.
Sondazhet rrëfejnë se PD kishte një diferencë prej –5% më 16 prill me
koalicionin e majtë, ndërsa kjo diferencë u shndërrua në –16% më 11
qershor, kur rezulton sondazhi i fundit. Ajo ka humbur 11% në dy muaj,
duke prishur rregullsinë që qeveria rritet në fushatë.
PD u soll si parti që kryesonte, duke i lënë fushë të lirë
kundërshtarit, duke mos e sulmuar atë dhe duke u sjellë sikur të ishte
10 pikë para; Ka njerëz që thonë se imazhi mediatik i PD ishte po ashtu
një katastrofë. Debatuesit e famshëm dhe të frikshëm të PD u zhduken nga
studiot televizive, duke i lënë hapësirë kundërshtarit; prania e PD në
ekran iu la në dorë një ministreje arrogante dhe konfuze. Berisha vetë u
dashurua me stilin e taun holleve që më shumë të kujtonin takimet e
Hoxhës gju më gju me popullin, sesa ato të një lideri perëndimor dhe
modern. Se ai i shmangu gazetarët me të njëjtin stil dhe me po ato fraza
siç kishte vepruar Nano në vitin 2005.
Madje arriti deri aty sa klonoi edhe emisione në TV, siç nuk kish
ndodhur kurrë këto 23 vjet, dhe që përbëjnë një precedent të rrezikshëm
për median; Ka njerëz që thonë se Berisha shmangu llogaridhënien te
publiku dhe se mungesa e llogaridhënies ndëshkohet me votë; Ka njerëz që
thonë se për herë të parë në jetën e tij Berisha tentoi të mos ishte
vetvetja. Ai iu largua imazhit të liderit që kishte frymëzuar për 23
vjet të djathtën; e burrit të shtetit serioz dhe imponues (atë për të
cilën e pëlqenin dhe e besonin) dhe filloi të vinte mbi fytyrë maskën
false të një burri shakaxhi dhe të një reperi në tentativë. Kjo ishte,
sipas sondazheve të kundërshtarëve, bonusi më i madh që ai u bëri
konkurrentëve në finish të fushatës. Krijoi te publiku një konfuzion, i
cili përputhej me etiketimet që atij po i bënte lideri i opozitës dhe
ironinë e padrejtë të këtij të fundit me moshën e Kryeministrit; Ka të
tjerë që thonë se Berisha nuk prezantoi një program solid dhe nuk
ngjalli te publiku besimin që ngjalli Rama qoftë edhe me kurajën e tij
për të prezantuar një program të shkruar dhe të përmbledhur në një libër
përballë gazetarëve;
Ka të tjerë që thonë se Berisha gaboi me premtimet elektorale, tatimet,
grupet e interesit, privatizimet, korrupsionin, listën e deputetëve,
leximin e pakënaqësisë së shqiptarëve në zgjedhjet e 2011-s, fytyrat e
lodhura që qëndronin në kabinetin e tij prej tetë vitesh. Ka të tjerë që
thonë edhe të tjera e do thonë edhe më shumë ditët në vijim. Ka njerëz
që do t’i sulen brenda partisë së tij dhe jashtë saj për t’i kërkuar
përgjegjësinë për këtë humbje. Unë besoj se shumë prej këtyre tezave
janë të vërteta dhe shumë të tjera të ekzagjeruara, por unë nuk besoj se
Berisha humbi thjesht prej tyre. Veç një arrogancë mbresëlënëse që
shfaqej hapur te Jozefina Topalli e që së fundmi përfshiu edhe atë vetë,
Berisha nuk mund ta shmangte humbjen. Ai humbi sepse kishte ardhur koha
të humbiste.
Sepse në politikën pluraliste të pas vitit 1990, ai është pa dyshim
lideri më i madh dhe më i rëndësishëm politik. Ai ishte një talent i
rrallë që i mundi një nga një konkurrentët që kishte përballë, nga Ramiz
Alia te Fatos Nano, dhe nga ky i fundit te Edi Rama në 2009-n. Berisha
shënjoi fort këtë çerek shekulli të historisë së Shqipërisë, por edhe
fuqitë, edhe talenti, edhe frymëzimi kanë një kufi. Çdo lider, sado i
madh qoftë, humb një ditë. Kështu humbi Theçeri, Koli, Andreoti. Nëse
gjithçka më sipër Berisha do ta kishte bërë më mirë, ai mund të
siguronte një humbje më të ngushtë ose edhe një fitore të zbehtë, por
kjo ka pak rëndësi.
Berisha humbi pas dy mandatesh rresht dhe pas 13 vitesh në pushtet. Ai
ka fituar më shumë zgjedhje se kushdo tjetër në këtë vend; ashtu siç
edhe ka humbur. Ai e ka mbajtur të djathtën në pushtet falë një talenti
brilant, edhe kur ka qenë në kufijtë e mundësive. Ai vetë dhe të
djathtët duhet të jenë krenarë për këtë. Duhet të jenë krenarë për dy
mandatet e tyre; edhe për pesë vitet që e drejtuan vendin në fillim të
viteve ’90. Duhet të krenohen për atë që kanë lënë pas dhe të kuptojnë
se loja e demokracisë dhe e pluralizmit është e tillë, fiton dhe humbet.
Dhe në demokraci, humbja është po aq fitore nëse ti di ta kuptosh dhe
ta lexosh me dinjitet. Ndaj, ajo që duhet të bëjë e djathta është të
lexojë e analizoje humbjen dhe të përgatitet për betejën e radhës. Në
demokraci nuk ka asnjë të humbur të përjetshëm, siç nuk ka edhe fitues
të tillë!
No comments:
Post a Comment